Të vazhdojmë «të bëjmë atë që është e shkëlqyer»
1 Ishte diçka e shkëlqyer kur u bëmë shërbëtorë të Perëndisë Jehova. Megjithatë, sfida sot në këto kohë kritike është që të vazhdojmë ‘të bëjmë atë që është e shkëlqyer’. (Gal. 6:9) Megjithëse kjo kërkon vërtet përpjekje, mund të arrijmë ta bëjmë. Në ç’mënyrë?
2 Të kultivojmë qëndrimin mendor të Jezuit: Ashtu si Jezui, ne mund të qëndrojmë në sprova, nëse përqendrohemi vazhdimisht në shpresën e Mbretërisë. (Hebr. 12:2, 3) Të jemi të sigurt se Jehovai na do dhe dëshiron që t’ia dalim mbanë. (2 Pjet. 3:9) Të besojmë plotësisht tek ai, të sigurt se do të na ndihmojë. (1 Kor. 10:13) Të ngulmojmë në lutje, duke i kërkuar Jehovait që të na ndihmojë të qëndrojmë. (Rom. 12:12) Të gëzojmë, duke qenë të bindur se qëndrueshmëria jonë do të çojë në një gjendje të miratuar në sytë e Perëndisë. (Rom. 5:3-5) Duke kultivuar me besnikëri «të njëjtin qëndrim mendor që kishte Jezu Krishti», do të provojmë kënaqësi personale dhe do ta bëjmë të lumtur zemrën e Jehovait.—Rom. 15:5; Prov. 27:11.
3 Të vazhdojmë të bëjmë vepra të shkëlqyera: Të përfitojmë plotësisht nga masat që ka marrë Jehovai për ta ndihmuar popullin e tij që të vazhdojë të bëjë atë që është e shkëlqyer. Të kemi një rutinë të mirë personale të leximit të Fjalës së Perëndisë dhe të studimit të botimeve që bazohen në Bibël, të cilat sigurohen nga klasa e skllavit të besueshëm e të matur. Të përgatitemi rregullisht për të ndjekur dhe për të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e kongregacionit. Përpara dhe pas mbledhjeve të krishtere, të shoqërohemi ngushtësisht me vëllezërit frymorë dhe motrat frymore. Të vëmë synime realiste për shërbimin, me qëllim që të kemi një pjesëmarrje domethënëse në shërbimin në fushë dhe të përmirësojmë aftësitë tona për t’u paraqitur lajmin e mirë të tjerëve.
4 Në këtë mënyrë mund të vazhdojmë të bëjmë atë që është e shkëlqyer dhe të përjetojmë ndërkohë shumë gëzim. Lidhur me këtë, një vëlla në Itali tha: «Kur vjen mbrëmja dhe kthehem në shtëpi pas një dite në shërbim të Jehovait, e pranoj, ndihem i lodhur. Por jam i lumtur dhe e falënderoj Jehovain që më ka dhënë një gëzim që askush nuk mund të ma heqë.» Pra, le të vazhdojmë të bëjmë atë që është e shkëlqyer dhe do të provojmë edhe vetë një gëzim të madh!