BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 gusht f. 8-13
  • Beso me gjithë zemër se Jehovai të do

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Beso me gjithë zemër se Jehovai të do
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PSE KA RËNDËSI TË BESOJMË SE JEHOVAI NA DO
  • Ç’MUND TË NA NDIHMOJË TË BESOJMË SE JEHOVAI NA DO?
  • SI NA NDIHMON JEZUI TË BESOJMË SE JEHOVAI NA DO
  • BËJ ÇMOS TA SIGUROSH ZEMRËN SE JEHOVAI TË DO
  • Jehovai të ka shumë për zemër
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Çfarë na mëson shpërblesa?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Dashuria e Perëndisë zgjat përjetë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 gusht f. 8-13

ARTIKULLI I STUDIMIT 33

KËNGA 4 «Jehovai është Bariu im»

Beso me gjithë zemër se Jehovai të do

«Të kam tërhequr me dashuri besnike.»—JER. 31:3.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shqyrtojmë pse është e rëndësishme të besojmë me gjithë zemër se Jehovai na do dhe si mund ta bëjmë këtë.

1. Pse ia kushtove jetën Jehovait? (Shih edhe figurën.)

A TË kujtohet dita kur ia kushtove jetën Jehovait? E more atë vendim pasi e njohe mirë dhe të lindi në zemër dashuria për të. I dhe fjalën se do ta vije në vend të parë në jetë dhe do të vazhdoje ta doje me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde. (Mar. 12:30) Që nga ajo ditë, të është thelluar gjithnjë e më shumë dashuria për Atin tënd. Atëherë, si do t’i përgjigjeshe dikujt që të pyet: «A je i sigurt se e do Jehovain?» Do t’i thoshe pa e menduar dy herë: «E dua më shumë se këdo dhe se gjithçka!»

Kolazh: Një motër duke sjellë ndër mend ditën e kushtimit dhe të pagëzimit. 1. Ajo është jashtë në natyrë dhe po lutet. 2. Po pagëzohet në një lumë.

A të kujtohet dashuria që të vlonte në zemër për Jehovain kur i kushtove jetën dhe u pagëzove? (Shih paragrafin 1)


2-3. Për çfarë dëshiron Jehovai të jemi të sigurt, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Jeremia 31:3)

2 Po nëse dikush të pyet: «A je i sigurt se Jehovai të do?» Mos ndoshta ngurron të përgjigjesh, ngaqë mendon se nuk e meriton dashurinë e Jehovait? Një motër, që ka kaluar fëmijëri të vështirë, u shpreh: «E dua me gjithë shpirt Jehovain. S’kam pikë dyshimi për këtë. Por, shpesh më bren dyshimi nëse Jehovai më do.» Mirëpo, si ndihet vërtet Jehovai për ty?

3 Jehovai dëshiron që të jesh plotësisht i sigurt se të do. (Lexo Jereminë 31:3.) E vërteta është se ti e njeh Jehovain dhe je mik i tij, sepse ai deshi. Kur i kushtove jetën dhe u pagëzove, more një dhuratë të pashoqe—dashurinë e tij besnike. Kjo dashuri e ka nxitur Jehovain të krijojë me ty një lidhje tejet të fortë dhe që zgjat përjetë. Gjithashtu e motivon t’i shohë adhuruesit e tij besnikë, ku përfshihesh edhe ti, si ‘zotërimin e tij të çmuar’. (Mal. 3:17, shën.) Jehovai dëshiron të kesh të njëjtën siguri që kishte apostulli Pavël se Ai e donte. Pavli shkroi me besim të plotë: «Jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e së tashmes, as gjërat e së ardhmes, as fuqitë, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë.» (Rom. 8:38, 39) Në këtë artikull do të shqyrtojmë pse është e rëndësishme të besojmë me gjithë zemër se Jehovai na do dhe si mund ta bëjmë këtë.

PSE KA RËNDËSI TË BESOJMË SE JEHOVAI NA DO

4. Si mund të hedhim poshtë një prej intrigave më dinake të Satanait?

4 Kur besojmë me gjithë zemër se Jehovai na do, hedhim poshtë një prej «intrigave» të Satanait. (Efes. 6:11) Satanai s’lë gur pa lëvizur që të na pengojë t’i shërbejmë Jehovait. Një prej intrigave të tij më dinake është të përhapë gënjeshtrën se Jehovai nuk na do. Mos harro kurrë se Satanai nuk lë rast pa shfrytëzuar. Shpesh ai na sulmon kur jemi të dobët emocionalisht—mbase kur ndihemi përtokë nga eksperiencat e së kaluarës, nga sfidat e tanishme ose nga meraqet për të ardhmen. (Prov. 24:10) Satanai i ngjan një luani që mezi pret të gllabërojë prenë e pambrojtur. Ndaj përpiqet të shfrytëzojë brishtësinë tonë emocionale, që të na shtyjë të dorëzohemi. Por, nëse vazhdojmë të forcojmë bindjen se Jehovai na do, do të jemi më të pajisur që ‘t’i kundërvihemi’ Satanait dhe intrigave e kurtheve të tij.—1 Pjet. 5:8, 9; Jak. 4:7.

5. Pse kemi nevojë të ndiejmë se Jehovai na do dhe na çmon?

5 Kur pranojmë me gjithë zemër se Jehovai na do, lidhemi më ngushtë me të. Pse themi kështu? Jehovai na krijoi me nevojën që të duam dhe të na duan. Kur dikush na tregon dashuri, na vjen natyrshëm t’i tregojmë dashuri. Prandaj, sa më shumë të ndiejmë se Jehovai na do dhe na çmon, aq më shumë do ta duam edhe ne. (1 Gjon. 4:19) E ndërsa ne thellojmë dashurinë për të, atij i thellohet dashuria për ne. Bibla e thotë qartë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jak. 4:8) Por, si mund ta forcojmë bindjen se Jehovai na do?

Ç’MUND TË NA NDIHMOJË TË BESOJMË SE JEHOVAI NA DO?

6. Si mund ta sigurosh zemrën se Jehovai të do?

6 Ji specifik dhe ngulmo në lutje. (Luka 18:1; Rom. 12:12) Kërkoji Jehovait të të ndihmojë ta shohësh veten me sytë e tij. Nëse është e nevojshme lutu për këtë shumë herë gjatë ditës. Natyrisht, nuk është kollaj ta sigurosh zemrën kur ajo të dënon. Por mos harro se Jehovai është më i madh se zemra jote. (1 Gjon. 3:19, 20) Ai të njeh më mirë nga ç’e njeh ti veten; dallon brenda teje cilësi të bukura që mbase ti nuk e di se i ke. (1 Sam. 16:7; 2 Kron. 6:30) Ndaj, mos ngurro ‘t’i zbrazësh’ gjithçka që ndien dhe t’i kërkosh ndihmë që të forcosh besimin se ai të do. (Psal. 62:8) E më pas vepro në harmoni me lutjet e tua duke ndjekur sugjerimet e mëposhtme.

7-8. Si na sigurojnë Psalmet se Jehovai na do?

7 Besoju fjalëve të Jehovait. Jehovai i frymëzoi shkrimtarët e Biblës që të tregonin se kush është ai vërtet. Për shembull, për të përshkruar me sa butësi kujdeset Jehovai për ne, Davidi tha: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve dhe i shpëton ata që janë të shkurajuar.» (Psal. 34:18, shën.) Kur e ke shpirtin copë, mund të ndihesh si njeri pa njeri. Por në momente të tilla, Jehovai premton se do të të qëndrojë pranë, ngaqë e kupton se ke nevojë më tepër se kurrë për të. Në një psalm tjetër, Davidi shkroi: «Të lutem, mblidhmi lotët në calikun tënd.» (Psal. 56:8) Jehovai ta njeh plagën e zemrës. Ai të ka shumë merak dhe vuan bashkë me ty. Perëndia s’ka për t’i harruar kurrë lotët e tu. Për të është aq i çmuar çdo lot i yti, sa ç’është çdo pikë uji në calikun e një udhëtari në shkretëtirë. Te Psalmi 139:3 Davidi u shpreh: «Çdo udhë timen ti [Jehova] mirë e njeh.» Jehovai e sheh gjithçka që bën, por përqendrohet te veprat e tua të mira. (Hebr. 6:10) Pse? Sepse ai vlerëson çdo përpjekje që bën për ta kënaqur.a

