BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 maj f. 14-19
  • Kërko me ngulm qytetin e qëndrueshëm

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kërko me ngulm qytetin e qëndrueshëm
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • KI BESIM TEK AI QË S’DO TË TË BRAKTISË KURRË
  • BINDJU ATYRE QË MARRIN DREJTIMIN
  • TREGO DASHURI VËLLAZËRORE DHE MIKPRITJE
  • Ç’NA PRET NË TË ARDHMEN
  • Një letër për të qëndruar besnikë deri në fund
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Është gjë e mirë t’i afrohemi njëri-tjetrit!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 maj f. 14-19

ARTIKULLI I STUDIMIT 21

KËNGA 21 Kërkoni në radhë të parë Mbretërinë

Kërko me ngulm qytetin e qëndrueshëm

«Po kërkojmë me ngulm qytetin që do të vijë.»—HEBR. 13:14.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shqyrtojmë dobitë që mund të nxjerrim sot dhe në të ardhmen nga kapitulli 13 i Hebrenjve.

1. Çfarë paratha Jezui për Jerusalemin e shekullit të parë?

PAK ditë para se të vdiste, Jezu Krishti tha një profeci të detajuar që u përmbush për herë të parë gjatë ditëve të fundit të sistemit judaik. Ai paralajmëroi se do të vinte dita kur qytetin e Jerusalemit ‘do ta rrethonin ushtritë që do të ngrinin kampin përreth’. (Luka 21:20) Jezui i urdhëroi dishepujt e tij të iknin menjëherë sapo t’i shihnin ato forca ushtarake, që doli se ishin forcat romake.—Luka 21:21, 22.

2. Çfarë nxitjeje u dha apostulli Pavël të krishterëve në Jude dhe në Jerusalem?

2 Vetëm pak vite para se Jerusalemin ta rrethonte ushtria romake, apostulli Pavël shkroi letrën e fuqishme që sot e njohim si libri i Hebrenjve. Në të, ai u dha të krishterëve në Jude dhe në Jerusalem udhëzime jetike që do t’i ndihmonin të përgatiteshin për çka do të ndodhte. Çfarë do të ndodhte konkretisht? Jerusalemi do të shkatërrohej. Nëse donin të shpëtonin gjallë, të krishterët duhej të ishin gati të linin shtëpitë dhe bizneset. Pavli shkroi për Jerusalemin: «Ne nuk kemi këtu një qytet të qëndrueshëm.» Pastaj shtoi: «Por po kërkojmë me ngulm qytetin që do të vijë.»—Hebr. 13:14.

3. Çfarë është ‘qyteti që ka themele të vërteta’, dhe pse e kërkojmë me ngulm?

3 Të krishterët që vendosën të iknin nga Jerusalemi dhe Judea, ka shumë të ngjarë që i tallën dhe i përqeshën, ama ai vendim u shpëtoi kokën. Edhe ne sot na vënë në lojë, ngaqë nuk i varim shpresat te njerëzit e as kërkojmë siguri financiare e një jetë të rehatshme në këtë botë. Pse e kemi bërë këtë zgjedhje? Sepse jemi të vetëdijshëm se ky sistem është i përkohshëm. Ne po kërkojmë me ngulm «qytetin që ka themele të vërteta», pra «qytetin që do të vijë», Mbretërinë e Perëndisë.a (Hebr. 11:10; Mat. 6:33) Në secilin nëntitull të këtij artikulli do të shqyrtojmë: (1) si i ndihmoi letra e frymëzuar e Pavlit të krishterët e shekullit të parë të vazhdonin të kërkonin ‘qytetin që do të vinte’, (2) si i përgatiti Pavli për ngjarjet e së ardhmes dhe (3) si na ndihmon letra e tij edhe ne sot.

KI BESIM TEK AI QË S’DO TË TË BRAKTISË KURRË

4. Pse Jerusalemi ishte i rëndësishëm për të krishterët?

4 Jerusalemi ishte një qytet i rëndësishëm për të krishterët. Atje u formua kongregacioni i parë i krishterë në vitin 33 të e.s. dhe ishte edhe trupi udhëheqës. Veç kësaj, shumë të krishterë kishin shtëpitë e tyre në Jerusalem dhe kishin grumbulluar mjaft të mira materiale. Gjithsesi, Jezui i paralajmëroi dishepujt se duhej të iknin nga Jerusalemi, e madje edhe nga Judea.—Mat. 24:16.

5. Si i përgatiti Pavli bashkadhuruesit për atë që do të ndodhte?

5 Që t’i përgatiste bashkadhuruesit për atë që po vinte, Pavli i ndihmoi të mbanin parasysh pikëpamjen e Jehovait për qytetin e Jerusalemit. Pavli u kujtoi se në sytë e Jehovait as tempulli, as priftëria e as flijimet që paraqiteshin në Jerusalem, nuk ishin më të shenjta. (Hebr. 8:13) Gjithashtu, shumica e banorëve të qytetit e kishin hedhur poshtë Mesinë. Pra, tempulli i Jerusalemit nuk ishte më qendra e adhurimit të pastër të Jehovait dhe do të shkatërrohej.—Luka 13:34, 35.

6. Pse ajo që u tha Pavli të krishterëve te Hebrenjve 13:5, 6, ishte fiks në kohën e duhur?

6 Kur Pavli u shkroi hebrenjve, Jerusalemi ishte një qytet i begatë. Një shkrimtar romak i asaj periudhe e quajti Jerusalemin «qytetin më të famshëm ndër gjithë qytetet e Lindjes». Judenjtë nga shumë vende shkonin atje çdo vit për të kremtuar festat, e kjo ndihmonte që ekonomia të lulëzonte. Patjetër që edhe disa të krishterë nxorën dobi nga situata e favorshme ekonomike. Ndoshta kjo ishte arsyeja pse Pavli i këshilloi: «Jetesa juaj të jetë pa lakmi për pará! Jini të kënaqur me atë që keni.» Pastaj citoi një premtim të fuqishëm që gjendet në Shkrime, një garanci nga Jehovai për çdo adhurues të tij: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Lexo Hebrenjve 13:5, 6; Ligj. 31:6; Psal. 118:6) Të krishterët në Jerusalem dhe në Jude duhej ta mbanin mend këtë garanci. Pse? Sepse pak pasi të merrnin letrën do të ishin të detyruar të linin shtëpitë, bizneset dhe shumicën e zotërimeve. E pastaj i pritnin edhe vështirësi të tjera.

7. Pse duhet ta forcojmë tani besimin te Jehovai?

7 Mësimi për ne: Çfarë presim së shpejti? ‘Shtrëngimin e madh’ dhe fundin e këtij sistemi. (Mat. 24:21) Ashtu si të krishterët e shekullit të parë, edhe ne duhet të rrimë zgjuar e të jemi gati. (Luka 21:34-36) Gjatë shtrëngimit të madh mund të na duhet të lëmë disa ose të gjitha gjërat që zotërojmë, me besim të patundur se Jehovai s’do t’i braktisë kurrë adhuruesit e tij. Megjithatë kemi mundësi ta tregojmë që sot sa i fortë është besimi ynë te Jehovai, pa nisur shtrëngimi i madh. Pyet veten: «A tregojnë veprimet dhe synimet e mia se nuk kam besim te pasuria, por te Perëndia që premton se do të kujdeset për mua?» (1 Tim. 6:17) Natyrisht, edhe pse mund të mësojmë nga ajo që ndodhi në shekullin e parë, ‘shtrëngimi i madh’ që presim, do të jetë i paprecedent. Ndaj, si do ta dimë se çfarë duhet të bëjmë saktësisht kur të nisë shtrëngimi i madh?

BINDJU ATYRE QË MARRIN DREJTIMIN

8. Cilin udhëzim u dha Jezui dishepujve?

8 Pak vite pasi morën letrën që u shkroi Pavli, të krishterët hebrenj panë se ushtria romake rrethoi qytetin e Jerusalemit. Kjo i sinjalizoi se ishte koha të iknin; Jerusalemi do të shkatërrohej. (Mat. 24:3; Luka 21:20, 24) Po ku duhej të shkonin? Jezui kishte thënë thjesht: «Ata që janë në Jude, të fillojnë të ikin me të shpejtë në male.» (Luka 21:21) Në atë rajon kishte shumë male, ndaj nga ta dinin ku të shkonin?

9. Pse mund të jenë hamendur të krishterët se në cilat male të iknin? (Shih edhe hartën.)

9 Cilat ishin disa nga malet ku mund të shkonin të krishterët? Malet e Samarisë, malet e Galilesë, mali i Hermonit, malet e Libanit dhe malet matanë lumit Jordan. (Shih hartën.) Disa prej qyteteve në këto rajone malore mund të dukeshin vende mjaft të sigurta. Për shembull, qyteti i Gamlës ishte ndërtuar në kreshtat e një mali të lartë, ku ishte e vështirë të shkonin armiqtë. Disa judenj e panë atë qytet si vend ideal për t’u strehuar. Mirëpo, Gamla u bë fushëbeteja e një lufte gjakatare mes judenjve dhe romakëve, dhe shumë banorë të qytetit vdiqën.b

Një hartë ku tregohen disa nga malet dhe qytetet e Izraelit në shekullin e parë. Në veri të Jerusalemit janë malet e Libanit, të Galilesë, të Samarisë dhe të Galadit, si edhe mali Hermon e mali Tabor. Qytetet në veri të Jerusalemit janë Gamla, Cezarea dhe Peleja. Në jug të Jerusalemit janë malet e Judesë dhe të Abarimit, si edhe qyteti i Masadës. Harta tregon edhe itineraret e fushatave ushtarake romake dhe zonat që humbën judenjtë në vitet 67⁠-⁠73 të e.s.

Ndonëse kishte plot male ku mund të iknin të krishterët e hershëm, doli se jo të gjitha ishin vende të sigurta (Shih paragrafin 9)


10-11. (a) Si mund t’i ketë drejtuar Jehovai të krishterët e shekullit të parë? (Hebrenjve 13:7, 17) (b) Si nxorën dobi të krishterët ngaqë iu bindën atyre që merrnin drejtimin? (Shih edhe figurën.)

10 Me sa duket Jehovai i udhëhoqi të krishterët me anë të vëllezërve që merrnin drejtimin në kongregacion. Historiani Euseb shkroi më vonë: «Nëpërmjet drejtimit hyjnor pjesëtarët e kongregacionit të Jerusalemit morën një zbulesë që iu dha burrave të miratuar; ata morën urdhrin . . . të shpërnguleshin nga qyteti para se të niste lufta dhe të vendoseshin në një qytet të Peresë që quhej Pelé.» Peleja ishte zgjedhja ideale. Meqë nuk ishte larg nga Jerusalemi, ishte një qytet ku mund të shkoje kollaj. Shumica e banorëve nuk ishin judenj dhe s’ishin të ndikuar nga fanatikët judenj që luftonin për liri, ndaj nuk luftuan me romakët.—Shih hartën.

11 Të krishterët që ikën në male i vunë veshin këshillës së Pavlit që ‘të ishin të bindur ndaj atyre që merrnin drejtimin’ në kongregacion. (Lexo Hebrenjve 13:7, 17.) Bindja u shpëtoi jetën. Historia tregon qartë se Perëndia nuk i braktisi ata që ‘pritnin qytetin që ka themele të vërteta’—Mbretërinë e Perëndisë.—Hebr. 11:10.

Një grup të krishterësh të shekullit të parë udhëtojnë me plaçka në krah përmes një rajoni malor.

Peleja nuk ndodhej shumë larg dhe ishte qytet i sigurt (Shih paragrafët 10-11)


12-13. Si e ka udhëhequr Jehovai popullin e tij në kohë kritike?

12 Mësimi për ne: Jehovai i përdor ata që marrin drejtimin për t’i siguruar popullit të vet udhëzime specifike. Shkrimet janë plot me shembuj që tregojnë se Jehovai ka përdorur burra besnikë për të udhëhequr popullin e tij në kohë kritike. (Ligj. 31:23; Psal. 77:20) Edhe në kohën tonë kemi parë dëshmi të bollshme se Jehovai po vazhdon të përdorë vëllezërit që marrin drejtimin.

13 Për shembull, kur nisi pandemia e COVID-19, ‘ata që merrnin drejtimin’ na siguruan udhëzimet e nevojshme. Pleqtë morën udhëzime si të mblidheshim së bashku që të vazhdonim të adhuronim Jehovain. Pak pas nisjes së pandemisë u mbajt një kongres historik në mbi 500 gjuhë, që u transmetua me anë të internetit, në televizion dhe në radio. Ushqimi i bollshëm besimforcues nuk u ndërpre për asnjë çast. Si rezultat, populli i Jehovait mbeti i bashkuar. Mund të jemi të bindur se çfarëdo sprove të ndeshim në të ardhmen, Jehovai do t’i ndihmojë vazhdimisht vëllezërit që marrin drejtimin të përcaktojnë cila është zgjedhja më e mençur. Pra, që të përgatitemi për shtrëngimin e madh dhe të veprojmë me mençuri gjatë asaj periudhe tronditëse, duhet të kemi besim te Jehovai e t’u bindemi urdhërimeve të tij. Por çfarë cilësish të tjera na nevojiten?

TREGO DASHURI VËLLAZËRORE DHE MIKPRITJE

14. Sipas Hebrenjve 13:1-3, çfarë cilësish duhej të shfaqnin të krishterët në ditët e fundit të sistemit judaik?

14 Kur të nisë shtrëngimi i madh, do të jetë më e nevojshme se kurrë të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin. Në atë kohë duhet të imitojmë të krishterët në Jerusalem dhe në Jude. Ata i kishin treguar gjithnjë dashuri njëri-tjetrit. (Hebr. 10:32-34) Gjithsesi, në vitet para se të merrte fund sistemi judaik, të krishterët duhej të tregonin akoma më shumë «dashuri vëllazërore» dhe ‘mikpritje’.c (Lexo Hebrenjve 13:1-3.) Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne ndërsa për këtë sistem rrahin tiktaket e fundit.

15. Pse të krishterët hebrenj duhej të tregonin dashuri vëllazërore dhe mikpritje pas ikjes për në male?

15 Kur ushtria romake rrethoi Jerusalemin dhe më pas u tërhoq papritur, të krishterët ikën duke marrë me vete vetëm pak gjëra materiale. (Mat. 24:17, 18) Atyre u duhej të mbështeteshin te njëri-tjetri tek udhëtonin për në male dhe ndërsa e nisnin gjithçka nga e para. Natyrisht, kishte plot «raste urgjente» kur të krishterët mund të tregonin dashuri vëllazërore dhe mikpritje nga zemra duke ndihmuar njëri-tjetrin e duke dhënë bujarisht atë që kishin.—Tit. 3:14.

16. Si mund t’u tregojmë dashuri bashkadhuruesve që kanë nevojë për ndihmën tonë? (Shih edhe figurën.)

16 Mësimi për ne: Dashuria na motivon t’u bëhemi krah bashkadhuruesve kur kanë nevojë për ndihmë. Për shembull, shumë veta i kanë ndihmuar me kënaqësi vëllezërit e motrat që janë bërë refugjatë për shkak të luftërave dhe të katastrofave natyrore. Ata u kanë siguruar gjërat e nevojshme dhe u kanë dhënë zemër që të vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait. Një motër ukrainase që u largua nga shtëpia për shkak të luftës, u shpreh: «Kemi ndier dorën e Jehovait teksa na drejtonte e na ndihmonte nëpërmjet vëllezërve. Ata hapën dyert e zemrës dhe na ndihmuan tej mase në Ukrainë, në Hungari dhe tani këtu në Gjermani.» Kur mirëpresim vëllezërit e motrat dhe kujdesemi për nevojat e tyre, po punojmë krah Jehovait.—Prov. 19:17; 2 Kor. 1:3, 4.

Një çift i moshuar mirëpret ngrohtësisht në shtëpi një familje refugjatësh, që kanë me vete një valixhe dhe pak çanta.

Sot vëllezërit e motrat refugjatë kanë nevojë për ne (Shih paragrafin 16)


17. Pse është jetike të zhvillojmë sot dashuri vëllazërore dhe mikpritje?

17 S’ka dyshim se në të ardhmen do të jetë shumë më e nevojshme të ndihmojmë njëri-tjetrin. (Hab. 3:16-18) Sot Jehovai po na stërvit të zhvillojmë dashuri vëllazërore dhe mikpritje, cilësi që do të jenë vërtet jetike në atë kohë.

Ç’NA PRET NË TË ARDHMEN

18. Si mund t’i imitojmë të krishterët hebrenj të shekullit të parë?

18 Historia dëshmon se të krishterët që ikën në male shpëtuan nga shkatërrimi i Jerusalemit. Ndonëse iu desh të linin pas gjithçka, Jehovai nuk i la kurrë. Ç’të themi për kohën tonë? Nuk e dimë me saktësi se si do të zhvillohen ngjarjet e së ardhmes. Megjithatë, Jezui na ka paralajmëruar që të rrimë gati. (Luka 12:40) Gjithashtu, në letrën e hebrenjve Pavli dha këshilla të cilat janë po aq të vlefshme sot sa ç’ishin në shekullin e parë. Veç kësaj, Jehovai na ka dhënë garancinë se s’do të na lërë e s’do të na braktisë kurrën e kurrës. (Hebr. 13:5, 6) Le të kërkojmë me ngulm qytetin e qëndrueshëm—Mbretërinë e Perëndisë—e të shijojmë përgjithmonë bekimet fantastike që do të sjellë!—Mat. 25:34.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse duhet ta forcojmë sot besimin te Jehovai?

  • Pse bindja do të jetë jetike gjatë ‘shtrëngimit të madh’?

  • Pse është jetike të zhvillojmë sot dashuri vëllazërore dhe mikpritje?

KËNGA 157 Paqe përgjithmonë!

a Në lashtësi, shpesh qytetet qeveriseshin nga një mbret. Qytete të tilla mund të konsideroheshin mbretëri.—Zan. 14:2.

b Kjo ndodhi në vitin 67 të e.s., pak pasi të krishterët ikën nga Judea dhe nga Jerusalemi.

c Fjala e përkthyer «dashuri vëllazërore» mund të përdoret për dashurinë mes pjesëtarëve të afërt të familjes, por Pavli e përdor për dashurinë e fortë që kemi për të gjithë vëllezërit e motrat në kongregacion.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo