T’i drejtojmë njerëzit te «drita e botës»
1. Cila dritë e madhe ishte parathënë në Fjalën e Perëndisë dhe cila ngjarje ua drejton në mënyrë të veçantë vëmendjen njerëzve te kjo dritë?
1 Me anë të profetit Isaia, Jehovai paratha: «Njerëzit që ecnin në errësirë, panë një dritë të madhe. Mbi ata që banonin në vendin e territ, ndriçoi vetë drita.» (Isa. 9:2) Ajo ‘dritë e madhe’ u pa në veprat e Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. Vepra e tij e predikimit ndërsa ishte në tokë dhe bekimet që erdhën nga flijimi i tij, nxorën në dritë ata që ishin në errësirën frymore. Për këtë dritë kanë nevojë njerëzit në këto kohë të errëta. Darka e Zotërisë është një mundësi e veçantë për ne që t’i drejtojmë njerëzit te «drita e botës». (Gjoni 8:12) Vitin e kaluar, miliona veta shfaqën besim duke iu bindur bashkë me ne urdhrit të Jezuit: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19) Ndërsa kremtimi i Përkujtimit afron, çfarë mund të bëjmë që t’ua drejtojmë vëmendjen njerëzve te drita e madhe që Jehovai ka bërë të ndriçojë?—Filip. 2:15.
2. Si mund ta çmojmë më shumë nga zemra flijimin shpërblyes dhe çfarë do të sjellë kjo si rezultat?
2 Të rritim vlerësimin nga zemra: Periudha e Përkujtimit është një rast i volitshëm për të medituar për dashurinë e madhe që treguan Jehovai dhe Jezui me anë të flijimit shpërblyes që siguruan për njerëzimin. (Gjoni 3:16; 2 Kor. 5:14, 15) Ky meditim pa dyshim që do të na bëjë që ta çmojmë më shumë nga zemra këtë ngjarje të shenjtë. Të gjithë në popullin e Perëndisë duhet të programojnë kohën e duhur për të lexuar dhe medituar për pjesët e Biblës që janë programuar për Përkujtimin siç tregohet te broshura Të shqyrtojmë shkrimet çdo ditë. Kur mendojmë për cilësitë e pashoqe të Jehovait, që shpalosen kaq lavdishëm në çështjen e flijimit, ndihemi krenarë që kemi një Perëndi të tillë. Kur meditojmë se çfarë do të thotë flijimi për ne personalisht, dashuria jonë për Perëndinë dhe Birin e tij shtohet dhe nxitemi të bëjmë çmos që të kryejmë vullnetin e tij.—Gal. 2:20.
3. Si mund ta tregojmë çmueshmërinë tonë për Përkujtimin?
3 Nëse thellojmë vlerësimin për shpëtimin që siguroi Jehovai, entuziazmi ynë për Përkujtimin do të rrezatojë para studentëve të Biblës, rivizitave, të afërmve, fqinjëve, shokëve të shkollës a të punës dhe para të gjithë atyre që ftojmë në këtë ngjarje të veçantë. (Luka 6:45) Prandaj bëni çmos që të ftoni të gjithë këta persona duke u dhënë një ftesë për Përkujtimin e cila do të shërbejë për t’i kujtuar. Që të mos harrojnë asnjë, shumë vetave u është dukur më praktike që të mbajnë një listë të atyre që ftojnë zakonisht në Përkujtim, madje duke i shtuar kësaj liste çdo vit edhe të tjerë. Organizimi ynë dhe përpjekjet tona të zellshme për të ftuar të interesuarit janë mënyra të mrekullueshme për t’i shprehur mirënjohjen tonë Perëndisë Jehova «për dhuratën e tij të papërshkrueshme falas».—2 Kor. 9:15.
4. Çfarë mund të na ndihmojë që të rritim shërbimin gjatë muajve mars dhe prill?
4 Të rritim shërbimin: A mund ta rritni shërbimin gjatë muajve mars dhe prill? Përpjekjet për t’u dhënë të tjerëve ‘lajmin e mirë të lavdishëm për Krishtin’ sigurisht që do të kenë bekimin e Perëndisë. Jehovai, si Burimi i dritës frymore, ka urdhëruar: «Le të ndriçojë drita nga errësira.» (2 Kor. 4:4-6) Po të jetë e nevojshme, pleqtë do të programojnë mbledhje shërbimi shtesë në orare dhe vende të tjera, për të mbështetur lajmëtarët që duan të rritin shërbimin. Këtu mund të përfshihet shërbimi rrugor herët në mëngjes ose masat që mund të merren për të predikuar në territor tregtar, si dhe dëshmia me telefon pasdite ose në mbrëmje. Ajo që mund t’ju ndihmojë kur doni të rritni shërbimin është të vini si synim një numër të arsyeshëm orësh dhe të përpiqeni ta arrini medoemos këtë synim. Për shumë veta, t’i japin më të mirën Jehovait përfshin privilegjin e shërbimit si pionier ndihmës.—Kolos. 3:23, 24.
5. Si po përfitoni nga ulja e sasisë së orëve që kërkohet nga pionierët ndihmës?
5 A mund të shërbeni si pionierë ndihmës? Kanë kaluar më shumë se shtatë vjet që kur u ul kuota e orëve të pionierëve ndihmës. Ky ndryshim ka bërë të mundur që bekimet e shërbimit si pionierë ndihmës t’i gëzojnë edhe shumë të tjerë. A keni provuar të shërbeni si pionierë ndihmës? Disa e kanë bërë zakon të përvitshëm. Në shumë kongregacione, dhjetëra lajmëtarë e ndërmarrin së bashku këtë formë shërbimi, dhe gjatë kësaj periudhe, shërbimi i kongregacionit për atë vit arrin një pikë kulmore, shpërblyese për të gjithë. A mund të programoni që edhe ju të kaloni një muaj të këndshëm duke shërbyer si pionierë ndihmës gjatë periudhës së Përkujtimit? Prilli mund të jetë në veçanti një muaj i përshtatshëm për disa, pasi ka pesë fundjavë të plota.
6. Çfarë masash inkurajuese janë marrë?
6 A është programuar që mbikëqyrësi qarkor ta vizitojë kongregacionin tuaj gjatë muajit mars ose prill? Nëse po, kjo mund të sjellë një bekim tjetër për ju. Ashtu siç është njoftuar edhe më parë, gjatë vitit të shërbimit 2006, të gjithë ata që shërbejnë si pionierë ndihmës gjatë muajit të vizitës së mbikëqyrësit, janë të ftuar të marrin pjesë në gjysmën e parë të mbledhjes që mbahet me pionierët gjatë javës së vizitës. Sigurisht që informacionet inkurajuese që jepen në këtë mbledhje do të ndihmojnë shumë pionierë ndihmës që të synojnë të bëhen pionierë të rregullt. Përveç kësaj, gjatë marsit do të kemi kënaqësinë t’i ndihmojmë njerëzit të ndriçohen nga drita frymore me anë të mjetit të ri për studime biblike Çfarë mëson vërtet Bibla? Pse nuk vini synim që të filloni një studim biblik me këtë libër të ri?
7, 8. (a) Çfarë na ndihmon për të programuar shërbimin si pionierë ndihmës? (b) Si ndihmon bashkëpunimi familjar dhe si nxjerr dobi e gjithë familja?
7 Kur mendoni për kuotën prej 50 orësh që kërkohet nga pionierët ndihmës, vendosni se çfarë programi do t’ju japë mundësinë që të përhapni dritën e së vërtetës për rreth 12 orë çdo javë. Flitni me ata që kanë arritur ta bëjnë me sukses një gjë të tillë dhe me të tjerë. Kjo mund t’i inkurajojë që të bashkohen me ju në këtë formë shërbimi. Me një planifikim të mirë, lajmëtarët e pagëzuar, qoftë të rinj apo të moshuar, kanë parë që nuk është tepër e vështirë ta arrish këtë synim të lavdërueshëm. Lutuni për këtë. Pastaj, nëse është e mundur, bëni planet dhe gjeni gëzim në shërbimin si pionierë ndihmës.—Mal. 3:10.
8 Shumë familje kanë kuptuar se mbështetja e gjithë familjes mund të bëjë të mundur që të paktën një anëtar i familjes ta përmbushë këtë synim. Njëherë, një familje vendosi që të pesë anëtarët e pagëzuar të bënin kërkesë për të shërbyer si pionierë ndihmës. Dy fëmijë të tjerë që ishin të papagëzuar bënë përpjekje për të rritur shërbimin. Po si nxorën dobi nga gjithë përpjekjet që bënë? Ata u shprehën: «Ishte një muaj shumë i bukur, dhe të gjithë e ndiemë që familja u lidh më shumë. Falënderojmë Jehovain për këtë bekim të mrekullueshëm.»
9. Si mund të bëjmë që drita jonë të shkëlqejë gjatë periudhës së Përkujtimit?
9 A do të jetë nxitëse dhe a do të na afrojë më shumë me Atin tonë qiellor veprimtaria jonë e veçantë gjatë muajve mars dhe prill? Varet shumë nga përpjekjet që ne bëjmë për të rritur dashurinë tonë për Perëndinë dhe Birin e tij dhe për të rritur shërbimin tonë. Vendosmëria jonë qoftë si ajo e psalmistit, i cili këndoi: «Me gojën time do ta përlëvdoj shumë Jehovain, dhe do t’i jap lavdi mes morisë së njerëzve.» (Psal. 109:30) Jehovai do ta bekojë shërbimin tonë të zellshëm gjatë periudhës së Përkujtimit. Kështu, le të shkëlqejë fort drita jonë në mënyrë që sa më shumë njerëz të dalin nga errësira dhe ‘të zotërojnë dritën e jetës’!—Gjoni 8:12.