Qershor
E diel, 1 qershor
Duhet të hyjmë në Mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime.—Vep. 14:22.
Jehovai i bekoi të krishterët e shekullit të parë ndërsa përshtateshin me rrethanat e reja. Ata hasnin shpesh përndjekje, e ndonjëherë kur nuk e prisnin fare. Të kujtojmë ç’i ndodhi Barnabës dhe apostullit Pavël ndërsa predikonin në zonën e Listrës. Në fillim, ata që dëgjuan mesazhin e tyre, i mikpritën me ngrohtësi. Por më vonë, tamam disa prej atyre që i mikpritën, e qëlluan me gurë Pavlin dhe e lanë në rrugë me mendimin se kishte vdekur, pasi kundërshtarët ‘u kishin mbushur mendjen turmave’. (Vep. 14:19) Megjithatë, Barnaba e Pavli vazhduan të predikonin diku tjetër. Rezultati? Bënë «mjaft dishepuj», dhe me fjalët e shembullin e tyre forcuan bashkëbesimtarët. (Vep. 14:21, 22) Shumë veta nxorën dobi ngaqë Barnaba dhe Pavli nuk u dorëzuan përballë përndjekjes së papritur. Ndërsa bëjmë pa u dorëzuar veprën që na ka caktuar Jehovai, ai do të vazhdojë të na bekojë. w23.04 16-17 ¶13-14
E hënë, 2 qershor
Dëgjoje lutjen time, o Jehova, dhe kushtoju vëmendje përgjërimeve të mia për ndihmë. Në ditë halli do të të thërras për ndihmë, sepse ti do të më përgjigjesh.—Psal. 86:6, 7.
Mbreti David pati shumë armiq të rrezikshëm gjatë gjithë jetës dhe shpesh i drejtohej Jehovait për ndihmë në lutje. Davidi s’kishte fije dyshimi se Jehovai i dëgjonte lutjet e tij dhe u përgjigjej. Edhe ti mund të jesh i sigurt për këtë. Bibla na siguron se Jehovai mund të na japë mençurinë dhe fuqinë që na nevojitet për të përballuar vështirësitë. Ai mund të përdorë familjen tonë të besimit, a madje edhe njerëz që tani nuk e adhurojnë, për të na ndihmuar në ndonjë mënyrë. Vërtet, Jehovai mund të mos u përgjigjet gjithmonë lutjeve tona në atë mënyrë që presim, por jemi të sigurt se do t’u përgjigjet. Ai do të sigurojë fiks atë që na duhet dhe tamam kur na duhet. Prandaj vazhdo të lutesh plot besim, i sigurt se Jehovai do të kujdeset për ty sot dhe se së shpejti ‘do të plotësojë dëshirën e çdo krijese’ në botën e re.—Psal. 145:16. w23.05 8 ¶4; 13 ¶17-18
E martë, 3 qershor
Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat që më ka bërë?—Psal. 116:12.
Bëjmë mirë të përqendrohemi te bekimet që vijnë kur arrijmë një synim. Te cilat bekime mund të përqendrohesh? Nëse synimi yt lidhet me leximin e Biblës ose me lutjen, mendo se si do ta forcojë kjo miqësinë tënde me Jehovain. (Psal. 145:18, 19) Nëse synon të kultivosh një cilësi të krishterë, mendo si do të të ndihmojë ky synim të kesh marrëdhënie më të mira me të tjerët. (Kolos. 3:14) Pse të mos bësh një listë me të gjitha arsyet pse dëshiron ta arrish synimin tënd? Hidhi një sy herë pas here listës. Gjithashtu, kalo kohë me ata që të motivojnë t’i arrish synimet. (Prov. 13:20) Për të qenë realistë, të gjithë kemi ditë kur nuk ndihemi të motivuar. A do të thotë kjo se nuk mund të punojmë për synimin tonë? Jo. Ne mund të punojmë për ta arritur synimin edhe kur nuk jemi të motivuar. Ndonëse kjo kërkon vetëdisiplinë, ia vlen barra qiranë. w23.05 27-28 ¶5-8
E mërkurë, 4 qershor
Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.—Gal. 6:7.
