BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 1/4 f. 28-31
  • A e respekton dinjitetin e tyre?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A e respekton dinjitetin e tyre?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Modeli i dinjitetit
  • Dinjiteti në marrëdhëniet familjare
  • Në kongregacionin e krishterë
  • Të mbajmë dinjitetin personal
  • Të nderojmë Jehovain duke u sjellë me dinjitet
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • A i nderon të tjerët kur të ofrojnë këshilla?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Dinjiteti​—Një e drejtë që shpesh dhunohet
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Dinjiteti: Për asnjë i pamundur
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 1/4 f. 28-31

A e respekton dinjitetin e tyre?

TË GRUMBULLUAR si kafshë dhe të rrasur në një pisllëk dhe duhmë të tmerrshme, afrikanët vendas çoheshin me anije, si ngarkesa të saj, drejt Amerikës Veriore, Qendrore dhe Jugore. Pritej që së paku gjysma e tyre të vdisnin, madje përpara se të arrinin në destinacion. Pjesëtarët e familjeve ishin ndarë mizorisht, për të mos e parë më kurrë njëri-tjetrin. Tregtia e skllevërve ishte mes episodeve më të errëta në trajtimin çnjerëzor që njeriu i bënte një njeriu tjetër. Episode të tjera të tilla ndodhnin, kur pushtues të fuqishëm nënshtronin mizorisht popuj të pambrojtur vendas.

Ta zhveshësh një person nga dinjiteti, mund të jetë më brutale sesa t’i japësh goditje fizike. Është shkretuese për frymën njerëzore. Megjithëse në shumicën e vendeve skllavëria është zhdukur, minimi i dinjitetit njerëzor vazhdon, ndoshta në forma më të holla.

Nga ana tjetër, të krishterët e vërtetë, përpiqen t’ia vënë veshin këshillës së Jezu Krishtit, për ta ‘dashur të afërmin si vetveten’. Kështu, ata pyesin veten: ‘A e respektoj dinjitetin personal të të tjerëve?’—Luka 10:27.

Modeli i dinjitetit

Dinjiteti, sipas një fjalori, është cilësia ose gjendja e atij që ka merita, që është i nderuar ose i vlerësuar. Ç’përshkrim i përshtatshëm i gjendjes së Sovranit Universal, Perëndisë Jehova! Në fakt, herë pas here Shkrimet e lidhin Jehovain dhe sovranitetin e tij me dinjitetin. Moisiu, Isaia, Ezekieli, Danieli, apostulli Gjon dhe të tjerë, patën privilegjin t’u jepeshin vizione të frymëzuara të Më të Lartit e të oborrit të tij qiellor dhe përshkrimet e tyre portretizuan në mënyrë konsekuente një madhështi dhe dinjitet mahnitës. (Eksodi 24:9-11; Isaia 6:1; Ezekieli 1:26-28; Danieli 7:9; Zbulesa 4:1-3) Në një lutje falënderimi, mbreti David tha: «Të tuat, o Jehova, janë madhështia, fuqia, bukuria, shkëlqimi dhe dinjiteti, sepse çdo gjë në qiej dhe në tokë është jotja.» (1. Kronikave 29:11, BR) Vërtet, askush nuk është më i denjë për nderim dhe vlerësim sesa vetë Perëndia Jehova.

Duke e krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij, Jehovai u dhuroi njerëzve një masë vlefshmërie, respekti për veten dhe dinjiteti. (Zanafilla 1:26) Prandaj, në marrëdhëniet tona me të tjerët, duhet t’i japim secilit person nderimin dhe respektin e duhur. Kur bëjmë kështu, në fakt jemi duke pranuar Burimin e dinjitetit njerëzor, Perëndinë Jehova.—Psalmi 8:4-9.

Dinjiteti në marrëdhëniet familjare

Nën frymëzim, apostulli Pjetër, i cili ishte i martuar, i këshilloi burrat e krishterë që gratë e tyre t’i ‘nderonin si një enë më të dobët’. (1. Pjetrit 3:7; Mateu 8:14) «Po kështu,—këshilloi apostulli Pavël,—gruaja ta respektojë burrin.» (Efesianëve 5:33) Prandaj, në martesë, nderimi dhe respekti për dinjitetin personal të bashkëshortit është një kërkesë biblike. Në cilat mënyra mund të tregohet kjo?

Ashtu si uji i jep jetë një bime në rritje e sipër, i foluri i hijshëm dhe gjestet dashamirëse ndërmjet burrit dhe gruas, në publik ose vetëm për vetëm, mund të ushqejnë marrëdhënien e tyre intime. Në të kundërtën, sulmet gojore të ashpra dhe fyese ose vërejtjet poshtëruese pa respekt dhe sarkastike, siç dëgjohen shpesh nëpër programet humoristike televizive, janë shkatërrimtare. Ato mund të bëjnë të lindin ndjenja të dëmshme pavlefshmërie, depresioni, inati; mund të shkaktojnë madje edhe plagë emocionale, që nuk shërohen lehtë.

Të respektosh dinjitetin personal të të tjerëve do të thotë, gjithashtu, t’i pranosh siç janë, duke mos u përpjekur t’ia përshtatësh ata një ideali të paraformuar ose duke bërë krahasime të padrejta me të tjerët. Kjo është e rëndësishme sidomos mes burrave dhe grave. Atje ku komunikimi dhe shprehjet rrjedhin lirshëm e lehtësisht dhe ku asnjëri nuk ka frikë se mos kritikohet ose qortohet ashpër, intimiteti do të lulëzojë. Kur në martesë një person mund të jetë vetvetja, atëherë shtëpia bëhet vërtet një strehim larg botës së jashtme, mizore dhe të ashpër.

Fëmijët janë nën urdhrin biblik për të respektuar dhe për t’iu bindur prindërve të tyre. Nga ana e vet, prindërit e mençur dhe të dashur do të bënin mirë të pranonin dinjitetin e fëmijëve të tyre. Lavdërimi i ngrohtë për një sjellje të mirë, i shoqëruar nga disiplinimi me durim, kur ky është i nevojshëm, vepron mirë në përforcimin e «rregullimit mendor të Jehovait». Kritikimi dhe të bërtiturit e vazhdueshëm, si dhe nofkat me terma poshtërues si «budalla» ose «idiot», vetëm do t’i acarojnë ata.—Efesianëve 6:4.

Një plak i krishterë dhe baba, i cili po rrit tre djem dhe tri vajza, thotë: «Në Sallën e Mbretërisë, jepnim disiplinimin e nevojshëm sa më qetë të ishte e mundur. Një prekje e lehtë me bërryl ose një shikim ngultazi, paralajmërues dhe i prerë, zakonisht mjaftonin. Nëse nevojitej një disiplinim më serioz, e jepnim brenda mureve të shtëpisë dhe jo në prani të fëmijëve të tjerë. Tani që fëmijët janë rritur, disiplina përfshin dhënien secilit të këshillave të dashura dhe të mençura nga Fjala e Perëndisë, sipas nevojave të tyre individuale. Përpiqemi që çështjet personale të mbeten midis nesh, duke treguar kështu respekt për të drejtën që ka secili fëmijë për intimitet dhe dinjitet.»

Nuk duhet kaluar pa u vënë re nevoja për edukatë të mirë në fjalë dhe veprime brenda familjes. Familjariteti nuk duhet t’u zërë frymën fjalëve të tilla, si: «të lutem», «faleminderit», «më fal» dhe «më vjen keq». Edukata e mirë është themelore si në mbajtjen e dinjitetit të vetë personit, ashtu dhe në respektimin e atij të të tjerëve.

Në kongregacionin e krishterë

«Ejani tek unë, të gjithë ju që jeni të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju freskoj»,—tha Jezui. (Mateu 11:28, BR) Personat e marrë nëpër këmbë, ata me depresion, madje edhe fëmijët e vegjël, tërhiqeshin në mënyrë të parezistueshme drejt Jezuit. Ata përçmoheshin nga klerikët dhe udhëheqësit arrogantë të asaj kohe, që mbaheshin si tepër të drejtë. Por te Jezui, ata gjetën dikë që u jepte dinjitetin që meritonin.

