BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • km 4/98 f. 3-4
  • Kërkohen më shumë studime biblike

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kërkohen më shumë studime biblike
  • Shërbimi ynë i Mbretërisë—1998
  • Material i ngjashëm
  • Merr guxim për të bërë rivizita
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1997
  • Rivizitat çojnë në studime biblike
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2003
  • Një shqyrtim progresiv i veprës urgjente të bërjes së dishepujve
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1998
  • Përgatitja​—Një çelës për rivizita të efektshme
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2008
Shih më tepër
Shërbimi ynë i Mbretërisë—1998
km 4/98 f. 3-4

Kërkohen më shumë studime biblike

1 Perëndia Jehova po e bekon organizatën e tij tokësore me një rritje të vazhdueshme. Vitin e kaluar të shërbimit, u pagëzuan 375.923 vetë në të gjithë botën, mesatarisht 1.000 dishepuj të rinj çdo ditë apo rreth 43 çdo orë! Pavarësisht nga vështirësitë që vëllezërit tanë mund të kenë përballuar për dekada, në vende të ndryshme të botës vepra e Mbretërisë po lulëzon dhe janë përjetuar rritje të jashtëzakonshme. Sa prekëse të lexosh përparimin e bërë në përhapjen e lajmit të mirë!

2 Vitin e kaluar të shërbimit, në zyrën e Shqipërisë pamë edhe rritjet në mesataren e përgjithshme të lajmëtarëve, pionierëve ndihmës dhe orëve të shpenzuara në predikim. Pati një rritje edhe në numrin e të pagëzuarve. Ç’mund të themi në lidhje me rivizitat dhe aktivitetin e studimit biblik? Ne patëm një rritje në numrin e përgjithshëm të rivizitave e studimeve biblike, edhe pse në një përqindje më të ulët, në krahasim me rritjen e numrit të lajmëtarëve. Këto veçori të shërbimit, janë thelbësore për të bërë dishepuj. Çfarë mund të bëjë secili prej nesh, për të rritur aktivitetin personal në bërjen e rivizitave dhe studimeve biblike?

3 Forco dëshirën për të drejtuar një studim: Ne nga ana jonë, kemi nevojë të përqendrohemi në të qenët të fortë frymësisht e aktivë. Ithtarët e vërtetë të Krishtit janë të «zellshëm për vepra të shkëlqyera». (Titit 2:14, BR) Kur rishqyrtojmë shërbimin tonë, a mund të themi se jemi shumë të zellshëm për t’u kthyer atje ku kemi shpërndarë literaturë në shërbim? A jemi entuziastë në lidhje me ofrimin e studimeve biblike në shtëpi të gjithë atyre që tregojnë interes? (Rom. 12:11) Apo duhet të zhvillojmë një dëshirë më të madhe për të bërë rivizita dhe për të filluar studime biblike?

4 Leximi personal i Biblës, pjesëmarrja e rregullt në mbledhje dhe studimi i botimeve, do të na mbajë të gjallë frymësisht dhe të fuqizuar me frymën e Perëndisë. (Efes. 3:16-19) Kjo do të na forcojë besimin dhe sigurinë në Jehovain si edhe dashurinë tonë për të afërmin. Do të nxitemi t’ia mësojmë të vërtetën dikujt tjetër, duke e bërë shërbimin tonë tërheqës, të suksesshëm dhe nxitës. Po, ne duhet të dëshirojmë më shumë studime biblike!

5 Në fillim studimi me familjen: Prindërit e krishterë që kanë fëmijë, duhet të interesohen për programin e tyre të studimit të rregullt familjar të Biblës. (Ligj. 31:12; Psal. 148:12, 13; Prov. 22:6) Do të jetë shumë e dobishme për prindërit të studiojnë broshurën Çfarë kërkon? dhe më pas librin Njohuria me fëmijët e tyre, për t’i kualifikuar ata si lajmëtarë të papagëzuar e më pas për dedikim dhe pagëzim. Natyrisht, mund të konsiderohen edhe materiale shtesë, në varësi të nevojës dhe moshës së fëmijës. Një prind që studion me një fëmijë të papagëzuar, mund të llogaritë studimin, orën dhe rivizitat, siç tregohet në Kutinë e Pyetjes të Shërbimi ynë i Mbretërisë, prill 1987, anglisht.

6 Përmirëso organizimin personal: Duke shqyrtuar numrin e revistave, broshurave dhe librave të dhënë, shohim pa dyshim se fara po shpërndahet në sasi të mëdha. Këto fara të së vërtetës që janë mbjellë, përmbajnë një potencial të jashtëzakonshëm për prodhimin e dishepujve të rinj. Por, a do të jetë me të vërtetë i kënaqur një fermer apo kopshtar, nëse mbjell vazhdimisht dhe pas gjithë këtyre përpjekjeve, nuk merr kurrë kohë për të korrur? Sigurisht që jo. Ngjashëm, është i nevojshëm një shërbim i mëtejshëm.

7 A programon rregullisht kohë për të bërë rivizita? A kthehesh menjëherë për t’i vizituar të gjithë të interesuarit e gjetur? Bëj rivizita me synimin për të filluar një studim biblik. A mban një regjistrim të pastër, të përditësuar dhe të organizuar mirë të rivizitave të tua? Bashkë me emrin dhe adresën e pronarit të shtëpisë, sigurohu të shënosh datën e vizitës së parë, literaturën e lënë, një përshkrim të shkurtër të asaj që u diskutua dhe një pikë që mund të zhvillohet gjatë vizitës tjetër. Lër vend në fletushkën e regjistrimit, që të shtosh informacion të mëtejshëm pas çdo rivizite.

8 Analizo se si të bësh një rivizitë: Cilat janë disa pika që duhen mbajtur parasysh kur riviziton një person të interesuar? (1) Ji i ngrohtë, miqësor, entuziast dhe jo formal. (2) Diskuto temat ose pyetjet që i interesojnë atij. (3) Bëj një diskutim të thjeshtë dhe biblik. (4) Në secilën vizitë, përpiqu t’i mësosh pronarit të shtëpisë diçka që ta kuptojë se është e një vlere personale për të. (5) Nxit interesin për temën që do të diskutosh gjatë vizitës tjetër. (6) Mos qëndro shumë gjatë. (7) Mos bëj pyetje që e zënë ngushtë apo që e vënë në pozitë të vështirë pronarin e shtëpisë. (8) Përdor aftësi shquese, në mënyrë që të mos dënosh pikëpamjet e gabuara ose zakonet e këqija të pronarit të shtëpisë, përpara se të jetë kultivuar çmueshmëria për gjërat frymore.​—Shiko shtojcën e Shërbimi ynë i Mbretërisë, mars 1997, për një ndihmë të mëtejshme se si të kemi sukses në bërjen e rivizitave dhe fillimin e studimeve biblike.

9 Shfrytëzo çdo mundësi: Në një kongregacion, u bë e mundur që të merren emrat dhe numrat e apartamenteve të të gjithë banorëve të një ndërtese të sigurisë së lartë. Secilit banor iu shkrua një letër individuale dhe iu mbyllën në një zarf dy fletushka. Në fund të letrës ofrohej një studim biblik në shtëpi dhe përfshihej një numër telefoni i kongregacionit, në mënyrë që marrësi të mund të përgjigjej. Brenda pak ditësh, një i ri u përgjigj duke kërkuar një studim. Të nesërmen iu bë një rivizitë dhe u vendos të fillohej një studim me librin Njohuria. Po atë mbrëmje, ai ndoqi studimin e librit të kongregacionit dhe vazhdoi të merrte pjesë në të gjitha mbledhjet. Pothuaj menjëherë, filloi të lexonte Biblën çdo ditë dhe bëri një përparim të qëndrueshëm drejt pagëzimit.

10 Disa lajmëtarë që kishin marrë si grup një makinë, u organizuan që të bënin disa rivizita së bashku. Kur një motër bëri një prej rivizitave të saj, personi që po kërkonte nuk ndodhej në shtëpi, por një tjetër grua e re iu përgjigj në derë duke i thënë: «Po të prisja.» Pronarja e shtëpisë e kishte marrë më përpara librin Njohuria, nga një e njohur e saj. Në kohën kur motrat e vizituan në shtëpi, ajo e kishte lexuar pothuaj dy herë dhe i kishte bërë shumë përshtypje informacioni që përmbahej në të. Ajo u tha se nuk habitej që i shihte Dëshmitarët ta vizitonin atë ditë, sepse ishte lutur që ata të vinin dhe të studionin Biblën me të. U fillua një studim biblik. Ajo filloi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit dhe bëri një përparim të shpejtë.

11 Një motër e pagëzuar prej rreth 25 vjetësh, i dha kohët e fundit një libër Njohuria nënës së saj. E ëma, anëtare e një kishe, filloi ta lexonte librin. Pasi përfundoi dy kapituj, e thirri vajzën dhe për çudinë e saj i tha: «Dua të bëhem një Dëshmitare e Jehovait!» Nëna filloi të studionte dhe tani është e pagëzuar.

12 Provo këto sugjerime: A ke përdorur ndonjëherë ofrimin e drejtpërdrejtë për të filluar studime? Në mënyrë të thjeshtë mund të shprehesh: «Nëse do t’ju pëlqente të kishit një studim biblik pa pagesë në shtëpi, mund t’ju tregoj vetëm në pak minuta se si bëhet. Nëse ju pëlqen, mund të vazhdoni.» Shumë njerëz nuk ngurrojnë të pranojnë një ofertë të tillë dhe vërejnë me gatishmëri demonstrimin e një studimi biblik.

13 Që në studimet e para, tregoji studentit se si të përgatitet që më përpara, duke lexuar shkrimet e cituara dhe duke nënvizuar fjalët kyçe për t’iu përgjigjur pyetjeve të shtypura. Përqendrohu vetëm mbi pikat kryesore. Megjithëse herët e para mund të na duhet të jemi elastikë, është e rëndësishme që studimi i Biblës të mbahet sipas një programi të përcaktuar. Mbaj në mend se si do ta përfshish lutjen si një pjesë thelbësore të studimit dhe si do ta përgatitësh studentin me anë të shkrimeve, për kundërshtimin që mund të ketë. Me çdo mënyrë, bëje studimin tërheqës!

14 Natyrisht, jo të gjithë studentët e Biblës përparojnë me të njëjtën shpejtësi. Disa nuk janë aq të prirur ndaj gjërave frymore sa të tjerët, as aq të shpejtë për të thithur gjërat që u mësohen. Të tjerët bëjnë një jetë shumë të ngarkuar dhe mund të mos jenë në gjendje të kushtojnë kohën e duhur për të përfunduar një kapitull të tërë çdo javë. Kështu, në disa raste, mund të jetë e nevojshme të bëhet më shumë se një sesion studimi, për të përfunduar disa kapituj dhe kërkohen disa muaj më shumë për të përfunduar librin. Në disa raste, mund të studiojmë në fillim broshurën Çfarë kërkon? dhe të vazhdojmë më pas me librin Njohuria. Kjo gjë, bashkë me pjesëmarrjen e tyre në mbledhjet e kongregacionit, do ta ndihmojë secilin student që të sigurojë një themel të fortë në të vërtetën.

15 Mbi të gjitha, lutu për një studim biblik! (1. Gjon. 3:22) Një nga përvojat më shpërblyese për një të krishterë është që të përdoret nga Jehovai për të ndihmuar dikë që të bëhet dishepull i Jezu Krishtit. (Vep. 20:35; 1. Kor. 3:6-9; 1. Sel. 2:8) Tani është koha për të treguar zell të madh në veprën e studimit biblik, duke qenë plotësisht të sigurt për bekimin e pasur të Jehovait mbi përpjekjet tona për të filluar më shumë studime!

[Diçitura në faqen 3]

A po lutesh për të filluar një studim të ri biblik?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo