BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 prill f. 2-7
  • «Zgjidhni . . . kujt do t’i shërbeni»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Zgjidhni . . . kujt do t’i shërbeni»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PSE ZGJODHI JEZUI T’I SHËRBENTE JEHOVAIT
  • PSE JEHOVAI E MERITON TA ADHUROJMË
  • PSE ZGJEDHIM T’I SHËRBEJMË JEHOVAIT
  • VAZHDO T’I SHËRBESH JEHOVAIT
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • Mos harro se Jehovai është «Perëndia i gjallë»!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Jehovai «i shëron zemërthyerit»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 prill f. 2-7

ARTIKULLI I STUDIMIT 14

KËNGA 8 Jehova, ti je streha jonë

«Zgjidhni . . . kujt do t’i shërbeni»

«Sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.»—JOS. 24:15.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të rikujtojmë disa arsye pse kemi zgjedhur t’i shërbejmë Jehovait.

1. Ç’duhet të bëjmë që të jemi vërtet të lumtur, dhe pse? (Isaia 48:17, 18)

ATI ynë qiellor na do fort dhe dëshiron që ta gëzojmë jetën tani e në të ardhmen. (Ekl. 3:12, 13) Ai na krijoi me talente të veçanta, ama s’na dha aftësinë të vetëqeverisim ose ta vendosim ne kriterin për të përcaktuar të drejtën dhe të gabuarën. (Ekl. 8:9; Jer. 10:23) Jehovai e di se për të qenë vërtet të lumtur, duhet t’i shërbejmë e të jetojmë sipas standardeve të tij.—Lexo Isainë 48:17, 18.

2. Çfarë do Satanai të besojmë, dhe si ka reaguar Jehovai ndaj kësaj gënjeshtre?

2 Satanai do që të besojmë se mund të jemi të lumtur pa Jehovain dhe se mund të qeverisim më së miri të pavarur prej tij. (Zan. 3:4, 5) Për të provuar se Satanai është gënjeshtar, Jehovai ka lejuar që njerëzit të qeverisin vetë për njëfarë kohe. Sot i shohim qartë pasojat e trishtueshme që ka sjellë qeverisja njerëzore. Nga ana tjetër, Shkrimet janë plot me shembuj të burrave e grave që bënë një jetë të lumtur ndërsa i shërbenin Jehovait. Shembulli më i spikatur është Jezu Krishti. Fillimisht le të shohim disa arsye pse zgjodhi Jezui t’i shërbente Jehovait. Pastaj do të shqyrtojmë pse Ati ynë qiellor e meriton ta adhurojmë. E në fund do të shohim disa arsye pse zgjedhim ne që t’i shërbejmë Jehovait.

PSE ZGJODHI JEZUI T’I SHËRBENTE JEHOVAIT

3. Cilën ofertë mori Jezui dhe çfarë zgjodhi të bënte?

3 Kur ishte në tokë, Jezuit iu desh të zgjidhte se kujt do t’i shërbente. Pak pas pagëzimit, Satanai i ofroi të gjitha mbretëritë e botës në këmbim të një akti të vetëm adhurimi. Por Jezui ia ktheu: «Ik tutje, Satana! Se është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’» (Mat. 4:8-10) Pse bëri atë zgjedhje Jezui? Le të ndalemi te disa arsye.

4-5. Cilat janë disa arsye pse Jezui zgjodhi t’i shërbente Jehovait?

4 Arsyeja kryesore pse Jezui zgjodhi t’i shërbente Jehovait ishte dashuria për Atin e tij—një dashuri e thellë që s’e shuan asgjë. (Gjoni 14:31) Veç kësaj, Jezui i shërben Jehovait sepse kjo është e drejtë. (Gjoni 8:28, 29; Zbul. 4:11) Ai e di se Jehovai është Burimi i jetës, është i denjë t’i besojmë dhe është bujar. (Psal. 33:4; 36:9; Jak. 1:17) Jehovai i kishte thënë gjithnjë të vërtetën Jezuit dhe i kishte dhënë gjithçka që zotëronte. (Gjoni 1:14) Krejt ndryshe, Satanai është shkaktari i vdekjes. Ai është një gënjeshtar që nxitet nga lakmia dhe egoizmi. (Gjoni 8:44) Duke i ditur gjithë këto, Jezui nuk e çoi kurrë nëpër mend të imitonte Satanain e të rebelohej kundër Jehovait.—Filip. 2:5-8.