8 Me anë të shkrimeve kaq inkurajuese në Bibël, me fjalë të tjera Jehovai po na thotë: «Dua që ta dish se të kam merak dhe të dua shumë.» Por siç e pamë më sipër, Satanai përpiqet të të mbushë mendjen se Jehovai nuk do t’ia dijë për ty. Pra, nëse me raste të bren dyshimi për dashurinë e Jehovait, ndalu dhe pyet veten: «Kujt do t’i besoj: ‘atit të gënjeshtrës’ apo ‘Perëndisë të së vërtetës’?»—Gjoni 8:44; Psal. 31:5.

9. Për çfarë i siguron Jehovai ata që e duan? (Eksodi 20:5, 6)

9 Mendo si ndihet Jehovai për ata që e duan. Të shohim çfarë i tha Jehovai Moisiut dhe izraelitëve. (Lexo Eksodin 20:5, 6.) Jehovai premton se do të vazhdojë t’u tregojë dashuri besnike atyre që e duan. Këto fjalë na sigurojnë se dashuria për Perëndinë tonë besnik nuk do të jetë kurrë e njëanshme; ai do të na dojë gjithmonë nëse e duam. (Neh. 1:5) Ndaj, në rast se ke nevojë të sigurohesh se Jehovai të do, ndalu dhe pyet veten: «A e dua Jehovain?» Pastaj mendo për këtë: nëse e do Jehovain dhe bën çmos ta kënaqësh, mund të jesh plotësisht i sigurt se edhe ai të do fort. (Dan. 9:4; 1 Kor. 8:3) Me fjalë të tjera, përderisa ti nuk ke fije dyshimi se e do Jehovain, pse të vësh në pikëpyetje dashurinë e tij? Dashuria dhe besnikëria që ka Jehovai mposhtin çdo dyshim!

10-11. Si dëshiron Jehovai që ta shohësh shpërblesën? (Galatasve 2:20)

10 Medito për shpërblesën. Flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit është dhurata më e madhe që i ka bërë Jehovai njerëzimit. (Gjoni 3:16) Por, a është edhe një dhuratë që e ka bërë posaçërisht për ty? Pa diskutim që po! Të ndalemi tek eksperienca e apostullit Pavël. Ai kreu disa mëkate të rënda para se të bëhej i krishterë, dhe iu desh të luftonte tërë jetën me dobësitë e tij. (Rom. 7:24, 25; 1 Tim. 1:12-14) Prapëseprapë, Pavli arriti ta shihte shpërblesën si një dhuratë të bërë enkas për të. (Lexo Galatasve 2:20.) Të mos harrojmë se Pavlin e frymëzoi Jehovai që t’i shkruante këto fjalë. E gjithçka që shkruhet në Bibël është për mësimin tonë. (Rom. 15:4) Fjalët e Pavlit tregojnë se Jehovai dëshiron që ti ta shohësh shpërblesën si një dhuratë personale. Kur e sheh me këtë sy, të forcohet bindja se Jehovai të do.

11 I jemi mirënjohës Jehovait që e dërgoi Jezuin të jepte jetën për ne. Mirëpo, Jezui erdhi në tokë edhe që të na tregonte të vërtetën për Perëndinë. (Gjoni 18:37) Këtu përfshihet dashuria e thellë që ka Jehovai për bijtë e tij.

SI NA NDIHMON JEZUI TË BESOJMË SE JEHOVAI NA DO

12. Pse mund t’i besojmë asaj që na tregoi Jezui për Jehovain?

12 Kur ishte në tokë, Jezui mezi priste t’u tregonte të tjerëve kush është Jehovai. (Luka 10:22) Kemi arsye të forta për t’u besuar fjalëve që tha ai për Atin. Tekefundit, Jezui kishte jetuar në qiell me Jehovain për miliarda vjet para se të vinte në tokë. (Kolos. 1:15) E kishte ndier dashurinë e Jehovait dhe e kishte parë sa shumë i do edhe bijtë e tjerë besnikë në qiell e në tokë. Si na ndihmon Jezui të besojmë me gjithë zemër se Jehovai na do?

13. Si dëshiron Jezui ta shohim Jehovain?

13 Jezui dëshiron ta shohim Jehovain siç e sheh ai. Tek ungjijtë, ai e quajti Jehovain «Atë» mbi 160 herë. Kur fliste me dishepujt për Jehovain, ai përdorte shprehje, si ‘Ati juaj’ ose «Ati juaj qiellor». (Mat. 5:16; 6:26) Para se të vinte Jezui në tokë, adhuruesit besnikë e thërrisnin Jehovain me tituj, si «i Plotfuqishmi», «Më i Larti» dhe «Krijuesi i Madh». Ama Jezui e thërriste shpesh Jehovain «Atë». Kjo tregon se Jehovai dëshiron të kemi një lidhje aq të përzemërt me të sa ka një fëmijë me babanë e dashur. Pra, është e qartë se Jezui do që ta shohim Jehovain si Atin tonë të dashur, në sytë e të cilit jemi shumë të çmuar. Le të ndalemi në dy raste ku Jezui përdori fjalën «Atë» për të përshkruar Jehovain.

14. Si tregoi Jezui se çdonjëri prej nesh është i vyer në sytë e Jehovait? (Mateu 10:29-31) (Shih edhe figurën.)

14 Të shqyrtojmë fillimisht fjalët e Jezuit te Mateu 10:29-31. (Lexoje.) Harabelat janë zogj të vegjël që nuk mund ta duan apo ta adhurojnë Jehovain. E megjithatë, për Jehovain ka rëndësi çdo harabel, përderisa asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e tij. Imagjino sa më tepër duhet ta çmojë e të kujdeset për çdo adhurues besnik që i shërben i motivuar nga dashuria. Jezui tha edhe se Ati ynë e di me saktësi sa fije floku kemi. Fakti që Jehovai na njeh me kaq detaje, na jep sigurinë absolute se na ka shumë për zemër. Është e qartë që Jezui dëshiron të besojmë pa rezerva se çdonjëri prej nesh është i vyer në sytë e Jehovait.

Jezui u tregon dishepujve një harabel që po zbret në tokë, teksa ata e dëgjojnë me vëmendje.

Për Jehovain ka rëndësi çdo harabel, përderisa asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e tij. Imagjino sa më tepër të çmon ty—një shërbëtor besnik që e do! (Shih paragrafin 14)


15. Çfarë mëson për Atin tënd qiellor nga fjalët e Jezuit te Gjoni 6:44?

15 Të shohim një rast tjetër ku Jezui përdori fjalën «Atë». (Lexo Gjonin 6:44.) Ati yt qiellor të tërhoqi me butësi drejt vetes. Pse e bëri këtë? Sepse dalloi brenda teje një zemër të prirur për të vërtetën. (Vep. 13:48) Kur Jezui tha fjalët e Gjonit 6:44, mund të ketë pasur ndërmend fjalët e Jehovait që gjejmë te Jeremia 31:3. Aty Jehovai i tha popullit: «Të kam tërhequr me dashuri besnike.» (Jer. 31:3; krahaso Hozenë 11:4.) Mendo pak: Ati yt i dashur vazhdon të shohë në zemrën tënde cilësi të bukura që mbase ti nuk arrin t’i dallosh te vetja.

16. (a) Çfarë kuptojmë nga fjalët e Jezuit dhe pse duhet t’u besojmë? (b) Si mund të forcosh bindjen se Jehovai është Ati për të cilin ke nevojë? (Shih kutinë «Ati për të cilin kemi nevojë të gjithë».)

