Të tregojmë interes personal: Duke bërë pyetje dhe duke dëgjuar
1 Shumicës së njerëzve u pëlqen t’i shprehin pikëpamjet e tyre, por nuk u pëlqen t’u bëjnë moral ose t’i marrin në pyetje. Prandaj, si shërbëtorë të krishterë, duhet të mësojmë atë që mund të quhet një art, domethënë, t’i nxitim njerëzit të shprehen, me anë të pyetjeve.—Prov. 20:5.
2 Pyetjet tona duhet t’i nxitin njerëzit të mendojnë, e jo t’i vënë në siklet. Kur predikon shtëpi më shtëpi, një vëlla pyet: «A mendoni se do të vijë ndonjëherë një kohë kur njerëzit ta trajtojnë njëri-tjetrin me dinjitet dhe respekt?» Në varësi të përgjigjes, ai thotë më tej: «Çfarë mendoni se nevojitet që të arrihet kjo?» ose «Pse mendoni kështu?» Një vëlla tjetër, kur predikon në mënyrë joformale dhe në vende publike, pyet ata që kanë fëmijë: «Çfarë ju kënaq më shumë si prind?» Më pas, ai pyet: «Cilat gjëra ju shqetësojnë më shumë?» Vini re që këto pyetje i lejojnë njerëzit t’i shprehin pikëpamjet e tyre, pa i vënë në siklet. Meqë rrethanat ndryshojnë, mund të na duhet të ndryshojmë temën dhe tonin e pyetjeve, me qëllim që të përshtatemi me njerëzit në territorin tonë.
3 T’i nxitim njerëzit të shprehen: Nëse njerëzit janë të gatshëm të na i shprehin mendimet, të dëgjojmë me durim, duke mos i ndërprerë pa qenë e nevojshme. (Jak. 1:19) T’i pranojmë me mirëdashje komentet e tyre. (Kolos. 4:6) Mund të themi thjesht: «Kjo është një gjë interesante. Ju faleminderit që ma thatë.» T’i lavdërojmë sinqerisht, po të jetë e mundur. Me mirësjellje t’u bëjmë pyetje shtesë për të zbuluar se çfarë mendojnë dhe pse kanë këtë mendim. Të kërkojmë një bazë të përbashkët. Kur duam t’ua drejtojmë vëmendjen te Shkrimet, mund të themi: «A keni menduar që edhe kjo mund të jetë një mundësi?» Të mos jemi dogmatikë dhe debatues.—2 Tim. 2:24, 25.
4 Mënyra se si u përgjigjen njerëzit pyetjeve tona, mund të varet shumë nga mënyra si i dëgjojmë. Njerëzit mund të shprehen po qe se i dëgjojmë me të vërtetë. Një mbikëqyrës udhëtues tha: «Kur tregon gatishmëri dhe durim për t’i dëgjuar njerëzit, kjo ndikon jashtëzakonisht për t’i tërhequr ata dhe është një shprehje e mrekullueshme e interesit të ngrohtë personal.» Kur i dëgjojmë të tjerët, u tregojmë atyre nderim, dhe kjo mund t’i nxitë që të dëgjojnë lajmin e mirë që përpiqemi t’u japim.—Rom. 12:10.