ARTIKULLI I STUDIMIT 39
KËNGA 54 «Kjo është udha»
Ndihmoji pa vonesë ata që janë «të prirur për jetën e përhershme»
«Të gjithë ata që ishin të prirur për jetën e përhershme, u bënë besimtarë.»—VEP. 13:48.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të shohim se kur mund të ofrojmë studime të Biblës dhe t’i ftojmë në mbledhje të interesuarit.
1. Si mund të reagojnë njerëzit ndaj lajmit të mirë? (Veprat 13:47, 48; 16:14, 15)
SHUMË njerëz në shekullin e parë e përqafuan të vërtetën sapo dëgjuan mesazhin për Mbretërinë. (Lexo Veprat 13:47, 48; 16:14, 15.) Po njësoj, sot disa fluturojnë nga gëzimi kur dëgjojnë për herë të parë lajmin e mirë. Madje edhe ata që fillimisht nuk shfaqin interes, më vonë mund ta hapin plotësisht zemrën për të pranuar mesazhin e Biblës. Çfarë duhet të bëjmë kur takojmë dikë «të prirur për jetën e përhershme»?
2. Çfarë ka të përbashkët vepra e predikimit me punën e një kopshtari?
2 Mund ta krahasojmë veprën e predikimit me punën e një kopshtari. Kur sheh se frutat e një peme janë pjekur, ai nis t’i vjelë, por ndërkohë vazhdon ta punojë tokën e të mbjellë fara të tjera. Po ashtu, kur gjejmë dikë që është gati ta pranojë mesazhin e Biblës, duam ta ndihmojmë sa më shpejt që të bëhet dishepull i Jezuit. Ndërkaq, vazhdojmë të kultivojmë interesin e atyre që u duhet më shumë kohë për të kuptuar vlerën e së vërtetës. (Gjoni 4:35, 36) Aftësia dalluese do të na ndihmojë t’i përshtatim bisedat në varësi të njerëzve që takojmë. Në këtë artikull do të shohim se ç’mund të bëjmë në bisedën e parë për të ndihmuar ata që janë gati të përqafojnë të vërtetën. Do të shqyrtojmë edhe si mund t’i ndihmojmë që të vazhdojnë të përparojnë.
KUR DIKUSH ËSHTË GATI TË PËRQAFOJË TË VËRTETËN
3. Çfarë është mirë të bëjmë kur takojmë dikë të interesuar për lajmin e mirë? (1 Korintasve 9:26)
3 Kur takojmë dikë që dëshiron të mësojë për Jehovain, duam ta ndihmojmë pa vonesë të nisë rrugëtimin drejt jetës së përhershme. Ndaj s’kemi pse të hezitojmë që t’i ofrojmë një studim të Biblës e ta ftojmë në mbledhje që në bisedën e parë.—Lexo 1 Korintasve 9:26.
4. Tregoni rastin e dikujt që ishte gati të fillonte menjëherë studimin e Biblës.
4 Ofro një studim. Disa herë takojmë njerëz që janë gati ta fillojnë menjëherë studimin e Biblës. Për shembull, një vajzë në Kanada u afrua te stendat një të enjte dhe mori broshurën Gëzoje jetën përgjithmonë. Motra që ishte atje i shpjegoi se me anë të asaj broshure mund të niste një studim të Biblës pa pagesë. Ajo shfaqi interes dhe shkëmbyen numrat e telefonit. Më vonë atë ditë, vajza i dërgoi një mesazh motrës dhe e pyeti se kur do ta nisnin studimin. Kur motra i tha të takoheshin në fundjavë, vajza e pyeti: «Po nesër, vjen dot? Unë e lirë jam.» Kështu filluan të studionin që të nesërmen. E po atë fundjavë, vajza ndoqi për herë të parë mbledhjen dhe përparoi shpejt.
5. Si mund të tregojmë aftësi dalluese kur ofrojmë studime të Biblës? (Shih edhe figurat.)
5 Natyrisht, nuk presim që të gjithë të jenë kaq të etur për të studiuar. Disave mund t’u duhet më tepër kohë. Fillimisht mund të flasim për një temë që i intereson personit. Nëse vazhdojmë të jemi pozitivë dhe të interesohemi sinqerisht për të, mund të fillojmë një studim brenda një kohe të shkurtër. Por, çfarë mund të themi kur ofrojmë një studim? Le të shohim çfarë sugjerimesh japin disa vëllezër dhe motra që janë shumë të zotë për të nisur studime.