16 Duke e quajtur Jehovain «Ati ynë», në njëfarë kuptimi Jezui po na thotë: «Jehovai nuk është vetëm Ati im; ai është edhe Ati yt. Të siguroj se të do fort dhe merakoset shumë për ty.» Pra, nëse ndonjëherë të lindin dyshime për dashurinë e Jehovait, ndalu dhe pyet veten: «A nuk është logjike t’u besoj fjalëve të Jezuit, Birit që e njeh Atin më mirë se kushdo dhe thotë gjithnjë të vërtetën?»—1 Pjet. 2:22.

«Ati për të cilin kemi nevojë të gjithë»

Këto fjalë gjenden te parathënia e librit T’i afrohemi Jehovait. Ndër të tjera, aty shkruhet për qëllimin e librit: «Do të kuptojmë se Jehovai është . . . Ati për të cilin kemi nevojë të gjithë. Duke qenë i fortë, i drejtë, i mençur dhe i dashur, ai nuk i braktis kurrë fëmijët e tij besnikë.»

Një lexuese, të cilën në fëmijëri e keqtrajtonte i ati, tregoi si e ndihmoi ky libër: «Mësova të mos kisha më frikë nga fjala ‘baba’. Tani e kuptoj çfarë do të thotë të kesh një baba të mirë. E di se Jehovai më do dhe unë e dua me shpirt Atin tim, Jehovain.» Ndërsa një lexuese tjetër u shpreh: «Jehovai është pa dyshim Ati më i mirë që ekziston!»

Që të kesh bindjen e patundur se Jehovai është Ati për të cilin ti ke nevojë, pse të mos bësh një projekt studimi që ta lexosh ose ta rilexosh këtë libër?

BËJ ÇMOS TA SIGUROSH ZEMRËN SE JEHOVAI TË DO

17. Pse duhet të vazhdojmë të forcojmë besimin se Jehovai na do?

17 Duhet të vazhdojmë të forcojmë besimin se Jehovai na do. Siç e pamë, armiku ynë dinak, Satanai, provon me çdo mënyrë që të na pengojë t’i shërbejmë Jehovait. Për të na dobësuar vendosmërinë që të qëndrojmë besnikë, ai përpiqet pareshtur të na gërryejë besimin se Jehovai na do. Të mos ia japim kurrë Satanait kënaqësinë e fitores!—Jobi 27:5.

18. Ç’mund të bësh që të sigurosh zemrën se Jehovai të do?

18 Që të sigurosh zemrën se Jehovai të do, lutju vazhdimisht për ndihmë që ta shohësh veten siç të sheh ai. Mendo thellë për mënyrën si përshkruhet në shkrime dashuria e ngrohtë që ka Jehovai për ty. Veç kësaj, mos harro se dashuria jote për Jehovain s’do të jetë kurrë e njëanshme; ai do t’i dojë gjithmonë ata që e duan. Mbaj ndër mend se shpërblesa është një dhuratë e bërë enkas për ty. Ki besim te fjalët siguruese të Jezuit se Jehovai është Ati yt qiellor. Kështu, nëse dikush të pyet «a je i sigurt se Jehovai të do?», do t’i përgjigjesh me plot gojën: «Po, jam i sigurt! Dhe po bëj çdo ditë më të mirën time që t’i tregoj sa shumë e dua.»

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse ka rëndësi të besojmë me gjithë zemër se Jehovai na do?

  • Ç’mund të na ndihmojë të besojmë me gjithë zemër se Jehovai na do?

  • Si na ndihmon Jezui të besojmë me gjithë zemër se Jehovai na do?

KËNGA 154 Dashuria nuk shuhet kurrë!

a Mund të gjesh shkrime të tjera zemërdhënëse, që të sigurojnë se Jehovai të do, te libri Parime nga Bibla për jetën, zëri «Mungesa e vetëvlerësimit».

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo