Lexuesit pyesin
Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk shkojnë në luftë?
Kudo që jetojnë, Dëshmitarët e Jehovait njihen prej kohësh se nuk përfshihen në luftërat e përgjakshme mes kombeve ose mes palëve ndërluftuese brenda një kombi. Rreth 50 vjet më parë, në një enciklopedi thuhej: «Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë plotësisht asnjanës në kohë lufte.» (Australian Encyclopædia)
Një arsye e rëndësishme pse Dëshmitarët nuk marrin pjesë në luftë është se përfshirja në këto konflikte do të cenonte ndërgjegjen e tyre të krishterë. Ndërgjegjja e tyre është brumosur sipas urdhërimeve dhe shembullit të Zotërisë Jezu Krisht. Ai i urdhëroi dishepujt ta duan të afërmin. Gjithashtu urdhëroi: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj, t’u bëni mirë atyre që ju urrejnë.» (Luka 6:27; Mateu 22:39) Kur një nga dishepujt u përpoq ta mbronte me shpatë, Jezui i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mateu 26:52) Kështu, me fjalët dhe me shembullin e tij, Jezui tregoi qartë se dishepujt e tij nuk duhet të marrin armët dhe të përfshihen në luftë.
Një arsye tjetër pse Dëshmitarët e Jehovait nuk shkojnë në luftë është sepse bëjnë pjesë në një vëllazëri mbarëbotërore me besimtarë. Lufta do t’i vinte në konflikt mes tyre, dhe kjo do të binte në kundërshtim me urdhrin e Jezuit që ‘të kenë dashuri për njëri-tjetrin’.—Gjoni 13:35.
Parimet e mësipërme që nxitin dashurinë nuk janë thjesht teori për Dëshmitarët e Jehovait. Të shqyrtojmë për shembull, qëndrimin e tyre gjatë Luftës II Botërore të viteve 1939-1945. Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 4.300 Dëshmitarë të Jehovait i burgosën nëpër burgje federale, ngaqë nuk pranuan të kryenin shërbimin ushtarak. Në Britani, u burgosën më shumë se 1.500 Dëshmitarë, ku përfshiheshin mbi 300 gra, sepse nuk pranuan të kryenin shërbime që lidheshin me luftën. Në Gjermaninë naziste, më tepër se 270 Dëshmitarë u ekzekutuan me urdhër të shtetit pasi refuzuan të luftonin. Nën regjimin nazist, më shumë se 10.000 Dëshmitarë u burgosën në burgje ose në kampe përqendrimi. Edhe Dëshmitarët në Japoni vuajtën në mënyrë të tmerrshme. Të gjithë ata që u kanë vdekur të afërmit e tyre të dashur në fushat e betejës të Luftës II Botërore—a në çfarëdo lufte që vijoi më pas—mund të jenë të sigurt se as edhe një Dëshmitar i Jehovait nuk ishte përgjegjës për këto vdekje.
Pikëpamja që kanë Dëshmitarët e Jehovait për luftën shprehet fuqishëm në fjalët e fundit të Volfgang Kuserovit. Në vitin 1942, nazistët i prenë kokën këtij gjermani 20-vjeçar, sepse nuk pranoi të shkonte në luftë. (Isaia 2:4) Ai tha para gjykatës ushtarake: «Jam rritur si Dëshmitar i Jehovait sipas urdhërimeve të Perëndisë që ndodhen në Shkrimet e Shenjta. Ligji më i madh e më i shenjtë që i dha ai njerëzimit është: ‘Duhet ta duash Perëndinë tënd mbi çdo gjë tjetër dhe të afërmin si veten.’ Urdhërime të tjera thonë: ‘Mos vrit.’ Vallë, i shkroi për pemët Krijuesi të gjitha këto fjalë?!»—Marku 12:29-31; Dalja 20:13.
Dëshmitarët e Jehovait besojnë se vetëm Jehovai, Perëndia i plotfuqishëm, do të sjellë paqe të përhershme në tokë. Ata presin që ai të përmbushë premtimin se ‘do t’i pushojë luftërat deri në skaj të dheut’.—Psalmi 46:9.