Pyetje nga lexuesit
‘Shënimi’ që përmendet në 2. Thesalonikasve 3:14, është një procedurë formale e kongregacionit apo është diçka që e bëjnë të krishterët individualisht, duke shmangur personat e parregullt?
Ajo që u shkroi apostulli Pavël selanikasve tregon se pleqtë e kongregacionit kanë një rol specifik në këtë ‘shënim’. Megjithatë, pas kësaj, të krishterët si individë e vazhdojnë procesin dhe këtë e bëjnë me objektiva frymorë në mendje. Këtë mund ta kuptojmë më mirë, duke shqyrtuar këshillën e Pavlit në rrethanat në të cilat u dha.
Pavli mori pjesë në themelimin e kongregacionit të Selanikut, duke ndihmuar burra e gra për t’u bërë besimtarë. (Veprat 17:1-4) Më vonë, ai u shkroi atyre që nga Korinti, për t’i lavdëruar dhe për t’i inkurajuar. Pavli u dha edhe këshilla të nevojshme. Ai i nxiti që ‘të jetonin në paqe, të merreshin me gjërat e tyre dhe të punonin me duart e tyre’. Disa nuk po vepronin kështu, prandaj Pavli shtoi: «Vëllezër, ju bëjmë thirrje t’i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit.» Është e qartë se mes tyre kishte persona ‘të parregullt’a, të cilët kishin nevojë për këshilla.—1. Thesalonikasve 1:2-10; 4:11; 5:14.
Disa muaj më vonë, Pavli u shkroi selanikasve letrën e tij të dytë, me komente të mëtejshme mbi praninë e ardhshme të Jezuit. Gjithashtu, Pavli dha udhëzime shtesë se si të trajtoheshin të parregulltit, të cilët ‘nuk bënin asgjë dhe merreshin me gjëra të kota’. Veprimet e tyre ishin në kundërshtim, si me shembullin e Pavlit që ishte një punëtor i palodhur, ashtu edhe me urdhrin e tij të qartë që të punonin për të mbajtur veten. (2. Thesalonikasve 3:7-12) Pavli dha direktiva që të ndërmerreshin disa hapa. Këta hapa duheshin bërë pasi pleqtë t’u kishin dhënë tashmë këshilla ose paralajmërime të parregulltve. Pavli shkroi:
«Dhe ju porositim, o vëllezër, . . . që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh. Dhe sa për ju, o vëllezër, mos u lodhni së bëri të mirën. Dhe në qoftë se dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet. Por mos e mbani atë si një armik, po këshillojeni si vëlla.»—2. Thesalonikasve 3:6, 13-15.
Pra, hapat e mëtejshëm përfshinin largimin nga të parregulltit, duke i shënuar dhe duke mos u shoqëruar më me ta, por megjithatë, duke vazhduar t’i këshillonin si vëllezër. Çfarë do t’i shtynte pjesëtarët e kongregacionit që të ndërmerrnin këta hapa? Për të na ndihmuar që të qartësojmë këtë pikë, le të identifikojmë tri situata mbi të cilat Pavli nuk po përqendrohej këtu.
1. Ne e dimë se të krishterët janë të papërsosur dhe kanë mangësi. Megjithatë, dashuria është një shenjë dalluese e krishterimit të vërtetë, duke kërkuar prej nesh që të jemi të arsyeshëm dhe të falim gabimet e të tjerëve. Për shembull, rrallëherë një i krishterë mund të ketë ndonjë shpërthim zemërimi, siç ndodhi mes Barnabës dhe Pavlit. (Veprat 15:36-40) Ose, për shkak se është i lodhur, dikush mund të thotë fjalë therëse dhe të ashpra. Në raste të tilla, duke shfaqur dashuri dhe duke zbatuar këshillat e Biblës, ne mund t’i mbulojmë këto gabime, duke vazhduar të jetojmë, të shoqërohemi dhe të punojmë me të bashkëkrishterin. (Mateu 5:23-25; 6:14; 7:1-5; 1. Pjetrit 4:8) Qartë, mangësitë e këtij lloji nuk ishin ato për të cilat po fliste Pavli në 2. Thesalonikasve.
2. Pavli nuk po i referohej një situate ku një i krishterë personalisht zgjedh të kufizojë shoqërimin me një tjetër, qëndrimet ose mënyra e veprimit të të cilit nuk janë të mira, për shembull, me dikë që duket tepër i përqendruar mbi zbavitjen a mbi gjërat materiale. Ose, një prind mund t’ia kufizojë fëmijës shoqërimin me të rinj të tjerë, të cilët nuk përfillin autoritetin prindëror, luajnë në një mënyrë të rrezikshme ose nuk e marrin seriozisht besimin e krishterë. Këto janë thjesht vendime personale, në harmoni me atë që lexojmë në Fjalët e urta 13:20: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.»—Krahaso 1. Korintasve 15:33.
3. Duke pasur parasysh gjëra shumë më të rënda, Pavli u shkroi korintasve për personat që praktikonin mëkatin e rëndë dhe nuk pendoheshin. Këta mëkatarë të papenduar duheshin përjashtuar nga kongregacioni. «I ligu», i duhej dorëzuar, si të thuash, Satanait. Pas këtij veprimi, të krishterët besnikë nuk duhej të përziheshin me këta të ligj, madje apostulli Gjon u bëri thirrje të krishterëve që as të mos i përshëndetnin. (1. Korintasve 5:1-13; 2. Gjonit 9-11) Por, as kjo nuk ka të bëjë me këshillën e dhënë në 2. Thesalonikasve 3:14.
Situata që përfshin «të parregulltit», për të cilët flitet në 2. Thesalonikasve, është e ndryshme nga tri situatat e mësipërme. Pavli shkroi se këta ishin ende ‘vëllezër’, që duheshin këshilluar dhe trajtuar si të tillë. Prandaj, problemi me vëllezërit ‘e parregullt’ nuk ishte as në nivelin e një çështjeje thjesht personale mes të krishterësh, as kaq i rëndë saqë pleqve të kongregacionit t’u duhej të ndërhynin duke e përjashtuar, siç bëri Pavli në lidhje me situatën imorale në Korint. «Të parregulltit» nuk ishin fajtorë për mëkate të rënda, siç ishte ai burrë i përjashtuar në Korint.
«Të parregulltit» në Selanik ishin fajtorë për devijime të konsiderueshme nga krishterimi. Ata nuk punonin, qoftë sepse mendonin që kthimi i Krishtit ishte shumë afër, qoftë sepse ishin dembelë. Më tej, ata shkaktonin shqetësime të konsiderueshme, duke ‘u marrë me punë të kota’. Ka të ngjarë që pleqtë e kongregacionit t’i kishin këshilluar ata disa herë me radhë, në harmoni me këshillën e Pavlit në letrën e tij të parë dhe me këshillat e tjera hyjnore. (Fjalët e urta 6:6-11; 10:4, 5; 12:11, 24; 24:30-34) Por, ata kishin vazhduar në një drejtim që kishte sjellë sharje mbi kongregacionin dhe që mund të përhapej te të krishterët e tjerë. Prandaj plaku i krishterë Pavël, pa përmendur individët, e drejtoi vëmendjen publikisht mbi parregullsinë e tyre, duke demaskuar drejtimin e tyre të gabuar.
Ai, gjithashtu, i bëri të njohur kongregacionit se do të ishte e përshtatshme që ata, si të krishterë individualë, t’i ‘shënonin’ të parregulltit. Kjo përfshinte që individët t’i vërenin ata, veprimet e të cilëve korrespondonin me drejtimin për të cilin kongregacioni ishte paralajmëruar publikisht. Pavli këshilloi që të krishterët ‘të largoheshin nga çdo vëlla që ecte i çrregullt’. Kjo patjetër që nuk do të thoshte ta shmangnin plotësisht këtë person, sepse ata duhej ‘[të vazhdonin] ta këshillonin si vëlla’. Ata do të vazhdonin të kishin marrëdhënie të krishtere në mbledhje e ndoshta në shërbim. Ata mund të shpresonin që vëllai i tyre të reagonte ndaj këshillës dhe të braktiste udhët e tij shqetësuese.
Në cilin kuptim do të ‘largoheshin’ prej tij? Është e dukshme që kjo kishte të bënte me aspektin shoqëror. (Krahaso Galatasve 2:12.) Fakti që ata nuk do të kishin më marrëdhënie shoqërore dhe nuk do të shoqëroheshin më me të për t’u zbavitur, mund t’i tregonte personit se njerëzit me parime nuk i pëlqenin udhët e tij. Edhe sikur të mos turpërohej e të mos ndryshonte, të paktën të tjerët do të kishin më pak mundësi të mësonin udhët e tij dhe të bëheshin si ai. Në të njëjtën kohë, këta individë të krishterë duhej të përqendroheshin në gjërat pozitive. Pavli i këshilloi: «Sa për ju, o vëllezër, mos u lodhni së bëri të mirën.»—2. Thesalonikasve 3:13.
Qartë, kjo këshillë e dhënë nga apostulli nuk është një bazë për të përbuzur ose për të gjykuar vëllezërit tanë që bëjnë ndonjë gabim ose faj të vogël. Në vend të kësaj, objektivi i këshillës është të ndihmojë atë që ndërmerr një drejtim shqetësues, i cili duket qartë se bie ndesh me krishterimin.
Pavli nuk vendosi rregulla të hollësishme sikur po përpiqej të krijonte një procedurë të ndërlikuar. Por, është e qartë se pleqtë së pari duhet ta këshillojnë dhe të përpiqen ta ndihmojnë një person të parregullt. Nëse nuk ia dalin mbanë dhe personi ngulmon në një udhë që është shqetësuese dhe që ka mundësi të përhapet, ata mund të nxjerrin përfundimin se kongregacioni duhet paralajmëruar për rrezikun. Mund të rregullojnë për të mbajtur një fjalim, duke shpjeguar se përse kjo parregullsi duhet shmangur. Ata nuk do të përmendin emra, por fjalimi paralajmërues do të ndihmojë për ta mbrojtur kongregacionin, sepse personat e ndjeshëm do të kujdesen më tepër që të kufizojnë aktivitetet shoqërore me këdo që shfaq qartë këtë parregullsi.
Shpresojmë që personi i parregullt me kalimin e kohës të turpërohet për udhët e tij dhe të nxitet për të ndryshuar. Dora-dorës që pleqtë dhe të tjerët në kongregacion shohin ndryshimin, ata mund të vendosin individualisht që t’i japin fund kufizimit që kanë vënë për t’u shoqëruar personalisht me të.
Për të përmbledhur: pleqtë e kongregacionit marrin drejtimin për të ofruar ndihmë dhe për të këshilluar dikë që po ecën në mënyrë të parregullt. Nëse ai nuk e kupton se është në rrugë të gabuar, por vazhdon të jetë një ndikim jo i shëndetshëm, pleqtë mund ta paralajmërojnë kongregacionin me anë të një fjalimi që bën të qartë pikëpamjen biblike, qoftë lidhur me shoqërimin për t’u njohur me një jobesimtar, qoftë me çdo gjë tjetër që mund të përbëjë një drejtim të gabuar. (1. Korintasve 7:39; 2. Korintasve 6:14) Të krishterët në kongregacion, të cilët në këtë mënyrë janë vënë në gatishmëri, mund të vendosin individualisht të kufizojnë shoqërimin me ata, të cilët në mënyrë të qartë ndjekin një drejtim të çrregullt, por që janë ende vëllezër.
[Shënimi]
a Fjala greke përdorej në lidhje me ushtarët që nuk mbanin rreshtin ose nuk ndiqnin disiplinën, si edhe për nxënësit e çrregullt, të cilët linin orët e mësimit.
[Figurat në faqen 31]
Pleqtë e krishterë i këshillojnë të parregulltit, por megjithatë i konsiderojnë si bashkëbesimtarë