BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 maj f. 26-31
  • Sa rëndësi duhet të ketë për ty emri i Jehovait

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Sa rëndësi duhet të ketë për ty emri i Jehovait
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «NJË POPULL PËR EMRIN E TIJ»
  • «JU JENI DËSHMITARËT E MI»
  • SI E TREGOJMË SA RËNDËSI KA PËR NE EMRI I JEHOVAIT
  • Sa rëndësi ka për Jezuin emri i Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • «Lëvdoni emrin e Jehovait!»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • «Zgjidhni . . . kujt do t’i shërbeni»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 maj f. 26-31

ARTIKULLI I STUDIMIT 23

KËNGA 2 Emri yt është Jehova

Sa rëndësi duhet të ketë për ty emri i Jehovait

«‘Ju jeni dëshmitarët e mi,—thotë Jehovai.’»—ISA. 43:10.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shohim cili është roli ynë në shenjtërimin dhe shfajësimin e emrit të Jehovait.

1-2. Si e dimë se emri i Jehovait është i rëndësishëm për Jezuin?

PËR Jezuin s’ka asgjë më të rëndësishme se emri i Jehovait. Ai është personi kryesor që mbron emrin e Atit të tij. Siç e pamë në artikullin e kaluar, Jezui ishte gati të vdiste për hir të emrit të Jehovait dhe për gjithë sa përfaqëson ai emër. (Mar. 14:36; Hebr. 10:7-9) E në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar, Jezui do të jetë i gatshëm të heqë dorë nga gjithë autoriteti i tij për të shenjtëruar emrin e Jehovait. (1 Kor. 15:26-28) Dashuria e Jezuit për emrin e Perëndisë zbulon shumë edhe për miqësinë e ngushtë që gëzon me të Atin. Është e qartë si drita e diellit se Jezui e do Personin që përfaqëson ky emër.

2 Jezui erdhi në tokë në emër të Atit të tij. (Gjoni 5:43; 12:13) Ai ua bëri të njohur dishepujve emrin e Atit. (Gjoni 17:6, 26) Kur i mësoi njerëzit dhe kreu mrekulli, tregoi qartë se këto i bënte në emër të Jehovait. (Gjoni 10:25) Në fakt, Jezui iu lut Jehovait t’i mbronte dishepujt ‘për hir të emrit të Tij’. (Gjoni 17:11) Pra, përderisa për Jezuin emri i Jehovait ishte më i rëndësishëm se gjithçka, si mund të pohojë dikush se është i krishterë i vërtetë nëse nuk e njeh ose nuk e përdor emrin e Atit të tij?

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Si të krishterë të vërtetë përpiqemi të ndjekim gjurmët e Jezuit, ndaj e çmojmë si thesar emrin e Atit të tij. (1 Pjet. 2:21) Në këtë artikull do të shohim pse ata që shpallin ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’ thirren me emrin e Jehovait. (Mat. 24:14) Gjithashtu do të shqyrtojmë sa rëndësi duhet të ketë emri i Jehovait për secilin prej nesh.

«NJË POPULL PËR EMRIN E TIJ»

4. (a) Çfarë caktimi u dha Jezui dishepujve të tij para se të kthehej në qiell? (b) Cila pyetje lind nga kjo?

4 Pak para se të kthehej në qiell, Jezui u tha dishepujve: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Pra, predikimi i lajmit të mirë do t’i kalonte kufijtë e Izraelit. Me kalimin e kohës, njerëz nga të gjitha kombet do të kishin mundësinë të bëheshin dishepuj të Jezuit. (Mat. 28:19, 20) Por është interesante që Jezui tha: «Do të jeni dëshmitarët e mi.» A duhej ta njihnin emrin e Jehovait ata dishepuj të rinj apo do të ishin vetëm dëshmitarë të Jezuit? Ngjarjet që përshkruhen në kapitullin 15 të Veprave do të na ndihmojnë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje.

5. Si e treguan apostujt dhe pleqtë në Jerusalem se të gjithë njerëzit duhet ta njohin emrin e Jehovait? (Shih edhe figurën.)

5 Në vitin 49 të e.s., apostujt dhe pleqtë në Jerusalem u mblodhën për të diskutuar nëse jojudenjtë duhej të rrethpriteshin për të qenë të krishterë. Jakovi, gjysmëvëllai i Jezuit, e mbylli diskutimin me këto fjalë: «[Pjetri] na tregoi nga fillimi në fund se si, për herë të parë, Perëndia e drejtoi vëmendjen nga kombet, që të nxirrte prej tyre një popull për emrin e tij.» Për cilin emër e kishte fjalën Jakovi? Duke cituar profetin Amos, ai shtoi: «‘Me qëllim që njerëzit që mbeten, të kërkojnë me zjarr Jehovain, bashkë me njerëz nga të gjitha kombet që thirren me emrin tim,—thotë Jehovai.’» (Vep. 15:14-18) Dishepujt e rinj jo vetëm do të mësonin për Jehovain, por edhe ‘do të thirreshin me emrin e tij’. Me fjalë të tjera, ata do të mbanin emrin e Perëndisë dhe do të njiheshin si populli që përfaqëson këtë emër.

Jakovi flet me disa nga apostujt dhe pleqtë në Jerusalem. Ndërsa e dëgjojnë, dy vëllezër kanë hapur rrotullat.

Gjatë një mbledhjeje, trupi udhëheqës i shekullit të parë dalloi qartë se të krishterët duhet të jenë një popull për emrin e Perëndisë (Shih paragrafin 5)


6-7. (a) Pse erdhi në tokë Jezui? (b) Ç’gjë më e rëndësishme ishte në lojë?

6 Emri i Jezuit do të thotë «Jehovai është shpëtim». Në fakt, Jezui tregoi se ishte mjeti i Jehovait për të shpëtuar ata që tregojnë besim. Ai erdhi në tokë që të jepte jetën e vet për njerëzimin. (Mat. 20:28) Duke paguar shpërblesën, hapi rrugën që njerëzit të çlirohen nga mëkati dhe të jetojnë përgjithmonë.—Gjoni 3:16.

7 Por pse kishin nevojë njerëzit për një shpërblesë? Për shkak të asaj që ndodhi në kopshtin e Edenit. Siç u përmend në artikullin e kaluar, prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, u rebeluan kundër Jehovait dhe kështu humbën mundësinë që të jetonin përgjithmonë. (Zan. 3:6, 24) Mirëpo nuk bëhej fjalë vetëm për shpëtimin e njerëzimit mëkatar; ishte në lojë diçka më e rëndësishme. Emrin e Jehovait e kishin përbaltur me shpifje. (Zan. 3:4, 5) Kështu shpëtimi i pasardhësve të Adamit dhe Evës lidhej me një çështje më të madhe—me shenjtërimin e emrit të Jehovait. Meqë Jezui përfaqësonte Jehovain dhe mbante emrin e Tij, luajti një rol kyç në shenjtërimin e emrit të Jehovait.

Si mund të pohojë dikush se është dishepull i vërtetë i Krishtit nëse nuk e njeh ose nuk e përdor emrin e Atit të tij?

8. Çfarë duhej të kuptonin të gjithë dishepujt e Jezuit?

8 Të gjithë ata që do të tregonin besim te Jezui, judenj dhe jojudenj, duhej ta pranonin se Burimi i shpëtimit të tyre, ishte Ati i Jezuit, Perëndia Jehova. (Gjoni 17:3) Veç kësaj, ashtu si Jezui, do të thirreshin me emrin e Jehovait. Gjithashtu duhej të kuptonin sa e rëndësishme është të shenjtërohet ky emër. Nga kjo do të varej shpëtimi i tyre. (Vep. 2:21, 22) Pra, të gjithë dishepujt besnikë të Jezuit duhej të njihnin edhe Jehovain, edhe Jezuin. Ja pse Jezui e përfundoi lutjen e tij te Gjoni 17 me fjalët: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur, që ata të tregojnë po atë dashuri që ti ke treguar për mua dhe që unë të jem në unitet me ta.»—Gjoni 17:26.

«JU JENI DËSHMITARËT E MI»

9. Çfarë duhet të jetë gjëja më e rëndësishme për ne si dishepuj të Jezuit?

9 Është e qartë se të gjithë dishepujt e vërtetë të Jezuit duhet të kenë dëshirë të zjarrtë që ta shenjtërojnë emrin e Jehovait. (Mat. 6:9, 10) Emri i Jehovait duhet të jetë gjëja më e rëndësishme për ne. Këtë duhet ta tregojmë me vepra. Por ç’mund të bëjmë që ta shenjtërojmë emrin e Jehovait dhe ta pastrojmë nga shpifjet e Satanait?

10. Cili gjyq i figurshëm përshkruhet në kapitujt 42 deri 44 të librit të Isaisë? (Isaia 43:9; 44:7-9) (Shih edhe figurën.)

10 Në kapitujt 42 deri 44 të librit të Isaisë del në pah sa i rëndësishëm është roli ynë në shenjtërimin e emrit të Jehovait. Aty përshkruhet një gjyq i figurshëm ku shqyrtohet çështja se kush është Perëndia i vërtetë. Jehovai sfidon të gjithë ata që pretendojnë se janë perëndi ta tregojnë këtë me prova. Gjithashtu u kërkon të paraqesin dëshmitarë për të provuar se ekzistojnë. Por s’gjendet asnjë dëshmitar!—Lexo Isainë 43:9; 44:7-9.

