Një vepër që kërkon përulësi
1 Fjala e Perëndisë na këshillon që të jemi «me mendje të përulur, duke mos e kthyer të keqen me të keqe, . . . por, përkundrazi, duke dhënë një bekim». (1 Pjet. 3:8, 9) Kjo këshillë zbatohet pa dyshim edhe në veprën e predikimit. Në të vërtetë, shërbimi i krishterë mund ta vërë në provë përulësinë tonë.
2 Përulësia është një cilësi që na ndihmon të durojmë situatat e pakëndshme. Kur predikojmë, u afrohemi njerëzve të huaj që nuk na kanë ftuar dhe e dimë se disa do të reagojnë në mënyrë të panjerëzishme. Duhet përulësi që të vazhdojmë të predikojmë edhe kur na trajtojnë kështu. Në një territor veçanërisht të vështirë, dy pioniere shkuan çdo ditë nga shtëpia në shtëpi për dy vjet, pa iu përgjigjur askush. Gjithsesi ato ngulmuan dhe sot në atë zonë ka dy kongregacione.
3 Kur na përgjigjen vrazhdë: Përulësia do të na ndihmojë të imitojmë Jezuin kur të tjerët janë të vrazhdë ose të pasjellshëm. (1 Pjet. 2:21-23) Në një shtëpi, një motër u prit me fjalë të ashpra së pari nga e zonja e shtëpisë, pastaj nga bashkëshorti i saj, i cili e urdhëroi të largohej nga prona e tyre. Motra vetëm u buzëqeshi dhe u tha se shpresonte që të fliste një herë tjetër me ta. Kjo i bëri kaq shumë përshtypje çiftit, saqë e dëgjuan Dëshmitaren tjetër që u trokiti në derë dhe e pranuan ftesën për të ndjekur një mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Motra të cilën herën e parë e kishin përzënë ishte aty në sallë. Ajo i përshëndeti dhe u dha dëshmi të mëtejshme. Edhe ne mund t’i zbutim njerëzit e pandjeshëm, duke shfaqur «frymë butësie dhe respekt të thellë».—1 Pjet. 3:15; Prov. 25:15.
4 Të shmangim arrogancën: Njohuria që kemi për Biblën nuk na jep shkak që t’i shohim me përçmim njerëzit ose të përdorim fjalë përbuzëse për ta. (Gjoni 7:49) Përkundrazi, Fjala e Perëndisë na këshillon që ‘të mos flasim keq për askënd’. (Titit 3:2) Kur jemi të përulur në zemër, siç ishte Jezui, i freskojmë të tjerët. (Mat. 11:28, 29) Po të jemi të përulur, mesazhi ynë do të bëhet edhe më tërheqës.
5 Po, përulësia na ndihmon të ngulmojmë në një territor të vështirë. Ajo mund t’i zbutë njerëzit që janë të pandjeshëm dhe i tërheq të tjerët ndaj mesazhit të Mbretërisë. Mbi të gjitha, kjo gjë i pëlqen Jehovait, i cili «u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve».—1 Pjet. 5:5.