BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 gusht f. 2-7
  • Si na ndihmon Jehovai të tregojmë qëndrueshmëri

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si na ndihmon Jehovai të tregojmë qëndrueshmëri
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • LUTJA
  • FJALA E PERËNDISË
  • VËLLEZËRIT DHE MOTRAT
  • SHPRESA JONË
  • Mos harro se Jehovai është «Perëndia i gjallë»!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Një letër për të qëndruar besnikë deri në fund
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Jehovai «i shëron zemërthyerit»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 gusht f. 2-7

ARTIKULLI I STUDIMIT 32

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

Si na ndihmon Jehovai të tregojmë qëndrueshmëri

«Perëndia i çdo mirësie të pamerituar . . . do t’ju bëjë të patundur, do t’ju bëjë të fortë e do t’ju vërë mbi themele të forta.»—1 PJET. 5:10.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shohim disa dhurata që na ka bërë Jehovai për të na ndihmuar të tregojmë qëndrueshmëri dhe si mund të nxjerrim dobi prej secilës.

1. Pse kemi nevojë për qëndrueshmëri, dhe kush do të na ndihmojë? (1 Pjetrit 5:10)

NË KËTO ditë të fundit të vështira, adhuruesit e Jehovait kanë nevojë për qëndrueshmëri. Disa luftojnë me sëmundje kronike. Të tjerë vuajnë nga humbja e një njeriu të dashur. Ndërsa të tjerë hasin përndjekje nga pjesëtarët e familjes ose nga qeveria. (Mat. 10:18, 36, 37) Ji i sigurt se cilado qoftë sprova jote, Jehovai do të të ndihmojë të qëndrosh i fortë!—Lexo 1 Pjetrit 5:10.

2. Si mund të tregojmë qëndrueshmëri si të krishterë?

2 Të tregosh qëndrueshmëri si i krishterë do të thotë të mos dorëzohesh dhe të mos i humbësh shpresat përballë pengesave, përndjekjes, sprovave ose tundimeve. Këtë nuk e arrijmë dot me forcat tona, por falë Jehovait, i cili na jep ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Kor. 4:7) Në këtë artikull do të shqyrtojmë katër dhurata që na ka bërë Jehovai për të na ndihmuar të tregojmë qëndrueshmëri. Do të shohim edhe si mund të nxjerrim dobi prej secilës.

LUTJA

3. Pse mund të themi se lutja është një mrekulli e komunikimit?

3 Jehovai na ka bërë një dhuratë të mrekullueshme që na ndihmon të qëndrojmë të fortë. Na ka çelur derën të komunikojmë me të ndonëse jemi mëkatarë. (Hebr. 4:16) Vetëm mendo pak: mund t’i lutemi Jehovait në çfarëdo momenti dhe për çdo lloj gjëje. Ai mund të na dëgjojë në çdo gjuhë dhe kudo që të ndodhemi, edhe nëse jemi të izoluar a në një qeli burgu. (Jon. 2:1, 2; Vep. 16:25, 26) Nëse na mbyt ankthi aq sa nuk i gjejmë dot fjalët për të shprehur çfarë ndiejmë, Jehovai prapë arrin ta kuptojë ç’duam të themi. (Rom. 8:26, 27) Lutja është vërtet një mrekulli e komunikimit!

4. Nga e dimë se lutjet tona për qëndrueshmëri janë në harmoni me vullnetin e Jehovait?

4 Jehovai na siguron në Shkrime se «na dëgjon për çdo gjë që i kërkojmë sipas vullnetit të tij». (1 Gjon. 5:14) A mund t’i lutemi për qëndrueshmëri? Pa diskutim! Kjo është në harmoni me vullnetin e tij. Nga e dimë këtë? Kur qëndrojmë të palëkundur në sprova, Jehovai mund t’i kthejë një përgjigje atij që e sfidon me përbuzje, Satana Djallit. (Prov. 27:11) Gjithashtu, Bibla thotë se Jehovai mezi pret «të tregojë forcën e tij në të mirë të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër». (2 Kron. 16:9) Ndaj mund të jemi të sigurt se Jehovai ka edhe fuqinë edhe dëshirën të na ndihmojë të qëndrojmë të patundur.—Isa. 30:18; 41:10; Luka 11:13.