Kolazh: Disa engjëj fluturojnë mbi tokë ndërsa vëllezër e motra përqark globit shenjtërojnë emrin e Jehovait. 1. Një çift po merr pjesë në dëshminë me stenda. 2. Një motër e re i jep një shoqeje të shkollës kartëvizitën e sitit jw.org. 3. Një vëlla i jep dëshmi një burri ndërsa përdor transportin publik. 4. Një vëlla e kanë prangosur dhe po e marrin dy policë me maska. 5. Një motër në spital i shpjegon një mjeku qëndrimin e saj në lidhje me gjakun.

Sot jemi të përfshirë në një gjyq të figurshëm ku po japim dëshmi në shumë mënyra (Shih paragrafët 10-11)


11. Çfarë u thotë Jehovai shërbëtorëve të tij tek Isaia 43:10-12?

11 Lexo Isainë 43:10-12. Jehovai u thotë shërbëtorëve të tij: «Ju jeni dëshmitarët e mi, . . . dhe unë jam Perëndia.» Ai u kërkon t’i përgjigjen kësaj pyetjeje: «A ka tjetër Perëndi veç meje?» (Isa. 44:8) Ne kemi nderin e madh t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Me fjalë e me vepra, dëshmojmë se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë dhe se emri i tij është më i larti në mbarë universin. Me jetën tonë provojmë se e duam me gjithë zemër Jehovain dhe se jemi besnikë ndaj tij, ndonëse Satanai përpiqet si e si të na pengojë. Kështu bëjmë pjesën tonë që të shenjtërohet emri i Tij.

12. Si u përmbush profecia e Isaisë 40:3, 5?

12 Kur mbrojmë emrin ose reputacionin e Jehovait, po imitojmë Jezu Krishtin. Isaia paratha edhe se do të vinte dikush që ‘do të përgatiste udhën për Jehovain’. (Isa. 40:3) Si u përmbushën këto fjalë? Gjon Pagëzori përgatiti udhën për Jezuin, i cili erdhi në emër të Jehovait dhe foli në emër të Tij. (Mat. 3:3; Mar. 1:2-4; Luka 3:3-6) Në të njëjtën profeci thuhej: «Lavdia e Jehovait do të shpaloset.» (Isa. 40:5) Si u plotësua kjo? Jezui e përfaqësoi aq përsosmërisht Atin e tij në tokë, sa ishte sikur të kishte ardhur këtu vetë Jehovai.—Gjoni 12:45.

13. Si mund ta imitojmë Jezuin?

13 Njësoj si Jezui, ne jemi dëshmitarë të Jehovait. Mbajmë emrin e Jehovait dhe flasim me këdo për veprat e tij të mahnitshme. Gjithsesi, që të japim dëshmi të plotë për Jehovain, duhet edhe t’u tregojmë të tjerëve çfarë roli jetësor ka Jezui në shenjtërimin e emrit të Tij. (Vep. 1:8) Jezui është Dëshmitari më i shkëlqyer i Jehovait, dhe ecim në gjurmët që na la. (Zbul. 1:5) Por në ç’mënyra të tjera mund ta tregojmë sa rëndësi ka për ne emri i Jehovait?

SI E TREGOJMË SA RËNDËSI KA PËR NE EMRI I JEHOVAIT

14. Siç tregon Psalmi 105:3, si ndihemi për emrin e Jehovait?

14 Jemi krenarë për emrin e Jehovait. (Lexo Psalmin 105:3.) Jehovai kënaqet pa masë kur mburremi për emrin e tij. (Jer. 9:23, 24; 1 Kor. 1:31; 2 Kor. 10:17) ‘Të mburresh për Jehovain’ do të thotë të jesh krenar që Jehovai është Perëndia yt. E konsiderojmë privilegj të nderojmë emrin e tij dhe të mbrojmë reputacionin e tij. Kurrë s’duhet të na vijë turp t’u tregojmë shokëve të punës, shokëve të shkollës, fqinjëve dhe të tjerëve se jemi Dëshmitarë të Jehovait. Djalli do që të mos flasim më për emrin e Jehovait. (Jer. 11:21; Zbul. 12:17) Synimi i Satanait dhe i profetëve të tij të rremë është që njerëzit ta harrojnë emrin e Perëndisë. (Jer. 23:26, 27) Por ne e duam emrin e Jehovait, prandaj vazhdojmë të gëzojmë ‘gjatë gjithë ditës’ për të.—Psal. 5:11; 89:16.

15. Çfarë do të thotë të thërrasësh emrin e Jehovait?

15 Vazhdojmë të thërrasim emrin e Jehovait. (Joe. 2:32; Rom. 10:13, 14) Të thërrasim emrin e Jehovait nuk do të thotë vetëm ta njohim e ta përdorim emrin e tij. Përfshin ta njohim nga afër Jehovain, t’i besojmë dhe të mbështetemi tek ai për ndihmë dhe drejtim. (Psal. 20:7; 99:6; 116:4; 145:18) Veç kësaj, përfshin t’u flasim të tjerëve për emrin dhe cilësitë e tij, si edhe t’i nxitim të pendohen e të fitojnë miratimin e Jehovait.—Isa. 12:4; Vep. 2:21, 38.

16. Si mund ta tregojmë se Satanai është gënjeshtar?

16 Jemi të gatshëm të vuajmë për emrin e Jehovait. (Jak. 5:10, 11) Kur i qëndrojmë besnikë Jehovait ndërsa vuajmë, japim prova se Satanai është gënjeshtar. Në kohën e Jobit, Satanai ngriti këtë akuzë për shërbëtorët e Jehovait: «Njeriu jep çdo gjë që ka për jetën e vet.» (Jobi 2:4) Me fjalë të tjera, Satanai po thoshte se njerëzit do t’i shërbenin Jehovait vetëm kur t’u shkonin gjërat vaj dhe se po t’u binin sprova, do t’i kthenin shpinën. Me besnikërinë e tij, Jobi e hodhi poshtë atë akuzë. Njësoj si ai, kemi privilegjin të tregojmë se edhe mes stuhive të jetës ose shkurajimeve nga Satanai, nuk do ta braktisim kurrë Jehovain. Kemi besim absolut se Jehovai do të na mbrojë për hir të emrit të tij.—Gjoni 17:11.

17. Siç tregon 1 Pjetrit 2:12, cila është një mënyrë tjetër si i japim lavdi emrit të Jehovait?

17 Tregojmë respekt për emrin e Jehovait. (Prov. 30:9; Jer. 7:8-11) Meqë përfaqësojmë Jehovain dhe mbajmë emrin e tij, ne ose mund ta lëvdojmë ose mund ta çnderojmë këtë emër të shenjtë. (Lexo 1 Pjetrit 2:12.) Prandaj duam të bëjmë çmos ta lëvdojmë Jehovain me fjalët dhe me sjelljen tonë. Kështu, edhe pse të papërsosur, do t’i japim lavdi emrit të tij.

18. Cila është një mënyrë tjetër si e tregojmë se emri i Jehovait është i rëndësishëm për ne? (Shih edhe shënimin.)

18 Kemi më shumë merak për emrin e Jehovait, sesa për reputacionin tonë. (Psal. 138:2) Pse është kaq e rëndësishme kjo? Sepse dashuria jonë për emrin e Jehovait mund të bëhet shkak që të na prishet reputacioni mes njerëzve që na rrethojnë.a Jezui ishte gati të vdiste në mënyrë poshtëruese si një kriminel për të nderuar emrin e Jehovait. Ai ‘nuk e përfilli fare turpin’, domethënë nuk u shqetësua tepër për opinionin e të tjerëve. (Hebr. 12:2-4) Meraku i tij kryesor ishte të bënte vullnetin e Perëndisë.—Mat. 26:39.

19. Si ndihesh për emrin e Jehovait, dhe pse?

19 Ndihemi krenarë për emrin e Jehovait dhe e kemi për nder të quhemi Dëshmitarë të Jehovait. Ja pse do të vazhdojmë t’i japim lavdi Atit tonë edhe nëse të tjerët na shohin me përbuzje. Emrin e Jehovait e konsiderojmë shumë më të rëndësishëm se reputacioni ynë. Ndaj, pavarësisht nga orvatjet e Satanait për të na penguar, le të jemi të vendosur të vazhdojmë ta lëvdojmë emrin e Tij! Kështu do të tregojmë se për ne emri i Jehovait është më i rëndësishëm se gjithçka, ashtu siç ishte për Jezu Krishtin.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse emri i Jehovait është i rëndësishëm për dishepujt e Jezuit?

  • Në cilin gjyq të figurshëm japim dëshmi sot?

  • Si mund ta tregojmë se emri i Jehovait është i rëndësishëm për ne?

KËNGA 10 Të lëvdojmë, Jehova!

a Edhe Jobi besnik e humbi nga sytë çfarë ishte më e rëndësishme kur tre shokët e tij ia përbaltën reputacionin. Në fillim, kur i vdiqën fëmijët dhe humbi gjithë zotërimet, «Jobi nuk mëkatoi dhe nuk e akuzoi Perëndinë për asnjë padrejtësi». (Jobi 1:22; 2:10) Mirëpo, kur e akuzuan se kishte bërë të këqija, tha «fjalë të rrëmbyera». Ai i dha më tepër rëndësi mbrojtjes së reputacionit të vet, sesa shenjtërimit të emrit të Perëndisë.—Jobi 6:3; 13:4, 5; 32:2; 34:5.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo