RAMOT-GALAADI
[ka të ngjarë: vende të ngritura të Galaadit].
Qytet strategjik në territorin e Gadit, në lindje të Jordanit. Qyteti shkurt quhej edhe Ramah. (2Mb 8:28, 29; 2Kr 22:5, 6) Ishte një nga qytetet levite në atë anë të lumit (1Kr 6:80) dhe u zgjodh si qytet strehimi. (Lp 4:43; Js 20:8; 21:38) Solomoni caktoi në Ramot-Galaad një nëpunës, që t’i siguronte ushqim mbretit nga qytetet e Galaadit dhe të Bashanit.—1Mb 4:7, 13.
Pas ndarjes së mbretërisë, kur Siria sulmonte Izraelin, Ramot-Galaadi luajti rol të rëndësishëm në historinë e Izraelit, siç duket ngaqë ishte vend kyç për të hyrë në territorin në lindje të Jordanit. Në njëfarë momenti sirianët e pushtuan qytetin. Edhe pse Ben-Hadadi II premtoi t’i kthente qytetet izraelite që ishin pushtuar më parë, Ramot-Galaadin me sa duket nuk e ktheu. (1Mb 20:34) Kështu, Akabi, mbreti i Izraelit, u orvat ta rimerrte me ndihmën e Jehozafatit, mbretit të Judës. Mikajahu e paralajmëroi të mos e bënte këtë, por Akabi nuk e dëgjoi dhe nga kjo gjeti vdekjen.—1Mb 22:13-38.
Edhe Jehorami, biri i Akabit, bashkë me Ahaziahun, mbretin e Judës, luftuan me sirianët në Ramot-Galaad. Libri i Dytë i Mbretërve 9:14 thotë: ‘Jehorami po ruante në Ramot-Galaad për shkak të Hazaelit, mbretit të Sirisë.’ Pra, Jehorami mund ta kishte marrë më parë qytetin dhe po e mbronte (nuk po e sulmonte) kur Ahaziahu u bashkua me të që të luftonin kundër Hazaelit. Gjatë betejës, Jehorami u plagos dhe u kthye në Jezreel që të shërohej.—2Mb 8:25–29; 9:14, 15; 2Kr 22:5-8.
Në Ramot-Galaad, shërbëtori i Eliseut mirosi Jehun, një nga krerët e forcave ushtarake, si mbretin pasues.—2Mb 9:1-14.
Vendndodhja e saktë e Ramot-Galaadit nuk dihet. Një nga shumë vendndodhjet e propozuara është Tell-Ramiti, afro 45 km në juglindje të skajit jugor të detit të Galilesë. Emri i këtij telli mund të ketë ardhur nga emri Ramot-Galaad. Ai gjendet në një kodër me pamje nga një rrafshinë, e kjo përputhet me domethënien e mundshme të emrit Ramot (vende të ngritura; nga rrënja e fjalës që do të thotë «ngre»). Ky duhet të kishte qenë vend i përshtatshëm për një nëpunës që ishte përgjegjës për Galaadin dhe Bashanin.—1Mb 4:13.