NJË VËSHTRIM RRETH BOTËS
Shtetet e Bashkuara
Në qytetin e Los Anxhelosit në Kaliforni janë sinkronizuar të gjithë semaforët, afro 4.500, të cilët ndodhen në një sipërfaqe prej 1.215 kilometrash katrorë. Sipas gazetës The New York Times, Los Anxhelosi është «i pari ndër metropolet më të mëdha në botë që e bën këtë».
Nga bota
Sipas një përllogaritjeje botërore, është zbuluar se nga viti 1990 deri në vitin 2010 numri i njerëzve mbipeshë është rritur 82 për qind. Numri i të vdekurve nga mbipesha është më se tri herë më i madh se numri i të vdekurve nga kequshqyerja, megjithëse pamjaftueshmëria e ushqimit është ende problem në shumë vende. Por, në kuptimin e mirëfilltë, sipas Maxhid Exatit, një prej drejtuesve të kërkimeve, «në krahasim me 20 vjet më përpara, kemi shkuar nga një botë ku s’kishim mjaft për të ngrënë, në një botë ku ushqimi i tepërt dhe jo i shëndetshëm, madje edhe në vendet në zhvillim, po na sëmur».
Ishulli Miduej
Një nga albatrosët e Lajsanit, që thuhet se është «shpendi i egër më i vjetër që njihet në botë», ka çelur një tjetër nga zogjtë e saj të shumtë. Sa vjeçe është? Asaj i vunë një shirit që në vitin 1956 kur ishte të paktën pesë vjeçe, kështu që tani mund të jetë mbi 60 vjeçe. Gjatë gjithë jetës, mund të ketë fluturuar 3 deri në 4 milionë kilometra, që është baraz me katër deri në gjashtë udhëtime vajtje-ardhje për në hënë.
Afrika e Jugut
Sipas një studimi, një e treta e grave të Afrikës së Jugut përdorin kremra dhe sapunë zbardhues për lëkurën. Këta zbardhues janë të rrezikshëm dhe në disa vende janë të ndaluar. Ndër rreziqet renditen kancere të llojeve të ndryshme, dëmtime në veshka, depresion, ankth, shpërthim puçrrash dhe vraga në lëkurë.