5. Si na ndihmojnë lutjet të kemi paqe mendore? (Isaia 26:3)

5 Bibla thotë se kur lutemi me zjarr për meraqet tona, ‘paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, na ruan zemrën dhe mendjen’. (Filip. 4:7) Mendo pak sa e mahnitshme është kjo. Edhe njerëzit që nuk i shërbejnë Jehovait kanë halle. Ata mund të provojnë metoda të ndryshme për të pasur paqe mendore. Për shembull, disa përdorin një lloj meditimi që ta zbrazin mendjen nga çdo mendim, duke përfshirë edhe ato që u fusin ankth. Mirëpo kjo është shumë e rrezikshme, sepse nuk e kanë më nën kontroll mendjen dhe mund të vihen nën ndikimin e demonëve. (Krahaso Mateun 12:43-45.) Veç kësaj, çfarëdo paqeje që mund të vijë nga një meditim i tillë, as që i afrohet paqes që na fal Jehovai kur i lutemi. Kur lutemi, tregojmë se mbështetemi pa rezerva te Jehovai, dhe ai na jep «paqe të pafund». (Lexo Isainë 26:3.) Një mënyrë si e bën këtë është duke na sjellë ndër mend të vërteta zemërdhënëse që kemi mësuar nga Fjala e tij. Këto të vërteta na e qetësojnë mendjen dhe zemrën, sepse na sigurojnë se Jehovai na do fort dhe dëshiron t’ia dalim mbanë në sprovë.—Psal. 62:1, 2.

6. Si mund të nxjerrësh sa më shumë dobi nga dhurata e lutjes? (Shih edhe figurën.)

6 Ç’mund të bësh. Ndërsa kalon një vështirësi, «hidhja barrën tënde Jehovait» dhe kërkoji të të japë paqe. (Psal. 55:22) Lutju edhe për mençuri, që të dish si të veprosh. (Prov. 2:10, 11) Përveç përgjërimeve për të qëndruar besnik, mos harro ta falënderosh në lutje. (Filip. 4:6) Ji syçelë të dallosh si po të bëhet krah Jehovai çdo ditë dhe falënderoje për këtë. Mos lejo që sprova të ta errësojë shikimin, aq sa të mos shohësh bekimet që gëzon.—Psal. 16:5, 6.

Është dimër dhe një vëlla i moshuar është ulur në një kolltuk në shtëpinë e tij dhe po lutet. Në prehër ka një Bibël të hapur, kurse në tavolinën krah tij, një kuti ilaçesh.

Kur lutesh, flet ti me Jehovain. Kur lexon Biblën, flet Jehovai me ty (Shih paragrafin 6)b


FJALA E PERËNDISË

7. Si mund të na ndihmojë studimi i Biblës të tregojmë qëndrueshmëri?

7 Jehovai na ka dhuruar Fjalën e tij për të na ndihmuar të tregojmë qëndrueshmëri. Në Bibël gjejmë plot vargje që na sigurojnë se Jehovai na mbështet. Të marrim vetëm një shembull. Mateu 6:8 thotë: «Ati juaj e di për çfarë keni nevojë, madje përpara se t’ia kërkoni.» Këto fjalë i tha Jezui, ai që e njeh Jehovain ku e ku më mirë se kushdo tjetër. Prandaj s’ka pse të dyshojmë aspak se Jehovai e di ç’na nevojitet kur kalojmë një vështirësi dhe do të na ndihmojë. Bibla përmban shumë mendime të tilla që na forcojnë zemrën për t’u bërë ballë sprovave.—Psal. 94:19.

8. (a) Përmendni një parim nga Bibla që mund të na ndihmojë t’u bëjmë ballë situatave të vështira. (b) Si mund t’i kujtojmë më kollaj parimet në momentin e duhur?

8 Parimet e Biblës na ndihmojnë që t’u bëjmë ballë situatave të vështira. Falë mençurisë praktike që përmbajnë, mund të marrim vendime të mira. (Prov. 2:6, 7) Për shembull, Bibla na nxit t’i marrim ditët një nga një dhe të mos jemi tepër në ankth se ç’mund të sjellë e nesërmja. (Mat. 6:34) Nëse e kemi zakon t’i lexojmë Shkrimet dhe të mendojmë për to, do ta kemi më të lehtë të kujtojmë parimet e duhura në momentin e duhur.

9. Pse historitë e Biblës na forcojnë sigurinë se Jehovai do të na ndihmojë?

9 Bibla përmban edhe histori reale për njerëz të zakonshëm që patën besim te Jehovai dhe ndien dorën e tij në jetë. (Hebr. 11:32-34; Jak. 5:17) Kur mendojmë për historinë e tyre, na forcohet siguria se Jehovai është «streha dhe forca jonë, ndihmë që gjendet me lehtësi në kohë vuajtjesh». (Psal. 46:1) Veç kësaj, ndërsa reflektojmë për këta shembuj, ndihemi të motivuar të imitojmë besimin dhe qëndrueshmërinë e tyre.—Jak. 5:10, 11.

10. Si mund të nxjerrësh sa më shumë dobi nga Fjala e Perëndisë?

10 Ç’mund të bësh. Lexoje çdo ditë Biblën dhe bëj një listë me vargje që të japin veçanërisht zemër. Shumë veta e lexojnë që në mëngjes shkrimin e ditës dhe kështu mund të mendojnë për diçka pozitive gjatë gjithë ditës. Një motër që quhet Mariaa e provoi këtë kur iu diagnostikuan me kancer të dy prindërit. Çfarë e ndihmoi të qëndronte e fortë ndërsa kujdesej për ta gjatë muajve të fundit të jetës? Ajo thotë: «Çdo mëngjes lexoja shkrimin e ditës nga broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë dhe meditoja për të. Falë këtij zakoni, kisha në mendje një shkrim që më ndihmonte të mos përqendrohesha te vetja dhe te situata ime stresuese, por te gjëra më të rëndësishme.»—Psal. 61:2.

VËLLEZËRIT DHE MOTRAT

11. Si ndihemi kur mendojmë për bashkëbesimtarët që po ia dalin mbanë në sprova të ngjashme me tonat?

11 Jehovai na ka dhuruar një familje me vëllezër e motra për të na ndihmuar të tregojmë qëndrueshmëri. E dimë se «të gjithë vëllezërit nëpër botë po përjetojnë të njëjtat vuajtje», dhe kjo na siguron se nuk jemi vetëm. (1 Pjet. 5:9) Vërtet, çfarëdo stuhie të kalojmë, ka edhe bashkëbesimtarë të tjerë që kanë përjetuar diçka të ngjashme dhe ia kanë dalë mbanë. Kjo na jep zemër se edhe ne mund t’ia dalim mbanë.—Vep. 14:22.

12. Si mund të na ndihmojnë bashkëbesimtarët, dhe ç’mund të bëjmë ne për ta? (2 Korintasve 1:3, 4)

12 Vëllezërit e motrat mund të na japin zemër të qëndrojmë mes dallgëve të jetës. Apostulli Pavël e provoi vetë këtë. Kur ishte në arrest shtëpie, vëllezërit u bënë burim ngushëllimi për të, e inkurajonin dhe i jepnin ndihmë praktike. Ja pse në letrat e tij Pavli e shprehte shpesh mirënjohjen duke i përmendur me emër. (Filip. 2:25, 29, 30; Kolos. 4:10, 11) Edhe ne sot mund të përjetojmë diçka të ngjashme. Kur na nevojitet ndihmë në ditë të errëta, vëllezërit dhe motrat na bëhen krah; e kur kanë nevojë ata për mbështetje, u bëhemi krah ne.—Lexo 2 Korintasve 1:3, 4.

13. Çfarë e ndihmoi Majën të qëndronte e palëkundur?

13 Bashkëbesimtarët u bënë burim i madh inkurajimi për Majën, një motër në Rusi. Në vitin 2020 policia i kontrolloi shtëpinë dhe më vonë ajo doli në gjyq ngaqë u fliste të tjerëve për besimin e saj. Maja shprehet: «Kur ndihesha përtokë, vëllezërit e motrat më merrnin në telefon dhe më shkruanin, duke më siguruar se më donin. . . . E kam ditur gjithmonë sa familje të madhe e të dashur kam. Mirëpo, që nga viti 2020 kjo është bërë edhe më reale për mua.»

14. Ç’mund të bëjmë që të nxjerrim dobi nga ndihma e vëllezërve dhe motrave? (Shih edhe figurën.)

14 Ç’mund të bësh. Kur kalon sprova, është e rëndësishme të mbash lidhje të forta me vëllezërit dhe motrat. Mos ki siklet t’u kërkosh ndihmë pleqve. Ata mund të jenë «si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata». (Isa. 32:2) Gjithashtu mos harro se edhe vëllezërit e motrat po kalojnë vështirësi. Kur me dashuri bën diçka të mirë për një bashkëbesimtar në hall, e ke më të lehtë të ruash ekuilibrin dhe gëzimin ndërsa përballon sprovën tënde.—Vep. 20:35.

Është pranverë dhe vëllai i moshuar në figurën e mëparshme, është ulur në kolltuk në shtëpinë e vet dhe po bisedon ngrohtësisht me një çift dhe dy vajzat e tyre të vogla. Pranë vetes ka një bastun dhe disa kuti me ilaçe. Një nga vajzat po i tregon një vizatim që ka bërë për Parajsën.

Mbaj lidhje të forta me vëllezërit dhe motrat (Shih paragrafin 14)c


SHPRESA JONË

15. (a) Si e ndihmoi Jezuin shpresa për të ardhmen? (Hebrenjve 12:2) (b) Si na ndihmon ne shpresa jonë?

15 Jehovai na ka dhënë një shpresë të patundur për të na ndihmuar të qëndrojmë deri në fund. (Rom. 15:13) Të kujtojmë si e ndihmoi shpresa Jezuin të përballonte ditën më të dhimbshme të jetës së tij në tokë. (Lexo Hebrenjve 12:2.) Ai e dinte mirë se falë besnikërisë së tij, do të shfajësohej emri i Jehovait. Veç kësaj, Jezui mezi priste të ishte prapë me Atin dhe më vonë të qeveriste me vëllezërit e tij në Mbretërinë qiellore. Po njësoj, shpresa jonë për të jetuar pafundësisht në botën e re të Perëndisë, na ndihmon të përballojmë çdo vështirësi që kalojmë në botën e Satanait.

16. Si e ndihmoi shpresa për të ardhmen një motër, dhe ç’të mësojnë fjalët e saj?

16 Le të shohim si e ndihmoi shpresa për të ardhmen Alën, një motër në Rusi. Kur burrin e saj e arrestuan dhe e futën në paraburgim, Ala tha: «Lutja dhe meditimi për shpresën që kemi për të ardhmen, nuk më lënë të shkurajohem. E kuptoj se këto sprova do të mbarojnë një ditë. Jehovai do të fitojë, e bashkë me të edhe ne.»

17. Si mund ta tregojmë vlerësimin për shpresën që na ka dhënë Jehovai? (Shih edhe figurën.)

17 Ç’mund të bësh. Lër kohë të mendosh për të ardhmen e mrekullueshme që ka premtuar Jehovai. Shihe veten në botën e re dhe përfytyro bekimet që do të shijosh. Çdo sprovë që po kalojmë sot, në atë kohë do të duket ‘kalimtare dhe e lehtë’. (2 Kor. 4:17) Gjithashtu bëj çmos t’u tregosh të tjerëve premtimet e Perëndisë për të ardhmen. Imagjino sa të vështirë duhet ta kenë të përballojnë problemet e shumta, ndërkohë që nuk e dinë qëllimin e Perëndisë. Mund t’u zgjosh kureshtjen për shpresën e Mbretërisë duke u treguar edhe diçka të vogël.

Është vjeshtë dhe vëllai i moshuar po rri ulur në shtëpinë e vet dhe mendon për figurën e Parajsës që ka të hapur në tabletë. Pranë vetes ka një lloj paterice dhe më shumë kuti me ilaçe.

Lër kohë të mendosh për të ardhmen e mrekullueshme që ka premtuar Jehovai (Shih paragrafin 17)d


18. Pse mund t’u besojmë premtimeve të Jehovait?

18 Pasi qëndroi besnik në shumë sprova, Jobi i tha Jehovait: «Tani e di se ti je në gjendje të bësh gjithçka dhe s’ka asgjë të paarritshme për ty.» (Jobi 42:2) Jobi mësoi se Jehovain nuk e pengon asgjë në botë të plotësojë qëllimin e tij. Kjo e vërtetë mund të na japë forcë të qëndrojmë besnikë. Ta ilustrojmë, përfytyro një grua që vuan prej kohësh nga një sëmundje. Ndihet e dëshpëruar, sepse është vizituar te shumë mjekë, por asnjëri nuk i ka bërë derman. Mirëpo, pastaj gjen një mjek të zotë dhe të besuar, i cili e kupton shkakun e sëmundjes dhe i shpjegon si do ta kurojë. Tani ndihet më e lehtësuar, ndonëse do t’i duhet ca kohë për t’u shëruar. E ka më kollaj ta përballojë sëmundjen, sepse ka shpresë se do të shërohet patjetër. Po njësoj, siguria se premtimi për Parajsën do të bëhet realitet, na ndihmon të qëndrojmë të palëkundur.

19. Për çfarë kemi nevojë që të qëndrojmë në sprova?

19 Siç e kemi parë, Jehovai na ndihmon të qëndrojmë në sprova nëpërmjet lutjes, Fjalës së tij, vëllezërve e motrave dhe shpresës sonë. Nëse bëjmë çmos të nxjerrim plotësisht dobi nga këto dhurata, Jehovai do të na mbajë fort në çdo vështirësi, deri ditën kur gjithë vuajtjet e botës së Satanait t’i përkasin së shkuarës.—Filip. 4:13.

SI NA NDIHMOJNË KËTO DHURATA NGA JEHOVAI TË TREGOJMË QËNDRUESHMËRI?

  • Lutja dhe Fjala e tij

  • Vëllezërit dhe motrat

  • Shpresa jonë

KËNGA 33 Ty, o Atë, ta hedh barrën time

a Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërsa javët e muajt kalojnë, një vëlla i moshuar vazhdon të qëndrojë besnik.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërsa javët e muajt kalojnë, një vëlla i moshuar vazhdon të qëndrojë besnik.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërsa javët e muajt kalojnë, një vëlla i moshuar vazhdon të qëndrojë besnik.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo