RAMAHU
[lartësi].
Kjo fjalë hebraike ka kuptimin vend i lartë ose i ngritur. (Ezk 16:24) Përdorej si emër i përveçëm për disa vende në Izrael.
1. Qytet në territorin e Beniaminit. Te Josiu 18:25 renditet mes Gibeonit dhe Beerotit. Me sa duket, ndodhej afër qytetit të Bethelit që ishte në jug të territorit të Efraimit. (Gjy 4:5) Një levit që udhëtonte drejt veriut, pasi kaloi Jerusalemin, arriti në Gibeah, e me sa duket Ramahu ishte pak më tutje. (Gjy 19:11-15; Ho 5:8) Veç kësaj, ai ndodhej në afërsi të Gebës. (Is 10:29) Sipas këtyre referimeve dhe dëshmisë së Eusebit, vendndodhja e Ramahut të Beniaminit është Er Rami i sotëm, rreth 8 km në veri të Jerusalemit, 3 km në veri të Gibeahut, 5 km në lindje të Gibeonit dhe 3 km në perëndim të Gebës. Ky qytet ndodhet në një vend të lartë, siç e tregon edhe emri i tij.
Pas ndarjes së mbretërisë, Ramahu fitoi rëndësi të madhe ngaqë ishte pranë kufirit mes Izraelit e Judës, si edhe pranë rrugës që përshkonte zonën kodrinore nga veriu në jug. Mbreti i Izraelit, Baasha, nisi ta zgjeronte ose ta fortifikonte Ramahun e Beniaminit, ndërkohë që luftonte kundër Asës. (1Mb 15:16, 17; 2Kr 16:1) Mirëpo, kur mbreti i Sirisë mësyu Izraelin nga veriu, Baasha u shpërqendrua dhe Asa e shtiu në dorë Ramahun me gjithë materialet e ndërtimit që kishte përdorur Baasha atje. Pastaj i përdori ato për të fortifikuar qytetet fqinje të Gebës dhe Mizpahut. (1Mb 15:20-22; 2Kr 16:4-6) Siç duket, kur u shkatërrua Jerusalemi në vitin 607 p.e.s., robërit judenj i mblodhën në Ramah para se t’i çonin në Babiloni. (Jr 40:1) Pas mërgimit, Ramahu u ripopullua.—Ezd 2:1, 26; Ne 7:30; 11:33.
Sipas disa studiuesve, ky grumbullim i judenjve në Ramah para se t’i çonin në mërgim (grumbullim në të cilin ndoshta disa nga ata i vranë) kishte lidhje me këto fjalë: «Në Ramah dëgjohet një zë, vajtime dhe të qara të hidhura. Është Rakela që qan bijtë e saj. Ajo nuk pranon të ngushëllohet për bijtë e vet, sepse ata nuk janë më.» (Jr 31:15) Rakela, gruaja e Jakobit, kishte qenë aq e dëshiruar për fëmijë, sa e quante veten ‘të vdekur’ pa ta. (Zn 30:1) Prandaj, në kuptimin e figurshëm, tani mund të thuhej se Rakela vajtonte për humbjen e judenjve të vdekur ose të marrë robër. Një mundësi tjetër është që, përderisa Rakela ishte e ëma e Beniaminit, fjalët e Jeremisë mund të tregojnë se ajo qante në veçanti për banorët e Ramahut, beniaminitët. Më tej, Jeremia shpjegoi se kishte një shpresë, sepse të mërguarit do të ktheheshin. (Jr 31:16) Veç kësaj, te Mateu 2:18, fjalët profetike të Jeremisë 31:15 citohen në lidhje me rastin kur Herodi vrau mizorisht fëmijët e vegjël të Betlehemit.—Shih RAKELA.
2. Qytet-enklavë i fisit të Simeonit në Negeb. (Js 19:1, 8) Quhej edhe Baalath-Beer dhe njihej si ‘Ramahu i Jugut’. Është hedhur ideja se mund të ndodhej në Kirbet-Gazah (Horvat-ʽUza), rreth 30 km në lindje të Beer-Shebës.—Shih BAALATH-BEERI.
3. Qytet i paidentifikuar në territorin e Asherit që përmendet vetëm te Josiu 19:24, 29. Nga shkrimi është e vështirë të përcaktohet me saktësi vendndodhja e këtij qyteti brenda territorit që trashëgoi Asheri, edhe pse ka të ngjarë të ishte në veri, në drejtim të Tirit.
4. Qytet i fortifikuar në territorin e Neftalit. (Js 19:32, 36) Mendohet se mund të ketë qenë Kirbet-Zeitun-er-Ramehu (i quajtur edhe Kirbet-Jul), që ndodhet tamam në lindje të Er Ramehut (Ramës) dhe rreth 30 km në lindje të qytetit-port të Akos. Gjithsesi, ngaqë përmendet veç një herë te Josiu, vendndodhja e tij nuk mund të përcaktohet me siguri.
5. Qyteti i profetit Samuel dhe i prindërve të tij. Te 1 Samuelit 1:1 thuhet se i ati i Samuelit, Elkanahu, ishte «një njeri nga Ramataim-Zofimi, në rajonin malor të Efraimit». Më tej, në tregim përdoret gjithmonë forma e shkurtuar «Ramah». (1Sa 1:19) Ndoshta emri më i gjatë përdoret në fillim për ta dalluar këtë Ramah nga vendet e tjera me të njëjtin emër, siç ishte Ramahu i Beniaminit. Në një përkthim tjetër thuhet «një njeri nga Ramahu, një zufit». (AT) Sipas këtij përkthimi të tekstit masoretik, Elkanahu ose ishte pasardhës i Zufit (Zofait), ose ishte nga krahina e Zufit.—1Kr 6:27, 28, 34, 35; 1Sa 9:5.
Një traditë e lashtë e paraqitur nga Eusebi tregon se Ramahu ishte Rentisi (Rantisi) i sotëm, që gjendet në kodrat e Efraimit, rreth 35 km në veriperëndim të Jerusalemit. Ky është edhe vendi ku mendohet se ndodhej Arimatea (forma në greqisht e emrit hebraik Ramáh) që përmendet në Shkrimet e Krishtere Greke.—Lu 23:50-53.
Elkanahu banonte në Ramah, ku me sa duket lindi Samueli, por çdo vit udhëtonte për në Shiloh që të bënte flijime. (1Sa 1:3, 19; 2:11) Edhe pse Samueli jetoi njëfarë kohe në Shiloh me priftin Eli, më vonë u vendos me banim në Ramah. Ai u bë qyteti i tij bazë ndërsa udhëtonte përqark vendit që të gjykonte Izraelin. (1Sa 3:19-21; 7:15-17; 8:4; 15:24-35; 16:4, 13; 19:18-24) Kur vdiq, Samuelin e varrosën në shtëpinë e tij në Ramah, «në qytetin e vet».—1Sa 25:1; 28:3.
6. Formë e shkurtuar e Ramot-Galaadit.—2Mb 8:28, 29; 2Kr 22:5, 6; shih RAMOT-GALAADI.