ARTIKULLI I STUDIMIT 41
KËNGA 108 Jehova, je plot dashuri besnike
Dashuria e Perëndisë zgjat përjetë
«Falënderoni Jehovain, se është i mirë; dashuria e tij besnike zgjat përjetë.»—PSAL. 136:1.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si ta luftojmë shkurajimin përballë sprovave duke mbajtur në mendje se dashuria e Jehovait është një mësim themelor i Biblës.
1-2. Si mund të ndihen shumë adhurues të Jehovait kur kalojnë një sprovë?
IMAGJINO një anije mes një furtune të egër. Dallgët e tërbuara e lëkundin sa lart e poshtë dhe ka rrezik të përfundojë ku ta çojnë ato. Ama, po të hidhet spiranca, nuk do të shkojë andej-këtej ndërsa shfryn stuhia.
2 Diçka e ngjashme mund të ndodhë kur përballesh me stuhi në jetë. Emocionet e tua mund të jenë si dallgë që të çojnë sa lart e poshtë. Një ditë je i sigurt se Jehovai të do e të mbështet; të nesërmen dyshon se mos ai nuk e sheh fare ç’po heq. (Psal. 10:1; 13:1) Mbase një mik të thotë diçka zemërdhënëse, dhe ndihesh mirë për ca kohë. (Prov. 17:17; 25:11) Por pastaj dyshimet nxjerrin kokë prapë. Madje mund të dyshosh se mos Jehovai nuk të do më. Çfarë mund të bëhet spirancë për ty në këtë situatë? Me fjalë të tjera, si mund të sigurohesh—dhe të vazhdosh të jesh i sigurt—se Jehovai të do e të mbështet?
3. Çfarë kuptimi ka shprehja «dashuri besnike», dhe pse mund të themi se Jehovai e shfaq këtë cilësi si askush tjetër? (Psalmi 31:7; 136:1) (Shih edhe figurën.)
3 Një gjë që mund të të shërbejë si spirancë në sprovë, është të kujtosh dashurinë besnike të Jehovait. (Lexo Psalmin 31:7; 136:1.) Shprehja «dashuri besnike» përcjell idenë e një lidhjeje tejet të fortë që zgjat përjetë. Jehovai shfaq dashuri besnike si askush tjetër. Bibla thotë se ai është «plot dashuri besnike». (Eks. 34:6, 7) Gjithashtu thotë: ‘Me dashuri besnike i mbulon të gjithë ata që e thërrasin për ndihmë.’ (Psal. 86:5) Mendo pak çfarë do të thotë kjo: Jehovai nuk i braktis kurrë shërbëtorët e tij besnikë! Kur mban në mendje se Ati yt është besnik, kjo mund të jetë një spirancë që të stabilizon përballë stuhive të jetës.—Psal. 23:4.
Ashtu si spiranca që nuk e lë anijen të shkojë andej-këtej gjatë një stuhie, siguria se Jehovai na do, na ndihmon të ruajmë stabilitetin mes vështirësive (Shih paragrafin 3)
KUJTO SE DASHURIA E JEHOVAIT ËSHTË MËSIM THEMELOR I BIBLËS
4. Përmendni disa mësime themelore të Biblës, dhe shpjegoni pse kemi besim të palëkundur se janë të vërteta.
4 Gjatë një sprove mund ta forcosh sigurinë se Jehovai të do, duke kujtuar edhe se dashuria e tij është një mësim themelor i Biblës. Çfarë të vjen ndër mend kur dëgjon shprehjen «mësim themelor i Biblës»? Ndoshta mendon për disa të vërteta që i ke mësuar nga Fjala e Perëndisë. Për shembull, ke mësuar se Perëndia e ka emrin Jehova, se Jezui është Biri i vetëmlindur i Perëndisë, se të vdekurit janë të pavetëdijshëm dhe se toka do të kthehet në një parajsë ku njerëzit do të jetojnë pafundësisht. (Psal. 83:18; Ekl. 9:5; Gjoni 3:16; Zbul. 21:3, 4) Pasi u binde se këto mësime janë të vërteta, nuk t’u lëkund më besimi. Pse? Sepse kuptove që bazohen në fakte. Të mos harrojmë se edhe dashuria e Jehovait është një mësim themelor i Biblës. Të shohim si mund të të ndihmojë kjo ta flakësh tej dyshimin se Jehovai nuk e vëren atë që po kalon dhe nuk ka merak për ty.
