Të tregojmë interes personal: Duke u përgatitur
1 Përgatitja e mirë për në shërbim na ndihmon të tregojmë interes personal për të tjerët. Në ç’mënyrë? Kur jemi përgatitur mirë, nuk jemi aq në ankth për prezantimin që do të bëjmë, dhe kështu mund t’i kushtojmë më shumë vëmendje të zotit të shtëpisë. Përveç kësaj, përgatitja na jep mundësinë të kapërcejmë ankthin e momentit e të flasim nga zemra. Atëherë si mund të përgatitim një prezantim të efektshëm?
2 Të përdorim një prezantim të përshtatshëm: Zgjidhni një nga prezantimet e sugjeruara te Shërbimi ynë i Mbretërisë janar 2006 që i përshtatet zonës suaj, dhe mendoni se si ta thoni me fjalët tuaja. Përshtateni me territorin. Për shembull, nëse do të takonit njerëz të një feje ose prejardhjeje etnike të caktuar, mendoni si mund ta bëni prezantimin sa më tërheqës për ta. Nëse ua përshtatni prezantimin atyre me të cilët flitni, kjo tregon interes të sinqertë nga ana juaj.—1 Kor. 9:22.
3 Kur filloni ta përdorni prezantimin, vazhdoni ta përmirësoni. Meqë fjalët e fillimit janë mjaft të rëndësishme, vëreni me kujdes se si reagojnë njerëzit. A u intereson ajo temë? A u përgjigjen pyetjeve që u bëni? Nëse jo, bëni ndryshime në prezantim derisa të jetë një prezantim i efektshëm.
4 Mënyra që ndihmojnë për të kujtuar: Shumë e kanë të vështirë ta kujtojnë prezantimin kur janë para derës ku po predikojnë. Në rast se ju ndodh edhe juve, a keni provuar ta praktikoni prezantimin me zë me dikë tjetër? Kjo mund t’ju ndihmojë që t’i keni idetë të qarta në mendje dhe ta bëni prezantimin sa më thjesht dhe në mënyrë logjike. Gjithashtu, kjo mund t’ju përgatitë për reagimet e ndryshme të të zotit të shtëpisë.
5 Diçka tjetër që na ndihmon është një përmbledhje e shkurtër në një copë letër, së cilës mund t’i hedhim një sy para se të trokasim në derë. Disa kanë parë se këto shënime i ndihmojnë të mos jenë aq në ankth dhe të bisedojnë më lirshëm. Në këto mënyra, përgatitja e mirë mund të na ndihmojë të tregojmë interes personal për të tjerët dhe të përmirësojmë prezantimet në shpalljen e lajmit të mirë.