5 Një arsye tjetër pse Jezui zgjodhi t’i shërbente Jehovait, ishte se mezi priste të shihte të mirat që do të sillte shërbimi i tij besnik. (Hebr. 12:2) Ai e dinte se po të qëndronte besnik, do të shenjtëronte emrin e Atit dhe do të bënte të mundur të zhdukeshin gjithë vuajtjet e shkaktuara nga Djalli.

PSE JEHOVAI E MERITON TA ADHUROJMË

6-7. Pse shumë njerëz sot nuk i shërbejnë Jehovait, por pse Ai e meriton ta adhurojmë?

6 Shumë njerëz sot nuk i shërbejnë Jehovait, sepse nuk i njohin ende cilësitë e tij tërheqëse dhe s’e kanë idenë sa shumë ka bërë për ta. Ata u ngjajnë njerëzve që u predikoi apostulli Pavël në Athinë.—Vep. 17:19, 20, 30, 34.

7 Pavli u shpjegoi dëgjuesve se Perëndia i vërtetë «u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka». Ai shtoi: «Falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.» Perëndia është Krijuesi. Ai ‘bëri të gjitha kombet nga një njeri i vetëm’, prandaj i takon me të drejtë adhurimi ynë.—Vep. 17:25, 26, 28.

8. Çfarë s’do të bëjë kurrë Jehovai? Shpjegoni.

8 Si Krijuesi dhe Sovrani i universit, Jehovai mund të na detyronte t’i shërbenim. Megjithatë, Jehovai s’do ta bëjë kurrë këtë! Përkundrazi, ai na jep plot prova se ekziston dhe se e do fort secilin prej nesh. Jehovai dëshiron që sa më shumë njerëz të jenë miqtë e tij përgjithmonë. (1 Tim. 2:3, 4) Ja pse na ka stërvitur t’u mësojmë të tjerëve qëllimet e tij dhe t’u tregojmë çfarë të mirash do të bëjë për njerëzit. (Mat. 10:11-13; 28:19, 20) Na ka organizuar nëpër kongregacione dhe na ka dhënë mbikëqyrës të dashur që të kujdesen për ne.—Vep. 20:28.

9. Si e ka treguar Jehovai se i do të gjithë njerëzit?

9 Dashuria e jashtëzakonshme e Jehovait del në pah qartë te mënyra si i trajton ata që e shpërfillin ekzistencën e tij. Mendo pak: gjatë gjithë historisë, miliarda njerëz kanë zgjedhur të jetojnë sipas standardeve të veta për të drejtën dhe të gabuarën. Prapëseprapë, Jehovai u ka dhënë me zemërmirësi gjithë sa u duhet jo vetëm për të jetuar, por edhe për ta shijuar jetën. (Mat. 5:44, 45; Vep. 14:16, 17) Ai u ka dhënë aftësinë të lidhin marrëdhënie të ngrohta, të krijojnë familje dhe të kënaqen me të mirat që sjell puna e palodhur. (Psal. 127:3; Ekl. 2:24) Dëshmitë tregojnë qartë se Ati ynë qiellor i do të gjithë njerëzit. (Eks. 34:6) Le ta rifreskojmë kujtesën në lidhje me disa nga arsyet pse zgjedhim t’i shërbejmë Jehovait dhe si na bekon ai.

PSE ZGJEDHIM T’I SHËRBEJMË JEHOVAIT

10. (a) Cila është arsyeja kryesore pse i shërbejmë Jehovait? (Mateu 22:37) (b) Si ke nxjerrë dobi nga durimi i Jehovait? (Psalmi 103:13, 14)

10 Ashtu si Jezui, arsyeja kryesore pse i shërbejmë Jehovait është dashuria e pamasë që ndiejmë për Të. (Lexo Mateun 22:37.) Ndërsa njohim cilësitë e bukura të Jehovait, na vjen natyrshëm t’i afrohemi. Për shembull, të mendojmë pak sa durim ka Jehovai me ne. Kur izraelitët u treguan të pabindur, ai iu përgjërua: «Kthehuni, ju lutem, nga udha e ligë.» (Jer. 18:11) Jehovai nuk e harron se jemi të papërsosur, se jemi pluhur. (Lexo Psalmin 103:13, 14.) Kur ndalesh e mendon për durimin e Jehovait dhe për cilësi të tjera tërheqëse që ka, a nuk të nxit zemra t’i shërbesh jetë e mot?

11. Cilat janë disa arsye të tjera pse zgjedhim t’i shërbejmë Atit tonë?

11 Ne zgjedhim t’i shërbejmë Jehovait edhe sepse kjo është drejtë. (Mat. 4:10) Veç kësaj, e dimë se kur i shërbejmë besnikërisht, vijnë shumë të mira. Me besnikërinë tonë shenjtërojmë emrin e tij, provojmë se Djalli është gënjeshtar dhe ia kënaqim zemrën Atit tonë. E kur zgjedhim t’i shërbejmë Jehovait që sot, kemi shpresën t’i shërbejmë atij përgjithmonë!—Gjoni 17:3.

12-13. Çfarë mësojmë nga eksperienca e Xhenit dhe Pamit?

12 Që në moshë të njomë, mund të ushqejmë dashuri të thellë për Jehovain—një dashuri që do të forcohet pareshtur me kalimin e viteve. Të ndalemi te shembulli i dy motrave prej gjaku, Xhenit dhe Pamit.a Kur filluan të studionin Biblën, Xheni ishte 11 vjeçe, kurse Pami, 10 vjeçe. Prindërit e tyre nuk kishin dëshirë të studionin, por u dhanë leje vajzave të studionin me Dëshmitarët, nëse shkonin edhe në kishë me familjen çdo fundjavë. Xheni thotë: «Ajo që më mësuan Dëshmitarët nga Bibla, më ndihmoi t’i rezistoja presionit të moshatarëve për të marrë drogë dhe për të bërë imoralitet.»

13 Aty nga fundi i adoleshencës, të dyja vajzat u bënë lajmëtare. Më vonë filluan të shërbenin si pioniere ndërkohë që kujdeseshin për prindërit e moshuar. Kur kujton ato kohë, Xheni thotë: «E provova vetë se Jehovai kujdeset me besnikëri për miqtë e tij dhe se, siç thotë 2 Timoteut 2:19, ‘Jehovai i njeh ata që i përkasin’.» S’ka pikë dyshimi se Jehovai kujdeset për të gjithë ata që zgjedhin ta duan dhe t’i shërbejnë!

14. Si e mbrojmë emrin e Jehovait me fjalë e vepra? (Shih edhe figurat.)

14 Duam të bëjmë pjesën tonë për ta pastruar emrin e Jehovait nga çdo sharje. Për shembull, ta zëmë se ke një mik të ngushtë që është zemërmirë, bujar dhe fal kollaj. Mirëpo një ditë, dikush e akuzon se është mizor dhe i pandershëm. Si do të reagoje? Patjetër që do t’i dilje në mbrojtje mikut tënd. Po njësoj, kur Satanai dhe ata që janë nën ndikimin e tij përhapin gënjeshtra për t’i prishur reputacionin Jehovait, ne e mbrojmë me vendosmëri emrin e Perëndisë tonë, duke treguar të vërtetën për Të. (Psal. 34:1; Isa. 43:10) Me fjalë e vepra tregojmë se duam t’i shërbejmë me gjithë shpirt Jehovait.

Kolazh: 1. Një grua sheh një grup apostatësh duke protestuar jashtë vendit ku po mbahet një kongres. 2. Më pas, gruaja bisedon me një çift që janë te stendat aty pranë.

A do ta mbrosh emrin e Jehovait? (Shih paragrafin 14)b


15. Si u bekua Pavli ngaqë bëri ndryshime të mëdha në jetë? (Filipianëve 3:7, 8)

15 Jemi të gatshëm të bëjmë ndryshime në jetë për ta kënaqur Jehovain ose për t’i shërbyer më plotësisht. Për shembull, apostulli Pavël hoqi dorë vullnetarisht nga pozita e lartë në komunitetin judaik, që të bëhej dishepull i Krishtit dhe t’i shërbente Jehovait. (Gal. 1:14) Kjo ia pasuroi jetën dhe i çeli mundësinë të qeverisë me Krishtin në qiell. Ai nuk u bë kurrë pishman që vendosi t’i shërbente Jehovait, e po njësoj do të ndodhë edhe me ne.—Lexo Filipianëve 3:7, 8.

16. Çfarë mësojmë nga historia e Xhulias? (Shih edhe figurat.)

16 Edhe ne mund të kemi një jetë të pasur tani e në të ardhmen, nëse e bëjmë shërbimin e Jehovait qendrën e jetës sonë. Të mendojmë pak për atë që ndodhi me një motër që quhet Xhulia. Para se të njihte të vërtetën, ajo këndonte që e vogël në korin e kishës. Talenti i saj s’kaloi pa u vënë re, dhe e nxitën të ushtrohej për t’u bërë këngëtare opere. Shpejt Xhulia fitoi goxha famë dhe jepte shfaqje në skena prestigjoze. Ndërkohë që ndiqte një shkollë muzike me emër, një shok universiteti filloi t’i fliste për Perëndinë dhe i tregoi se e ka emrin Jehova. S’kaloi shumë dhe Xhulia filloi të studionte Biblën dy herë në javë. Si përfundim, vendosi t’i shpenzonte kohën dhe energjitë për t’i shërbyer Jehovait, jo për të bërë karrierë në muzikë. Nuk ishte vendim i lehtë. Xhulia thotë: «Shumë njerëz më thanë se po e hidhja në plehra talentin, por unë doja ta përdorja jetën për t’i shërbyer plotësisht Jehovait.» Si ndihet për vendimin që mori mbi 30 vjet më parë? Ajo shprehet: «Kam paqe në shpirt dhe jam e sigurt se në të ardhmen Jehovai do të m’i plotësojë të gjitha dëshirat e zemrës.»—Psal. 145:16.

Kolazh: një inskenim për të treguar vendimin e Xhulias. 1. Po këndon në skenë para publikut. 2. Po këndon bashkë me të shoqin në një mbledhje kongregacioni.

Nëse shërbimi i Jehovait është gjëja më e rëndësishme për ne, do të gëzojmë jetën më fantastike (Shih paragrafin 16)c


VAZHDO T’I SHËRBESH JEHOVAIT

17. Si ndikon fakti që fundi është te pragu tek ata që kanë zgjedhur t’i shërbejnë Perëndisë dhe tek ata që s’e kanë bërë ende këtë?

17 Fundi i këtij sistemi është te pragu. Apostulli Pavël shkroi: «‘Edhe pak fare’ dhe ‘ai që po vjen, do të mbërrijë e nuk do të vonojë’.» (Hebr. 10:37) Çfarë nënkupton kjo? Për njerëzit që nuk kanë zgjedhur ende t’i shërbejnë Jehovait, koha është shkurtuar. (1 Kor. 7:29) E nëse kemi zgjedhur tashmë t’i shërbejmë Perëndisë, e dimë se ndonëse do të kalojmë sprova, ato do të zgjatin «edhe pak fare».

18. Çfarë duan Jezui dhe Jehovai të bëjmë?

18 Jezui i nxiti dishepujt jo vetëm të fillonin ta ndiqnin, por edhe të vazhdonin ta bënin këtë. (Mat. 16:24) Pra, nëse i shërbejmë Jehovait prej vitesh, qofshim të vendosur të mos dorëzohemi! Jehovai dëshiron që të vazhdojmë të jetojmë në harmoni me vendimin që morëm për t’i shërbyer. Mund të mos jetë kollaj, ama do të ndihemi të lumtur e do të gëzojmë plot bekime qysh sot.—Psal. 35:27.

19. Çfarë mësojmë nga historia e Xhinit?

19 Disa mendojnë se jeta në shërbim të Jehovait kërkon tepër sakrifica. Nëse je i ri, a ndihesh sikur nuk do ta shijosh plotësisht jetën po t’i shërbesh Jehovait? Një vëlla i ri që quhet Xhin, thotë: «Mendoja se jeta si Dëshmitar i Jehovait kishte goxha kufizime. Shumë prej moshatarëve me të cilët u rrita, dukej se kënaqeshin ngaqë bënin festa, kishin të dashur ose luanin me videolojëra të dhunshme, kurse unë duhej ta kaloja kohën në mbledhje dhe në shërbim.» Si ndikoi te Xhini kjo mënyrë të menduari? Ai thotë: «Fillova të bëja një jetë të dyfishtë dhe për ca kohë ishte qejf. Ama thellë-thellë nuk ndihesha vërtet i lumtur. Nisa të mendoja për ato të vërteta të Biblës që i kisha shpërfillur dhe vendosa t’i shërbeja Jehovait me gjithë zemër. Që nga ajo kohë, duket se Jehovai i është përgjigjur çdo lutjeje që i kam bërë.»

20. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

20 Një psalmist i këndoi Jehovait: «Lum ai që ti e zgjedh dhe e afron pranë, që në oborret e tua të banojë.» (Psal. 65:4) Le të vazhdojmë të jemi po aq të vendosur sa Josiu, që tha: «Sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.»—Jos. 24:15.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse zgjodhi Jezui t’i shërbente Jehovait?

  • Pse e meriton Jehovai ta adhurojmë?

  • Pse ke zgjedhur t’i shërbesh Jehovait?

KËNGA 28 Miqësia me Jehovain—Gjithçka që zemra do!

a Disa emra janë ndryshuar.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pasi dëgjon kundërshtarët tanë jashtë vendit ku po mbahet një kongres, një grua shkon te stenda aty pranë dhe dëgjon të vërtetat e Biblës.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një inskenim për të treguar vendimin e Xhulias që ta bënte shërbimin e Jehovait boshtin e jetës.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo