BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 mars f. 20-25
  • Vazhdo të ecësh me anë të besimit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Vazhdo të ecësh me anë të besimit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • KUR ZGJEDH PUNËN
  • KUR ZGJEDH SHOKUN A SHOQEN E JETËS
  • KUR JEPET NJË DREJTIM TEOKRATIK
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Gjej përgjigjet e këtyre pyetjeve
    Programi i Asamblesë Qarkore 2025-2026—Me mbikëqyrësin qarkor
  • Si t’i mposhtësh dyshimet
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 mars f. 20-25

ARTIKULLI I STUDIMIT 12

KËNGA 119 Besimi që mund botën

Vazhdo të ecësh me anë të besimit

«Po ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet.»—2 KOR. 5:7.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si mund të vazhdojmë të ecim me anë të besimit kur marrim vendime të rëndësishme.

1. Pse mund të ndihej i kënaqur apostulli Pavël teksa sillte ndër mend jetën e vet?

APOSTULLI Pavël e dinte se pas pak e priste vdekja. Megjithatë, ndërsa kthente kokën pas, mund të ishte plotësisht i kënaqur me jetën e tij. Ai tha: «Garën e përfundova, besimin e ruajta.» (2 Tim. 4:6-8) Pavli kishte marrë vendime të mençura në shërbim dhe s’kishte fije dyshimi se Jehovai ishte i lumtur me të. Edhe ne mund të marrim vendime të mençura dhe të gëzojmë miratimin e Perëndisë. Si mund ta bëjmë këtë?

2. Ç’do të thotë të ecësh me anë të besimit?

2 Pavli shkroi për veten dhe për të krishterë të tjerë me besim të fortë: «Po ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet.» (2 Kor. 5:7) Ç’donte të thoshte? Në disa raste, fjala «ecim» në Bibël nënkupton mënyrën si zgjedhim ta ndërtojmë jetën. Një njeri që ecën vetëm me anë të asaj që shihet, i merr vendimet thjesht në bazë të asaj që sheh, dëgjon ose percepton nëpërmjet shqisave. Kurse një njeri që ecën me anë të besimit, i merr vendimet në bazë të besimit te Perëndia Jehova. Veprimet e tij tregojnë se është i bindur që Jehovai do ta shpërblejë dhe do të nxjerrë dobi duke ndjekur këshillat e Fjalës së Tij.—Psal. 119:66; Hebr. 11:6.

3. Cilat dobi vijnë kur ecim me anë të besimit? (2 Korintasve 4:18)

3 Hera-herës të gjithë marrim vendime duke u bazuar tek ajo që perceptojmë përmes shqisave. Ama, nëse mbështetemi vetëm te gjërat që shohim a dëgjojmë kur marrim vendime të rëndësishme, ka shumë gjasa të kemi probleme. Pse? Sepse ajo që perceptojmë nëpërmjet shqisave mund të na mashtrojë. Por edhe kur s’na mashtron, po të ecim vetëm me anë të asaj që shihet, ka rrezik që me kalimin e kohës të shpërfillim vullnetin ose këshillat e Perëndisë. (Ekl. 11:9; Mat. 24:37-39) Nga ana tjetër, nëse ecim me anë të besimit, ka më shumë të ngjarë të marrim vendime ‘të pranueshme për Zotërinë’. (Efes. 5:10) Po t’ua vëmë veshin këshillave të Perëndisë, do të kemi paqe të brendshme dhe do të jemi vërtet të lumtur. (Psal. 16:8, 9; Isa. 48:17, 18) Gjithashtu, nëse vazhdojmë të ecim me anë të besimit, do të gëzojmë jetën pa fund.—Lexo 2 Korintasve 4:18.

4. Si mund ta dimë nëse po ecim me anë të besimit apo me anë të asaj që shihet?

4 Si ta kuptojmë nëse po ecim me anë të besimit apo me anë të asaj që shihet? Mund ta kuptojmë nga përgjigjja që i japim kësaj pyetjeje: nga çfarë udhëhiqem kur marr vendime—vetëm nga gjërat që shoh apo nga këshillat e Jehovait? Le të shohim si mund të vazhdojmë të ecim me anë të besimit në tri aspekte të rëndësishme: kur zgjedhim punën, kur zgjedhim shokun a shoqen e jetës dhe kur marrim një drejtim teokratik. Në secilin rast, do të shohim çfarë duhet të peshojmë që të marrim vendime të mençura.

