3Ç «Tartari»
2Pj 2:4—«I hodhi në Tartar»; Gr., Tartarósas; Lat., detráctos in Tártarum; Sir., ʽagen ʼenun beThachtayathaʼ
Termi «Tartar» gjendet vetëm te 2Pj 2:4. Ai është pjesë e foljes greke tartaróo, prandaj për ta përkthyer foljen, është përdorur fraza «i hodhi në Tartar».
Në Iliadën e poetit të lashtë, Homerit, fjala tártaros përshkruan një burg të nëndheshëm po aq poshtë Hadesit, sa është edhe toka poshtë qiellit. Ata që ishin burgosur në të, nuk ishin shpirtra njerëzish, por perëndi më të vogla, frymëra, përkatësisht Kroni dhe titanë të tjerë, që ishin rebeluar kundër Zeusit (Jupiterit). Ai ishte burgu i ngritur nga perënditë mitike për ato frymëra që i kishin përzënë nga viset qiellore, dhe mendohej se ndodhej poshtë Hadesit, vendit ku pas vdekjes mbylleshin shpirtrat e njerëzve. Në mitologji tártarosi ishte më e ulëta e të gjitha zonave të ulëta, dhe ishte një vend terri. Mbështillte mbarë botën e nëndheshme, ashtu si qiejtë mbështillnin gjithçka që ishte mbi tokë. Prandaj, në mitologjinë greke pagane tártarosi kishte namin e një vendi ku burgoseshin, jo shpirtra njerëzish, por frymëra titane, dhe se ishte një vend poshtërimi dhe terri.
Te Jb 40:20, sipas versionit LXX, për behemothin thuhet: «E kur ai u ngjit në një mal të rrëpirë, u solli gëzim krijesave katërkëmbëshe në thellësi [ἐν τῷ ταρτάρῳ («në tartar»)]. Te Jb 41:31, 32 (41:23, 24, LXX) për leviathanin thuhet: «Ai e bën thellësinë të ziejë si një kusi tunxhi; detin e konsideron si një kazan pomade dhe pjesën më të ulët të thellësisë [τὸν δὲ τάρταρον τῆς ἀβύσσου («tartarin e humnerës»)] si një rob: e konsideron thellësinë si kullotë.» Përdorimi i fjalës tártaros në këto vargje te versioni LXX e bën të qartë se fjala përdorej për të treguar një vend të ulët, po, «pjesën më të ulët» të humnerës.
Shkrimet e frymëzuara nuk flasin për burgosjen e ndonjë shpirti njerëzor në tártaros, por vetëm për burgosjen e krijesave frymore, pra, të «engjëjve që mëkatuan». Hedhja e tyre në tártaros tregon poshtërimin e tyre më të thellë, ndërsa janë ende gjallë. Kjo u shërben si ndëshkim për mëkatin e rebelimit të tyre kundër Perëndisë Më të Lartë. Apostulli Pjetër e lidh errësirën me gjendjen e tyre të ulët dhe thotë se Perëndia «ua dorëzoi thellësive të errësirës së dendur, që të ruhen për gjykimin».—2Pj. 2:4.
Në traditat e tyre mitologjike për Kronin dhe perënditë titane rebele, paganët paraqitën një pikëpamje të shtrembër për poshtërimin e frymërave rebele. Në kontrast me këtë, përdorimi nga Pjetri i foljes tartaróo, «hedh në Tartar», nuk do të thotë se ‘engjëjt që mëkatuan’ i hodhën në Tartarin mitologjik pagan, por që Perëndia i Plotfuqishëm i uli nga vendi dhe privilegjet qiellore dhe i dorëzoi në gjendjen e errësirës më të thellë mendore, për sa i përket kuptueshmërisë së qëllimeve të ndritura të Perëndisë. Gjithashtu, ata kanë vetëm një pikëpamje të errët për vetë fundin e tyre, që sipas Shkrimeve është shkatërrimi i përhershëm bashkë me sundimtarin e tyre, Satana Djallin. Prandaj, Tartari tregon gjendjen më të ulët poshtëruese të këtyre engjëjve rebelë.
Në Shkrimet e frymëzuara, Tartari nuk ka asnjë lidhje me Hadesin, i cili është varri i përbashkët i njerëzve të vdekur. Engjëjt mëkatarë dhe shpirtrat e njerëzve të vdekur nuk vihen bashkë në tártaros si një vend mundimi të përjetshëm për krijesat që janë në gjendje të vetëdijshme. Tartari do të zhduket kur Gjykatësi më i Lartë të shkatërrojë engjëjt rebelë, që tani ndodhen në atë gjendje poshtërimi.