MËSIMI 37
Nxjerrja në pah e pikave kryesore
CILAT janë pikat kryesore të një fjalimi? Nuk janë thjesht aspekte interesante që përmenden shkurtimisht e kalimthi. Janë ide të rëndësishme që zhvillohen gjerë e gjatë. Janë ide të domosdoshme për arritjen e pikësynimit tënd.
Një çelës për t’i nxjerrë në pah pikat kryesore është ta zgjedhësh dhe ta organizosh me mençuri materialin. Shpesh, nga kërkimet që bëhen për një fjalim dalin më shumë informacione sesa mund të përdoren. Si mund ta përcaktosh çfarë të përdorësh?
Së pari, merr parasysh auditorin. A kanë thjesht njohuri të përgjithshme për argumentin apo e njohin mjaft mirë? A e pranon shumica prej tyre atë që thotë Bibla rreth tij apo disa kanë prirjen të jenë skeptikë? Çfarë sfidash hasin në jetën e përditshme kur përpiqen ta zbatojnë atë që thotë Bibla për argumentin? Së dyti, sigurohu që e ke të qartë në mendje synimin që do të arrish duke i folur atij auditori rreth argumentit që planifikon të përdorësh. Duke përdorur këto dy udhëzime, përcakto vlerën e materialit dhe mbaj vetëm atë që është vërtet i përshtatshëm.
Nëse të është dhënë një skemë bazë me një temë dhe disa pika kryesore, duhet t’i përmbahesh asaj. Megjithatë, vlera e asaj që paraqet do të rritet së tepërmi në rast se gjatë zhvillimit të secilës pikë kryesore mban parasysh faktorët e mësipërm. Kur nuk të jepet ndonjë skemë, atëherë zgjedhjen e pikave kryesore e ke ti në dorë.
Kur i ke të qarta në mendje pikat kryesore dhe kur i ke organizuar hollësitë poshtë këtyre pikave, e ke më të lehtë ta mbash fjalimin. Ka të ngjarë që edhe auditori të nxjerrë më shumë dobi prej tij.
Mënyra të ndryshme për ta organizuar materialin. Mund të ndiqen një larmi metodash për organizimin e trupit të fjalimit. Ndërsa njihesh me to, do të shohësh që mund të ketë disa metoda të efektshme, në varësi të synimit që ke.
Metoda elastike përfshin ndarjen sipas argumenteve. (Secila pikë kryesore është e nevojshme, sepse rrit kuptueshmërinë e dëgjuesve për argumentin ose ndihmon në arritjen e qëllimit të fjalimit.) Një metodë tjetër është ajo kronologjike. (Për shembull, ngjarjet para Përmbytjes mund të pasohen nga ngjarjet para shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s., të cilat nga ana e tyre mund të pasohen nga ngjarjet në ditët tona.) Një metodë e tretë është shkaku dhe pasoja. (Kjo mund të zhvillohet edhe anasjelltas. Për shembull, mund të fillosh me një situatë aktuale, pra, me pasojën dhe pastaj të tregosh shkakun.) Metoda e katërt përfshin të kundërtat. (Mund të vësh përballë njëra-tjetrës të mirën dhe të keqen ose pozitiven dhe negativen.) Në disa raste një fjalim përfshin më shumë se një metodë.
Kur Stefanin e akuzuan në mënyrë të rremë para Sinedrit judaik, ai mbajti një fjalim të fuqishëm, i cili u zhvillua sipas radhës kronologjike. Ndërsa lexon këtë fjalim te Veprat 7:2-53, vër re që zgjedhja e pikave është bërë qëllimisht. Në fillim Stefani bëri të qartë që po tregonte fakte historike, të cilat auditori i tij nuk mund t’i mohonte. Pastaj tregoi se ndonëse Jozefin e hodhën poshtë vëllezërit, Perëndia e përdori për të siguruar çlirimin. Pastaj tregoi se judenjtë nuk iu bindën Moisiut, i cili ishte mjeti që po përdorte Perëndia. Ai e përfundoi fjalimin e tij duke theksuar se një frymë si ajo që shfaqën judenjtë e brezave të mëparshëm po tregonin edhe ata që shkaktuan vdekjen e Jezu Krishtit.
Jo tepër pika kryesore. Për të zhvilluar një temë mjaftojnë vetëm disa pika kryesore. Në shumicën e rasteve, ato mund të numërohen me gishtat e dorës. Kjo është e vërtetë pavarësisht nëse do të flasësh për 5 minuta, 10 minuta, 30 minuta apo më shumë. Mos u përpiq të nxjerrësh në pah tepër pika. Auditori mund të kapë në mënyrë të arsyeshme vetëm disa ide nga një fjalim. Gjithashtu, sa më i gjatë të jetë fjalimi, aq më shumë duhen theksuar dhe aq më saktë duhen përcaktuar pikat kryesore.
Pavarësisht se sa pika kryesore do të përdorësh, sigurohu ta zhvillosh mjaftueshëm secilën prej tyre. Lëri auditorit kohë të mjaftueshme për ta analizuar secilën pikë kryesore, në mënyrë që t’u ngulitet mirë në mendje.
Në fjalimin tënd duhet të bjerë në sy thjeshtësia. Kjo nuk varet gjithmonë nga sasia e materialit që përdoret. Në qoftë se mendimet e tua janë të grupuara qartë nën disa tituj kryesorë dhe i zhvillon këta tituj një e nga një, fjalimi do të ndiqet e do të mbahet mend me lehtësi.
Nxirr në pah pikat kryesore. Nëse materiali është i organizuar siç duhet, nuk do ta kesh të vështirë ta përforcosh rëndësinë e pikave kryesore kur të mbash fjalimin.
Metoda më e mirë për ta nxjerrë në pah një pikë kryesore është duke i paraqitur provat, shkrimet dhe materialet e tjera në mënyrë të tillë që këto ta përqendrojnë vëmendjen tek ideja kryesore dhe ta përforcojnë atë. Të gjitha pikat dytësore duhet ta qartësojnë, ta vërtetojnë ose ta përforcojnë pikën kryesore. Mos shto ide që s’kanë lidhje me pikën kryesore thjesht sepse janë interesante. Ndërsa zhvillon pikat dytësore, trego qartë lidhjen e tyre me atë pikë kryesore që mbështetin. Mos ia lër auditorit që ta bëjë vetë këtë lidhje. Lidhja mund të tregohet duke përsëritur fjalët kyçe që shprehin mendimin kryesor ose duke përsëritur thelbin e vetë pikës kryesore herë pas here.
Disa oratorë i nxjerrin në pah pikat kryesore duke i numëruar. Ndonëse është një mënyrë për të nxjerrë në pah pikat kryesore, kjo nuk duhet të zëvendësojë zgjedhjen e kujdesshme dhe zhvillimin logjik të vetë materialit.
Mund të zgjedhësh ta përmendësh një pikë kryesore para se të paraqesësh argumentet mbështetëse. Kjo do ta ndihmojë auditorin të kuptojë vlerën e asaj që do të thuhet në vazhdim dhe do të theksojë atë pikë kryesore. Mund ta përforcosh pikën duke e përmbledhur pasi ta kesh zhvilluar plotësisht.
Në shërbimin në fushë. Parimet e trajtuara më sipër nuk zbatohen vetëm për fjalimet, por edhe për bisedat që zhvillon në shërbimin në fushë. Gjatë përgatitjes, mbaj parasysh situatat e veçanta që kanë në mendje njerëzit e zonës. Zgjidh një temë që të jep mundësi të tregosh se në ç’mënyrë do ta zgjidhë atë situatë shpresa që jep Bibla. Zgjidh ndoshta dy pika kryesore për ta zhvilluar temën. Përcakto shkrimet që do të përdorësh për t’i mbështetur ato pika. Pastaj mendo si ta fillosh bisedën. Një përgatitje e tillë do të të bëjë të jesh elastik, siç e kërkojnë bisedat. Gjithashtu, do të të ndihmojë të thuash diçka që i zoti i shtëpisë do ta mbajë mend.