5. Çfarë e ndihmon dikë t’i lërë pas mësimet e rreme?
5 Kur fillove të studioje Biblën, çfarë të ndihmoi t’i lije pas mësimet e rreme? Ka shumë mundësi që i krahasove ato që mësonte feja jote me atë që mësojnë Shkrimet. Për shembull, ta zëmë se më parë besoje se Jezui është Perëndia i Plotfuqishëm. Mirëpo, ndërsa studioje Biblën, pyesje veten: «A është i vërtetë ky mësim?» Pasi shqyrtove provat nga Shkrimet, u sigurove se Jezui nuk është Perëndia. Pastaj e zëvendësove mësimin e rremë me këtë të vërtetë nga Shkrimet: Jezui është «i parëlinduri i gjithë krijimit», ‘Biri i vetëmlindur i Perëndisë’. (Kolos. 1:15; Gjoni 3:18) Kuptohet, mësimet e rreme mund të jenë «të fortifikuara mirë», ndaj mund të jetë e vështirë të rrëzohen. (2 Kor. 10:4, 5) Por, pasi i hodhe poshtë, nuk iu ktheve më atyre mësimeve.—Filip. 3:13.
6. Pse mund të jesh i sigurt se ‘dashuria besnike e Jehovait zgjat përjetë’?
6 Pse të mos veprosh njësoj kur bëhet fjalë për atë që mëson Bibla rreth dashurisë së Jehovait? Nëse gjatë një sprove fillon të dyshosh se mos Jehovai nuk të do, pyet veten: «A po mendoj me kthjelltësi?» Krahasoji dyshimet për dashurinë e Jehovait me atë që na mëson Psalmi 136:1—shkrimi kryesor i këtij artikulli. Pse Jehovai thotë se dashuria e tij është «besnike»? Pse përsëritet 26 herë në këtë psalm shprehja «dashuria e tij besnike zgjat përjetë»? Siç e pamë, dashuria besnike e Jehovait për adhuruesit e tij është një mësim themelor i Biblës, njësoj si mësime të tjera nga Fjala e Perëndisë që i ke besuar pa vështirësi. Ideja se për Jehovain nuk ke vlerë dhe ai nuk të do, është një gënjeshtër. Flake tej me po aq vendosmëri sa ç’do të hidhje poshtë çdo mësim tjetër të rremë!
7. Përmendni disa shkrime që na sigurojnë se Jehovai na do.
7 Bibla është plot me shkrime të tilla që na sigurojnë se Jehovai na do. Për shembull, Jezui u tha dishepujve të tij: «Ju vleni më tepër se shumë harabela.» (Mat. 10:31) Vetë Jehovai thotë: «Unë do të të jap forcë, po, do të të ndihmoj, do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.» (Isa. 41:10) Vër re sa të fuqishme janë këto pohime. Jezui nuk thotë «ju mund të vleni më tepër» dhe Jehovai nuk thotë «unë mund të të ndihmoj». Përkundrazi, thonë «ju vleni më tepër» dhe «unë do të të ndihmoj». Në rast se gjatë një sprove të mundon dyshimi nëse Jehovai të do, shkrime të tilla jo vetëm të ndihmojnë ta ndiesh dashurinë e tij, por edhe të bindin se Ati yt të do shumë. Këto shkrime bazohen në fakte. Po t’i bluash në mendje dhe t’i lutesh Jehovait për dyshimet e tua, do të të vijnë edhe ty nga zemra këto fjalë: «Ne e kemi kuptuar ç’dashuri ka Perëndia për ne dhe jemi të bindur për këtë dashuri.»—1 Gjon. 4:16.a
8. Ç’mund të bësh nëse ndonjëherë dyshon nëse Jehovai të do?
8 Po nëse me raste prapë dyshon se mos Jehovai nuk të do? Krahasoje atë që ndien me atë që di. Ndjenjat nuk janë aq të besueshme sa faktet, dhe dashuria e Jehovait për të cilën flasin Shkrimet, është një fakt. Nëse nuk e besojmë se Jehovai na do, po mohojmë se ai «është dashuri».—1 Gjon. 4:8.
MBAJ NDËR MEND SE JEHOVAI ‘TË KA PËR ZEMËR’
9-10. Në cilin kontekst i tha Jezui fjalët «vetë Ati ju ka për zemër», të dokumentuara te Gjoni 16:26, 27? (Shih edhe figurën.)
9 Mund të mësojmë më shumë për dashurinë e Jehovait duke u ndalur te këto fjalë që u tha Jezui dishepujve: «Vetë Ati ju ka për zemër.» (Lexo Gjonin 16:26, 27.) Jezui nuk e tha këtë sa për t’i bërë dishepujt të ndiheshin mirë. Në fakt, konteksti tregon se në ato momente Jezui nuk po fliste për ndjenjat e dishepujve. Po fliste për diçka tjetër—për lutjen.
10 Jezui sapo u kishte thënë dishepujve se duhej të luteshin nëpërmjet tij, jo t’i luteshin atij. (Gjoni 16:23, 24) Ishte e rëndësishme që ta dinin këtë. Pasi Jezui të ringjallej, dishepujt mund të kishin prirjen t’i luteshin atij. Në fund të fundit e kishin mik. Ndaj mund të mendonin se, meqë i kishte për zemër, Jezui do t’ua dëgjonte përgjërimet dhe do t’ia paraqiste kërkesat e tyre Atit. Mirëpo Jezui u tha se nuk duhej të mendonin ashtu. Pse? Arsyen e përmblodhi me këto fjalë: «Vetë Ati ju ka për zemër.» Pra Jehovai na do kaq shumë, sa i dëgjon personalisht lutjet tona. Ky fakt është pjesë e mësimit themelor të Biblës për lutjen. Mendo ç’do të thotë kjo për ty. Nëpërmjet studimit të Biblës e ke njohur Jezuin dhe e do. (Gjoni 14:21) Gjithsesi, ashtu si dishepujt e shekullit të parë, mund t’i lutesh Perëndisë me sigurinë e plotë se ‘ai vetë të ka për zemër’. Çdo herë që i lutesh Jehovait, tregon se e beson këtë.—1 Gjon. 5:14.
Mund t’i lutesh Jehovait me sigurinë e plotë se ‘ai vetë të ka për zemër’ (Shih paragrafët 9-10)b
DALLO ARSYEN E DYSHIMEVE
11. Pse Satanai do të kënaqej shumë po të dyshonim për dashurinë e Jehovait?
11 Ku e kanë burimin dyshimet se Jehovai nuk na do? Ndoshta do të përgjigjeshe se burimi i tyre është Satanai, e kjo deri diku është e vërtetë. Djalli ‘kërkon të na gllabërojë’ dhe do të kënaqej shumë po të dyshonim për dashurinë e Jehovait. (1 Pjet. 5:8) Në fakt, dashuria e shtyu Jehovain të siguronte shpërblesën, dhe Satanai do që të ndihemi të padenjë për këtë shprehje kaq të madhe dashurie. (Hebr. 2:9) Mirëpo të kujtojmë: kujt i bëhet qejfi nëse dyshojmë se Jehovai nuk na do? Satanait. Dhe kush dëshiron të dorëzohemi kur kalojmë vështirësi? Prapë Satanai. Mendo sa ironike është që Satanai orvatet të na ngjallë dyshime për dashurinë e Jehovait. Në realitet, ai që e ka humbur dashurinë e Jehovait është pikërisht Satanai. Megjithatë, një nga ‘intrigat’ e tij më djallëzore është të na bëjë të ndihemi sikur jemi ne ata që Jehovai nuk i do dhe i ka hedhur poshtë. (Efes. 6:11) Kur kuptojmë ç’po përpiqet të bëjë armiku ynë, jemi më të vendosur ‘t’i kundërvihemi Djallit’.—Jak. 4:7.
12-13. Pse gjendja jonë mëkatare mund të na bëjë të dyshojmë për dashurinë e Jehovait?
12 Dyshimet për dashurinë e Jehovait mund të vijnë edhe nga një burim tjetër: nga gjendja jonë mëkatare. (Psal. 51:5; Rom. 5:12) Mëkati e ka larguar njeriun nga Krijuesi i tij. Gjithashtu i ka dëmtuar mendjen, zemrën dhe trupin.
13 Mëkati na trazon shumë nga ana emocionale. Për shkak të tij provojmë ndjenja faji, ankthi, pasigurie dhe turpi. Mund të ndihemi kështu kur kryejmë një mëkat. Por këto ndjenja mund të lindin edhe ngaqë jemi vazhdimisht të vetëdijshëm për gjendjen tonë mëkatare, e cila nuk është aspak në harmoni me mënyrën si jemi krijuar. (Rom. 8:20, 21) Ashtu si një gomë disi e shfryrë nuk mund ta bëjë tamam punën, edhe ne, si të papërsosur, nuk mund të funksionojmë me kapacitetin e plotë në të cilin u krijuam. Prandaj nuk është çudi që hera-herës na mundon dyshimi nëse Jehovai na do vërtet. Në raste të tilla, duhet të kujtojmë se ai është Perëndia i madhërishëm, ‘që u tregon dashuri besnike atyre që e duan dhe i zbatojnë urdhërimet e tij’.—Neh. 1:5.
14. Si na ndihmon meditimi për shpërblesën ta flakim tej mendimin se Jehovai s’mund të na dojë kurrë? (Romakëve 5:8) (Shih edhe kutinë «Ruhu nga ‘fuqia mashtruese e mëkatit’».)
14 Vërtet, nganjëherë mund të ndihemi sikur nuk jemi të denjë për dashurinë e Jehovait. E në kuptimin e ngushtë të fjalës, nuk e meritojmë dashurinë e tij. Por tamam ky fakt thekson sa e thellë është kjo dashuri. Atë nuk mund ta fitojmë në sajë të meritave tona. Gjithsesi, Jehovai siguroi shpërblesën që të na i falë mëkatet ngaqë na do. (1 Gjon. 4:10) Të mos harrojmë edhe se Jezui nuk erdhi të shpëtojë njerëz të përsosur, por mëkatarët. (Lexo Romakëve 5:8.) Askush prej nesh nuk i bën dot gjërat në mënyrë të përsosur, e Jehovai nuk e pret këtë. Kur e kuptojmë se mëkati i trashëguar mund të jetë burimi i dyshimeve për dashurinë e Jehovait, bëhemi më të vendosur që të mos i lejojmë dyshimet të bëjnë fole në mendjen tonë.—Rom. 7:24, 25.
ZGJIDH TË QËNDROSH BESNIK
15-16. Për çfarë mund të jemi të sigurt nëse i qëndrojmë besnikë Jehovait, dhe pse? (2 Samuelit 22:26)
15 Jehovai dëshiron të bëjmë zgjedhjen e duhur «duke u lidhur ngushtë me të». (Ligj. 30:19, 20) Nëse veprojmë kështu, mund të jemi të sigurt se ai do të jetë përherë besnik ndaj nesh. (Lexo 2 Samuelit 22:26.) Për sa kohë i qëndrojmë besnikë Jehovait, mund të kemi besim të plotë se do të na bëhet krah në çdo sfidë të jetës.
16 Siç e kemi parë, kemi arsye të forta për të ruajtur stabilitetin mes stuhive të jetës. E dimë se Jehovai na do dhe ka për të na mbështetur, pasi këtë na e mëson Bibla. Po të na brejë ndonjëherë dyshimi nëse Jehovai na do, të përqendrohemi tek ajo që dimë për dashurinë e Jehovait, jo te ndjenjat që provojmë. Le ta mbajmë të rrënjosur në zemër këtë të vërtetë nga Bibla: dashuria besnike e Jehovait zgjat përjetë.
KËNGA 159 Jepi lavdi Jehovait
a Shkrime të tjera zemërdhënëse janë Ligji i përtërirë 31:8, Psalmi 94:14 dhe Isaia 49:15.
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla lutet për ndihmë që të kujdeset për bashkëshorten e sëmurë, t’i menaxhojë me mençuri paratë dhe t’i ushqejë së bijës dashurinë për Jehovain.