JEHONADABI
[Jehovai është i gatshëm (fisnik; bujar)], Jonadabi [formë e shkurtuar e emrit Jehonadab].
Në tekstin hebraik për secilin nga dy individët që mbanin këtë emër përdoret herë njëra formë, herë tjetra.
1. Nip i Davidit; bir i vëllait të tij, Shimeahut. Jehonadabi ishte «njeri shumë i mençur», por edhe dinak e mendjehollë. Ai e nxiti Amnonin, birin e Davidit, t’i hapej për pasionin që kishte për gjysmëmotrën e vet, Tamarën, dhe pastaj i propozoi planin falë të cilit Amnoni arriti ta përdhunonte. Pasi Absalomi, vëlla i një gjaku me Tamarën, u hakmor duke e vrarë Amnonin, Davidit i thanë se ai kishte vrarë të gjithë bijtë e mbretit, por Jehonadabi ishte atje për ta siguruar se kishte vdekur vetëm Amnoni. (2Sa 13:3-5, 14, 22, 28-33) Ndoshta ishte «Jonatani» që përmendet te 2 Samuelit 21:21 dhe 1 Kronikave 20:7.
2. Bir i Rekabit; shok i mbretit Jehu. Takimi i Jehonadabit me Jehun nuk ishte i rastësishëm, sepse vetë ai po «vinte drejt tij», e kështu mori bekimin e Jehut. Ngjarjet që pasuan, treguan se Jehonadabi e miratonte plotësisht vendosmërinë e Jehut për të shfarosur adhurimin e Baalit nga Izraeli. Për çdo gjë që thoshte Jehu, Jehonadabi tregonte menjëherë se ishte gati. «A je me gjithë zemër me mua?»—pyeti Jehu. Ai u përgjigj: «Po, jam.» «Jepma dorën»,—i tha Jehu, dhe Jehonadabi ia dha. Si hipi në karrocë, Jehu i tha: «Eja me mua dhe shiko që unë nuk lejoj asgjë që të matet me Jehovain», dhe Jehonadabi u tregua përsëri i gatshëm. Në fund, kur mbërritën në Samari dhe atje ishin mbledhur të gjithë adhuruesit e Baalit, Jehonadabi nuk u kthye pas, por shkoi me Jehun në shtëpinë e Baalit dhe qëndroi përkrah tij gjatë masakrës që u bë më pas. Në të njëjtën kohë, Jehu pati besim të plotë te Jehonadabi.—2Mb 10:15-28.
Rreth 300 vjet më vonë, Jeremia, i drejtuar nga Jehovai, i përmendi pasardhësit e Jehonadabit, rekabitët, si shembull besnikërie ndaj urdhrave të paraardhësit të tyre, në kontrast me mosbindjen e popullit të Judës dhe të Jerusalemit ndaj Perëndisë. Jehonadabi i kishte urdhëruar rekabitët të jetonin në tenda, të mos mbillnin as farë e as vreshta dhe të mos pinin verë. Kur Nehemia u ofroi verë, ata nuk e pranuan duke thënë se kështu i kish urdhëruar paraardhësi i tyre, Jehonadabi. Për besnikërinë që treguan, Jehovai premtoi: «Jonadabit, birit të Rekabit, nuk do t’i mungojë kurrë ndokush që të më shërbejë.»—Jr 35:1-19.