Si mund ta bëjmë sa më tërheqës studimin e Biblës për njerëzit që tregohen në këto figura? (Shih paragrafët 5-6)a
6. Si mund ta lëmë derën hapur që të vazhdojmë bisedën me një person të interesuar?
6 Lajmëtarët dhe pionierët e intervistuar në lidhje me fillimin e studimeve të Biblës, shpjeguan se në disa vende është më mirë që të shmangim shprehje, si «studim», «kurs i Biblës» dhe «mësim». Ata thanë se kanë më shumë rezultat kur përdorin shprehje, si «bisedë», «diskutim» dhe «të njohim më mirë Biblën». Mund ta lësh derën hapur për të vazhduar bisedën një herë tjetër, duke thënë «a e di se Bibla u përgjigjet pyetjeve më të rëndësishme të jetës?» ose «Bibla nuk flet vetëm për fenë, por na ndihmon edhe në jetën e përditshme». Pastaj mund të shtosh: «Në vetëm pak minuta mund të mësosh diçka që do të të hyjë në punë.» Nuk është e nevojshme të përdorësh shprehje të tilla, si «lëmë takim» ose «çdo javë», që mund të japin idenë e një angazhimi të madh.
7. Kur e kuptuan disa se kishin gjetur të vërtetën? (1 Korintasve 14:23-25)
7 Ftoje në mbledhje. Me sa duket, në kohën e apostullit Pavël disa e kuptuan se kishin gjetur të vërtetën kur ndoqën për herë të parë një mbledhje. (Lexo 1 Korintasve 14:23-25.) E njëjta gjë ndodh shpesh edhe sot. Shumë veta përparojnë më shpejt pasi fillojnë të ndjekin mbledhjet. Kur mund ta ftosh dikë në mbledhje? Libri Gëzoje jetën përgjithmonë e nxit një student të ndjekë mbledhjet në mësimin 10, por nuk ke pse pret derisa të arrini aty. Mund ta ftosh dikë që në bisedën e parë të ndjekë mbledhjen e fundjavës, mbase duke i treguar temën e fjalimit për publikun ose një pikë nga Studimi i Kullës së Rojës për atë javë.
8. Cilat aspekte të mbledhjes mund të përmendim kur ftojmë dikë? (Isaia 54:13)
8 Kur fton dikë që ka treguar interes, shpjegoji si ndryshojnë mbledhjet tona nga shërbesat fetare. Një studente e Biblës që ndoqi për herë të parë Studimin e Kullës së Rojës, e pyeti mësuesen e saj: «A ua di emrat të gjithëve drejtuesi?» Motra i shpjegoi se përpiqemi t’ua mësojmë emrat të gjithëve, sepse për ne kongregacioni është si familje. Studentja tha se në kishën e saj shumica e njerëzve nuk ia dinin emrin njëri-tjetrit. Diçka tjetër që i dallon mbledhjet tona është edhe qëllimi i tyre. (Lexo Isainë 54:13.) Aty mblidhemi për të adhuruar Jehovain, për t’u mësuar prej tij dhe për të inkurajuar njëri-tjetrin. (Hebr. 2:12; 10:24, 25) Ja pse mbledhjet tona janë të mirorganizuara e praktike dhe në to nuk kryhen rituale. (1 Kor. 14:40) Gjithashtu, Sallat e Mbretërisë kanë ndriçim të mirë që ta kemi më të lehtë të përqendrohemi tek ajo që po trajtohet. Veç kësaj, nuk mbështetim kurrë ndonjë parti, sepse jemi asnjanës në politikë. As nuk përfshihemi në debate të zjarrta për të mbrojtur opinione personale. Mund të jetë e dobishme t’i tregojmë që më përpara studentit videon Çfarë ndodh në një Sallë Mbretërie? Kështu do të krijojë një ide paraprake se si zhvillohen mbledhjet tona.
9-10. Për çfarë mund ta sigurojmë dikë që të mos ngurrojë të vijë në mbledhje? (Shih edhe figurën.)
9 Disa ngurrojnë të vijnë në mbledhje, ngaqë kanë frikë se mos i detyrojmë të bëhen Dëshmitarë të Jehovait. Siguroji se kënaqemi kur kemi vizitorë, nuk iu bëjmë presion të bëhen Dëshmitarë dhe se mund të vijnë thjesht për të dëgjuar. Të gjithë janë të mirëpritur, edhe familjet me fëmijë të vegjël. Gjatë mbledhjeve fëmijët nuk qëndrojnë në ambiente të veçuara, por bashkë me prindërit. Në këtë mënyrë, prindërit i kanë para syve fëmijët dhe e dinë çfarë po mësojnë. (Ligj. 31:12) Gjithashtu, në mbledhjet tona nuk mblidhen pará, sepse ndjekim urdhrin e Jezuit: «Falas morët, falas jepni.» (Mat. 10:8) Mund t’i thuash atij që po fton se s’ka nevojë të veshë rroba të kushtueshme në mbledhje. Perëndia sheh zemrën, jo pamjen e jashtme.—1 Sam. 16:7.
10 Në qoftë se vjen në mbledhje, bëj çmos ta mirëpresësh krahëhapur. Prezantoje me disa nga pleqtë dhe me lajmëtarë të tjerë. Po të ndihet rehat, me shumë gjasa do të ketë qejf të vijë prapë. Gjatë mbledhjes, nëse nuk ka një Bibël, ndihmoje me Biblën ose botimet e tua që ta ndjekë atë që po shqyrtohet.
Sa më shpejt të vijë në mbledhje dikush, aq më shpejt do të afrohet me Jehovain (Shih paragrafët 9-10)
KUR DIKUSH KA NISUR TË STUDIOJË
11. Si mund të tregosh se e respekton kohën dhe programin e studentit?
11 Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur fillojmë një studim? Respekto kohën dhe programin e studentit. Për shembull, nëse ke lënë takim në një orar të caktuar, mbaje fjalën, edhe nëse në zonën tënde njerëzit nuk janë të përpiktë. Veç kësaj, mund të jetë mirë të mos e zgjatësh shumë seancën e parë të studimit. Disa lajmëtarë me përvojë sugjerojnë të mos qëndrosh më gjatë nga sa keni rënë dakord, edhe kur personi dëshiron të dëgjojë akoma. Ki parasysh edhe të mos flasësh tepër. Lëre studentin që të shprehë si ndihet e çfarë mendon.—Prov. 10:19.
12. Cili duhet të jetë synimi ynë që kur fillojmë të studiojmë me dikë?
12 Që në fillim, ki si synim ta ndihmosh studentin të njohë Jehovain e Jezuin dhe të zhvillojë dashuri për ta. Mund ta bësh këtë duke ia drejtuar vëmendjen te Fjala e Perëndisë e jo te vetja ose te njohuria që ke për Biblën. (Vep. 10:25, 26) Apostulli Pavël i përqendroi shpesh mësimet e tij te Jezu Krishti, të cilin Jehovai e dërgoi që të na ndihmojë ta njohim e ta duam Atë. (1 Kor. 2:1, 2) Pavli theksoi edhe sa e rëndësishme është t’i ndihmojmë dishepujt e rinj të zhvillojnë cilësi të shkëlqyera që krahasohen me arin, argjendin dhe gurët e çmuar. (1 Kor. 3:11-15) Ndër këto cilësi të vyera janë besimi, mençuria, aftësia dalluese dhe nderimi i thellë për Jehovain. (Psal. 19:9, 10; Prov. 3:13-15; 1 Pjet. 1:7) Mund ta imitosh metodën e mësimdhënies së Pavlit, duke i ndihmuar studentët të zhvillojnë besim të fortë dhe miqësi të ngushtë me Atin e tyre të dashur.—2 Kor. 1:24.
13. Si mund të jemi të duruar dhe të arsyeshëm ndërsa ndihmojmë studentin? (2 Korintasve 10:4, 5) (Shih edhe figurën.)
13 Imito mënyrën si mësonte Jezui duke qenë i duruar dhe i arsyeshëm. Mos i bëj studentit pyetje që do ta vinin në siklet. Nëse e ka të vështirë të kuptojë një pikë të caktuar, mos ngec aty, por shqyrtoje përsëri më vonë. Mos e detyro të pranojë një mësim kur nuk është ende gati, por lër kohë që e vërteta të hedhë rrënjë në zemrën e tij. (Gjoni 16:12; Kolos. 2:6, 7) Bibla i krahason mësimet e rreme që po përpiqemi ‘të rrëzojmë’ me «gjëra të fortifikuara mirë». Shprehja që është përdorur në gjuhën origjinale përshkruan një fortesë që duhet shembur. (Lexo 2 Korintasve 10:4, 5) Në vend se të përpiqesh t’ia rrëzosh atë fortesë mbi kokë, ndihmoje studentin që të ndërtojë një fortesë të re, pra ta bëjë Jehovain Strehën e tij.—Psal. 91:9.
Lër kohë që e vërteta të hedhë rrënjë në zemrën e studentit (Shih paragrafin 13)
KUR DIKUSH FILLON TË NDJEKË MBLEDHJET
14. Si duhet t’i trajtojmë ata që fillojnë të ndjekin mbledhjet?
14 Jehovai pret që t’i trajtojmë të gjithë njerëzit me paanshmëri, pavarësisht nga kultura, nga shtresa shoqërore ose nga prejardhja. (Jak. 2:1-4, 9) Ndaj, si mund t’u tregojmë dashuri atyre që vijnë në mbledhje?
15-16. Si mund t’i bëjmë të ndihen sa më rehat ata që vijnë në mbledhje për herë të parë?
15 Disa mund të vijnë në mbledhje thjesht nga kurioziteti ose ngaqë i ka nxitur dikush që nuk jeton aty afër. Prandaj, nëse sheh dikë që vjen për herë të parë në mbledhje, mos ngurro ta takosh. Ji miqësor, por jo aq i ngjitur sa ta vësh në siklet. Mund ta ftosh të uleni bashkë, ta ndihmosh me Biblën dhe botimet ose t’i japësh një kopje personale. Mendo edhe për mënyra të tjera si mund ta bësh të ndihet sa më rehat. Një burrë që shkoi në Sallën e Mbretërisë i tha vëllait që e mirëpriti se ndihej në siklet, ngaqë s’ishte veshur siç duhej për rastin. Vëllai ia hoqi merakun duke i thënë se, edhe pse vishemi e rregullohemi mirë për mbledhje, jemi njerëz si gjithë të tjerët. Burri, i cili më vonë përparoi dhe u pagëzua, nuk i harroi kurrë fjalët e vëllait. Ji i kujdesshëm edhe për diçka tjetër: kur bisedon me dikë që ka ardhur në Sallë, ki kujdes të mos i bësh pyetje të sikletshme ose tepër personale.—1 Pjet. 4:15.
16 Veç kësaj, vizitorët do të ndihen të mirëpritur kur flasim me respekt për ata që s’janë Dëshmitarë dhe për bindjet e tyre gjatë bisedave, komenteve ose pjesëve në mbledhje. Bëjmë mirë të shmangim shprehje që mund t’i pengojnë a t’u duken ofenduese. (Titit 2:8; 3:2) Për shembull, nuk do të flisnim kurrë me përçmim për bindjet e atyre që s’kanë të njëjtin besim me ne. (2 Kor. 6:3) Vëllezërit që mbajnë fjalime i kushtojnë vëmendje të veçantë këtij aspekti. Gjithashtu, përpiqen të shpjegojnë fjalë ose koncepte që nuk kuptohen lehtë nga ata që s’janë Dëshmitarë.
17. Cili është synimi ynë kur gjejmë dikë «të prirur për jetën e përhershme»?
17 Çdo ditë që kalon, vepra e predikimit bëhet gjithnjë e më urgjente. Ndërkohë, po gjejmë ende njerëz «të prirur për jetën e përhershme». (Vep. 13:48) Ndaj, le të mos hezitojmë t’u ofrojmë një studim të Biblës ose t’i ftojmë në mbledhje. Në këtë mënyrë i ndihmojmë të hedhin hapat e parë në ‘rrugën që të çon në jetë’.—Mat. 7:14.
KËNGA 64 Bashkëpunojmë me gëzim në korrje
a PËRSHKRIMI I FIGURËS: Dy vëllezër i afrohen një ushtaraku në pension që po rri në verandë; dy motra i japin dëshmi shkurtimisht një nëne që është e zënë me punë.