HITITËT
[të Hethit].
Popull me prejardhje nga Hethi, që përmendet i dyti ndër bijtë e Kanaanit. (Zn 10:15) Pra kishin origjinë kamitike.—Zn 10:6.
Abrahami pati lidhje në disa raste me hititët, të cilët banonin në Kanaan kur ai u shpërngul atje. Jehovai premtoi t’i jepte farës së Abrahamit vendin e Kanaanit, ku banonin disa kombe, ndër të cilat edhe kombi hitit. (Zn 15:18-21) Megjithatë, Jehovai i tha Abrahamit: «Amoritët [term i përdorur shpesh për kombet e Kanaanit në tërësi] nuk e kanë mbushur ende kupën me fajet e tyre.» (Zn 15:16) Prandaj Abrahami e respektoi të drejtën e hititëve si pronarë të tokës dhe, kur i vdiq e shoqja, Sara, bëri pazar me hititin Efron, birin e Zoharit, për të blerë një shpellë ku ta varroste.—Zn 23:1-20.
Lexojmë se në ditët e Josiut, hititët jetonin në një zonë që shtrihej «nga shkretëtira dhe nga Libani deri në lumin e madh, që është lumi Eufrat, domethënë tërë vendi i hititëve». (Js 1:4) Me sa duket, jetonin kryesisht në rajonet malore, ku përfshihej Libani e ndoshta edhe disa vise të Sirisë.—Nu 13:29; Js 11:3.
Nën mallkimin e Noesë. Meqë e kishin prejardhjen nga Kanaani, edhe hititët u gjendën nën mallkimin që shpalli Noeja kundër Kanaanit. Gjunjëzimi i tyre nga Izraeli ishte një përmbushje e fjalëve të Noesë te Zanafilla 9:25-27. Feja e hititëve ishte pagane, pa dyshim një adhurim i falusit (domethënë i simbolit të organit mashkullor), siç ishin edhe fetë e tjera të Kanaanit. Kur nipi i Abrahamit, Esau, u martua me gra hitite, kjo u bë «burim hidhërimi për Isakun dhe Rebekën», prindërit e Esaut.—Zn 26:34, 35; 27:46.
Perëndia e përshkroi vendin ku jetonin hititët dhe kombe të tjera fqinje si «një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë». (Da 3:8) Por ato kombe ishin korruptuar aq shumë, sa prania e tyre e ndotte vendin. (Le 18:25, 27) Perëndia e paralajmëroi sa e sa herë Izraelin për rrezikun e pjesëmarrjes në praktikat e tyre të degjeneruara e të fëlliqura. Pasi renditi shumë praktika imorale dhe ua ndaloi izraelitëve të përfshiheshin në to, ai tha: «Mos u ndotni me asnjë nga këto gjëra, sepse me tërë këto janë ndotur kombet [përfshirë edhe hititët] që po përzë para jush.»—Le 18:1-30.
Shfarosje e shpallur. Hititët ishin një nga shtatë kombet për të cilat u tha se do të shfaroseshin. Ato u përshkruan si kombe «më të mëdha e më të fuqishme» se Izraeli. Kështu, në atë kohë, shtatë kombet duhej të kishin më shumë se tre milionë banorë dhe hititët duhej të ishin një armik i tmerrshëm në fortesën e tyre malore. (Lp 7:1, 2) Ata e shfaqën armiqësinë kur u bashkuan me kombet e tjera të Kanaanit për të luftuar Izraelin (i udhëhequr nga Josiu), pasi morën vesh se Izraeli kishte kaluar Jordanin dhe kishte shkatërruar qytetet e Jerikosë dhe të Ait. (Js 9:1, 2; 24:11) Prandaj, qytetet e hititëve duheshin shkatërruar dhe banorët e tyre duheshin fshirë nga vendi, që të mos vinin në rrezik besnikërinë e Izraelit ndaj Perëndisë dhe ta bënin të humbte miratimin e Tij. (Lp 20:16-18) Mirëpo Izraeli nuk e çoi plotësisht në vend urdhrin e Perëndisë. Pas vdekjes së Josiut, izraelitët u treguan të pabindur dhe nuk i dëbuan ato kombe, që u mbetën si gjemb në ijë dhe u binin në qafë vazhdimisht.—Nu 33:55, 56.
Historia e mëvonshme. Meqë Izraeli nuk iu bind dhe nuk i shfarosi plotësisht kombet kananite, Perëndia deklaroi: «Prandaj thashë: ‘Nuk do t’i përzë. Përkundrazi, ata do të bëhen lak për ju dhe perënditë e tyre do të shërbejnë si karrem.’» (Gjy 2:3) Siç duket, kananitët që mbetën mes Izraelit toleroheshin dhe, në raste të rralla, viheshin në pozita të respektuara e me përgjegjësi. Veç kësaj, nga tërë kombet kananite, me sa duket vetëm hititët mbetën një komb i rëndësishëm e i fuqishëm.—1Mb 10:29; 2Mb 7:6.
Dy hititë, Ahimeleku dhe Uriahu, shërbenin në ushtrinë e Davidit, ndoshta si oficerë. Uriahu luftonte me zjarr që Izraeli të fitonte kundër armiqve dhe e zbatonte Ligjin. Pasi kreu marrëdhënie me të shoqen e Uriahut, Betshebën, Davidi urdhëroi që ta vinin Uriahun në një vend të rrezikshëm të frontit të betejës, ku u vra. Perëndia e ndëshkoi Davidin për këtë.—1Sa 26:6; 2Sa 11:3, 4, 11, 15-17; 12:9-12.
Mbreti Solomon rekrutonte burra hititë për të punuar si skllevër. (2Kr 8:7, 8) Gjithsesi, bashkëshortet e huaja, disa prej të cilave hitite, e larguan Solomonin nga Jehovai, Perëndia i tij. (1Mb 11:1-6) Deri në kohën e mbretërimit të Jehoramit në Izrael (rr. 917-905 p.e.s.), hititët përmenden në Bibël për mbretërit e tyre dhe për fuqinë ushtarake. (2Mb 7:6) Por, pasi Siria, Asiria dhe Babilonia pushtuan vendin, fuqia hitite me sa duket u dërrmua.
Pas kthimit nga mërgimi në vitin 537 p.e.s., burrat e Izraelit, madje edhe disa priftërinj e levitë, u martuan me gra nga kombet kananite dhe u dhanë bijat e tyre kananitëve, ndër ta edhe hititëve. Kjo ishte shkelje e ligjit të Perëndisë. Ezdra i qortoi për këtë dhe i nxiti të bënin një marrëveshje për të larguar gratë e huaja.—Ezd 9:1, 2; 10:14, 16-19, 44.
Përdorimi i figurshëm. Nëpërmjet profetit Ezekiel, Jehovai e përdori termin «hitit» në kuptim të figurshëm, kur iu drejtua Jerusalemit me këto fjalë: «Rrënjët ti i ke në vendin e Kanaanit dhe atje ke lindur. Babai yt ishte amorit, kurse nëna hitite.» (Ezk 16:3) Kur izraelitët hynë në vendin e Kanaanit, Jerusalemi, kryeqyteti i kombit, ku Jehovai zgjodhi të thirrej emri i tij, banohej nga jebusitët. Por, meqë amoritët dhe hititët ishin fiset më të shquara, emrat e tyre me sa duket u përdorën si emra përgjithësues për kombet e Kanaanit, përfshirë edhe jebusitët. Pra, Jerusalemi ishte një qytet i thjeshtë për nga origjina, por u zbukurua falë Jehovait. Nëpërmjet mbretit David që ulej në «fronin e Jehovait» (1Kr 29:23), arkës së besëlidhjes që ndodhej në malin e Sionit dhe, në fund, nëpërmjet tempullit të lavdishëm që ndërtoi biri i Davidit, Solomoni, fama e Jerusalemit mori dhenë mes kombeve. Mirëpo Jerusalemi u bë si kombet kananite përqark tij, i korruptuar dhe imoral, prandaj Jehovai përfundimisht e shkretoi.—Ezk 16:14, 15.
Orvatje për t’i identifikuar në historinë jobiblike. Historianët dhe arkeologët janë përpjekur të gjejnë se me cilët përkojnë në historinë jobiblike hititët e Biblës. Baza kryesore për këtë identifikim ka qenë aspekti gjuhësor, krahasimi i fjalëve që ngjasojnë në tingëllim ose ortografi.
Në dokumentet asiriane me shkrim kuneiform, përmendet shpeshherë «Hati» në një kontekst që zakonisht lë të kuptohet se ishte një vend në Siri ose Palestinë. Në këto raste ndoshta bëhet fjalë për hititët e Biblës. Megjithatë, duke u nisur nga termi «Hati», studiuesit përpiqen t’i lidhin hititët e Biblës me të ashtuquajturën Perandori Hitite, që e kishte kryeqytetin në Azinë e Vogël, shumë më në veri dhe perëndim të Kanaanit. Më poshtë tregohet se si përpiqen ta bëjnë këtë. Por duhet vërejtur se këta studiues i lidhin hititët e Biblës me tri grupe të ndryshme.
«Identifikohen» tri grupe. Në Anadoll (një pjesë e të cilit ndodhet në Turqinë e sotme) të Azisë së Vogël, janë zbuluar shumë dokumente të lashta në Bogazkoj, që dikur quhej «Hatushash». Ai ishte kryeqyteti i një vendi që studiuesit e sotëm e kanë quajtur Hati, banorët e të cilit flitnin gjuhën «hatike». Atë popull të lashtë me sa duket e shtypën pushtues që sollën një gjuhë tjetër, e cila, sipas studiuesve, ishte një gjuhë indoevropiane. Shkruhej me shkrimin kuneiform dhe është quajtur «hititja kuneiforme». Më vonë, asaj gjuhe me shkrim kuneiform ia zuri vendin një tjetër gjuhë indoevropiane që përdorte shkrimin hieroglif dhe që njihet si «hititja me hieroglife». Thuhet se qoftë në Azinë e Vogël, qoftë në Siri janë gjetur dokumente të shkruara në atë gjuhë. Sipas studiuesve, këto tri gjuhë paraqitin tri grupe të ndryshme. Megjithatë, nuk ka asnjë provë që ndonjëri prej atyre grupeve të ishin hititët e Biblës. Për gjuhën e ashtuquajtur hititja kuneiforme, Martin Nothi tha: «Termi ‘hitite’ nuk gjendet në dokumentet e moçme, por e sajuan disa studiues të sotëm, duke u nisur nga lidhja historike mes asaj gjuhe dhe mbretërisë së Hatit në Azinë e Vogël.» Pastaj, për «hititen me hieroglife» tha: «Në këtë rast, termi tradicional hitit nuk ka lidhje dhe ky përdorim i tij krijon pështjellim.» (The Old Testament World, 1966, f. 231) Një historian tjetër, E. A. Spaiseri, nxjerr këtë përfundim: «Problemi i hititëve të Biblës është . . . i ndërlikuar. Para së gjithash, ngrihet çështja se për cilët hititë bëhet fjalë në fragmente të ndryshme biblike: për hatianët, hititët indoevropianë të dokumenteve kuneiforme apo hititët e hieroglifeve.»—The World History of the Jewish People, 1964, vëll. 1, f. 160.
Nga sa u tha më sipër, kuptohet se çdo lidhje e supozuar e hititëve të Biblës me «Perandorinë Hitite» që kishte kryeqytet Hatushashin, është thjesht hamendje dhe nuk mbështetet në prova. Për shkak të kësaj pasigurie, zakonisht në këtë botim përdoren thonjëzat kur përmenden «hititët» e historisë jobiblike, për ta kujtuar lexuesin se nuk ka prova bindëse për identifikimin e tyre dhe se mendojmë që dëshmitë nuk janë aq të forta, sa ky identifikim të konsiderohet përfundimtar.