Të rinj që po shkëlqejnë si ndriçues
1. Si e tregon Bibla se të krishterët do të dallonin nga të tjerët, dhe si zbatohet kjo edhe për të rinjtë e krishterë sot?
1 Jezui u tha dishepujve të tij: «Ju jeni drita e botës.» (Mat. 5:14, 16) Ashtu si një qytet mbi kodër ndriçon nën rrezet e diellit, ashtu do të dallonin edhe ata nga të tjerët. Sot, shumë të rinj të krishterë po ‘shkëlqejnë si ndriçues në botë’ me anë të sjelljes së mirë dhe me anë të zellit në predikim.—Filip. 2:15; Mal. 3:18.
2. Cilat raste mund të shfrytëzoni për t’u dhënë dëshmi mësuesve dhe shokëve të klasës?
2 Në shkollë: Si mund të jepni dëshmi në shkollë? Disa të rinj kanë përfituar nga diskutimet që bëhen në klasë rreth temave të tilla, si për shembull: droga, evolucioni dhe problemet e të rinjve. Një motër shfrytëzoi rastin kur iu caktua një ese rreth terrorizmit dhe dëshmoi për Mbretërinë e Perëndisë si shpresën e vërtetë për njerëzimin. Mësueses i bëri përshtypje eseja e formuluar me kujdes, dhe kjo u bë shkas që motra të jepte dëshmi të mëtejshme.
3. Si mund të shkëlqeni në shkollë me anë të sjelljes suaj?
3 Një mënyrë tjetër për të shkëlqyer si ndriçues, është me anë të sjelljes dhe paraqitjes suaj të jashtme. (1 Kor. 4:9; 1 Tim. 2:9) Kur shohin që silleni ndryshe nga të tjerët, disa studentë dhe mësues mund të tërhiqen drejt së vërtetës nga sjellja juaj e shkëlqyer dhe mund t’ju japin mundësinë që të flisni për të vërtetën biblike. (1 Pjet. 2:12; 3:1, 2) Të shfaqësh një sjellje të devotshme nuk është e lehtë, por Jehovai do t’ju bekojë pa masë. (1 Pjet. 3:16, 17; 4:14) Për të ngjallur interesin për lajmin e mirë, mund të lexoni literaturë biblike gjatë pushimeve midis orëve ose mund ta lini këtë literaturë në vend të dukshëm.
4. Cilat janë disa nga dobitë që mund të nxirrni kur jepni dëshmi në shkollë?
4 Kur e lejoni dritën tuaj të ndriçojë në shkollë, kjo jua forcon besimin dhe ju ndihmon të jeni krenarë që i shërbeni Jehovait. (Jer. 9:24) Por kjo shërben edhe si mbrojtje. Një motër tha: «Një nga gjërat e mira kur flet hapur për besimin është se studentët nuk përpiqen më të të bindin që të bësh gjëra që nuk janë në harmoni me atë që thotë Bibla.»
5. (a) Si po e zgjerojnë shërbimin disa të rinj? (b) Po ju, çfarë synimesh frymore keni?
5 Zgjeroni shërbimin: Një mënyrë tjetër se si të rinjtë po shkëlqejnë si ndriçues, është duke zgjeruar shërbimin e tyre. Pasi mbaroi shkollën e mesme, një vëlla u transferua në një vend tjetër, për të shërbyer atje ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Ai bënte pjesë në një kongregacion të vogël ku ishte vetëm një plak kongregacioni. «Këtu po ia kaloj shumë mirë,—i shkruante një mikut të tij.—Shërbimi është fantastik! Flasim gati 20 minuta në çdo derë, pasi njerëzit duan të dëgjojnë çdo gjë që mund t’u thuash.» Pastaj ai shtonte: «Do të doja që çdo i ri dhe e re të provojë të njëjtën kënaqësi që po provoj edhe unë. Nuk ka asgjë më të mirë sesa t’i shërbesh Jehovait me gjithë shpirt.»
6. Çfarë vlerësoni te të rinjtë në kongregacionin tuaj?
6 Jemi vërtet krenarë për ju të rinj që shkëlqeni si ndriçues në botë! (1 Sel. 2:20) Ndërsa i shërbeni Jehovait me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tuaj, do të korrni «në këtë kohë njëqindfish, . . . dhe në sistemin që po vjen, jetën e përhershme».—Mar. 10:29, 30; 12:30.