Në imitim të Jezuit, edhe ne dëshirojmë të jemi një burim freskimi për bashkëbesimtarët tanë. Kjo do të thotë të kërkojmë mundësitë për t’i ndërtuar, me anë të të folurit dhe të veprimeve tona. Është gjithmonë e përshtatshme të jemi sinqerisht bujarë me fjalë dashamirëse dhe pozitive në bisedat tona. (Romakëve 1:11, 12; 1. Thesalonikasve 5:11) Ne tregojmë se reagojmë ndaj ndjenjave të të tjerëve, duke qenë të kujdesshëm në atë që themi dhe për mënyrën se si e themi. (Kolosianëve 4:6) Edhe veshja dhe sjellja e duhur nëpër mbledhjet e krishtere pasqyrojnë respekt të thellë për dinjitetin e Perëndisë sonë, për adhurimin e tij dhe për bashkadhuruesit tanë.

Jezui e respektoi dinjitetin e njerëzve edhe kur po u bënte një shërbim. Ai nuk e ngriti kurrë veten në kurriz të të tjerëve ose duke i poshtëruar ata. Kur një i lebrosur iu afrua, për t’i kërkuar një mjekim, Jezui nuk e përbuzi atë njeri si të papastër dhe të pavlerë, as nuk bëri si në një shfaqje publike, duke tërhequr vëmendjen te vetja. Përkundrazi, kur i lebrosuri iu lut Jezuit: «Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh», ai i dha dinjitet lebrosit, duke thënë: «E dua.» (Luka 5:12, 13) Sa e mrekullueshme është që jo vetëm t’i ndihmojmë ata që janë në nevojë, por edhe t’i sigurojmë se nuk janë një barrë, por janë të dëshiruar dhe të dashur nga të tjerët! Në botë, personat e ndrojtur, ata me depresion dhe invalidët, zakonisht kalohen pa u vënë re, shmangen ose poshtërohen. Por ata duhet të gjejnë miqësinë dhe pranimin e vërtetë, kur ndodhen mes vëllezërve dhe motrave të tyre të krishterë. Ne duhet të bëjmë pjesën tonë, për t’i kontribuar kësaj fryme.

Jezui i deshi dishepujt e tij si «të vetët» dhe «i deshi deri në fund», pavarësisht nga mangësitë dhe nga aspektet e çuditshme të personalitetit të tyre. (Gjoni 13:1) Ai pa në ta zemra të kulluara dhe një devocion me gjithë shpirt ndaj Atit të tij. Ngjashëm, ne nuk duhet t’u atribuojmë asnjëherë motive të liga bashkadhuruesve tanë, thjesht sepse ndoshta nuk i bëjnë gjërat sipas mënyrës sonë ose sepse zakonet dhe personalitetet e tyre mund të na nervozojnë. Respekti për dinjitetin e vëllezërve tanë do të na nxitë t’i duam dhe t’i pranojmë siç janë, duke pasur besim se edhe ata e duan Jehovain me motive të pastra.—1. Pjetrit 4:8-10.

Pleqtë, sidomos, duhet të jenë të kujdesshëm që të mos u shkaktojnë ankthe të tepërta atyre që i janë besuar kujdesit të tyre. (1. Pjetrit 5:2, 3) Kur mblidhen me një anëtar të kongregacionit, i cili ka rënë në mëkat, do të ishte mirë që pleqtë t’i zbutnin fjalët e tyre me dashuri dhe konsideratë, si dhe të shmangnin bërjen më kot të pyetjeve të sikletshme. (Galatasve 6:1) Edhe kur është dhënë qortim ose disiplinë e fortë, ata duhet të vazhdojnë ta nderojnë dinjitetin dhe respektin e përligjur që ka për veten keqbërësi.—1. Timoteut 5:1, 2.

Të mbajmë dinjitetin personal

Duke qenë se jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, ne duhet të pasqyrojmë, deri në masën e mundshme, cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë, përfshirë edhe dinjitetin e tij, në jetën tonë të përditshme. (Zanafilla 1:26) Ngjashëm, e nënkuptuar në urdhërin për ta ‘dashur të afërmin si vetveten’ është nevoja për një masë të drejtpeshuar dinjiteti personal dhe respekti për veten. (Mateu 22:39) Është fakt se nëse duam që të tjerët të na tregojnë respekt dhe të na japin dinjitet, duhet të demonstrojmë se e meritojmë atë.

Një faktor i rëndësishëm në mbajtjen e respektit për veten dhe të dinjitetit personal, është mbajtja e një ndërgjegjeje të pastër. Një ndërgjegje e ndotur dhe brejtja e saj për faje, çojnë lehtë në ndjenja pavlefshmërie, zhgënjimi dhe depresioni. Pra, nëse një person ka kryer një gabim serioz, duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për t’u penduar dhe për të kërkuar ndihmën frymore të pleqve, që të gëzojë «stinë freskie . . . nga personi i Jehovait». E përfshirë në freskim është përtëritja e dinjitetit personal dhe e respektit të personit për veten.—Veprat 3:19, BR.

Por megjithatë, më mirë është të bëjmë një përpjekje të vazhdueshme për ta ruajtur ndërgjegjen tonë të stërvitur nga Bibla, duke mos lejuar asgjë që ta njollosë ose ta dobësojë atë. Ushtrimi i vetëkontrollit në të gjitha fushat e jetës sonë të përditshme: ngrënie, pirje, biznes, zbavitje, marrëdhënie me persona të seksit të kundërt, do të na ndihmojë të mbajmë një ndërgjegje të pastër dhe do të na bëjë të mundur të pasqyrojmë lavdinë dhe dinjitetin e Perëndisë në jetën tonë.—1. Korintasve 10:31.

Po sikur faji për gabimet tona të mos dojë të venitet? Ose, po sikur kujtimet për abuzimet e pësuara të vazhdojnë të jenë të dhimbshme? Këto ndjenja mund ta dërrmojnë dinjitetin tonë personal dhe të sjellin një depresion intensiv. Sa ngushëlluese janë fjalët e mbretit David, që gjenden në Psalmin 34:18, ku thuhet: «Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar»! Jehovai është gati dhe i gatshëm t’i mbështetë shërbëtorët e tij, kur ata duhet të përballojnë depresionin dhe ndjenja pavlefshmërie. Përgjërimi ndaj tij bashkë me kërkimin e ndihmës prej atyre që janë të kualifikuar frymësisht, të tillë, si: prindërit, pleqtë dhe personat e tjerë të pjekur të krishterë në kongregacion, janë mjeti për përtëritjen e respektit për veten dhe të dinjitetit personal.—Jakovit 5:13-15.

Nga ana tjetër, duhet të ruhemi se mos kapërcejmë kufirin që ndan dinjitetin personal dhe arrogancën. Këshilla biblike është që «secili . . . të mos e vlerësojë veten më shumë sesa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit». (Romakëve 12:3) Ndonëse është e përshtatshme të kultivojmë respektin për veten, nuk dëshirojmë ta zmadhojmë vlerën tonë ose ta ngatërrojmë dinjitetin njerëzor me përpjekjet egoiste dhe të tepruara që bëjnë disa për të shpëtuar nderin në sytë e të tjerëve.

Po, respekti për dinjitetin e tjetrit është një kërkesë e krishterë. Pjesëtarët e familjes sonë dhe bashkë të krishterët tanë janë të denjë dhe meritojnë respektin, nderimin dhe vlerësimin tonë. Secilit prej nesh Jehovai i ka dhënë një masë dinjiteti dhe nderi, që ne duhet ta pranojmë dhe ta mbajmë. Por mbi të gjitha, ne duhet të kultivojmë nderim të thellë me druajtje për dinjitetin dhe madhështinë e pashoqe të Atit tonë qiellor, Perëndisë Jehova.

[Figura në faqen 31]

Të rinjtë duhet të tregojnë respekt për ata që janë invalidë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo