ARTIKULLI I STUDIMIT 17
KËNGA 99 Miliona vëllezër
Nuk jemi kurrë vetëm!
‘Unë do të të ndihmoj.’—ISA. 41:10.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Do të shqyrtojmë katër mënyra si kujdeset Jehovai për ne.
1-2. (a) Nga e dimë se nuk jemi kurrë fillikat përballë sprovave? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
KUR jeta na sjell sprova serioze, mund të ndihemi sikur jemi fare vetëm në një varkë të vogël mes një deti të stuhishëm. Gjithsesi, nuk jemi fillikat përballë sprovave. Ati ynë i dashur qiellor jo vetëm i vëren hallet tona, por edhe na siguron se do të na bëhet krah. Jehovai i bën këtë premtim të ngrohtë çdo besniku: ‘Unë do të të ndihmoj.’—Isa. 41:10.
2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë katër mënyra si na ndihmon Jehovai: (1) ai na prin, (2) na siguron gjërat e nevojshme, (3) na mbron dhe (4) na ngushëllon. Jehovai na siguron se çfarëdo vështirësish të hasim, s’ka për të na harruar kurrë. Ai s’do të na braktisë asnjëherë. Pra s’jemi kurrë vetëm!
JEHOVAI NA PRIN
3-4. Si na prin Jehovai? (Psalmi 48:14)
3 Lexo Psalmin 48:14. Jehovai nuk pret t’i drejtojmë hapat tanë pa udhëheqjen e tij. Si u prin Jehovai adhuruesve të tij besnikë sot? Një mënyrë është përmes faqeve të Biblës. (Psal. 119:105) Nëpërmjet Fjalës së tij të frymëzuar, Jehovai na ndihmon të marrim vendime e të zhvillojmë cilësi falë të cilave jemi më të lumtur tani dhe kemi shpresën të jetojmë përgjithmonë në të ardhmen.a Për shembull, ai na mëson të mos mbajmë mëri, të jemi të ndershëm në gjithçka dhe të kemi dashuri të zjarrtë nga zemra për të tjerët. (Psal. 37:8; Hebr. 13:18; 1 Pjet. 1:22) Kur shfaqim cilësi që e kënaqin Perëndinë, bëhemi prindër, bashkëshortë dhe miq më të mirë.
4 Veç kësaj, Jehovai ka përfshirë në Fjalën e tij histori reale të njerëzve që kaluan sprova e përjetuan ndjenja si tonat. (1 Kor. 10:13; Jak. 5:17) Kur lexojmë për jetën e tyre dhe zbatojmë mësimet që nxjerrim, kemi të paktën dy dobi. Së pari, e kuptojmë se nuk jemi vetëm—edhe të tjerë kanë hasur vështirësi të ngjashme dhe i kanë përballuar me sukses. (1 Pjet. 5:9) E së dyti, mësojmë si të qëndrojmë besnikë në sprova pa e humbur gëzimin.—Rom. 15:4.
5. Cilët përdor Jehovai që të na drejtojë?
5 Jehovai përdor edhe vëllezërit e motrat që të na drejtojë.b Për shembull, mbikëqyrësit qarkorë i vizitojnë rregullisht kongregacionet që të na inkurajojnë. Fjalimet e tyre na forcojnë besimin dhe na ndihmojnë të ruajmë unitetin tonë të çmuar. (Vep. 15:40–16:5) Pleqtë e kongregacionit interesohen sinqerisht për mirëqenien e çdo lajmëtari. (1 Pjet. 5:2, 3) Prindërit u mësojnë fëmijëve ta duan Jehovain dhe të marrin vendime të mençura e të zhvillojnë zakone të mira. (Prov. 22:6) Gjithashtu motrat e pjekura i ndihmojnë motrat më të reja me anë të shembullit të mirë, të këshillave praktike dhe të inkurajimit të përzemërt.—Titit 2:3-5.
6. Ç’duhet të bëjmë që të nxjerrim dobi nga drejtimi i Jehovait?
6 Jehovai ka bërë pjesën e tij duke na siguruar drejtimin që na nevojitet. Si mund të tregojmë çmueshmëri për ndihmën e tij? Proverbat 3:5, 6 thotë: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në aftësinë tënde për të kuptuar.» Nëse e bëjmë këtë, «ai do t’i drejtojë shtigjet» tona, pra do të na ndihmojë të shmangim shumë probleme dhe të jemi më të lumtur. Sa mirënjohës jemi që Jehovai na njeh kaq mirë dhe na do kaq fort, sa i jep gjithsecilit këshillat e nevojshme!—Psal. 32:8.
