ARTIKULLI I STUDIMIT 49
A do t’u përgjigjet Jehovai lutjeve të mia?
«Ju do të më thërritni për ndihmë, do të vini tek unë dhe do të më luteni, e unë do t’ju dëgjoj.»—JER. 29:12.
KËNGA 41 Atë, ma dëgjo lutjen e zemrës!
PËRMBLEDHJEa
1-2. Pse mund të na duket sikur Jehovai nuk u përgjigjet lutjeve tona?
«GJEJ kënaqësi të thellë te Jehovai, dhe ai do të t’i plotësojë dëshirat e zemrës.» (Psal. 37:4) Çfarë premtimi i mrekullueshëm! Por a duhet të presim që Jehovai të na japë në çast çdo gjë që i kërkojmë? Pse mund të na lindë kjo pyetje? Të mendojmë për këto situata. Një motër beqare lutet që të ndjekë Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Mirëpo kalojnë disa vjet dhe nuk merr asnjë ftesë. Një vëlla i ri i lutet Jehovait ta shpëtojë nga një sëmundje e rëndë, që të arrijë të bëjë më shumë në kongregacion. Por shëndeti nuk i përmirësohet. Dy prindër Dëshmitarë luten që fëmija i tyre të vazhdojë të ecë në të vërtetën. Megjithatë, fëmija vendos të mos i shërbejë më Jehovait.
2 Mbase edhe ti i ke kërkuar diçka Jehovait, por nuk e ke marrë. Prandaj ndoshta mendon se Jehovai u përgjigjet disa lutjeve, por jo të tuave. A mbase dyshon mos ke bërë diçka të gabuar. Kështu mendonte një motër që quhet Zhanetab. Ajo dhe i shoqi u lutën që t’u plotësohej dëshira për të shërbyer në Bethel. Zhaneta thotë: «Isha e bindur se shumë shpejt do të shërbenim në Bethel.» Por muajt u bënë vite dhe nuk morën asnjë ftesë. Ajo tregon: «Kjo më trishtoi dhe më pështjelloi. Vrisja mendjen si mund ta kisha zhgënjyer Jehovain. Isha lutur në mënyrë specifike për drejtimin e tij. Pse nuk u ishte përgjigjur lutjeve të mia?»
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Hera-herës ndoshta pyesim veten nëse Jehovai na i dëgjon lutjet. Edhe disa besnikë të lashtësisë i brente ky merak. (Jobi 30:20; Psal. 22:2; Hab. 1:2) Çfarë mund të na bindë se Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona? (Psal. 65:2) Që të sigurohemi për këtë, kemi nevojë t’u përgjigjemi pyetjeve: (1) Çfarë mund të presim nga Jehovai? (2) Çfarë pret Jehovai nga ne? (3) Pse mund të duhet t’i ndryshojmë disa nga kërkesat tona?
ÇFARË MUND TË PRESIM NGA JEHOVAI?
4. Sipas Jeremisë 29:12, çfarë na premton Jehovai?
4 Jehovai premton se do të na i dëgjojë lutjet. (Lexo Jereminë 29:12.) Perëndia ynë i do ata që janë besnikë, prandaj s’ka për t’i shpërfillur kurrë lutjet tona. (Psal. 10:17; 37:28) Megjithatë, kjo s’do të thotë se do të na plotësojë çdo kërkesë. Për disa nga gjërat që kërkojmë mund të na duhet të presim botën e re.
5. Çfarë mban parasysh Jehovai kur dëgjon lutjet tona? Shpjegoni.
5 Jehovai mban parasysh qëllimin e tij kur dëgjon lutjet tona. (Isa. 55:8, 9) Qëllimi i tij përfshin që toka të mbushet me njerëz që e adhurojnë në unitet dhe i binden me gëzim si Sovrani. Mirëpo Satanai pohoi se njerëzit do të ishin më të lumtur po të qeverisnin vetë. (Zan. 3:1-5) Për të provuar se ky pohim i Djallit është një gënjeshtër, Jehovai ka lejuar që njerëzit të vetëqeverisen. Ama, qeverisja e njerëzve ka shkaktuar shumë nga problemet që po përballojmë. (Ekl. 8:9) E dimë se Jehovai s’do t’i heqë të gjitha këto probleme sot. Po ta bënte këtë, disa mund të nxirrnin përfundimin se qeverisja e njeriut funksionon, pra se nëpërmjet saj mund të marrin zgjidhje problemet e njerëzimit.
6. Pse duhet të jemi të bindur se Jehovai do të bëjë gjithmonë atë që është e dashur dhe e drejtë?
6 Jehovai mund t’u përgjigjet në mënyra të ndryshme lutjeve të ngjashme. Për shembull, kur zuri shtratin nga një sëmundje e rëndë, mbreti Hezekia iu përgjërua Jehovait që ta ndihmonte të merrte veten. Jehovai iu përgjigj lutjes së tij duke e shëruar. (2 Mbret. 20:1-6) Ndërsa kur apostulli Pavël iu përgjërua Jehovait t’i hiqte «një gjemb në trup», që ka të ngjarë të ishte një problem shëndetësor, Jehovai nuk ia hoqi. (2 Kor. 12:7-9) Të mendojmë edhe për shembullin e apostujve Jakov dhe Pjetër. Mbreti Herod u përpoq t’i vriste të dy. Kongregacioni u lut për Pjetrin, e ka shumë mundësi edhe për Jakovin. Mirëpo Jakovin e vranë, kurse Pjetrin e shpëtoi një engjëll. (Vep. 12:1-11) Ndoshta vrasim mendjen: «Pse Jehovai e shpëtoi Pjetrin, kurse Jakovin jo?» Bibla nuk e thotë arsyen.c Ama mund të jemi të sigurt se mënyra si gjykon dhe vepron Jehovai ‘nuk është kurrë e padrejtë’. (Ligj. 32:4) Gjithashtu e dimë se edhe Pjetri, edhe Jakovi gëzonin miratimin e Jehovait. (Zbul. 21:14) Ndonjëherë Jehovai mund të mos na përgjigjet ashtu siç shpresonim. Por kemi besim të plotë se përgjigjet që u jep lutjeve tona do të jenë gjithmonë të dashura e të drejta, prandaj nuk dyshojmë për mënyrën si zgjedh të na përgjigjet.—Jobi 33:13.
7. Çfarë përpiqemi të mos bëjmë, dhe pse?
7 Ne përpiqemi të mos e krahasojmë situatën tonë me atë të të tjerëve. Për shembull, mbase i kemi kërkuar Jehovait ndihmë në një mënyrë specifike, por ajo lutje nuk na është plotësuar. Më vonë marrim vesh se dikush tjetër ka bërë një lutje të ngjashme dhe duket se Jehovai ia ka plotësuar. Diçka e tillë i ndodhi një motre që quhet Ana. Ajo u lut që i shoqi, Methju, të shërohej nga kanceri. Në të njëjtën kohë po luftonin me kancerin edhe dy motra të moshuara. Ana lutej me zjarr edhe për Methjun, edhe për motrat. Motrat u shëruan, kurse Methju humbi jetën. Në fillim, Ana pyeste veten nëse motrat u shëruan ngaqë ndërhyri Jehovai. E nëse ishte dora e Jehovait, pse nuk iu përgjigj edhe lutjeve të saj që i shoqi ta merrte veten? Natyrisht, nuk mund ta dimë pse u shëruan ato motra. Por ajo që dimë është se Jehovai do t’u japë zgjidhje një herë e përgjithmonë tërë vuajtjeve tona dhe i digjet zemra t’i kthejë në jetë miqtë e tij që kanë vdekur.—Jobi 14:15.
8. (a) Sipas Isaisë 43:2, si na mbështet Jehovai? (b) Si mund të na ndihmojnë lutjet kur kalojmë sprova të vështira? (Shihni videon Lutja na ndihmon t’u bëjmë ballë vështirësive.)
8 Jehovai do të na mbështetë gjithmonë. Si Ati ynë i dashur, Jehovait i dhemb zemra kur sheh që vuajmë. (Isa. 63:9) Megjithatë, ai nuk na mbron nga të gjitha sprovat, që mund të jenë si një lumë ose si flakë zjarri. (Lexo Isainë 43:2.) Ama premton se do të na ndihmojë ‘të kalojmë përmes’ tyre. E ai s’ka për të lejuar që sprovat të na shkaktojnë ndonjë dëm të përhershëm. Jehovai na jep edhe frymën e tij të fuqishme për të na ndihmuar të qëndrojmë të palëkundur. (Luka 11:13; Filip. 4:13) Si rezultat, mund të jemi të sigurt se do të kemi gjithmonë fiks atë që na duhet për t’u bërë ballë sprovave e për t’i qëndruar besnikë.d
ÇFARË PRET JEHOVAI NGA NE?
9. Sipas Jakovit 1:6, 7, pse duhet të kemi besim se Jehovai do të na ndihmojë?
9 Jehovai pret të kemi besim tek ai. (Hebr. 11:6) Hera-herës problemet tona mund të na duken si mure të pakapërcyeshme. Madje mund të dyshojmë nëse Jehovai do të na ndihmojë. Por Bibla na siguron se falë fuqisë së Perëndisë ‘mund të kalojmë mure’. (Psal. 18:29) Prandaj në vend që të lejojmë të na gërryejë dyshimi, duhet të lutemi me besim të plotë, të sigurt se Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona.—Lexo Jakovin 1:6, 7.
10. Jepni një shembull se si mund të veprojmë në harmoni me lutjet tona.
10 Jehovai pret të veprojmë në harmoni me lutjet tona. Për shembull, një vëlla mund t’i kërkojë Jehovait ta ndihmojë të marrë leje nga puna për një kongres rajonal. Si mund t’i përgjigjet Jehovai? Mund t’i japë guximin që i duhet për të folur me punëdhënësin. Por ndërkohë, vëllai duhet të veprojë në harmoni me lutjen e vet duke i kërkuar leje punëdhënësit. Madje mund të duhet ta bëjë këtë disa herë. Ose ndoshta mund të ofrohet që të ndërrojë turnin me dikë a të punojë një ditë tjetër. E po të jetë nevoja, mund të ofrojë mundësinë që të marrë ditë leje pa pagesë.
11. Pse duhet të lutemi pa pushim për diçka që e kemi merak?
11 Jehovai pret të mos i reshtim lutjet për diçka që e kemi merak. (1 Sel. 5:17) Edhe nga fjalët e Jezuit del në pah se disa nga kërkesat tona nuk do të plotësohen menjëherë. (Luka 11:9) Ndaj mos u dorëzo! Lutu me zjarr e pa pushim. (Luka 18:1-7) Kur vazhdojmë të lutemi për diçka, i tregojmë Jehovait se kërkesa jonë nuk është thjesht një tekë e çastit. Gjithashtu tregojmë se kemi besim që ai mund të na ndihmojë.
PSE MUND TË DUHET T’I NDRYSHOJMË DISA KËRKESA?
12. (a) Cila është një pyetje që duhet t’i bëjmë vetes për lutjet tona, dhe pse? (b) Si mund të sigurohemi që lutjet tona tregojnë respekt për Jehovain? (Shihni kutinë «A tregojnë respekt për Jehovain kërkesat e mia?»)
12 Nëse nuk e kemi marrë diçka që kemi kërkuar në lutje, mund t’i bëjmë vetes tri pyetje. E para është: «A po lutem për gjënë e duhur?» Shpesh mendojmë se e dimë ç’është më e mira për ne. Por ajo që kërkojmë mund të mos jetë vërtet më e mira për ne. Nëse po lutemi për një problem, mund të ketë një zgjidhje më të mirë se zgjidhja për të cilën po lutemi. Veç kësaj, disa gjëra që kërkojmë, mund të mos jenë në harmoni me vullnetin e Jehovait. (1 Gjon. 5:14) Të kthehemi te shembulli i prindërve të përmendur më sipër. Ata i ishin lutur Jehovait që fëmija i tyre të qëndronte i patundur në të vërtetën. Duket kërkesë me vend. Gjithsesi, Jehovai nuk detyron askënd t’i shërbejë. Ai do që të gjithë ne, pra edhe fëmijët tanë, të zgjedhim ta adhurojmë. (Ligj. 10:12, 13; 30:19, 20) Kështu, ata prindër mund t’i kërkonin Jehovait t’i ndihmonte t’i preknin zemrën fëmijës, që të thellonte dashurinë për Të dhe të donte të bëhej miku i Tij.—Prov. 22:6; Efes. 6:4.
13. Sipas Hebrenjve 4:16, kur na ndihmon Jehovai? Shpjegoni.
13 Pyetja e dytë është: «A është koha e duhur nga pikëpamja e Jehovait që të ma plotësojë kërkesën?» Mbase mendojmë se lutja jonë duhet të marrë përgjigje në çast. Por Jehovai e di cili është momenti më i mirë për të na ndihmuar. (Lexo Hebrenjve 4:16.) Kur nuk e marrim menjëherë atë që kërkojmë, mund të mendojmë se përgjigjja e Jehovait është «jo». Por në të vërtetë përgjigjja e tij mund të jetë «akoma jo». Për shembull, kujto rastin e vëllait të ri që u lut të shërohej. Sikur Jehovai t’ia kishte hequr me mrekulli sëmundjen, Satanai mund të ngrinte akuzën se ai vëlla vazhdonte t’i shërbente Jehovait vetëm ngaqë ishte shëruar. (Jobi 1:9-11; 2:4) Veç kësaj, Jehovai tashmë e ka caktuar kohën kur do t’i shërojë të gjitha sëmundjet. (Isa. 33:24; Zbul. 21:3, 4) Derisa të vijë ajo ditë, nuk mund të presim shërime me mrekulli. Ndaj vëllai mund t’i kërkonte Jehovait t’i jepte forcën dhe paqen mendore që t’i bënte ballë sëmundjes e të vazhdonte t’i shërbente me besnikëri.—Isa. 26:3.
14. Çfarë mëson nga shembulli i Zhanetës?
14 Kujto edhe shembullin e Zhanetës, e cila lutej të shërbente në Bethel. Asaj iu deshën pesë vjet që ta kuptonte si u ishte përgjigjur Jehovai lutjeve të saj. Ajo thotë: «Jehovai e përdori atë kohë që të më mësonte e të më ndihmonte të përmirësoja personalitetin. Kisha nevojë të forcoja besimin tek ai. Kisha nevojë të përmirësoja zakonet e studimit personal. Gjithashtu duhej të mësoja të kisha gëzim në zemër, atë lloj gëzimi që s’varet nga rrethanat.» Më vonë Zhanetën dhe të shoqin i ftuan në veprën qarkore. Kur hedh vështrimin pas, Zhaneta thotë: «Jehovai iu përgjigj vërtet lutjeve të mia, ndonëse jo ashtu siç e prisja. M’u desh ca kohë për të parë sa e bukur ishte përgjigjja e Jehovait, por jam shumë mirënjohëse që kam shijuar dashurinë dhe zemërmirësinë e tij.»
Nëse mendon se nuk ke marrë përgjigje për një lutje, pse të mos lutesh për gjëra të tjera? (Shih paragrafin 15)f
15. Pse ndonjëherë mund të jetë e nevojshme që lutjet tona të mos jenë tepër specifike? (Shihni edhe figurat.)
15 Pyetje e tretë është: «Mos ndoshta kërkesa ime nuk duhet të jetë kaq specifike?» Është mirë të jemi specifikë në lutje. Por ndonjëherë mund të jetë më mirë të bëjmë një kërkesë pak më të përgjithshme, që të dallojmë cili është vullneti i Jehovait për ne. Të mendojmë për shembullin e motrës beqare që është lutur të ndjekë Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Ajo dëshiron ta ndjekë këtë shkollë që të shërbejë ku ka më shumë nevojë. Prandaj ndërsa vazhdon të lutet që ta ftojnë në shkollë, mund t’i lutet Jehovait edhe që ta ndihmojë të gjejë mundësi të tjera për ta zgjeruar shërbimin. (Vep. 16:9, 10) Pastaj mund të veprojë në harmoni me lutjen e saj duke pyetur mbikëqyrësin qarkor nëse ndonjë kongregacion pranë ka nevojë për më shumë pionierë. Ose mund t’i shkruajë zyrës së degës që të pyesë ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë.e
16. Për çfarë mund të jemi të sigurt?
16 Siç e kemi parë në këtë artikull, mund të jemi të sigurt se Jehovai tregohet gjithmonë i dashur dhe i drejtë kur u përgjigjet lutjeve tona. (Psal. 4:3; Isa. 30:18) Ndonjëherë mund të mos marrim përgjigjen që presim. Por Jehovai s’ka për t’i shpërfillur kurrë lutjet tona. Ai na do pa masë. E Perëndia ynë nuk do të na braktisë kurrë. (Psal. 9:10) Ndaj vazhdo ‘të kesh besim tek ai në çdo kohë’, duke ia zbrazur zemrën në lutje.—Psal. 62:8.
KËNGA 43 Një lutje falënderimi për ty, Jehova!
a Ky artikull do të shpjegojë pse mund të jemi të sigurt se Jehovai tregohet gjithmonë i dashur dhe i drejtë kur u përgjigjet lutjeve tona.
b Disa emra janë ndryshuar.
c Shih artikullin «A ke besim te mënyra si i bën gjërat Jehovai?» në Kullën e Rojës të shkurtit 2022, p. 3-6.
d Për të mësuar më shumë si na ndihmon Jehovai t’u bëjmë ballë sprovave të vështira, shih në jw.org videon Lutja na ndihmon t’u bëjmë ballë vështirësive.
e Për të ditur si të vihesh në dispozicion që të shërbesh në territorin e një dege tjetër, shih librin Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait, kap. 10, p. 6-9.
f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Dy motra luten para se të bëjnë kërkesën për Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Më vonë njërën e ftojnë, kurse tjetrën jo. Motra që s’ka marrë ftesë nuk lejon ta mbytë zhgënjimi. Përkundrazi, i lutet Jehovait ta ndihmojë të dallojë mundësi të tjera për ta zgjeruar shërbimin. Pastaj i shkruan zyrës së degës për t’u ofruar të shërbejë ku ka më shumë nevojë.