E martë, 29 korrik
Unë të kam miratuar.—Luka 3:22.
Sa na e ngroh zemrën siguria se kemi miratimin e Jehovait si popull! Bibla thotë: «Jehovait i gëzon zemra për popullin e tij.» (Psal. 149:4) Megjithatë, ndonjëherë disa shkurajohen aq shumë, sa nisin të dyshojnë: «Po mua, a më miraton Jehovai?» Mjaft adhurues besnikë të Jehovait në lashtësi patën momente kur i mundonin dyshime të tilla. (1 Sam. 1:6-10; Jobi 29:2, 4; Psal. 51:11) Bibla e tregon qartë se, ndonëse jemi njerëz të papërsosur, mund ta fitojmë miratimin e Jehovait. Në ç’mënyrë? Duke treguar besim te Jezu Krishti dhe duke u pagëzuar. (Gjoni 3:16) Kështu tregojmë para të tjerëve se jemi penduar për mëkatet tona dhe se i kemi premtuar Perëndisë që do të bëjmë vullnetin e tij. (Vep. 2:38; 3:19) Jehovait i gëzon zemra kur hedhim këta hapa për të pasur miqësi të ngushtë me të. Për sa kohë bëjmë çmos të jetojmë në lartësinë e kushtimit tonë, Jehovai na miraton dhe na konsideron miqtë e tij të ngushtë.—Psal. 25:14. w24.03 26 ¶1-2
E mërkurë, 30 korrik
S’rrimë dot pa folur për ato që kemi parë dhe kemi dëgjuar.—Vep. 4:20.
Mund t’i imitojmë dishepujt duke vazhduar të predikojmë edhe kur autoritetet na kërkojnë të mos predikojmë më. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë ta kryejmë shërbimin tonë. Prandaj, mund t’i kërkojmë guxim e mençuri, si edhe ndihmë për të përballuar problemet. Shumë prej nesh vuajnë nga sëmundje, probleme emocionale, vdekja e një njeriu të dashur, ndonjë situatë e vështirë familjare, përndjekja ose nga ndonjë problem tjetër. E gjëra të tilla si pandemia dhe luftërat i kanë rënduar shumë nga këto probleme. Tregoji Jehovait gjithçka që ndien. Foli për situatën tënde siç do të flisje me një mik të ngushtë. Të jesh i sigurt se Jehovai «do të veprojë për të mirën tënde». (Psal. 37:3, 5) Lutjet ngulmuese na ndihmojnë ‘të qëndrojmë në shtrëngime’. (Rom. 12:12) Jehovai e di çfarë heqin adhuruesit e tij dhe «i dëgjon thirrjet e tyre për ndihmë».—Psal. 145:18, 19. w23.05 5-6 ¶12-15
E enjte, 31 korrik
Vazhdoni të siguroheni çfarë është e pranueshme për Zotërinë.—Efes. 5:10.
Kur gjendemi para vendimeve të rëndësishme, duhet të dallojmë «cili është vullneti i Jehovait» e pastaj të veprojmë në harmoni me të. (Efes. 5:17) Kur përpiqemi të kuptojmë cilat parime të Biblës vlejnë për situatën tonë, po kërkojmë të zbulojmë si mendon Perëndia për atë çështje. E ndërsa i zbatojmë parimet e tij, ka më shumë të ngjarë të marrim vendime të mençura. «Të Ligut», armikut tonë Satanait, do t’i pëlqente të jepeshim aq shumë pas aktiviteteve të kësaj bote, sa të mos na mbetej kohë për të adhuruar Perëndinë. (1 Gjon. 5:19) Kështu fare lehtë mund të fillonim t’i vinim të mirat materiale, arsimimin ose karrierën para mundësive për t’i shërbyer Jehovait. Kjo do të ishte një shenjë se po infektohemi nga mënyra si mendon bota. Natyrisht, këto gjëra nuk janë të gabuara në vetvete, ama nuk duhet të bëhen kurrë qendra e jetës sonë. w24.03 24 ¶16-17