BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 maj f. 20-25
  • Sa rëndësi ka për Jezuin emri i Jehovait

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Sa rëndësi ka për Jezuin emri i Jehovait
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «UA KAM BËRË TË NJOHUR EMRIN TËND»
  • ‘EMRI YT, EMRI QË MË KE DHËNË’
  • «O ATË, JEPI LAVDI EMRIT TËND!»
  • «JAP JETËN TIME»
  • «E MBAROVA VEPRËN QË MË DHE»
  • Sa rëndësi duhet të ketë për ty emri i Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • «Lëvdoni emrin e Jehovait!»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Çfarë na mëson shpërblesa?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • «Zgjidhni . . . kujt do t’i shërbeni»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 maj f. 20-25

ARTIKULLI I STUDIMIT 22

KËNGA 15 Nderoni të parëlindurin e Jehovait!

Sa rëndësi ka për Jezuin emri i Jehovait

«Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur.»—GJONI 17:26.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Do të shohim si e bëri të njohur Jezui emrin e Jehovait dhe si e ka shenjtëruar e shfajësuar emrin e Tij.

1-2. (a) Çfarë bëri Jezui natën para se të vdiste? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

ISHTE e enjte, 14 nisan i vitit 33 të e.s., mbrëmje vonë. Pas pak Jezuin do ta tradhtonin, do ta gjykonin, do ta dënonin, do ta torturonin dhe do ta ekzekutonin. Ai sapo kishte përfunduar një darkë speciale me apostujt besnikë në një dhomë të sipërme. Pas darkës u tha apostujve disa fjalë të fundit për t’u dhënë zemër. E pak para se të largoheshin nga dhoma e sipërme, Jezui bëri një lutje shumë domethënëse. Apostulli Gjon e hodhi me shkrim atë lutje, që sot e gjejmë në kapitullin 17 të Gjonit.

2 Ç’na zbulon lutja e Jezuit për gjërat që e shqetësonin në atë kohë? Si e tregon kjo lutje se çfarë kishte rëndësi për të gjatë gjithë shërbimit në tokë? Le të ndalemi te përgjigjet e këtyre pyetjeve.

«UA KAM BËRË TË NJOHUR EMRIN TËND»

3. Çfarë tha Jezui për emrin e Jehovait, dhe ku e kishte fjalën? (Gjoni 17:6, 26)

3 Në lutjen e tij, Jezui tha: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd.» Madje e përsëriti dy herë se ua kishte bërë të njohur dishepujve emrin e Jehovait. (Lexo Gjonin 17:6, 26.) Ç’donte të thoshte me këtë? Mos u kishte zbuluar një emër që nuk e dinin? Dishepujt e Jezuit ishin judenj, kështu që e dinin se Perëndia e kishte emrin Jehova. Emri i Tij përmendej mijëra herë në Shkrimet Hebraike. Prandaj Jezui nuk e kishte fjalën për emrin personal të Perëndisë, por për çka përfaqësonte ai emër. Jezui u kishte bërë të njohur Personin që mban emrin Jehova, ku përfshihen qëllimet, veprat dhe cilësitë e Tij. E këtë e kishte bërë në një mënyrë që s’mund ta bënte askush tjetër.

4-5. (a) Ilustroni si mund të bëhet më domethënës për ne emri i dikujt? (b) Si u bë më domethënës emri i Jehovait për dishepujt e Jezuit?

4 Për ta ilustruar, imagjino sikur në kongregacionin tënd është një plak që quhet David dhe që punon si kirurg. E njeh prej vitesh atë vëlla. Papritmas një ditë ke nevojë urgjente për një mjek. Shkon në spital, dhe ai vëlla është mjeku që të shpëton jetën. Kur dëgjon tani emrin e tij, a ndien më shumë dashuri për të? Patjetër që po! Davidi nuk është më vetëm plaku që e njeh prej vitesh; është edhe kirurgu që të shpëtoi jetën.

5 Po njësoj, dishepujt e Jezuit e njihnin emrin e Jehovait. Por nëpërmjet shërbimit të Jezuit, ai emër u bë më domethënës për ta. Pse? Sepse Jezui pasqyroi personalitetin e Atit të tij në çdo gjë që tha e bëri. Kështu apostujt ‘e njohën’ më mirë Jehovain duke i kushtuar vëmendje mënyrës si mësonte Jezui dhe si i trajtonte njerëzit.—Gjoni 14:9; 17:3.

‘EMRI YT, EMRI QË MË KE DHËNË’

6. Në ç’kuptim Jehovai i dha Jezuit emrin e Tij? (Gjoni 17:11, 12)

6 Gjatë lutjes së tij, Jezui i bëri Jehovait këtë kërkesë për dishepujt: «Mbroji për hir të emrit tënd, po, të emrit që më ke dhënë.» (Lexo Gjonin 17:11, 12.) A do të thotë kjo se Jezui do të thirrej me emrin Jehova? Jo. Kur foli për emrin e Jehovait, Jezui tha ‘emri yt’. Pra, Jezui nuk po thoshte se tani quhej edhe Jehova. Atëherë, ku e kishte fjalën kur tha se Perëndia i kishte dhënë emrin e Tij? Në radhë të parë, Jezui ishte përfaqësuesi dhe Zëdhënësi i Jehovait. Ai erdhi në emër të Atit dhe kreu vepra të fuqishme në emrin e Tij. (Gjoni 5:43; 10:25) Veç kësaj, emri i Jezuit ka kuptimin «Jehovai është shpëtim». Kështu, emri i Perëndisë lidhet ngushtësisht me emrin e Jezuit.

7. Pse Jezui mund të fliste në emër të Jehovait? Ilustrojeni.

7 Ta ilustrojmë: një ambasador përfaqëson një president, ndaj mund të flasë në emër të tij. Pra kur flet, ambasadori ka të njëjtin autoritet si presidenti. Po njësoj, Jezui përfaqësonte Jehovain, ndaj kishte autoritetin të fliste në emër të Tij.—Mat. 21:9; Luka 13:35.

8. Në ç’kuptim Jezui ‘mbante’ emrin e Jehovait që para se të vinte në tokë? (Eksodi 23:20, 21)

8 Në rolin e tij si Fjala, Jezui ka shërbyer si Zëdhënës i Jehovait duke u përcjellë informacione e udhëzime bijve të tjerë qiellorë të Perëndisë dhe njerëzve. (Gjoni 1:1-3) Ai duhet të ketë qenë engjëlli i dërguar nga Jehovai që të kujdesej për izraelitët gjatë periudhës së Eksodit. Kur i urdhëroi izraelitët t’i bindeshin atij engjëlli, Jehovai u tregoi edhe arsyen: «Ngaqë mban emrin tim.»a (Lexo Eksodin 23:20, 21.) Jezui «mban» emrin e Jehovait në kuptimin që përfaqëson Jehovain dhe është personi kryesor që mbron dhe shenjtëron emrin e Atit.

«O ATË, JEPI LAVDI EMRIT TËND!»

9. Sa i rëndësishëm ishte për Jezuin emri i Jehovait? Shpjegoni.

9 Siç e kemi parë, emri i Jehovait ishte gjëja më e rëndësishme për Jezuin që para se të vinte në tokë. Edhe kur ishte në tokë, ai tregoi me gjithçka që bëri sa rëndësi kishte për të emri i Jehovait. Nga fundi i shërbimit, Jezui i kërkoi Jehovait në lutje: «O Atë, jepi lavdi emrit tënd!» Në çast, Ati iu përgjigj me një zë bubullues nga qielli: «I kam dhënë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.»—Gjoni 12:28.

10-11. (a) Si i dha lavdi Jezui emrit të Jehovait? (Shih edhe figurën.) (b) Pse duhet shenjtëruar dhe shfajësuar emri i Jehovait?

10 Edhe Jezui i dha lavdi emrit të Atit të tij. Si? Një mënyrë ishte duke u zbuluar të tjerëve cilësitë dhe veprat e mahnitshme të Atit. Por për t’i dhënë lavdi emrit të Jehovait, kërkohej edhe diçka tjetër. Emri i Jehovait duhej shenjtëruar dhe reputacioni i tij duhej shfajësuar.b Jezui tregoi sa e rëndësishme ishte kjo kur u mësoi dishepujve lutjen model. Ai tha: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt!»—Mat. 6:9.

11 Pse duhet shenjtëruar dhe shfajësuar emri i Jehovait? Sepse në kopshtin e Edenit, Satana Djalli e përleu emrin e Jehovait dhe shpifi për Të. Satanai e paraqiti Jehovain si gënjeshtar dhe e akuzoi se po u mbante diçka të mirë Adamit dhe Evës. (Zan. 3:1-5) Ai la të kuptohej edhe se Jehovai nuk vepron me drejtësi. Akuzat e rreme të Satanait ishin një sulm i drejtpërdrejtë kundër reputacionit ose emrit të Jehovait. Më vonë, në ditët e Jobit, Satanai ngriti akuzën se ata që i shërbejnë Jehovait e bëjnë këtë vetëm për interes. Gjithashtu, ai shpifës la të kuptohej se asnjë njeri nuk e do vërtet Jehovain, kështu që kur të përplaset me vështirësi, nuk do t’i shërbejë më. (Jobi 1:9-11; 2:4) Duhej kohë për të provuar se gënjeshtari ishte Satanai, jo Jehovai.

Jezui duke folur para një turme të madhe në Predikimin në Mal.

Jezui u mësoi dishepujve të tij sa e rëndësishme është të shenjtërohet emri i Perëndisë (Shih paragrafin 10)


«JAP JETËN TIME»

12. Çfarë ishte i gatshëm të bënte Jezui nga dashuria për emrin e Jehovait?

12 Dashuria për Jehovain e shtyu Jezuin të përpiqej me shpirt që ta shenjtëronte dhe ta shfajësonte emrin e Tij. Jezui tha: «Jap jetën time.» (Gjoni 10:17, 18) Pra, ai ishte gati edhe të vdiste për hir të emrit të Jehovait.c Dy njerëzit e parë të përsosur, Adami dhe Eva, i kthyen shpinën Jehovait dhe morën anën e Satanait. Krejt ndryshe, Jezui ishte i gatshëm të vinte në tokë e të provonte sa e thellë ishte dashuria e tij për Jehovain. Këtë e bëri duke jetuar me integritet të përsosur. (Hebr. 4:15; 5:7-10) Ai qëndroi besnik gjatë gjithë jetës, derisa vdiq në një shtyllë torture. (Hebr. 12:2) Kështu tregoi sa shumë e donte Jehovain dhe emrin e Tij.

13. Pse Jezui ishte personi ideal për të provuar se Satanai është gënjeshtar? (Shih edhe figurën.)

13 Me jetën e tij, Jezui dha prova që s’linin asnjë grimë dyshimi se gënjeshtari është Satanai, jo Jehovai. (Gjoni 8:44) Jezui e njihte Jehovain më mirë se kushdo tjetër. Sikur të kishte qoftë edhe një fije të vërtete në akuzat e Satanait kundër Jehovait, Jezui do ta dinte. Por ai e mbrojti me vendosmëri emrin e Jehovait, se ishte i sigurt që ato akuza ishin krejt të pavërteta. Edhe kur u duk se Jehovai e braktisi, Jezui ishte i gatshëm të vdiste në vend që t’i kthente shpinën Atit të tij të dashur.—Mat. 27:46.d

Jezui në shtyllën e torturës.

Me jetën e tij, Jezui dha prova që s’linin asnjë grimë dyshimi se gënjeshtari është Satanai, jo Jehovai (Shih paragrafin 13)


«E MBAROVA VEPRËN QË MË DHE»

14. Si e shpërbleu Jehovai Jezuin për besnikërinë e tij?

14 Në lutjen që bëri natën e fundit të jetës, Jezui mund të thoshte me plot gojën: «E mbarova veprën që më dhe për të bërë.» Ai kishte besim se Jehovai do ta shpërblente për besnikërinë. (Gjoni 17:4, 5) E besimi i Jezuit tek Ati i tij nuk doli i kotë. Jehovai nuk lejoi që Jezui të mbetej në varr. (Vep. 2:23, 24) Ai e ktheu në jetë e i dha një pozitë më të lartë në qiell. (Filip. 2:8, 9) Me kohë, Jezui filloi të qeveriste si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Çfarë do të realizonte kjo Mbretëri? Pjesa e dytë e lutjes model thotë: «Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt [Jehova], si në qiell, edhe në tokë!»—Mat. 6:10.

15. Ç’do të bëjë tjetër Jezui?

15 Në të ardhmen e afërt, Jezui do të luftojë kundër armiqve të Perëndisë dhe do t’i shfarosë të ligjtë në Armagedon. (Zbul. 16:14, 16; 19:11-16) Pak pas kësaj, do ta flakë Satanain në «humnerë», në një gjendje joaktive që i ngjan vdekjes. (Zbul. 20:1-3) Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, Jezui do t’i kthejë njerëzimit paqen dhe përsosmërinë e humbur. Ai do të ringjallë të vdekurit. Do ta bëjë mbarë tokën parajsë. Më në fund, qëllimi i Jehovait do të bëhet realitet!—Zbul. 21:1-4.

16. Si do të jetë jeta në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar?

16 Si do të jetë jeta në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar? Mëkati dhe papërsosmëria njerëzore do t’i përkasin së shkuarës. Njerëzve nuk do t’u duhet më të kërkojnë falje për mëkatet e tyre në bazë të shpërblesës; as do të kenë më nevojë për një ndërmjetës ose për një priftëri. Veç kësaj, ‘armiku i fundit, vdekja [adamike], do të jetë asgjësuar’. Nuk do të ketë asnjë njeri në varr. Të vdekurit do të jenë kthyer në jetë. Çdo njeri në tokë do të jetë i përsosur.—1 Kor. 15:25, 26.

17-18. (a) Çfarë do të ndodhë në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar? (b) Ç’do të bëjë Jezui kur të përfundojë mbretërimi i tij? (1 Korintasve 15:24, 28) (Shih edhe figurën.)

17 Ç’do të ndodhë tjetër në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar? Diçka e jashtëzakonshme. Do të marrë fund debati që përfshin shenjtërimin e emrit të Jehovait. Si? Në kopshtin e Edenit, Satanai ngriti akuzën se Jehovai është gënjeshtar dhe nuk është Sovran i dashur. Që nga ajo kohë, ata që e nderojnë dhe e respektojnë Jehovain, e kanë shenjtëruar sa e sa herë emrin e tij. Kështu, në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar, reputacioni i Jehovait do të jetë shfajësuar plotësisht. Ai do të ketë dhënë prova të pamohueshme se është një Atë i dashur.

18 Në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar, do të jetë provuar një herë e mirë se akuzat e Satanait janë të rreme. Ç’do të bëjë Jezui kur të vijë koha që të përfundojë mbretërimi i tij? A do të imitojë Satanain duke u rebeluar kundër Jehovait? Aspak! (Lexo 1 Korintasve 15:24, 28.) Jezui do t’ia kthejë Mbretërinë Atit të tij dhe do t’i nënshtrohet mbretërimit të Jehovait. Vërtet, ndryshe nga Satanai, Jezui është i gatshëm të heqë dorë nga gjithçka për hir të dashurisë për Jehovain.

Jezui në qiell, duke i dorëzuar kurorën Jehovait.

Në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar, Jezui ia kthen me gatishmëri Mbretërinë Jehovait (Shih paragrafin 18)


19. Sa i rëndësishëm është për Jezuin emri i Jehovait?

19 Është e qartë pse Jehovai ishte i gatshëm t’i jepte Jezuit emrin e Tij. Jezui ka treguar se është përfaqësues i përsosur i Atit. Pra, sa i rëndësishëm është për Jezuin emri i Jehovait? Më i rëndësishëm se gjithçka! Për hir të këtij emri, ishte i gatshëm të vdiste dhe do të jetë i gatshëm t’i kthejë çdo gjë Jehovait në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar. Si mund ta imitojmë shembullin e Jezuit? Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin tjetër.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Si ua bëri të njohur Jezui emrin e Jehovait dishepujve të tij?

  • Në ç’kuptim Jehovai i dha Jezuit emrin e Tij?

  • Çfarë ishte i gatshëm të bënte Jezui për emrin e Jehovait, dhe pse?

KËNGA 16 Të lëvdojmë Jehovain dhe Krishtin, mbretin tonë

a Hera-herës edhe engjëj të tjerë e kanë përfaqësuar Jehovain duke çuar mesazhe në emër të tij. Ja pse në Bibël ka raste kur një engjëlli i janë drejtuar me emrin Jehova ose është përmendur si të ishte vetë Jehovai. (Zan. 18:1-33) Ndonëse Shkrimet thonë se Moisiu e mori Ligjin nga Jehovai, vargje të tjera tregojnë se Jehovai përdori engjëj për të përcjellë Ligjin.—Lev. 27:34; Vep. 7:38, 53; Gal. 3:19; Hebr. 2:2-4.

b SHPJEGIMI I FJALËVE: «Të shenjtërosh» do të thotë të nderosh, të konsiderosh të shenjtë ose të respektosh thellësisht. «Të shfajësosh» do të thotë ta pastrosh reputacionin e dikujt nga akuzat e pavërteta ose të provosh se është i pafaj, ndonëse të tjerët thonë akuza të rreme a shpifje për të.

c Vdekja e Jezuit çeli rrugën edhe që njerëzit të gëzojnë jetën e përhershme.

d Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të prillit 2021, f. 30-31.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo