Gjej kënaqësi në Fjalën e Perëndisë
LUM njeriu «kënaqësia e të cilit është në ligjin e Jehovait». Një njeri i tillë e lexon Fjalën e Perëndisë «nën zë ditë e natë». (Psal. 1:1, 2) A provon edhe ti një kënaqësi të tillë? Si mund ta shtosh gëzimin që të sjell Fjala e Perëndisë?
Dëgjoje Jehovain kur flet
Mos u mjafto thjesht duke lexuar fjalë. Riprodhoji në mendje situatat për të cilat po lexon. Përfytyro zërat e personazheve që citohen. Kur lexon kapitujt e parë të Biblës, dëgjo vetë Jehovain tek zbulon, hap pas hapi, atë që është bërë për ta përshtatur tokën për njeriun. Dëgjoje kur i thotë Birit të tij, Kryemjeshtrit, se ka ardhur koha për të krijuar njerëzit e parë. Përfytyro këtë skenë: Adami dhe Eva rebelohen, Perëndia shpall gjykimin ndaj tyre dhe pas kësaj i dëbon nga Parajsa. (Zanafilla, kap. 1-3) Provo ndjenjën e nderimit të thellë kur lexon se një zë nga qielli e identifikon Jezu Krishtin si Birin e Perëndisë, të dashurin, të dërguar nga Perëndia që të japë jetën e tij për njerëzimin. (Mat. 3:16, 17) Përpiqu të imagjinosh reagimin e apostullit Gjon kur dëgjon Jehovain të shpallë: «Ja, unë po bëj çdo gjë të re.» (Zbul. 21:5) Ta lexosh Fjalën e Perëndisë në këtë mënyrë është vërtet një përvojë e këndshme.
Vazhdo ta lexosh shkrimin e frymëzuar dhe do ta njohësh Jehovain si një person madhështor e që të ngjall nderim të thellë. Do të ndihesh i tërhequr fort ndaj këtij Personi, i cili na do, na trajton në mënyrë të mëshirshme, na ndihmon nëse me përulësi vazhdojmë të përpiqemi të bëjmë vullnetin e tij dhe na tregon se si të kemi sukses në gjithçka që bëjmë.—Jos. 1:8; Psal. 8:1; Isa. 41:10.
Sa më shumë kohë të kalosh duke lexuar Biblën, aq më shumë kënaqësi do të ndiesh duke e njohur më mirë vullnetin e Perëndisë për ty. Por kënaqësia nuk do të kufizohet me kaq. Kur leximi i Biblës të të sigurojë ndihmën e nevojshme për t’i trajtuar me mençuri problemet, do të ndihesh si psalmisti i cili tha: «Përkujtuesit e tu janë të mrekullueshëm. Ja përse shpirti im i ka zbatuar.» (Psal. 119:129) Edhe ti do të provosh gëzim duke gjetur në Shkrime parime që të ndihmojnë t’i modelosh mendimet dhe dëshirat sipas mënyrës hyjnore.—Isa. 55:8, 9.
Bibla siguron udhëheqje morale që na mbron nga e keqja dhe na tregon rrugën e drejtë. Kur e lexojmë, e ndiejmë se Jehovai është një Atë që e di se cilat probleme lindin po t’u dorëzohemi dëshirave të mishit të papërsosur. Ai nuk do që të vuajmë pasojat e tmerrshme që vijnë në mënyrë të pashmangshme kur shpërfillen normat e tij të larta morale. Ai kujdeset për ne dhe dëshiron që të jetojmë në mënyrën më të mirë. Duke lexuar Fjalën e tij mund të kuptojmë më plotësisht se ç’bekim është që ta kemi atë si Perëndinë dhe Atin tonë qiellor.
Lexoje Biblën çdo ditë
Për njeriun që e lexon Fjalën e Perëndisë çdo ditë, psalmisti tha: «Gjithçka që bën do të ketë sukses.» (Psal. 1:3) Po, ndonëse jemi të papërsosur, ndonëse jetojmë në sistemin e lig të Satanait dhe ndonëse Djalli përpiqet të na përpijë, leximi i rregullt dhe zbatimi i asaj që gjendet në Fjalën e Perëndisë do të na ndihmojë të kemi sukses në gjithçka që ka të bëjë me marrëdhënien tonë me Jehovain.
Meqenëse ky sistem i vjetër ushtron presion mbi ne, të përqendrohemi çdo ditë në mendimet e Krijuesit, edhe vetëm për pak çaste të çmuara, mund të na japë fuqi. Disa që ishin burgosur për shkak të besimit kishin mundësi të lexonin vetëm disa vargje biblike të shkëputura që i gjenin të cituara nëpër artikujt e gazetave. I shkëputnin nga gazeta, i mësonin përmendësh dhe meditonin rreth tyre. Jehovai i bekoi përpjekjet e tyre, sepse bënë aq sa u lejonin rrethanat për të marrë njohuri nga Fjala e Perëndisë. (Mat. 5:3) Kurse sot shumica prej nesh kemi shumë më tepër liri sesa ata. Nuk duhet të arrijmë në përfundimin se kur lexojmë çdo ditë shpejt e shpejt një varg biblik do të ndodhë ndonjë mrekulli. Gjithsesi, do të kemi bekime po t’i organizojmë gjërat në mënyrë që të lexojmë çdo ditë një pjesë nga Bibla, të mendojmë rreth saj dhe ta vëmë në praktikë në jetën tonë.
Duhet ta pranojmë se edhe planet më të mira mund të prishen. Kur ndodh një gjë e tillë, u japim përparësi gjërave që kanë vërtet rëndësi. Për shembull, nuk do të rrinim me dashje pa pirë ujë për një ose dy ditë. Ngjashëm, pavarësisht se çfarë na ndodh në jetën e përditshme, duhet të lëmë pak kohë mënjanë për t’u freskuar me ujërat e së vërtetës.—Vep. 17:11.
Lexoje të gjithë Fjalën e Perëndisë
A e ke lexuar personalisht të gjithë Biblën? Disa i ka trembur ideja që ta lexojnë atë nga Zanafilla deri te Zbulesa. Prandaj, shumë veta që dëshironin ta lexonin të gjithë Biblën, filluan duke lexuar së pari Shkrimet e Krishtere Greke. Pse? Ndoshta sepse mund ta kuptonin më lehtë se ç’lidhje kishin këta libra biblikë me ata vetë si individë që përpiqeshin të ecnin në gjurmët e Krishtit. Ose ndoshta sepse Shkrimet e Krishtere Greke nuk dukeshin edhe aq të gjata për t’u lexuar (përbëjnë vetëm pak më shumë se një të katërtën e Biblës). Por pasi përfunduan së lexuari ata 27 libra, e drejtuan vëmendjen te 39 librat e Shkrimeve Hebraike dhe filluan t’i lexonin e të gjenin kënaqësi. Kur mbaruan Shkrimet Hebraike, tashmë e kishin bërë shprehi leximin e rregullt të Biblës, e kështu vazhduan duke lexuar për herë të dytë Shkrimet e Krishtere Greke dhe nuk e kanë ndërprerë më këtë zakon. Urojmë që edhe ti ta bësh leximin e përditshëm të Fjalës së Perëndisë një zakon që do të zgjatë për tërë jetën.
A ke ndonjë njeri në familje ose a njeh ndonjë në kongregacion që nuk mund të lexojë? Pse të mos i propozosh që t’ia lexosh Biblën rregullisht? Do të nxjerrësh dobi ti, por edhe ai vetë, duke medituar për atë që dëgjon dhe duke e zbatuar në jetë.—Zbul. 1:3.
Me kalimin e kohës mund të kesh dëshirë të bësh disa kërkime shtesë që lidhen me leximin tënd të Biblës. Disa nga këto kërkime mund të të ndihmojnë të kuptosh se si lidhen me njëra-tjetrën pjesët e ndryshme të Biblës. Nëse Bibla jote ka referime anësore, këto mund të të drejtojnë atje ku ka hollësi historike dhe tregime paralele. Mund të të ndihmojnë të kuptosh rrethanat që çuan në shkrimin e psalmeve të ndryshme, si dhe të letrave të apostujve të Jezu Krishtit. Botimi Mendjehollësi mbi Shkrimet siguron një sasi të bollshme materiali të vlefshëm lidhur me njerëz, vende dhe cilësi që përmenden në Bibël. Tabelat e drejtojnë vëmendjen te përmbushja e profecive biblike, tregojnë se cilët mbretër dhe profetë ishin bashkëkohës dhe japin data të përafërta për shumë ngjarje të Biblës.
Duke medituar për atë që mëson, do të kuptosh arsyet pse u krijuan disa situata mes popullit të Perëndisë. Do të kuptosh, gjithashtu, përse Jehovai e trajtoi në atë mënyrë popullin e tij. Do të shohësh se si i vlerëson Jehovai veprimet e qeverive, të popujve dhe të individëve. Kjo do të të japë gjykim më të thellë për mënyrën e tij të të menduarit.
Historia biblike do të të bëhet më interesante kur të përfytyrosh rajonin ku ndodhën ngjarjet. Hartat e rajoneve biblike zbulojnë llojin e terrenit dhe largësitë ndërmjet vendeve. Për shembull, në cilën pikë, afërsisht, e kaluan izraelitët Detin e Kuq? Deri ku shtrihej Toka e Premtuar? Deri ku udhëtoi Jezui gjatë shërbimit të tij tokësor? Ç’peizazhe pa apostulli Pavël gjatë udhëtimeve të tij misionare? Hartat dhe përshkrimet gjeografike japin hollësi që do të ta bëjnë të gjallë leximin. Ku mund t’i gjesh hartat e rajoneve biblike? Disa gjenden në Shkrimet e Shenjta, Përkthimi Bota e Re. Vëllimet Mendjehollësi përmbajnë rreth 70 harta dhe në fund të vëllimit të parë ka një tregues për to. Përdor Treguesin e Botimeve Watch Tower për të gjetur harta të tjera. Nëse nuk i ke këto materiale, përdor hartat e botuara në Kullën e Rojës si ndihmë gjatë leximit të Biblës.
Në Shkrimet Hebraike, mbreti David e lartësoi Jehovain, duke thënë: «Sa të çmuara janë mendimet e tua! O Perëndi, sa e madhe është shuma e tyre!» (Psal. 139:17) Në Shkrimet e Krishtere Greke, apostulli Pavël i thuri lavdi Jehovait sepse Ai «ka ndriçuar në zemrat tona, për t’u dhënë dritë me njohurinë e lavdishme të Perëndisë, nëpërmjet fytyrës së Krishtit». (2 Kor. 4:6) Davidin dhe Pavlin i ndanin shekuj, e megjithatë, të dy gjetën kënaqësi në Fjalën e Perëndisë. Edhe ti mund të provosh kënaqësi, po të gjesh kohë për të lexuar gjithçka që Jehovai të ka dhënë në faqet e Fjalës së tij të frymëzuar.