3C «Gehena»—Simbol i shkatërrimit të plotë
Heb., גי הנם (geh hinóm, «lugina e Hinomit»); Gr., γέεννα (géena); Lat., gehénna
Fjala «Gehenë» do të thotë «lugina e Hinomit», pasi është forma greke e fjalës hebraike geh hinóm. Te Js 18:16, ku shfaqet shprehja ‘lugina e Hinomit’, në tekstin LXX lexohet «Gehena». Kjo fjalë shfaqet 12 herë në Shkrimet e Krishtere Greke, për herë të parë te Mt 5:22. Përkthimi Bota e Re e përkthen këtë fjalë me termin «Gehena» në të gjitha rastet, domethënë, te Mt 5:22, 29, 30; 10:28; 18:9; 23:15, 33; Mr 9:43, 45, 47; Lu 12:5; Jk 3:6.
Lugina e Hinomit shtrihej në perëndim dhe në jug të Jerusalemit të lashtë. (Js 15:8; 18:16; Jr 19:2, 6) Në kohën e mbretërve të fundit të Judës ajo përdorej për adhurimin idhujtar të perëndisë pagan Molek, të cilit i paraqiteshin flijime njerëzore në zjarr. (2Kr 28:3; 33:6; Jr 7:31, 32; 32:35) Për të ndaluar përdorimin e mëtejshëm të saj për qëllime të tilla fetare, mbreti besnik Josia e ndoti luginën, sidomos pjesën e quajtur Tofet.—2Mb 23:10.
Komentuesi jude David Kimhi (1160?-1235?), në komentin e tij për Ps 27:13, jep këtë informacion historik për «Gehinom»: «Ai është një vend i neveritshëm në tokën ngjitur me Jerusalemin. Atje hedhin gjëra të papastra dhe kufoma. Më parë, atje kishte një zjarr të vazhdueshëm për të djegur gjërat e papastra dhe eshtrat e kufomave. Prandaj, gjykimi i të ligjve quhet në mënyrë metaforike, Gehinom.»
Lugina e Hinomit u bë vendi për hedhjen e plehrave dhe djegien e ndyrësive të Jerusalemit. Atje hidheshin trupat e kafshëve të ngordhura, që të digjeshin nga zjarri, të cilit i shtohej squfur ose sulfur për të ndihmuar djegien. Gjithashtu, në të hidheshin edhe trupat e kriminelëve të ekzekutuar, të cilët konsideroheshin si të padenjë për të pasur një varr. Nëse këta trupa të vdekur binin në zjarr, digjeshin, por nëse kufomat binin në ndonjë buzë shkëmbore të luginës së thellë, mishi i tyre në kalbëzim mbushej me krimba ose vemje, të cilat nuk ngordhnin derisa të hanin mishrat, duke lënë vetëm skeletet.
Në Gehenë nuk hidhej asnjë kafshë ose njeri i gjallë, që të digjej i gjallë a të torturohej. Prandaj, ajo nuk mund të simbolizojë kurrsesi një vend të padukshëm, ku shpirtrat e njerëzve mundohen përjetësisht në një zjarr të mirëfilltë ose sulmohen përgjithnjë nga krimba që nuk ngordhin. Meqë kriminelëve të vdekur, që hidheshin atje, u mohohej një varrim i denjë në një varr, simbol i shpresës së ringjalljes, Jezui dhe dishepujt e tij e përdorën Gehenën për të simbolizuar shkatërrimin e përhershëm, asgjësimin nga bota e Perëndisë ose «vdekjen e dytë», një ndëshkim të përjetshëm.
Prandaj, hedhja e një trupi të vdekur në Gehenë konsiderohej lloji më i keq i ndëshkimit. Nga Gehena e mirëfilltë dhe nga domethënia e saj u nxor edhe simboli i ‘liqenit me zjarr dhe squfur’.—Zb 19:20; 20:10, 14, 15; 21:8.