KUR ZGJEDH PUNËN

5. Për çfarë duhet të mendojmë kur zgjedhim punën?

5 Të gjithë duam të sigurojmë gjërat e nevojshme për veten dhe për familjen. (Ekl. 7:12; 1 Tim. 5:8) Disa punë kanë rrogë të mirë dhe të japin mundësi të mbulosh shpenzimet e përditshme dhe të vësh diçka mënjanë. Ndërsa punë të tjera kanë rrogë më të ulët, sa për të siguruar gjërat e domosdoshme për familjen. Kur vendosim nëse do ta pranojmë një punë, është normale të mendojmë sa do të paguhemi. Ama, nëse kjo është e vetmja gjë që marrim parasysh, atëherë po ecim me anë të asaj që shihet.

6. Si mund të ecim me anë të besimit kur zgjedhim punën? (Hebrenjve 13:5)

6 Nëse ecim me anë të besimit, do të peshojmë edhe si do të ndikojë puna te miqësia me Jehovain. Mund të pyesim veten: «A kërkon kjo punë të përfshihem në praktika që Jehovai i urren?» (Prov. 6:16-19) «A do të më bëhet pengesë për adhurimin dhe a do të më duhet të jem larg familjes për periudha të gjata?» (Filip. 1:10) Nëse përgjigjja për këto pyetje është «po», do të ishte e mençur të mos e pranonim punën, edhe në ato raste kur është e vështirë të gjesh punë. Ndërsa ecim me anë të besimit, marrim vendime që tregojnë se jemi të bindur që Jehovai do të kujdeset të kemi gjërat e nevojshme.—Mat. 6:33; lexo Hebrenjve 13:5.

7-8. Si eci me anë të besimit një vëlla në Amerikën e Jugut? (Shih edhe figurën.)

7 Të shohim rastin e Havierit,a një vëlla në Amerikën e Jugut, i cili e kuptoi sa e rëndësishme është të ecim me anë të besimit. Ai thotë: «Kisha aplikuar për një punë prestigjoze që e kisha me shumë qejf dhe ku do të merrja dyfishin e rrogës.» Mirëpo Havieri kishte shumë dëshirë të shërbente si pionier. Ai shton: «Më përzgjodhën për një intervistë me menaxherin e përgjithshëm. Para intervistës u luta për ndihmë, i sigurt se Jehovai e dinte ç’ishte më e mira për mua. Doja të ecja para në profesionin tim, ama nuk e doja atë punë nëse nuk do të më ndihmonte të arrija synimet teokratike.»

8 Havieri tregon: «Gjatë intervistës, menaxheri më tha se do të duhej të punoja shpesh jashtë orarit. I shpjegova me mirësjellje se kjo ishte e pamundur për shkak të aktiviteteve të mia fetare.» Kështu, Havieri e refuzoi ofertën. Dy javë më vonë filloi shërbimin si pionier dhe pas ca muajsh gjeti punë me orar të pjesshëm. Ai thotë: «Jehovai m’i dëgjoi lutjet dhe më ndihmoi të gjeja një punë që i përshtatet programit tim si pionier. Sa i kënaqur ndihem që falë kësaj pune mund të shpenzoj më shumë kohë për t’i shërbyer Jehovait dhe vëllezërve të mi!»

Shefi çon te një zyrë bosh një vëlla që është me rroba pune dhe ka në dorë një kaskë. Ai i ofron ngritje në detyrë.

Nëse të ofrohet një ngritje në detyrë, a do të tregojë zgjedhja jote se je i sigurt që Jehovai e di ç’është më e mira për ty? (Shih paragrafët 7-8)


9. Çfarë mëson nga shembulli i Trezorit?

9 Po nëse kuptojmë se puna ku jemi na e bën të vështirë të ecim me anë të besimit? Të shohim shembullin e Trezorit nga Kongoja. Ai tregon: «Puna që sapo kisha filluar, ishte një mundësi që vjen një herë në jetë. Merrja trefishin e rrogës së mëparshme dhe isha goxha i respektuar në shoqëri.» Mirëpo ngaqë punonte jashtë orarit, Trezori i humbte shpesh mbledhjet. Veç kësaj, në punë i bënin presion që të mbulonte disa veprime të pandershme. Ai donte ta linte punën, por kishte merak se mos nuk gjente tjetër. Çfarë e ndihmoi? Trezori thotë: «Habakuku 3:17-19 më ndihmoi të kuptoja se edhe po t’i humbisja ato të ardhura, Jehovai do të kujdesej për mua. Kështu, e lashë punën.» Trezori përfundon: «Shumë veta mendojnë se, për një punë me rrogë të mirë, ia vlen të sakrifikosh çdo gjë, edhe jetën familjare dhe kohën që i takon adhurimit të Perëndisë. Unë për vete, jam i lumtur që e mbrojta marrëdhënien me Jehovain dhe me pjesëtarët e familjes. Një vit më vonë, Jehovai më ndihmoi të gjeja një punë stabël, që më jep mundësi të bëj një jetë modeste dhe të kem më shumë kohë për aktivitetet teokratike. Kur e vëmë Jehovain të parin në jetë, mund të kemi për njëfarë kohe vështirësi ekonomike, ama ai do të kujdeset për ne.» Vërtet, nëse u besojmë këshillave dhe premtimeve të Jehovait, do të vazhdojmë të ecim me anë të besimit dhe do të shijojmë bekimet e tij.

KUR ZGJEDH SHOKUN A SHOQEN E JETËS

10. Ç’gjë mund të tregojë se po ecim me anë të asaj që shihet kur zgjedhim shokun a shoqen e jetës?

10 Martesa është dhuratë nga Jehovai dhe është normale të kemi dëshirë të martohemi. Ndërsa shqyrton nëse një vëlla do të ishte një bashkëshort i mirë, një motër mund të mendojë për personalitetin e tij, pamjen, reputacionin, gjendjen ekonomike, përgjegjësitë familjare dhe si e bën të ndihet.b Të gjitha këto janë të rëndësishme. Por nëse merr parasysh vetëm këto gjëra, po ecën me anë të asaj që shihet.

11. Si mund të ecim me anë të besimit kur zgjedhim shokun a shoqen e jetës? (1 Korintasve 7:39)

11 Sa krenar duhet të ndihet Jehovai për motrat dhe vëllezërit që zbatojnë këshillat e tij kur zgjedhin shokun a shoqen e jetës! Për shembull, ata ia vënë veshin këshillës që të presin të kalojë ‘lulja e rinisë’ para se të fillojnë një periudhë njohjeje. (1 Kor. 7:36) Kur shqyrtojnë nëse dikush do të ishte bashkëshort i përshtatshëm, shohin para së gjithash nëse ka cilësitë që pret Jehovai nga një burrë i mirë a një grua e mirë. (Prov. 31:10-13, 26-28; Efes. 5:33; 1 Tim. 5:8) Nëse dikush që nuk është Dëshmitar shfaq interes romantik për ta, ndjekin me besim këshillën që të martohen «vetëm në Zotërinë», e cila gjendet te 1 Korintasve 7:39. (Lexoje.) Ata vazhdojnë të ecin me anë të besimit, të bindur se Jehovai mund t’u sigurojë më mirë se kushdo gjithë dashurinë dhe vëmendjen që u nevojitet.—Psal. 55:22.

12. Çfarë mëson nga shembulli i Rozës?

12 Të shohim rastin e Rozës, një pioniere në Kolumbi. Për shkak të punës, komunikonte shpesh me një jo Dëshmitar që nisi të shfaqte interes për të dhe që Rozës i pëlqente. Ajo thotë: «Dukej njeri për së mbari. Ndihmonte njerëzit në komunitet dhe nuk kishte vese. Më pëlqente edhe mënyra si më trajtonte. Kishte gjithë cilësitë që doja te një bashkëshort, përveç faktit që nuk ishte Dëshmitar.» Roza vazhdon: «E pata të vështirë t’i thosha ‘jo’, sepse emocionalisht kisha nevojë për atë lidhje. Në atë kohë ndihesha e vetmuar dhe doja të martohesha, por s’kisha arritur të gjeja dikë në të vërtetën.» Megjithatë, Roza nuk u përqendrua vetëm te gjërat që mund të shihte. Përkundrazi, peshoi mirë si do të ndikonte ai vendim te miqësia e saj me Jehovain. Si rezultat, shkëputi çdo kontakt me atë njeri e u dha me zell pas aktiviteteve teokratike. S’kaloi shumë dhe mori ftesën të ndiqte Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Tani Roza shërben si pioniere speciale. Ajo thotë: «Jehovai më ka mbushur me lumturi.» Vërtet, në situata ku përfshihet shumë zemra, mund të mos jetë e lehtë të ecim me anë të besimit, por ia vlejnë gjithë përpjekjet.

KUR JEPET NJË DREJTIM TEOKRATIK

13. Për ç’arsye mund të ecim me anë të asaj që shihet kur marrim një drejtim teokratik?

13 Shpesh marrim një drejtim teokratik—nga pleqtë, nga mbikëqyrësi qarkor, nga zyra e degës ose nga Trupi Udhëheqës—i cili na ndihmon të adhurojmë Perëndinë. Po nëse në ndonjë rast nuk e kuptojmë arsyen pse po na jepet një drejtim? Ndoshta shohim vetëm vështirësitë që mund të na sjellë ndjekja e tij. Madje mund të fillojmë të përqendrohemi te papërsosmëritë e vëllezërve që e kanë dhënë drejtimin.

14. Ç’do të na ndihmojë të ecim me anë të besimit kur marrim një drejtim nga organizata? (Hebrenjve 13:17)

14 Kur ecim me anë të besimit, jemi të sigurt se Jehovai ka gjithçka nën kontroll dhe e di ç’është më e mira në rrethanat ku ndodhemi. Prandaj, bindemi pa vonesë dhe me gatishmëri. (Lexo Hebrenjve 13:17.) E kuptojmë se duke u bindur ndihmojmë të ruhet uniteti në kongregacion. (Efes. 4:2, 3) Kemi besim se, ndonëse vëllezërit që marrin drejtimin janë të papërsosur, Jehovai ka për ta bekuar bindjen tonë. (1 Sam. 15:22) Në kohën e duhur, ai do të ndreqë çdo gjë që ka vërtet nevojë të ndreqet.—Mik. 7:7.

15-16. Çfarë e ndihmoi një vëlla të ecte me anë të besimit, edhe pse kishte dyshime për drejtimin që u dha? (Shih edhe figurën.)

15 Të ndalemi te një shembull që nxjerr në pah një dobi që vjen kur ecim me anë të besimit. Në Peru flitet gjerësisht gjuha spanjolle, megjithatë shumë veta në territor flasin gjuhë indigjene. Njëra prej tyre është gjuha keçua. Për vite me radhë, vëllezërit e motrat që flitnin gjuhën keçua kërkonin në territor njerëzit që flitnin atë gjuhë. Por, për të respektuar ligjet e reja të vendit, ndryshoi metoda e kërkimit. (Rom. 13:1) Disa kishin merak se mos kjo do ta vështirësonte shërbimin. Megjithatë, vëllezërit iu bindën drejtimit, e si rezultat Jehovai i bekoi përpjekjet e tyre për të gjetur sa më shumë njerëz që flitnin gjuhën keçua.

16 Mes atyre që ishin të shqetësuar për metodën e re ishte edhe Kevini, një plak në një kongregacion të gjuhës keçua. Ai tregon: «Thosha me vete: ‘Po si do t’i gjejmë ata që flasin gjuhën keçua?’» Çfarë bëri Kevini? Ai thotë: «Mendova për Proverbat 3:5. Mendova edhe për Moisiun. Ai duhej t’i nxirrte izraelitët nga Egjipti dhe t’u printe drejt një vendi që dukej si kurth, ku mund të bëheshin kollaj shënjestër e egjiptianëve. Gjithsesi u bind, dhe Jehovai e bekoi për këtë në një mënyrë mbresëlënëse.» (Eks. 14:1, 2, 9-11, 21, 22) Kevini u përshtat me gatishmëri dhe e provoi metodën e re. Cili ishte rezultati? Ai thotë: «U mahnita kur pashë si na bekoi Jehovai. Më parë bënim goxha rrugë në shërbim dhe ndonjëherë gjenim vetëm një a dy veta që flisnin gjuhën keçua. Tani përqendrohemi në territoret ku ka shumë njerëz që flasin këtë gjuhë. Si rezultat, bëjmë më shumë biseda, rivizitojmë më shumë të interesuar dhe kemi më shumë studime. Edhe numri i të pranishmëve në mbledhje është rritur.» Vërtet, kur ecim me anë të besimit, Jehovai na shpërblen gjithmonë!

Një burrë që flet gjuhën keçua i tregon një çifti Dëshmitar që janë në shërbim ku banon dikush.

Shumë veta u tregonin vëllezërve ku mund të gjenin njerëz që flitnin gjuhën keçua (Shih paragrafët 15-16)


17. Çfarë mësove nga ky artikull?

17 Kemi shqyrtuar si të vazhdojmë të ecim me anë të besimit në tri aspekte të rëndësishme. Por duhet të vazhdojmë të ecim me anë të besimit në të gjitha aspektet e jetës, si për shembull kur zgjedhim zbavitjen ose ç’do të bëjmë në kohën e lirë, si edhe kur marrim vendime për arsimimin ose rritjen e fëmijëve. Përballë çdo vendimi, duhet të udhëhiqemi jo vetëm nga ajo që shohim, por edhe nga miqësia me Jehovain, nga këshillat e tij dhe nga premtimi se do të kujdeset për ne. Nëse veprojmë kështu, «do të ecim në jetë të jetëve në emër të Jehovait, Perëndisë tonë».—Mik. 4:5.

SI MUND TË ECIM ME ANË TË BESIMIT . . .

  • kur zgjedhim punën?

  • kur zgjedhim shokun a shoqen e jetës?

  • kur jepet një drejtim teokratik?

KËNGA 156 Shoh me plot besim

a Disa emra janë ndryshuar.

b Për thjeshtësi, në këtë paragraf flitet për një motër që dëshiron të gjejë një bashkëshort. Të njëjtat këshilla vlejnë në rastin e një vëllai që dëshiron të gjejë një bashkëshorte.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo