SINAI
1. Mal në «Arabi» (jo Arabia e sotme) (Ga 4:25) që me sa duket quhej edhe Horeb. (Krahaso Da 3:1, 12; 19:1, 2, 10, 11; shih HOREBI.) Afër malit të Sinait, izraelitët dhe një turmë e madhe e përzier njerëzish, me shumë bagëti, fushuan për gati një vit. (Da 12:37, 38; 19:1; Nu 10:11, 12) Në zonën përreth malit të Sinait jo vetëm që kishte vend për një kamp aq të madh, mbase me mbi tre milionë njerëz, por edhe mjaft ujë e kullota për kafshët shtëpiake. Nga mali zbriste të paktën një përrua. (Lp 9:21) Me sa duket, rrëzë Sinait kishte një zonë aq të madhe sa izraelitët mund të mblidheshin e të shihnin dukuritë që ndodhnin në majë të malit. Madje mund të tërhiqeshin dhe të qëndronin në njëfarë largësie. Maja e malit shihej edhe nga kampi.—Da 19:17, 18; 20:18; 24:17; krahaso Lp 5:30.
Vendndodhja. Nuk dihet me saktësi ku ndodhej mali Sinai ose Horeb. Tradita e lidh me një kreshtë graniti të kuq në qendër të pjesës jugore të gadishullit Sinai, ndërmjet dy mëngëve veriore të Detit të Kuq. Kjo kreshtë shtrihet rreth 3 km nga veriperëndimi në juglindje dhe ka dy maja, Ras-Safsafën dhe Jebel-Musain. Zona ku ndodhet kjo kreshtë, ujitet mirë nga disa rrjedha uji. Përballë majës veriore (Ras-Safsafës) gjendet rrafshina e Er Rahës, rreth 3 km e gjatë dhe afro 1 km e gjerë.—FIGURA, vëll. 1, f. 540 në botimin anglisht.
Në bazë të vëzhgimeve që kreu atje në shekullin e 19-të, A. P. Stenli shkruan: «Ekzistenca e një rrafshine përballë këtij shkëmbi përkon në mënyrë kaq mbresëlënëse me tregimin e shenjtë, sa është në vetvete një provë e fortë jo thjesht që kjo ishte vendngjarja, por edhe që përshkrimin e bëri një dëshmitar okular.» Për zbritjen e Moisiut dhe Josiut nga mali Sinai, ai thotë: «Kushdo që zbriste nga një prej baseneve të veçuara prapa Ras-Sa[f]safehut, përmes grykave anash malit nga veriu e jugu, do të dëgjonte mes heshtjes zhurmat që vinin nga rrafshina, por nuk do ta shihte rrafshinën derisa të dilte nga Vadi-el-Deiri ose Vadi-Leja; atëherë do të gjendej menjëherë nën shkëmbin e thiktë të Sa[f]safehut.» Më tej Stenli vëren se edhe fakti që Moisiu hodhi pluhurin e viçit të artë në «përroin që zbriste nga mali» (Lp 9:21) përkon me zonën, dhe thotë: «Kjo do të ishte plotësisht e mundur në Vadi-er-Raheh, ku përfundon edhe rrëkeja e Vadi-Lejës, që vërtet zbret nga mali Shën Katerina, por prapëseprapë është aq afër me Gebel-Mousain [Jebel-Musain] sa të përligjë shprehjen ‘që zbriste nga mali’.»—Sinai and Palestine, 1885, f. 107-109.
Sipas traditës, mali Sinai mund të ishte maja më e lartë jugore (Jebel-Musai, që do të thotë «mali i Moisiut»). Megjithatë, studiues të shumtë pajtohen me pikëpamjen e Stenlit se ka më tepër të ngjarë të ishte maja veriore, Ras-Safsafa, meqë përballë Jebel-Musait nuk ka ndonjë rrafshinë të gjerë.
Ngjarjet. Afër malit Sinai ose Horeb, engjëlli i Jehovait iu shfaq Moisiut në një kaçubë që e kishte përfshirë zjarri dhe e ngarkoi të nxirrte nga Egjipti izraelitët e skllavëruar. (Da 3:1-10; Ve 7:30) Ka të ngjarë që kombi i liruar të ketë mbërritur në malin Sinai rreth një vit më vonë. (Da 19:2) Moisiu u ngjit në mal, me siguri për të marrë udhëzime të tjera nga Jehovai, meqë te kaçuba engjëlli i kishte treguar se ‘do t’i shërbenin Perëndisë së vërtetë në këtë mal’.—Da 3:12; 19:3.
Jehovai e urdhëroi Moisiun t’i thoshte popullit se, po t’i bindeshin pikë për pikë fjalës së Tij dhe të mbanin besëlidhjen e Tij, do të bëheshin një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. (Da 19:5, 6) Pleqtë, si përfaqësues të mbarë kombit, ishin dakord. Pastaj Jehovai e udhëzoi Moisiun të shenjtëronte popullin që të dilnin para tij ditën e tretë. Rreth e qark malit u vendosën caqe, sepse kushdo që do ta prekte, njeri a kafshë, do të vdiste.—Da 19:10-15.
Mëngjesin e ditës së tretë «pati bubullima dhe rrufe, në mal u pa një re e dendur dhe u dëgjua një tingull briri shumë i fortë». Populli në kamp dridhej. Atëherë Moisiu e çoi popullin nga kampi rrëzë malit që të dilte para Perëndisë së vërtetë. Mali i Sinait lëkundej dhe nxirrte tym gjithandej. (Da 19:16-19; Ps 68:8) Me ftesë të Perëndisë, Moisiu u ngjit në mal dhe mori përsëri udhëzimin ta paralajmëronte popullin të mos përpiqej të ngjitej. Madje as «priftërinjtë» (jo levitët, por me sa duket meshkujt izraelitë që, ashtu si patriarkët, kryenin funksionin e priftit për familjet e tyre sipas zakonit dhe të drejtës natyrore) nuk mund t’i kapërcenin caqet.—Da 19:20-24.
Pasi Moisiu zbriti nga mali Sinai, izraelitët dëgjuan «Dhjetë Fjalët» nga mesi i zjarrit dhe nga reja. (Da 19:19–20:18; Lp 5:6-22) Jehovai u foli me anë të një përfaqësuesi engjëllor, siç shihet qartë nga Veprat 7:38, Hebrenjve 2:2 dhe Galatasve 3:19. Të trembur nga shfaqja madhështore e vetëtimave dhe e tymit, si dhe nga tingulli i bririt e bubullimat, izraelitët kërkuan përmes përfaqësuesve të tyre që Perëndia të mos fliste më me ta në atë mënyrë, por t’u fliste nëpërmjet Moisiut. Atëherë Jehovai e udhëzoi Moisiun që t’u thoshte të ktheheshin në tendat e tyre. Shfaqja në malin Sinai kishte si qëllim t’u nguliste izraelitëve një frikë të shëndoshë nga Perëndia, që të vazhdonin të zbatonin urdhërimet e tij. (Da 20:19, 20; Lp 5:23-30) Paskëtaj, ndoshta i shoqëruar nga Aaroni (krahaso Da 19:24), Moisiu iu afrua reve të errëta në malin Sinai që të dëgjonte urdhërime dhe vendime të tjera gjyqësore të Jehovait.—Da 20:21; 21:1.
Kur zbriti nga mali, Moisiu i tregoi popullit fjalët e Jehovait, dhe ata shprehën përsëri gatishmërinë për t’u bindur. Pastaj, Moisiu i shkroi fjalët e Perëndisë dhe të nesërmen, herët në mëngjes, ndërtoi rrëzë malit një altar e ngriti 12 shtylla. Paraqitën flijime të djegura dhe flijime në bashkësi, dhe me gjakun e flive u përurua besëlidhja e Ligjit.—Da 24:3-8; He 9:16-22.
Tani që kishin bërë një besëlidhje me Jehovain, izraelitët mund t’i afroheshin malit Sinai nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Moisiu, Aaroni, Nadabi, Abihu dhe 70 pleq të Izraelit iu afruan malit dhe panë një vegim madhështor të lavdisë së Perëndisë. (Da 24:9-11) Më pas Moisiu, i shoqëruar nga Josiu, u ngjit në mal, këtë herë për të marrë urdhërime të tjera dhe pllakat e gurit me «Dhjetë Fjalët». Mirëpo, Moisiu u ftua të hynte në re vetëm ditën e shtatë. Duket se Josiu vazhdoi ta priste Moisiun në mal, në një vend ku nuk mund të shihte e as të dëgjonte ç’ndodhte në kampin izraelit. (Da 24:12-18) Megjithatë, nuk thuhet nëse edhe Josiu, ashtu si Moisiu, nuk hëngri e piu për 40 ditë. Në fund të asaj periudhe, teksa zbritnin nga mali Sinai, Moisiu dhe Josiu dëgjuan një këngë të hareshme në kampin izraelit. Që nga rrëza e malit Sinai, Moisiu pa viçin e artë dhe festimet. I hodhi menjëherë dy pllakat e gurit dhe i copëtoi rrëzë malit.—Da 32:15-19; He 12:18-21.
Më vonë, Moisiu mori udhëzime të bënte dy pllaka guri si ato që kishte copëtuar dhe të ngjitej përsëri në malin Sinai, që në to të shkruheshin «Dhjetë Fjalët». (Da 34:1-3; Lp 10:1-4) Ai kaloi në mal edhe 40 ditë të tjera pa ngrënë e pa pirë. Këtë, pa dyshim, e arriti falë mbështetjes së Perëndisë.—Da 34:28; me sa duket është e njëjta periudhë 40-ditore që përmendet te Lp 9:18; krahaso Da 34:4, 5, 8; Lp 10:10.
Pasi u ngrit tabernakulli, tenda e takimit, dhe nisi ta mbulonte reja, Perëndia nuk komunikonte më drejtpërdrejt nga mali Sinai, por nga tenda e takimit që ishte afër tij.—Da 40:34, 35; Le 1:1; 25:1; Nu 1:1; 9:1.
Shekuj më vonë, profeti Elija udhëtoi për në Horeb ose Sinai, «në malin e Perëndisë së vërtetë».—1Mb 19:8.
2. Emri ‘Sinai’ tregon edhe shkretëtirën ngjitur me malin që mban të njëjtin emër. (Le 7:38) Kufijtë gjeografikë të shkretëtirës së Sinait nuk mund të përcaktohen me saktësi nga përshkrimi që bën Bibla. Me sa duket, gjendej afër Refidimit. (Da 19:2; krahaso Da 17:1-6.) Jetroi, vjehrri i Moisiut, çoi në shkretëtirën e Sinait të shoqen e Moisiut, Ziporën, dhe dy bijtë, Gershomin e Eliezerin, që të bashkoheshin me të. (Da 18:1-7) Ngjarje të tjera të rëndësishme që ndodhën në shkretëtirën e Sinait ishin: Izraeli u dha pas adhurimit të viçit në mungesë të Moisiut (Da 32:1-8), u ekzekutuan 3.000 burra që pa dyshim kishin luajtur rol të rëndësishëm në adhurimin e viçit (Da 32:26-28), izraelitët e shfaqën pendimin duke hequr zbukurimet (Da 33:6), u ndërtua tabernakulli e pajisjet e tij, dhe u bënë veshjet priftërore (Da 36:8–39:43), u emërua priftëria dhe filloi shërbimi i tyre në tabernakull (Le 8:4–9:24; Nu 28:6), një zjarr nga Jehovai goditi Nadabin dhe Abihun, bijtë e Aaronit, ngaqë paraqitën zjarr të palejueshëm (Le 10:1-3), u bë regjistrimi i parë për ushtri i meshkujve izraelitë (Nu 1:1-3) dhe për herë të parë u kremtua Pashka jashtë Egjiptit (Nu 9:1-5).