Heather Broccard-Bell/iStock via Getty Images
A ËSHTË PROJEKTUAR?
Brumbulli me kurriz të hekurt
Brumbulli i hekurt (Phloeodes diabolicus) jeton në perëndim të Amerikës së Veriut. Sipas disa studiuesve, ky brumbull mund të përballojë një peshë sa afro 39.000-fishi i trupit të tij, e madje mund të mbijetojë edhe nëse e shtyp makina. Si është e mundur që ky brumbull të durojë ngarkesa të tilla?
Kurrizi i brumbullit bashkohet në disa pika me pjesën e barkut. Një nga këto pika bashkimi i reziston mjaft mirë shtypjes dhe nuk deformohet, duke mbrojtur kështu organet jetësore. Një tjetër pikë bashkimi është pak më e butë, prandaj deformohet më kollaj. Kurse pika e tretë e bashkimit bën të mundur që kurrizi i brumbullit të lëvizë. Falë elasticitetit të kësaj pike bashkimi, ky insekt mund të futet nën lëvoret e pemëve ose të struket nëpër të çarat e ngushta të shkëmbinjve.
Veç kësaj, në zonën qendrore të kurrizit, brumbulli ka zgjatime të shumta në formë petëzash. Këto futen te njëra-tjetra si pjesët e një pazëlli dhe bëjnë të mundur shpërndarjen e peshës. Petëzat përbëhen nga disa shtresa që ngjiten me njëra-tjetrën nga një lëndë proteinike. Kur mbi lëndën proteinike ushtrohet presion, formohen plasaritje të vogla që vetëshërohen, dhe kështu petëzat mund ta përballojnë shtypjen pa u shpërbërë.
Petëzat puthiten me njëra-tjetrën si pjesët e një pazëlli
Shigjetat e kuqe tregojnë pikat e bashkimit të kurrizit me pjesën e barkut të brumbullit. Shigjeta gri tregon si përputhen petëzat në zonën qendrore të kurrizit.
Sipas studiuesve, brumbulli i hekurt mund të jetë burim frymëzimi për projektimin e strukturave rezistente ndaj shtypjes ose përplasjes, të tilla si ura, ndërtesa dhe automjete.
Si mendon? A erdhi me evolucion struktura e hekurt e kurrizit të këtij brumbulli? Apo është projektuar?