JEHOVAI NA SIGURON GJËRAT E NEVOJSHME
7. Cilat janë disa mënyra si na siguron Jehovai gjërat e nevojshme? (Filipianëve 4:19)
7 Lexo Filipianëve 4:19. Jehovai jo vetëm na drejton, por edhe i bekon përpjekjet tona të palodhura për të siguruar ushqimin, veshjet dhe strehimin që na nevojitet. (Mat. 6:33; 2 Sel. 3:12) Edhe pse është normale të merakosemi për gjërat e nevojshme, Jehovai na nxit të mos jemi tepër në ankth për to. (Mateu 6:25.) Pse? Sepse Ati ynë nuk do të na braktisë asnjëherë kur të gjendemi ngushtë. (Mat. 6:8; Hebr. 13:5) Mund t’i besojmë plotësisht premtimit të tij se do të na japë ç’na nevojitet.
8. Çfarë bëri Jehovai për Davidin?
8 Të mendojmë pak për mënyrën si e ndihmoi Jehovai Davidin. Në vitet e vështira të arratisë, Jehovai u siguroi Davidit dhe luftëtarëve të tij gjithë sa u duhej për të mbijetuar. Teksa sillte ndër mend si u përkujdes Jehovai për të gjatë atyre viteve, Davidi shkroi: «Dikur isha i ri e tani jam plakur, por kurrë s’kam parë ndonjë të drejtë të braktisur e as fëmijët e tij të zgjatin dorën për bukë.» (Psal. 37:25) Ka shumë mundësi që edhe ti të kesh parë se si Jehovai ka siguruar me dashuri gjithçka të nevojshme për ty ose për vëllezërit e motrat.
9. Si u siguron Jehovai adhuruesve të tij gjërat e nevojshme në kohë katastrofash? (Shih edhe figurat.)
9 Jehovai kujdeset t’u sigurojë adhuruesve të tij gjithë sa u nevojitet edhe kur godasin katastrofa. Për shembull, kur ra një zi buke në shekullin e parë, të krishterë nga vende të ndryshme u dërguan ndihma vëllezërve e motrave në nevojë. (Vep. 11:27-30; Rom. 15:25, 26) Populli i Perëndisë sot shfaq të njëjtin shpirt bujar. Kur godasin katastrofa, Jehovai i nxit me dashuri adhuruesit e tij t’u sigurojnë atyre që jetojnë në zonat e prekura gjëra bazë, si ushqim, ujë, veshje dhe ilaçe. Skuadrat e ndërtimit meremetojnë shtëpitë dhe Sallat e Mbretërisë që janë dëmtuar. Veç kësaj, shërbëtorët e Jehovait veprojnë pa vonesë për t’i mbështetur emocionalisht e për t’i inkurajuar nga Shkrimet ata që kanë pësuar humbje.c
Si na ngushëllon Jehovai në kohë katastrofash? (Shih paragrafin 9)e
10-11. Çfarë mëson nga eksperienca e Borisit?
10 Jehovai u jep me bujari gjërat e nevojshme edhe atyre që nuk janë ende adhurues të tij. Po njësoj ne kërkojmë mundësi t’u tregojmë zemërmirësi atyre që nuk kanë të njëjtin besim si ne. (Gal. 6:10) Shpesh kjo hap rrugën për të dhënë një dëshmi të shkëlqyer. Le të shohim rastin e Borisit, një drejtor shkolle që jeton në Ukrainë. Edhe pse nuk është Dëshmitar i Jehovait, Borisi tregohej gjithnjë i mirë me nxënësit Dëshmitarë dhe i respektonte bindjet e tyre. Kur Borisi vendosi të ikte nga zona e luftës për të jetuar në një pjesë më të sigurt të vendit, vëllezërit tanë i vajtën në ndihmë. Më vonë, ai ndoqi Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Borisi u shpreh kështu për eksperiencën e tij: «Dëshmitarët e Jehovait u treguan shumë të gjindshëm dhe u kujdesën për mua. U jam mirënjohës sa më s’ka.»
11 Edhe ne mund ta imitojmë Atin tonë të mëshirshëm duke u treguar dashuri njerëzve në nevojë, pavarësisht nëse janë apo jo Dëshmitarë. (Luka 6:31, 36) Shpresojmë që dashuria që u tregojmë, t’i motivojë të bëhen dishepuj të Krishtit. (1 Pjet. 2:12) Por cilido të jetë përfundimi, do të provojmë lumturinë e madhe që vjen kur jep.—Vep. 20:35.
