Një mësim se si të përballojmë problemet
TË PAKTË janë ata që u është dashur të përballojnë të gjitha problemet që kishte Jobi. Brenda një kohe shumë të shkurtër, atë e goditi humbja e të mirave materiale dhe mjeteve të jetesës, vdekja tragjike e të gjithë fëmijëve dhe së fundi një sëmundje shumë e dhimbshme. I lënë mënjanë nga miqtë dhe të afërmit, ai u nxit nga e shoqja të ‘mallkonte Perëndinë e të vdiste’.—Jobi 2:9; 19:13, 14.
Megjithatë, Jobi ishte një burim i pakrahasueshëm inkurajimi për këdo që përjeton sprova të ngjashme. Përfundimi pozitiv i sprovës së tij tregon se durimi përballë mjerimeve e gëzon zemrën e Jehovait, kur nxitemi vërtet nga devotshmëria e shenjtë dhe jo nga dobitë personale.—Jobi, kapitujt 1, 2; 42:10-17; Proverbat 27:11.
Ky tregim biblik përmban, gjithashtu, mësime të çmuara se si t’i përballojmë problemet. Ai siguron shembuj të dukshëm se si duhet dhe nuk duhet këshilluar dikush që gjendet përballë sprovave. Për më tepër, përvoja e vetë Jobit mund të na ndihmojë të reagojmë në mënyrë të ekuilibruar, kur na godasin rrethana të vështira.
Si të mos jepen këshillat
Shprehja «ngushëlluesit e Jobit» është bërë sinonim i atij që në vend se ta përkrahë personin në kohë vështirësish, ia fërkon plagën me kripë. Megjithatë, pavarësisht nga reputacioni që tre shokët e Jobit ashtu siç e meritonin i bënë vetes, nuk duhet të dalim në përfundimin se e bënë me qëllim të keq. Ndoshta, në njëfarë mase donin ta ndihmonin Jobin, sipas pikëpamjeve të tyre të gabuara. Përse nuk ia dolën mbanë? Në ç’mënyrë u bënë mjete të Satanait, i cili ishte i vendosur të thyente integritetin e Jobit?
Në fakt, praktikisht ata i bazuan të gjitha këshillat e tyre në hamendje të gabuara: se vuajtjet godasin vetëm ata që mëkatojnë. Në ligjëratën e tij të parë, Elifazi tha: «Mbaje mend: cili i pafajmë është zhdukur vallë, dhe a janë shkatërruar vallë njerëzit e ndershëm? Ashtu siç e kam parë unë vetë, ata që lërojnë paudhësinë dhe mbjellin mjerimin, vjelin frytet e tyre.» (Jobi 4:7, 8) Elifazi gabimisht besonte se të pafajshmit janë të imunizuar nga problemet. Ai arsyetoi se pasi Jobi ishte zënë ngushtë, ai duhej të kishte mëkatuar kundër Perëndisë.a Bildadi dhe Zofari ngjashëm insistuan që Jobi të pendohej për mëkatet e tij.—Jobi 8:5, 6; 11:13-15.
Tre shokët tij e shkurajuan edhe më tej Jobin, duke shprehur ide personale në vend të mençurisë hyjnore. Elifazi arriti deri aty sa të thoshte se «ai [Perëndia] nuk u zë besë as shërbëtorëve të tij» dhe se për Jehovain nuk kishte rëndësi nëse Jobi ishte i drejtë apo jo. (Jobi 4:18; 22:2, 3) Vështirë të mendosh një vërejtje më shkurajuese apo më të gënjeshtërt sesa kjo! Nuk na habit fakti se më vonë, Jehovai e qortoi ashpër Elifazin dhe shokët e tij për këtë blasfemi. Ai tha: «Nuk keni folur drejt për mua.» (Jobi 42:7) Megjithatë, pohimi më dëmtues akoma duhet të vinte.
Në fund, Elifazi shkoi në ekstrem, duke akuzuar haptazi. Pasi nuk mundi të shqiste nga Jobi asnjë pranim faji, ai shpiku mëkate që mendonte se Jobi ndoshta kishte kryer. «Apo ka gjasë më shumë se kjo ka si shkak ligësinë tënde të madhe dhe fajet e tua të shumta?» Elifazi pyeti: «Pa arsye në fakt ti merrje pengje nga vëllezërit e tu dhe i zhvishje të zhveshurit nga rrobat e tyre. Nuk i jepje ujë të lodhurit dhe i refuzoje bukën të miturit.» (Jobi 22:5-7) Këto akuza ishin plotësisht pa bazë. Vetë Jehovai e kishte përshkruar Jobin si një njeri që ishte «i ndershëm, i drejtë».—Jobi 1:8.
Si reagoi Jobi ndaj këtyre sulmeve kundër integritetit të tij personal? Është e kuptueshme se ato e hidhëruan dhe e dëshpëruan, por ama e bënë më të vendosur se kurrë për të treguar se këto akuza nuk ishin të vërteta. Në fakt, u shqetësua kaq shumë, saqë filloi të shfajësonte veten dhe në njëfarë mënyre filloi të fajësonte Jehovain për ngushticën në të cilën gjendej. (Jobi 6:4; 9:16-18; 16:11, 12) Pyetjet e vërteta të përfshira u hodhën pas dhe dialogu u bë një debat i kotë mbi atë nëse Jobi ishte apo jo i drejtë. Çfarë mësimesh mund të nxjerrin të krishterët nga kjo mënyrë shkatërruese e dhënies së këshillave?
1. Një i krishterë i dashur nuk duhet të mendojë që në fillim se problemet e vëllait kanë ardhur për faj të tij. Kritikat e rrepta të gabimeve të kaluara, qofshin të vërteta apo të imagjinuara, mund ta shkurajojnë plotësisht dikë që lufton për të vazhduar pa humbur kurajën. Shpirti i dëshpëruar ka nevojë ‘të ngushëllohet’ dhe jo të qortohet ashpër. (1. Selanikasve 5:14) Jehovai do që mbikëqyrësit të jenë «si një mbrojtje nga era» e jo «ngushëllues të mërzitshëm» si Elifazi, Bildadi dhe Zofari.—Isaia 32:2; Jobi 16:2.
2. Nuk duhet të akuzojmë kurrë pa pasur prova të qarta. Fjalë apo hamendje—si ato të Elifazit—nuk janë një bazë e fortë për të qortuar. Kur një plak, për shembull, bën akuza të padrejta, fare lehtë mund të humbë besimin dhe të shkaktojë stres emocional. Si ndihej Jobi tek dëgjonte këto këshilla pa vend? Ai e shprehu hapur ankthin e tij me një thirrje ironike: «Si e ke ndihmuar krahun pa forcë?» (Jobi 26:2) Një mbikëqyrës i kujdesshëm ‘do të forcojnë duart e kapitura’ dhe nuk do t’i keqësojnë gjërat.—Hebrenjve 12:12.
3. Këshilla duhet të bazohet në Fjalën e Perëndisë dhe jo në mendime personale. Argumentet e shokëve të Jobit ishin si të gabuara ashtu edhe shkatërruese. Në vend që ta ndihmonin Jobin t’i afrohej më shumë Jehovait, e bënë të mendonte se mes tij dhe Atit të tij qiellor ishte ngritur një pengesë. (Jobi 19:2, 6, 8) Nga ana tjetër, përdorimi me shkathtësi i Biblës, mund t’i ndreqë gjërat, të forcojë të tjerët dhe të japë ngushëllim të vërtetë.—Luka 24:32; Romakëve 15:4; 2. Timoteut 3:16; 4:2.
Ndërkohë që libri i Jobit i ndihmon të krishterët të dallojnë e të kuptojnë disa gracka, ai siguron gjithashtu një mësim të dobishëm se si të japin këshilla të efektshme.
Si të japim këshilla
Këshilla e Elihut ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo e tre shokëve, si në përmbajtje ashtu edhe në mënyrën në të cilën Elihu e trajtoi Jobin. Ai iu drejtua Jobit në emër dhe i foli atij si një mik e jo si gjykatësi i Jobit. «Tani pra, Job, dëgjo atë që kam për të thënë dhe vëru veshin gjithë fjalëve të mia! Ja, unë jam i barabartë me ty përpara Perëndisë; edhe unë jam formuar nga argjili.» (Jobi 33:1, 6) Gjithashtu, Elihu u tregua i shpejtë për ta lavdëruar Jobin për sjelljen e tij të drejtë. «Kam gjetur kënaqësi në drejtësinë tënde.» (Jobi 33:32, BR) Përveç mënyrës së butë të këshillimit, Elihu pati sukses edhe për arsye të tjera.
