KAPITULLI 9
Metoda për të predikuar lajmin e mirë
SI LAJMËTAR shumë i zellshëm i lajmit të mirë, Jezui la shembullin për dishepujt e tij. Merrte iniciativën dhe shkonte te njerëzit, u fliste dhe i mësonte nëpër shtëpitë e tyre dhe në vende publike. (Mat. 9:35; 13:36; Luka 8:1) Fliste me individë, i mësonte dishepujt privatisht, por fliste edhe para grupeve me mijëra veta. (Mar. 4:10-13; 6:35-44; Gjoni 3:2-21) Përfitonte nga çdo rast i përshtatshëm për të thënë fjalë që jepnin zemër dhe shpresë. (Luka 4:16-19) Edhe kur kishte nevojë për pushim e çlodhje, shfrytëzoi çdo rast për të dëshmuar. (Mar. 6:30-34; Gjoni 4:4-34) A nuk ndihemi të nxitur ta imitojmë kur lexojmë tregimet e frymëzuara rreth shërbimit të tij? Sigurisht që po, ashtu siç ndiheshin edhe apostujt.—Mat. 4:19, 20; Luka 5:27, 28; Gjoni 1:43-45.
2 Le të shqyrtojmë mundësitë që kanë të krishterët sot, për të marrë pjesë në veprën që filloi Jezu Krishti rreth 2.000 vjet më parë.
TË PREDIKOJMË SHTËPI MË SHTËPI
3 Si Dëshmitarë të Jehovait e kuptojmë sa rëndësi ka ta predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë rregullisht nga shtëpia në shtëpi. Kaq shumë e kemi përdorur këtë metodë, saqë është bërë shenja jonë dalluese. Rezultatet e kënaqshme kanë vërtetuar sa e mençur është të përdoret kjo metodë për t’u predikuar miliona njerëzve brenda një kohe të shkurtër. (Mat. 11:19; 24:14) Predikimi shtëpi më shtëpi është një mënyrë praktike për të treguar dashurinë për Jehovain dhe për të afërmin.—Mat. 22:34-40.
4 Predikimi shtëpi më shtëpi nuk është metodë e re që e kanë shpikur Dëshmitarët e Jehovait. Apostulli Pavël përmendi se i kishte mësuar të tjerët në shtëpitë e tyre. Duke u përshkruar mbikëqyrësve të Efesit shërbimin e tij, ai u tha: «Që nga dita e parë që vura këmbë në provincën e Azisë, . . . nuk ju fsheha asgjë, por ju thashë gjithçka dobiprurëse dhe ju mësova . . . shtëpi më shtëpi.» Në këtë mënyrë, si edhe në të tjera, Pavli ‘u dha dëshmi të plotë si judenjve, edhe grekëve, që të pendoheshin e të ktheheshin te Perëndia, dhe të kishin besim te Zotëria ynë Jezu’. (Vep. 20:18, 20, 21) Në atë kohë perandorët romakë nxitnin idhujtarinë dhe shumë veta ‘i nderonin thellësisht perënditë’. Ishte urgjente që njerëzit të kërkonin ‘Perëndinë që bëri botën dhe gjithçka në të’, i cili në atë kohë ‘po u bënte thirrje të gjithë njerëzve kudo qofshin që të pendoheshin’.—Vep. 17:22-31.
5 Sot, nevoja për t’u dhënë njerëzve lajmin e mirë është edhe më urgjente. Fundi i këtij sistemi të lig po afrohet me shumë shpejtësi. Duke parë këtë nevojë, motivohemi që t’i shtojmë përpjekjet. S’ka mënyrë më të mirë sesa kjo metodë e përdorur prej kohësh për t’i kërkuar shtëpi më shtëpi ata që janë të etur për të vërtetën. Ajo është po aq frytdhënëse sot, sa ç’ishte edhe në ditët e Jezuit e të apostujve.—Mar. 13:10.
6 A mund të marrësh pjesë me zell në shërbimin shtëpi më shtëpi? Nëse po, ji i sigurt se Jehovai është i kënaqur me ty. (Ezek. 9:11; Vep. 20:35) Ndoshta shërbimi shtëpi më shtëpi nuk është i lehtë për ty. Mund të kesh vështirësi fizike ose ndoshta po predikon në një territor ku shumë veta s’janë të prirur për të dëgjuar. Mund të ketë edhe kufizime qeveritare. Ndoshta je i ndrojtur dhe e ke shumë të vështirë të nisësh biseda me të panjohur. Kështu që përjeton njëfarë ankthi sa herë që del shtëpi më shtëpi. Por mos u shkurajo! (Eks. 4:10-12) Rrethanat e tua janë të ngjashme me ato të vëllezërve të tu në shumë vende të tjera.
7 Jezui u premtoi dishepujve: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mat. 28:20) Ky premtim na jep forcë në këtë vepër. Ndihemi si apostulli Pavël, i cili tha: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» (Filip. 4:13) Përfito plotësisht nga masat që merr kongregacioni për të predikuar shtëpi më shtëpi. Duke dalë me të tjerët në shërbim, ata do të të inkurajojnë dhe do të të ndihmojnë. Lutu për ndihmë që të kapërcesh çdo pengesë që mund të hasësh dhe përpiqu fuqimisht si predikues i lajmit të mirë.—1 Gjon. 5:14.
8 Ndërkohë që u flet të tjerëve për lajmin e mirë, do të kesh raste t’u japësh ‘shpjegime për të mbrojtur shpresën tënde’. (1 Pjet. 3:15) Do të bëhesh gjithnjë e më i vetëdijshëm për dallimin që ekziston mes atyre që kanë shpresën e Mbretërisë dhe atyre që janë pa shpresë. (Isa. 65:13, 14) Do të kesh kënaqësinë që vjen kur e di se i je bindur urdhrit të Jezuit: «Le të ndriçojë drita juaj.» Mund të kesh edhe privilegjin për të ndihmuar të tjerë ta njohin Jehovain dhe të vërtetën që çon në jetën e përhershme.—Mat. 5:16; Gjoni 17:3; 1 Tim. 4:16.
9 Për të predikuar shtëpi më shtëpi, ka mbledhje për shërbim edhe gjatë javës, edhe në fundjavë. Në zona ku është e vështirë t’i gjesh njerëzit në shtëpi gjatë ditës, disa kongregacione organizojnë dëshmi në mbrëmje. Njerëzit mund të jenë më të prirur të presin vizitorë pasdite vonë ose në të ngrysur, sesa paradite.
TË KËRKOJMË ATA QË JANË TË DENJË PËR MESAZHIN
10 Jezui i udhëzoi dishepujt ‘të kërkonin’ ata që ishin të denjë për mesazhin. (Mat. 10:11) Ai nuk i kërkonte ata që ishin të prirur për ta dëgjuar vetëm duke predikuar shtëpi më shtëpi. Në fakt, jepte dëshmi në çdo rast të përshtatshëm, formal dhe joformal. (Luka 8:1; Gjoni 4:7-15) Edhe apostujt u dëshmonin njerëzve kudo që i gjenin.—Vep. 17:17; 28:16, 23, 30, 31.
Synimi ynë është që mesazhin për Mbretërinë t’ia japim kujtdo që mundemi
11 Edhe sot, synojmë t’ua japim mesazhin për Mbretërinë të gjithë atyre që mundemi. Kjo do të thotë të imitojmë metodën e Jezuit dhe të apostujve ndërsa bëjmë dishepuj, si edhe të jemi plotësisht të vetëdijshëm se kohët ndryshojnë, e po ashtu edhe rrethanat e njerëzve në territorin tonë. (1 Kor. 7:31) Për shembull, lajmëtarët kanë pasur sukses duke i vizituar njerëzit në vendin e punës. Dëshmia rrugore ka qenë e efektshme në shumë vende, e po kështu edhe dëshmia në parqe, në vende parkimi ose kudo ku gjenden njerëzit. Disa kongregacione kanë organizuar dëshminë publike me anë të tryezave ose të stendave të lëvizshme në territorin e tyre. Përveç këtyre, zyra e degës mund të organizojë dëshminë publike speciale në metropol, në zona ku ka shumë kalimtarë, duke përdorur lajmëtarë nga disa kongregacione. Kështu lajmi i mirë mund t’u jepet edhe atyre që nuk i gjejmë në shtëpi.
12 Kur në vende publike takojmë njerëz që tregojnë interes për mesazhin e Biblës, mund t’u ofrojmë ndonjë botim të përshtatshëm. Për të kultivuar interesin, mund t’i japësh të interesuarit informacionet e tua të kontaktit dhe të lësh një takim me të, mund t’i tregosh sitin jw.org ose adresën e kongregacionit më të afërt. Dëshmia në vende publike është një mënyrë e këndshme për të zgjeruar shërbimin.
13 Megjithatë, detyra që u është caktuar të krishterëve sot, nuk përfshin vetëm predikimin e lajmit të mirë. Nëse dëshiron t’i ndihmosh vërtet të tjerët të përqafojnë të vërtetën që çon në jetë, duhet të bësh vazhdimisht vizita që të interesuarit të përparojnë e të bëhen të krishterë të pjekur.
TË BËJMË RIVIZITA
14 Jezui u tha dishepujve: «Do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Por u tha edhe këto fjalë: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, . . . duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mat. 28:19, 20) Rivizitat mund të jenë burim gëzimi në shërbimin e Jehovait. Ata që shfaqën interes për lajmin e mirë kur i vizitove herën e parë, ka të ngjarë të të presin me kënaqësi herën tjetër. Duke u dhënë informacione të tjera nga Bibla, mund t’u forcosh besimin te Perëndia e t’i ndihmosh të bëhen të vetëdijshëm se kanë nevojë për Perëndinë. (Mat. 5:3) Nëse përgatitesh mirë dhe e planifikon rivizitën në një orar të përshtatshëm për ta, ka gjasa të fillosh një studim të Biblës. Zakonisht këtë synojmë kur bëjmë rivizita. Nuk mjaftohemi vetëm duke mbjellë farërat e së vërtetës, por edhe i ujitim.—1 Kor. 3:6.
15 Për disa bërja e rivizitave mund të jetë një sfidë. Ndoshta je bërë shumë i zoti me prezantimet e shkurtra të lajmit të mirë dhe kënaqesh me këtë aspekt të shërbimit. Por, kur mendon se duhet të kthehesh që të bësh një bisedë nga Bibla me të zotin e shtëpisë, mbase kjo sfidë të duket e pakapërcyeshme. Përgatitja e mirë mund të të ndihmojë të ndihesh më i sigurt. Bëj çmos të përdorësh sugjerimet praktike që jepen në mbledhjen e mesjavës. Gjithashtu mund të ftosh një lajmëtar më me përvojë të të shoqërojë në shërbim.
TË DREJTOJMË STUDIME TË BIBLËS
16 Kur ungjillëzuesi Filip po fliste me një prozelit jude që po lexonte Fjalën e Perëndisë, e pyeti: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» Burri iu përgjigj: «E si ta kuptoj, nëse dikush nuk ma shpjegon?» Pastaj, tregimi në kapitullin 8 të Veprave na thotë se, duke u nisur nga ajo pjesë e Shkrimeve që ai burrë po lexonte, Filipi «i shpalli lajmin e mirë për Jezuin». (Vep. 8:26-36) Nuk e dimë sa kohë kaloi Filipi duke folur me të, por ia shpjegoi lajmin e mirë aq qartë, saqë ai u bë besimtar dhe kërkoi të pagëzohej. U bë dishepull i Jezu Krishtit.
17 Sot, shumë veta nuk janë të familjarizuar me Biblën. Prandaj mund të duhen rivizita dhe studim i hollësishëm për një periudhë që zgjat javë, muaj, madje një vit a më shumë, që të krijojnë besim dhe të kualifikohen për pagëzim. Por sa shpërblyese është t’i ndihmosh me durim e dashuri njerëzit e sinqertë të bëhen dishepuj, sikurse tha Jezui: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Vep. 20:35.
18 Pa dyshim që dëshiron të drejtosh një studim të Biblës me një nga botimet e bëra enkas për këtë qëllim. Ndërsa ndjek udhëzimet që jepen në mbledhjen e mesjavës dhe predikon me mësues me përvojë në kongregacion, do të jesh në gjendje të drejtosh studime frytdhënëse e t’i ndihmosh të tjerët të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit.
19 Nëse ke nevojë për ndihmë që të nisësh e të drejtosh një studim të Biblës, mos ngurro të flasësh me një nga pleqtë ose me një Dëshmitar tjetër që ka sukses në drejtimin e studimeve të Biblës. Sugjerimet që janë te Fletëstudimi për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi», të cilat demonstrohen në mbledhje, do të jenë gjithashtu një ndihmë. Mbështetu te Jehovai dhe lutu për këtë dëshirë. (1 Gjon. 3:22) Prandaj, me sa të mundesh, syno të drejtosh një studim të Biblës, përveç studimit që mund të drejtosh me familjen tënde. Duke drejtuar studime të Biblës do të kesh edhe më shumë gëzim në shërbim.
T’I DREJTOJMË TË INTERESUARIT TEK ORGANIZATA E JEHOVAIT
20 Kur i ndihmojmë njerëzit të njohin Perëndinë Jehova dhe të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit, ata bëhen pjesë e kongregacionit. Studentët e Biblës do të përparojnë e do të bëhen të pjekur nëse e pranojnë që kjo është organizata e Jehovait dhe bashkëpunojnë me të. Është e rëndësishme t’u mësojmë si ta bëjnë këtë. Për këtë qëllim janë përgatitur posaçërisht video dhe broshura Cilët po bëjnë vullnetin e Jehovait sot? Mund të jenë të dobishme edhe disa nga informacionet e kapitullit 4 të këtij libri.
21 Që në bisedat e para nga Bibla ndihmoje studentin të kuptojë se sot Jehovai po përdor një organizatë për të kryer veprën e predikimit në tokë. Theksoji vlerën e botimeve tona për studimin e Biblës dhe shpjegoji si prodhohen e si shpërndahen në mbarë botën nga vullnetarë të kushtuar ndaj Perëndisë. Ftoje studentin e Biblës të vijë me ty në mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Shpjegoji si drejtohen mbledhjet dhe prezantoje me vëllezërit e motrat. Po ashtu, mund ta ndihmosh të njihet me Dëshmitarë të tjerë në asamble e kongrese. Në këto e në raste të tjera, ndihmoje ta shohë me sytë e tij si shfaq dashuri populli i Jehovait, pra, shenjën dalluese të të krishterëve të vërtetë. (Gjoni 13:35) Ndërkohë që i interesuari shton çmueshmërinë për organizatën e Jehovait, do të afrohet më shumë me Jehovain.
TË PËRDORIM LITERATURË TË BAZUAR TE BIBLA
22 Të krishterët e hershëm u bënë lajmëtarë të zellshëm të Fjalës së Perëndisë. Ata bënin kopje të Shkrimeve për t’i përdorur vetë dhe për studimin në kongregacion. I nxitnin të tjerët të lexonin Fjalën e së vërtetës të Perëndisë. Kopjet e shkruara me dorë ishin të pakta në numër dhe mjaft të çmuara. (Kolos. 4:16; 2 Tim. 2:15; 3:14-17; 4:13; 1 Pjet. 1:1) Sot, Dëshmitarët e Jehovait përdorin metoda moderne shtypjeje për të botuar qindra milionë Bibla dhe botime për studimin e saj. Këtu përfshihen fletushkat, broshurat, librat dhe revistat në qindra gjuhë.
23 Kur u flet të tjerëve për lajmin e mirë, sigurohu që t’i përdorësh plotësisht botimet për studimin e Biblës, të siguruara nga organizata e Jehovait. Kur e kupton sa shumë ke përfituar nga leximi e studimi i botimeve të Dëshmitarëve të Jehovait, do të nxitesh t’ua japësh edhe të tjerëve.—Hebr. 13:15, 16.
24 Gjithnjë e më tepër njerëz po e përdorin Internetin si burim kryesor informacioni. Prandaj, përveç literaturës të bazuar te Bibla, një mjet i efektshëm për të përhapur lajmin e mirë është siti ynë zyrtar, jw.org. Anembanë botës, njerëzit mund të përdorin kompjuterin për të lexuar ose për të dëgjuar në qindra gjuhë regjistrime audio të Biblës dhe të literaturës të bazuar tek ajo. Ata që ngurrojnë të bisedojnë me ne ose që jetojnë në zona ku ka pak gjasa të flasin me Dëshmitarët e Jehovait, mund t’i shqyrtojnë bindjet tona nëpërmjet sitit jw.org kur janë në shtëpi.
25 Ja pse e reklamojmë sitin jw.org sa herë të jetë e përshtatshme. Nëse i zoti i shtëpisë bën një pyetje për bindjet tona, mund të përdorim një pajisje elektronike ose kompjuter për t’ia treguar përgjigjen aty për aty. Nëse takojmë dikë që flet një gjuhë tjetër, përfshirë gjuhën e shenjave, mund ta drejtojmë te siti ynë që të gjejë Biblën dhe literaturë të bazuar tek ajo në gjuhën e vet. Shumë lajmëtarë kanë përdorur një nga videot në sit për të filluar biseda rreth Biblës.
TË JAPIM DËSHMI JOFORMALE
26 Jezui u tha atyre që po u kushtonin vëmendje fjalëve të tij: «Ju jeni drita e botës. . . . Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.» (Mat. 5:14-16) Këta dishepuj pasqyruan cilësitë e Perëndisë duke imituar Jezuin, i cili tha për veten: «Unë jam drita e botës.» Jezui la shembullin për të krishterët, duke lënë «dritën e jetës» të shkëlqente për dobinë e të gjithë atyre që do ta dëgjonin.—Gjoni 8:12.
27 Edhe apostulli Pavël la një shembull që duhet ta imitojmë. (1 Kor. 4:16; 11:1) Kur ishte në Athinë, u dëshmonte çdo ditë atyre që ndodheshin në sheshin e pazarit. (Vep. 17:17) Të krishterët në Filipi ndoqën shembullin e tij. Për këtë arsye, Pavli mund t’u shkruante se ata ‘po shkëlqenin si ndriçues në botë mes një brezi dredharak e të shtrembër’. (Filip. 2:15) Sot e lëmë të shkëlqejë dritën e së vërtetës për Mbretërinë me anë të fjalëve dhe të veprimeve tona, kurdo që u flasim të tjerëve për lajmin e mirë. Vërtet, shembulli ynë si njerëz të ndershëm e të drejtë mund të nxjerrë në pah se jemi ndryshe nga bota. Megjithatë, arsyen pse jemi ndryshe, do ta kuptojnë vetëm nëse u flasim për lajmin e mirë.
28 Shumë shërbëtorë të Jehovait u flasin për lajmin e mirë atyre që takojnë në punë, në shkollë, në mjetet e transportit publik ose në vende të tjera ndërsa bëjnë punët e përditshme. Kur udhëtojmë, mund të na jepet rasti të flasim me bashkudhëtarët. Secili prej nesh duhet të jetë vigjilent ndaj mundësive për ta kthyer një bisedë të zakonshme në një dëshmi. Le të jemi të përgatitur për të folur me të tjerët në çdo rast të përshtatshëm!
29 Do të motivohemi të veprojmë kështu, po të mbajmë në mendje se i sjellim lavdi Krijuesit tonë dhe nderojmë emrin e tij. Gjithashtu mund t’i ndihmojmë njerëzit me zemër të sinqertë të njohin Jehovain, që edhe ata t’i shërbejnë e të fitojnë shpresën e jetës falë besimit te Jezu Krishti. Jehovai kënaqet nga këto përpjekje dhe i konsideron shërbim të shenjtë.—Hebr. 12:28; Zbul. 7:9, 10.
PREDIKIMI I TERRITORIT
30 Vullneti i Jehovait është që mesazhi i Mbretërisë të predikohet anembanë botës, në qytete e në fshatra. Për këtë qëllim, kongregacioneve, por edhe individëve që shërbejnë në vende të izoluara, u caktohet territori nga zyra e degës. (1 Kor. 14:40) Kjo është në përputhje me mënyrën si organizoheshin gjërat në shekullin e parë sipas drejtimit të Perëndisë. (2 Kor. 10:13; Gal. 2:9) Duke qenë se vepra e Mbretërisë në këto ditë të fundit po përhapet me të shpejtë, kemi shumë rezultate kur predikimi i territorit të kongregacionit organizohet mirë.
31 Kjo bëhet nën drejtimin e mbikëqyrësit të shërbimit. Territoret mund t’i shpërndajë një shërbëtor kongregacioni. Ka dy lloje territoresh, territor grupi dhe territor personal. Aty ku nuk ka shumë territor, mbikëqyrësit e grupeve kanë territore grupi, ku mund të predikojnë lajmëtarët e grupit. Nga ana tjetër, aty ku ka goxha territor, një lajmëtar mund të marrë një territor personal.
32 Lajmëtari që ka territor personal, do të ketë ku të predikojë në rastet kur nuk janë organizuar mbledhje për shërbim ose kur nuk është praktike që të takohet me grupin. Për shembull, disa lajmëtarë marrin territor afër vendit të punës dhe predikojnë atje gjatë pushimit të drekës ose pas pune. Ca familje marrin një territor personal në lagje dhe predikojnë ndonjëherë mbrëmjeve. Kur territori personal është afër, kjo mund ta ndihmojë lajmëtarin ta përdorë sa më mirë kohën në shërbim. Patjetër, territoret personale mund të përdoren edhe për të dëshmuar në grup. Nëse dëshiron të kesh territor personal, mund t’ia kërkosh shërbëtorit të territoreve.
33 Pavarësisht nëse është territor grupi që e ka marrë mbikëqyrësi i grupit ose territor personal që e ka marrë një lajmëtar, ai që ka marrë territorin, do të bëjë përpjekje të arsyeshme për të kontaktuar dikë në çdo shtëpi. Masat për predikimin e territorit duhet të respektojnë ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale. Çdo mbikëqyrës grupi ose lajmëtar që merr një territor duhet të përpiqet ta predikojë brenda katër muajve. Kur e ka përfunduar, duhet të njoftojë shërbëtorin e territoreve. Në varësi të rrethanave, mbikëqyrësi i grupit ose lajmëtari mund ta mbajë territorin për ta punuar përsëri ose mund t’ia kthejë shërbëtorit të territoreve.
34 Kur të gjithë pjesëtarët e kongregacionit bashkëpunojnë, territori mund të mbulohet plotësisht. Gjithashtu, mund të shmangim predikimin e të njëjtit territor nga dy a më shumë lajmëtarë njëkohësisht, pasi kjo mund të acarojë të zotët e shtëpive. Kështu tregojmë konsideratë për vëllezërit tanë dhe për njerëzit në territor.
BASHKËPUNIMI PËR T’U DHËNË DËSHMI NJERËZVE TË ÇDO GJUHE
35 Të gjithë kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë Jehova, për Birin e tij dhe për Mbretërinë. (Zbul. 14:6, 7) Duam t’i ndihmojmë njerëzit e çdo gjuhe të thërrasin emrin e Jehovait që të shpëtojnë dhe që të veshin personalitetin e krishterë. (Rom. 10:12, 13; Kolos. 3:10, 11) Cilat janë disa sfida që lindin kur predikojmë lajmin e mirë në zona ku fliten shumë gjuhë? Si mund të predikohet në këto zona që sa më shumë njerëzve t’u jepet mundësia të dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë në gjuhën që kuptojnë më mirë?—Rom. 10:14.
36 Caktimi i territorit për çdo kongregacion bëhet në bazë të gjuhës. Prandaj, në zonat ku fliten shumë gjuhë, në të njëjtat lagje predikojnë lajmëtarë nga kongregacione të ndryshme. Në raste të tilla, është më mirë që lajmëtarët e secilit kongregacion të përqendrohen t’u predikojnë njerëzve të gjuhës së tyre. Kjo vlen edhe gjatë fushatave të përvitshme me ftesat. Ndërsa, kur japin dëshmi publike dhe joformale, lajmëtarët mund të flasin me këdo dhe të ofrojnë literaturë në çdo gjuhë.
37 Ndonjëherë, disa kongregacione të gjuhëve të tjera nuk i mbulojnë dot rregullisht territoret më të largëta. Në raste të tilla, mbikëqyrësit e shërbimit të kongregacioneve të përfshira duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin që të gjejnë një mënyrë të pranueshme për të gjithë që të mbulohet territori. Kjo do t’i japë mundësi kujtdo ta dëgjojë mesazhin për Mbretërinë dhe do të shmangen përpjekjet e dyfishta të panevojshme.—Prov. 15:22.
38 Ç’duhet të bëjmë nëse personi që del në derë nuk flet gjuhën tonë? Nuk duhet të hamendësojmë se do ta vizitojnë lajmëtarët që flasin gjuhën e tij. Disa lajmëtarë kanë mësuar një prezantim të thjeshtë në një gjuhë që e hasin shpesh në territorin e tyre. Mund t’i tregojmë dikujt si të lexojë e të shkarkojë literaturë në gjuhën e tij nga siti ynë zyrtar, jw.org, ose mund t’i themi se do t’i sjellim literaturë në gjuhën e tij.
39 Nëse personi tregon interes të sinqertë, duhet të përpiqemi të gjejmë dikë që është i kualifikuar ta ndihmojë në një gjuhë që ai e kupton. Gjithashtu mund t’i themi ku mbahen mbledhjet më të afërta në gjuhën e tij. Nëse ai dëshiron të kontaktohet nga dikush që flet gjuhën e tij, mund t’i tregojmë si të plotësojë të dhënat personale në sitin jw.org. Pastaj, zyra e degës do të përpiqet të gjejë një lajmëtar, grup ose kongregacion aty pranë që mund ta ndihmojë më tej.
40 Duhet të vazhdojmë ta vizitojmë derisa i interesuari të na thotë se e ka kontaktuar dikush që flet gjuhën e tij. Në disa raste, zyra e degës do të vërë në dijeni pleqtë se nuk mund të gjendet dikush që flet gjuhën e të interesuarit. Në raste të tilla, duhet të bëjmë më të mirën që të kultivojmë interesin e të zotit të shtëpisë. Mund ta studiojmë Biblën me të, nëse është e mundur, me ndihmën e një botimi në gjuhën e tij. Po t’i përdorim mirë figurat dhe të lëmë që shkrimet t’i lexojë personi, ai do të arrijë të marrë njohuri bazë për Biblën. Një pjesëtar i familjes së tij që ka njohuri të mjaftueshme për gjuhën e tij amtare dhe për gjuhën e vendit, mund të jetë i gatshëm të ndihmojë me përkthimin.
41 Që ta drejtojmë të interesuarin tek organizata e Perëndisë, duhet ta ftojmë në mbledhjet tona, edhe pse mund të mos e kuptojë plotësisht programin. Kur të lexohen shkrimet, mund ta ndihmojmë t’i gjejë duke përdorur një Bibël në gjuhën e tij. Shoqërimi me të tjerët në kongregacion do të jetë ndërtues dhe do ta ndihmojë të përparojë më shumë.
42 Paragrupet: Paragrupi përbëhet nga disa lajmëtarë që predikojnë në një gjuhë të ndryshme nga ajo e kongregacionit, edhe pse nuk ka një plak ose shërbëtor kongregacioni të kualifikuar për të drejtuar një mbledhje javore në atë gjuhë. Zyra e degës mund të vendosë që një kongregacion të mbështetë një paragrup, kur plotësohen kushtet e mëposhtme:
(1) Një numër i konsiderueshëm njerëzish në atë zonë flasin një gjuhë të ndryshme nga ajo e kongregacionit.
(2) Të paktën një numër i vogël lajmëtarësh e dinë atë gjuhë ose janë të gatshëm ta mësojnë.
(3) Trupi i pleqve është i gatshëm të marrë drejtimin për të organizuar predikimin në atë gjuhë.
Nëse trupi i pleqve dëshiron të mbështetë një paragrup, pleqtë do të këshillohen me mbikëqyrësin qarkor. Ai mund ta dijë nëse ka edhe kongregacione të tjera që përpiqen t’u predikojnë njerëzve të asaj gjuhe dhe mund të sigurojë informacione të dobishme që ndihmojnë të vendoset se cili është kongregacioni më i përshtatshëm për të mbështetur paragrupin. Pasi vendoset kjo, pleqtë do t’i dërgojnë një letër zyrës së degës dhe do t’i kërkojnë aprovimin për ta njohur zyrtarisht si kongregacion që mbështet paragrupin.
43 Grupet: Zyra e degës mund të vendosë që një kongregacion të mbështetë një grup, kur plotësohen kushtet e mëposhtme:
(1) Ka interes të mjaftueshëm dhe potencial për rritje në fushën e një gjuhe të caktuar.
(2) Të paktën një numër i vogël lajmëtarësh e flasin ose po e mësojnë gjuhën.
(3) Një plak ose shërbëtor kongregacioni është i kualifikuar të marrë drejtimin dhe të drejtojë të paktën një mbledhje javore—ose një pjesë të saj, si fjalimi publik ose Studimi i Kullës së Rojës—në atë gjuhë.
Kur këto kërkesa plotësohen në masë të arsyeshme, trupi i pleqve do t’i dërgojë një letër me të gjitha detajet zyrës së degës, ku do të kërkojë të njihet zyrtarisht si kongregacion që mbështet një grup. Plaku ose shërbëtori i kongregacionit që merr drejtimin, do të konsiderohet «mbikëqyrësi i grupit» ose «shërbëtori i grupit» që është përgjegjës të kujdeset për grupin.
44 Pasi formohet grupi, trupi i pleqve i kongregacionit që e mbështet, do të vendosë nëse grupi do të mbajë edhe pjesë të tjera nga mbledhjet e kongregacionit dhe sa herë në muaj do t’i mbajë. Mund të organizohen edhe mbledhje shërbimi për grupin. Të gjithë pjesëtarët e grupit punojnë nën mbikëqyrjen e trupit të pleqve që mbështet grupin. Pleqtë do të sigurojnë drejtim të ekuilibruar dhe do të marrin nismën për t’u kujdesur për nevojat e grupit. Kur të punojë me grupin, gjatë javës së vizitës së tij në kongregacionin që po mbështet grupin, mbikëqyrësi qarkor do t’i dërgojë zyrës së degës një raport të shkurtër për përparimin e grupit dhe do të përmendë nevojat specifike. Në kohën e duhur ka mundësi që grupi të bëhet kongregacion. Nëse të gjithë ata që përfshihen, ndjekin drejtimin teokratik, Jehovai do të kënaqet.—1 Kor. 1:10; 3:5, 6.
DËSHMIA NË GRUP
45 Të krishterët e kushtuar kanë përgjegjësinë personale për t’u folur të tjerëve për lajmin e mirë. Ka shumë mënyra për këtë, por shumica prej nesh e vlerësojnë faktin që kanë mundësi të dalin në shërbim me të tjerët. (Luka 10:1) Për këtë arsye, kongregacionet kanë mbledhje shërbimi në fundjavë, si dhe gjatë javës. Edhe pushimet për shkak të festave janë raste të shkëlqyera për dëshminë në grup, pasi shumë vëllezër e kanë pushim nga puna. Komiteti i Shërbimit i Kongregacionit organizon mbledhje shërbimi në vende dhe kohë të përshtatshme, gjatë ditës dhe mbrëmjeve.
46 Dëshmia në grup u jep mundësi lajmëtarëve të punojnë së bashku dhe ‘të inkurajohen nga besimi i njëri-tjetrit’. (Rom. 1:12) Lajmëtarët më të rinj mund të punojnë me lajmëtarë të aftë e me përvojë dhe të stërviten. Në disa zona mund të jetë e këshillueshme që, për arsye sigurie, dy a më shumë lajmëtarë të punojnë së bashku. Edhe nëse ke planifikuar të predikosh në territor vetëm, takimi me grupin mund të jetë inkurajues për të gjithë. Thjesht fakti se edhe të tjerë po predikojnë në atë zonë, mund të të japë siguri. Pionierët dhe të tjerët s’kanë pse të ndihen të detyruar të mbështetin çdo mbledhje shërbimi që organizon kongregacioni, sidomos nëse këto mbahen përditë. Gjithsesi mund të mbështetin të paktën disa mbledhje për shërbim çdo javë.
47 Të gjithë ne le të ndjekim modelin që lanë Jezui dhe apostujt! Mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona të palodhura për të marrë pjesë me zell në veprën jetësore të predikimit të këtij lajmi të mirë të Mbretërisë.—Luka 9:57-62.