JEHOVAI NA MBRON
12. Ç’lloj mbrojtjeje premton Jehovai për adhuruesit e tij si grup? (Psalmi 91:1, 2, 14)
12 Lexo Psalmin 91:1, 2, 14. Sot Jehovai premton se do të na mbrojë nga çdo gjë që mund të na e dëmtojë miqësinë me të. Ai s’do të lejojë kurrë që Satanai të na pengojë ta adhurojmë siç dëshiron Ai. (Gjoni 17:15) E kur të nisë «shtrëngimi i madh», mund të jemi absolutisht të sigurt se Jehovai jo vetëm do të na mbrojë nga çdo gjë që na dëmton miqësinë me të, por edhe do të na shpëtojë.—Zbul. 7:9, 14.
13. Në cilat mënyra na mbron Jehovai si individë?
13 Si na mbron Jehovai si individë? Me anë të Shkrimeve, ai na ndihmon të dallojmë të drejtën nga e gabuara. (Hebr. 5:14) Kur zbatojmë parimet e Fjalës së Perëndisë, mbrojmë miqësinë me të dhe shëndetin e jetën. (Psal. 91:4) Veç kësaj, Jehovai na mbron me anë të kongregacionit. (Isa. 32:1, 2) Kur shoqërohemi me ata që e duan Jehovain dhe që jetojnë sipas parimeve të tij, marrim inkurajim dhe forcë për t’u rezistuar ndikimeve të dëmshme.—Prov. 13:20.
14. (a) Pse Jehovai nuk na mbron nga çdo sprovë? (b) Për çfarë na siguron Psalmi 9:10? (Shih edhe shënimin.)
14 Në të kaluarën Jehovai ndonjëherë i mbronte adhuruesit e tij nga dëmet fizike ose nga vdekja. Gjithsesi nuk e bënte gjithmonë këtë. Hera-herës edhe ne vuajmë për shkak të ‘ngjarjeve të papritura’. (Ekl. 9:11) Gjatë historisë Jehovai ka lejuar edhe që disa shërbëtorë të tij të përndiqeshin e madje të vriteshin për të provuar se Satanai është gënjeshtar. (Jobi 2:4-6; Mat. 23:34) E njëjta gjë ndodh edhe sot. Vërtet, Jehovai mund të mos na i heqë sprovat, ama mund të jemi të bindur se s’ka për t’i braktisur kurrë ata që e duan.d—Psal. 9:10.
JEHOVAI NA NGUSHËLLON
15. Si na ngushëllon Jehovai me anë të lutjeve, të Fjalës së tij dhe të bashkadhuruesve? (2 Korintasve 1:3, 4)
15 Lexo 2 Korintasve 1:3, 4. Me raste mund të ndihemi të pikëlluar, në ankth ose tejet të shqetësuar. Mbase po përjeton një situatë stresuese dhe ndihesh fare i vetëm. A e kupton vallë ndokush si ndihesh? Po, Jehovai e kupton. Ai jo vetëm e ndien dhembjen tonë, por edhe «na ngushëllon në të gjitha sprovat». Si e bën këtë? Kur ia zbrazim zemrën në lutje, ai na jep ‘paqen e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim’. (Filip. 4:6, 7) Gjithashtu inkurajohemi kur lexojmë fjalët që na ka shkruar në Bibël. Ky thesar është plot me shprehje që përcjellin dashurinë e Jehovait dhe plot fjalë të mençura e shpresëdhënëse, të cilat na e ngrenë zemrën peshë. Veç kësaj, në mbledhjet tona ngushëllohemi nga shoqëria e ngrohtë me vëllezërit e motrat dhe nga Bibla.
16. Çfarë të mëson eksperienca e Nejthënit dhe Prishilës?
16 Për të ilustruar si na ngushëllon e na inkurajon Jehovai me anë të Fjalës së tij, le të shohim eksperiencën e Nejthënit dhe Prishilës, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Ca vite më parë ata vendosën të transferoheshin ku kishte më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Nejthëni thotë: «Kishim besim se Jehovai do t’i bekonte përpjekjet tona.» Mirëpo, kur shkuan në caktimin e ri, u përballën me probleme të papritura shëndetësore dhe ekonomike. Si përfundim, iu desh të ktheheshin në shtëpi, ku vazhduan të kishin vështirësi ekonomike. Nejthëni kujton: «Vrisja mendjen pse Perëndia nuk na kishte bekuar siç shpresonim. Madje nisa të dyshoja se mos kisha bërë diçka të gabuar.» Megjithatë, me kohë Nejthëni dhe Prishila kuptuan se Perëndia nuk i kishte braktisur në ato kohë të vështira. «Në ato kohë sprovuese, Bibla u bë si një mik i mençur që na inkurajonte e na drejtonte,—shprehet Nejthëni.—U përqendruam te ndihma që po na jepte Jehovai për të përballuar vështirësitë, jo te sprovat që po kalonim. Kjo na përgatiti që t’i përballonim me besim sprovat e së ardhmes.»
17. Si e ngushëlloi Jehovai Helgën? (Shih edhe figurën.)
17 Një burim tjetër ngushëllimi mund të jenë edhe vëllezërit e motrat. Si na ngushëllojnë? Le të mendojmë për rastin e Helgës, që jeton në Hungari. Për dekada asaj i ranë lloj-lloj hallesh, që i shkaktuan ndjenja dëshpërimi dhe pavlefshmërie. Por, kur kthen kokën pas, e kupton se Jehovai përdori vëllezërit e motrat për ta ngushëlluar. Ajo shkruan: «Jehovai më ndihmonte gjithmonë kur shihte se po më shternin fuqitë ngaqë duhej të punoja, të kujdesesha për fëmijën e sëmurë e të përballoja sprova të tjera. Gjatë 30 viteve të fundit s’ka kaluar asnjë ditë që Jehovai të mos e ketë mbajtur premtimin për të më ngushëlluar. Shpesh ai më jep forcë nëpërmjet fjalëve të ngrohta, të menduara mirë dhe plot vlerësim të të tjerëve. Sa e sa herë kam marrë një mesazh, një kartolinë ose një lavdërim fiks kur kisha më shumë nevojë.»
Si mund të të përdorë Jehovai për të ngushëlluar të tjerët? (Shih paragrafin 17)
18. Si mund t’i ngushëllojmë të tjerët?
18 Kemi privilegjin ta imitojmë Perëndinë tonë duke i ngushëlluar të tjerët. Si mund ta bëjmë këtë? Mund t’i dëgjojmë me durim, t’u themi fjalë ngushëlluese dhe t’i ndihmojmë në mënyra praktike. (Prov. 3:27) Bëjmë çmos t’i ngushëllojmë të gjithë ata që vuajnë, madje edhe ata që nuk i shërbejnë ende Perëndisë. Kur të tjerët janë të pikëlluar, të sëmurë ose në ankth, shkojmë t’i takojmë, i dëgjojmë dhe u tregojmë shkrime zemërdhënëse nga Bibla. Teksa imitojmë Jehovain, ‘Perëndinë e çdo ngushëllimi’, jo vetëm do t’i ndihmojmë vëllezërit e motrat t’u bëjnë ballë sprovave, por edhe mund t’u zbutim zemrat jobesimtarëve që të duan të mësojnë për Jehovain.—Mat. 5:16.
JEHOVAI NA GJENDET PRANË GJITHMONË
19. Çfarë bën Jehovai për ne, dhe si mund ta imitojmë?
19 Jehovai ka merak të thellë për të gjithë ata që e duan. Ai nuk na braktis mes vështirësive. Jehovai kujdeset për adhuruesit e tij besnikë ashtu si përkujdeset me dashuri një prind për fëmijën. Ai na prin, na siguron gjërat e nevojshme, na mbron dhe na ngushëllon. E imitojmë Atin tonë të dashur kur i mbështetim dhe i inkurajojmë të tjerët gjatë sprovave. Jeta mund të sjellë plot sfida e dhembje, por s’kemi fije dyshimi se Jehovai është me ne. Tekefundit, ai vetë na ka premtuar: «Mos ki frikë, se unë jam me ty.» (Isa. 41:10) Sa shumë siguri na jep kjo! Vërtet, nuk jemi kurrë vetëm!
KËNGA 100 Shpërblimet e mikpritjes
a Shih artikullin «Të marrim vendime që nderojnë Perëndinë» në Kullën e Rojës të 15 prillit 2011.
b Shih paragrafët 11-14 të artikullit «Vazhdo të ndjekësh drejtimin e Jehovait» në Kullën e Rojës të shkurtit 2024.
c Mund të gjesh shembujt më të fundit në jw.org duke shkruar në hapësirën e kërkimit «ndihmë në rast katastrofash».
d Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të shkurtit 2017.
e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pas një katastrofe, vëllezërit në Malavi marrin ndihma dhe ngushëllim nga organizata e Jehovait.