Duke pritur me durim derisa të tjerët të mbaronin së foluri, Elihu ishte i aftë për të kuptuar çështjet para se të jepte këshilla. Duke pranuar faktin që Jobi ishte i drejtë, a do ta ndëshkonte Jehovai atë? «Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit,—thërriti Elihu.—Ai nuk i heq sytë nga të drejtët.»—Jobi 34:10; 36:7.
A ishte me të vërtetë drejtësia e Jobit gjëja kryesore? Elihu e tërhoqi vëmendjen e Jobit në një pikëpamje të paekuilibruar. «A të duket një gjë e drejtë kur thua: ‘Jam më i drejtë se Perëndia?’—shpjegoi ai.—Sodite qiellin dhe shiko me kujdes; shih retë, që ndodhen më lart se ti.» (Jobi 35:2, 5) Ashtu si retë janë shumë më të larta se ne, edhe rrugët e Jehovait janë më të larta se tonat. Ne nuk mund të gjykojmë mënyrën në të cilën ai vepron. «Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur»,—përfundoi Elihu.—Jobi 37:24; Isaia 55:9.
Këshilla e mençur e Elihut i hapi rrugë Jobit për të marrë mësim plotësues nga vetë Jehovai. Në fakt, ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme ndërmjet rishqyrtimit të ‘mrekullive të Perëndisë’ nga Elihu në kapitullin 37 dhe vetë fjalëve të Jehovait drejtuar Jobit në kapitujt 38 deri 41. Siç duket qartë, Elihu i pa çështjet nga pikëpamja e Jehovait. (Jobi 37:14) Si mund ta imitojnë të krishterët shembullin e shkëlqyer të Elihut?
Si Elihu, mbikëqyrësit e krishterë në veçanti duhet të jenë të arsyeshëm dhe dashamirës, duke kujtuar se edhe ata janë të papërsosur. Ata bëjnë mirë të dëgjojnë me kujdes, për të pasur një kuadër të plotë të situatës dhe për të kuptuar ku qëndron problemi para se të japin këshilla. (Proverbat 18:13) Për më tepër, duke përdorur Biblën dhe botimet biblike mund të jenë të sigurt se bëjnë të mbizotërojë pikëpamja e Jehovait.—Romakëve 3:4.
Libri i Jobit, përveç sigurimit të këtyre këshillave praktike për pleqtë, na mëson, gjithashtu, se si t’i përballojmë problemet në një mënyrë të ekuilibruar.
Si nuk duhet reaguar përpara vështirësive
I rraskapitur nga vuajtjet e tij dhe i zhgënjyer nga ngushëlluesit e rremë, Jobi u hidhërua dhe u dëshpërua. «Humbtë dita në të cilën linda . . . Jam neveritur nga jeta ime»,—rënkoi ai. (Jobi 3:3; 10:1) Duke mos e ditur se keqbërësi ishte Satanai, ai mendoi se ishte Perëndia ai që i shkaktoi gjithë ato halle. I dukej kaq e padrejtë që ai—një njeri i drejtë—duhej të vuante. (Jobi 23:10, 11; 27:2; 30:20, 21) Ky qëndrim e pengoi Jobin të kishte parasysh shpjegime të tjera të mundshme dhe e bëri të kritikonte mënyrën në të cilën Perëndia e trajtonte njerëzimin. Jehovai pyeti: «A dëshiron pikërisht ta anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?»—Jobi 40:8.
Ndoshta reagimi ynë i menjëhershëm kur ndeshemi me vështirësi është të ndihemi viktima, siç u duk të ndodhte edhe me Jobin. Prandaj, është normale të pyesim: «Përse më ndodh pikërisht mua? Përse të tjerët që janë më keq se unë, bëjnë një jetë gati-gati pa probleme?» Këto janë mendime negative që mund t’i luftojmë, duke medituar mbi Fjalën e Perëndisë.
Ndryshe nga Jobi, ne jemi në gjendje të kuptojmë çështjet kryesore që përfshihen. Ne e dimë se Satanai «sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë». (1. Pjetrit 5:8) Siç zbulon libri i Jobit, Djalli do të gjente kënaqësi në thyerjen e integritetit tonë, duke na shkaktuar probleme. Është i vendosur të provojë thënien e tij, sipas së cilës ne jemi të gatshëm t’i shërbejmë Perëndisë, vetëm atëherë kur punët na shkojnë vaj. (Jobi 1:9-11; 2:3-5) A do të kemi guxim të mbajmë sovranitetin e Jehovait dhe kështu të tregojmë se Djalli është gënjeshtar?
Shembulli i Jezuit dhe shërbëtorëve të panumërt besnikë të Jehovait, tregon se disa forma të vuajtjes janë gati të pashmangshme në këtë sistem gjërash. Jezui tha se dishepujt e tij duhet të ishin të gatshëm ‘të merrnin shtyllën e tyre të torturës’, nëse dëshironin ta ndiqnin. (Luka 9:23, BR) «Shtylla [personale] e torturës» mund të jetë një ose më shumë vështirësi si ato që duroi Jobi—sëmundje, vdekja e personave të dashur, depresioni, vështirësitë ekonomike ose kundërshtimi nga pabesimtarët. Në çfarëdolloj problemi që na duhet të ndeshim, ka një anë pozitive. Mund ta shikojmë rrethanën në të cilën gjendemi si një mundësi për të treguar durimin dhe besnikërinë tonë të patundur ndaj Jehovait.—Jakovit 1:2, 3.
Ky ishte reagimi i apostujve të Jezuit. Menjëherë pas Rrëshajëve ata u rrahën pse kishin predikuar për Jezuin. Në vend që të shkurajoheshin, ata vazhduan punën e tyre «duke u gëzuar». Nuk ishin të gëzuar sepse kishin vuajtur vetë, por sepse «qenë çmuar të denjë që të fyhen për emrin e Jezusit».—Veprat 5:40, 41.
Pa dyshim, jo të gjitha vështirësitë bien mbi ne, për shkak se jemi shërbëtorë të Jehovait. Shpesh jemi ne që i krijojmë problemet, të paktën në njëfarë mase. Ose ndoshta edhe pse nuk është për fajin tonë, problemet kanë ndikuar ekuilibrin tonë frymor. Sidoqoftë situata, një qëndrim i përulur si ai i Jobit do të na japë mundësi të dallojmë se ku kemi gabuar. Jobi pranoi para Jehovait: «Thashë gjëra që nuk i kuptoja.» (Jobi 42:3) Ai që i pranon gabimet në këtë mënyrë, ka shumë mundësi që të shmangë vështirësi të ngjashme në të ardhmen. Siç thotë Proverbi, «mendjemprehtë është ai që e sheh mjerimin dhe fshihet».—Proverbat 22:3, BR.
Fakti më i rëndësishëm është se libri i Jobit na kujton se problemet nuk do të zgjasin përgjithmonë. Bibla thotë: «Ne shpallim të lum janë ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.» (Jakovit 5:11) Mund të jemi të sigurt se Jehovai do ta shpërblejë në mënyrë të ngjashme besnikërinë e shërbëtorëve të tij sot.
Gjithashtu, ne shohim përpara drejt kohës kur problemet e çdo lloji—«gjërat e mëparshme»—të kenë kaluar. (Zbulesa 21:4) Deri kur të agojë ajo ditë, libri i Jobit shërben si një udhëheqje e çmuar që na ndihmon t’i përballojmë problemet me mençuri dhe qëndresë.
[Shënimi]
a Edhe pse Bibla deklaron se «ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë», kjo nuk do të thotë se vuajtjet e një personi duhet të jenë një shpagim hyjnor. (Galatasve 6:7) Në këtë botë të sunduar nga Satanai, shpesh të drejtët përballojnë më shumë probleme sesa të ligjtë. (1. Gjonit 5:19) Jezui u tha dishepujve të tij: «Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» Sëmundjet dhe halle të tjera mund t’i ndodhin çdo shërbëtori besnik të Perëndisë.—Psalmi 41:3; 73:3-5; Filipianëve 2:25-27.
[Figura në faqen 28]
«Shih retë, që ndodhen më lart se ti.» Kështu e ndihmoi Elihu Jobin të kuptonte se rrugët e Jehovait janë më të larta se ato të njeriut