Dijenia se jemi vetë përgjegjës për vendimet tona, mund të na shtyjë t’i rrëfejmë gabimet, t’i ndreqim dhe të përpiqemi të mos i përsëritim më. Këta hapa mund të na ndihmojnë të vazhdojmë garën e jetës. Nëse nuk bën dot gjë për një vendim të gabuar, pranoje situatën ku ndodhesh. Mos i harxho kot energjitë emocionale dhe mendore duke u justifikuar ose duke fajësuar veten a të tjerët. Në vend të kësaj, pranoji gabimet e tua dhe përpiqu të bësh më të mirën në rrethanat ku je. Nëse ndihesh në faj për diçka që ke bërë, me përulësi lutju Jehovait, pranoje gabimin dhe kërkoji të të falë. (Psal. 25:11; 51:3, 4) Kërkoju falje edhe atyre që mund të kesh lënduar dhe, nëse është e nevojshme, kërko ndihmën e pleqve. (Jak. 5:14, 15) Mëso nga gabimet e tua dhe përpiqu të mos i përsëritësh. Kështu, mund të jesh i sigurt se Jehovai do të të tregojë mëshirë dhe do të të japë ndihmën e nevojshme.—Psal. 103:8-13. w23.08 28-29 ¶8-9
E enjte, 5 qershor
Jehoasi bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait gjatë gjithë kohës që e mësoi prifti Jehojada.—2 Mbret. 12:2.
Jehojada ndikoi për mirë te mbreti Jehoas. Si rezultat, në moshë të re mbreti kishte dëshirë ta kënaqte Jehovain. Por pas vdekjes së Jehojadës, Jehoasi filloi t’ua vinte veshin princave apostatë. (2 Kron. 24:4, 17, 18) Ndonëse i lënduar thellë, Jehovai «u dërgonte vazhdimisht profetë që të ktheheshin tek Ai . . . , por ata nuk pranonin t’i dëgjonin». Nuk pranuan të dëgjonin as birin e Jehojadës, Zakarinë, i cili ishte jo vetëm prift dhe profet i Jehovait, por edhe kushëriri i Jehoasit. Madje, mbreti Jehoas e vrau Zakarinë. (2 Kron. 22:11; 24:19-22) Jehoasi e humbi nderimin e thellë për Jehovain. Jehovai kishte thënë: «Ata që më përbuzin, do t’i trajtoj me përçmim». (1 Sam. 2:30) Një ushtri e vogël siriane mundi ‘ushtrinë shumë të madhe’ të Jehoasit dhe e la mbretin «të plagosur rëndë». (2 Kron. 24:24, 25) Jehoasin e vranë shërbëtorët e vet ngaqë kishte vrarë Zakarinë. w23.06 18 ¶16-17
E premte, 6 qershor
Dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë.—Efes. 5:8.
Apostulli Pavël kishte kaluar goxha kohë në Efes duke predikuar e mësuar lajmin e mirë. (Vep. 19:1, 8-10; 20:20, 21) Ai i donte me gjithë zemër vëllezërit e motrat dhe kishte dëshirë t’i ndihmonte që t’i qëndronin besnikë Jehovait. Efesianët kishin qenë dikur skllevër të ideve të rreme fetare dhe bestytnive. Efesi ishte famëkeq për imoralitetin e rëndë dhe sjelljen e pacipë. Të folurit e ndyrë ishte gjë e zakonshme në shfaqjet teatrale, e madje edhe në festat fetare. (Efes. 5:3) Shumë efesianë ‘kishin humbur çdo ndjesi morale’. Në kuptimin e mirëfilltë kjo shprehje do të thotë «nuk ndienin më dhimbje». (Efes. 4:17-19) Para se të njihnin standardet e Jehovait për të drejtën dhe të gabuarën, ata nuk i vriste ndërgjegjja për sjelljen e tyre. Ja pse Pavli tha se ishin «mendërisht në errësirë dhe të ndarë nga jeta që vjen nga Perëndia». Ama disa efesianë kishin dalë nga ajo errësirë. w24.03 20 ¶2, 4; 21 ¶5-6
E shtunë, 7 qershor
Ata që shpresojnë te Jehovai, do të rimarrin fuqi . . . e s’do të lodhen.—Isa. 40:31.
Caktimi i Gideonit si gjykatës kërkonte goxha mund e djersë. Kur midianitët ia mbathën natën e betejës, Gideoni i ndoqi nga lugina e Jezrelit deri te lumi Jordan. (Gjyk. 7:22) A u ndal Gideoni kur arriti në Jordan? Aspak! Ndonëse të lodhur, ai dhe 300 luftëtarët e tij e kaluan lumin dhe vazhduan t’i ndiqnin midianitët. Në fund, i kapën e i mundën. (Gjyk. 8:4-12) Gideoni kishte besim se Jehovai do t’i jepte forcë, e nuk mbeti i zhgënjyer. (Gjyk. 6:14, 34) Në një rast, bashkë me luftëtarët e tij, ai po ndiqte në këmbë dy mbretër midianitë, të cilët ka të ngjarë që po udhëtonin me deve. (Gjyk. 8:12, 21) Prapëseprapë, me ndihmën e Jehovait, ata izraelitë që ishin të vendosur të mos dorëzoheshin, triumfuan. Edhe pleqtë sot mund të mbështeten te Jehovai, tek ai që «nuk lodhet e nuk rraskapitet kurrë». Jehovai mund t’u japë forcë sa herë të kenë nevojë.—Isa. 40:28, 29. w23.06 6 ¶14; 7 ¶16
E diel, 8 qershor
[Jehovai] nuk do t’ju lërë e nuk do t’ju braktisë.—Ligj. 31:6.
Ne mund të kemi një zemër të palëkundur në çfarëdo sprove që mund të përballojmë. Prandaj, ki besim te Jehovai. Të mendojmë si i solli fitore Barakut besimi te drejtimi i Jehovait. Ndërkohë që në mbarë Izraelin nuk të zinte syri asnjë mburojë ose heshtë, Jehovai e udhëzoi të dilte në luftë kundër komandantit kananit Sisera dhe ushtrisë së tij të armatosur gjer në dhëmbë. (Gjyk. 5:8) Profetesha Debora i tha Barakut të zbriste në luginë për të luftuar kundër Siserës dhe 900 karrocave të tij. Ndonëse karrocat do të kishin epërsi në fushë të hapur, Baraku u bind. Ndërsa ushtarët zbritnin nga mali Tabor, Jehovai derdhi nga qielli një shi të rrëmbyer. Karrocat e Siserës ngecën në baltë dhe Jehovai i dha Barakut fitoren. (Gjyk. 4:1-7, 10, 13-16) Jehovai do të na dhurojë edhe ne fitoren nëse kemi besim tek ai dhe te drejtimi që jep nëpërmjet përfaqësuesve të tij. w23.07 19 ¶17-18
E hënë, 9 qershor
Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.—Mat. 24:13.
Durimi është jetësor për shpëtimin tonë. Ashtu si besnikët e së kaluarës, kemi nevojë të presim me durim plotësimin e premtimeve të Perëndisë. (Hebr. 6:11, 12) Bibla e krahason situatën tonë me atë të një bujku. (Jak. 5:7, 8) Një bujk punon pa u lodhur që të mbjellë dhe të ujitë farat, por nuk e di me saktësi se kur do të mbijnë. Ndaj bujku pret me durim, i sigurt se do të japin fryt. Po njësoj, ne përpiqemi me gjithë shpirt në aktivitetet teokratike, ndonëse ‘nuk e dimë në ç’ditë vjen Zotëria ynë’. (Mat. 24:42) Presim me durim, të sigurt se Jehovai do t’i përmbushë të gjitha premtimet e tij në kohën që ka caktuar. Nëse bëhemi të paduruar, mund të ndihemi të lodhur nga pritja e mund të largohemi si pa e kuptuar nga Jehovai. Gjithashtu, mund të fillojmë të rendim pas gjërave që na sjellin kënaqësi në çast. Ama, nëse jemi të duruar, mund t’ia dalim të qëndrojmë deri në fund e të shpëtojmë.—Mik. 7:7. w23.08 22 ¶7
E martë, 10 qershor
Gishtat e këmbëve ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile.—Dan. 2:42.
Duke e krahasuar profecinë te Danieli 2:41-43 me profeci të tjera nga libri i Danielit dhe i Zbulesës, nxjerrim përfundimin se këmbët paraqesin aleancën anglo-amerikane, pra fuqitë politike që mbizotërojnë në skenën botërore sot. Për këtë fuqi botërore, Danieli tha: «Mbretëria do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë.» Pse pjesërisht e brishtë? Sepse njerëzit e thjeshtë, të paraqitur nga argjila e butë, ia dobësojnë aftësinë për të vepruar me një fuqi të hekurt. Nga përshkrimi që i bën Danieli statujës së ëndrrës, mësojmë disa të vërteta të rëndësishme. Së pari, fuqia botërore anglo-amerikane e ka treguar forcën e saj në disa mënyra. Për shembull, Britania dhe Amerika luajtën rol të rëndësishëm në të dyja luftërat botërore dhe ishin mes kombeve fitimtare. Mirëpo, forca e tyre është dobësuar e do të vazhdojë të dobësohet për shkak të konflikteve të brendshme të krijuara nga nënshtetasit e tyre. Së dyti, kjo aleancë do të jetë fuqia e fundit botërore në pushtet para se Mbretëria e Perëndisë t’u japë fund të gjitha qeverive njerëzore. w23.08 10-11 ¶12-13
E mërkurë, 11 qershor
Në vuajtjen time Jehovait i lutesha, Perëndisë tim për ndihmë i thërrisja. Nga tempulli i tij, zërin ma dëgjoi.—Psal. 18:6.
Hera-herës, Davidi e kishte shpirtin të dërrmuar nga gjithë hallet e sprovat që kalonte. (Psal. 18:4, 5) Gjithsesi, dashuria dhe kujdesi i përzemërt i Jehovait e freskonin. Jehovai i printe mikut të tij të rraskapitur dhe e çonte në «livadhe plot bar» e në «vende të qeta plot ujë». Si rezultat, Davidit i përtëriheshin forcat dhe vazhdonte t’i shërbente me gëzim Perëndisë. (Psal. 18:28-32; 23:2) Edhe sot, kur luftojmë me sprova e vështirësi, provojmë sa të vërteta janë këto fjalë: «Falë dashurisë besnike të Jehovait, nuk kemi marrë fund.» (Vajt. 3:22; Kolos. 1:11) Davidi e kishte shpesh jetën në rrezik dhe kishte shumë armiq të fuqishëm. Por dashuria e Jehovait e bënte të ndihej i sigurt e i mbrojtur. Davidi mund ta ndiente se Jehovai ishte me të në çdo situatë, e kjo ia qetësonte zemrën. Ja pse këndoi: «Nga çdo frikë imja [Jehovai] më çliroi.» (Psal. 34:4) Frika e Davidit ishte reale, ama dashuria e Jehovait ishte më e fuqishme se çdo frikë që ndiente. w24.01 30 ¶15-17
E enjte, 12 qershor
Nëse mëkatarët përpiqen të të tundojnë, mos prano.—Prov. 1:10.
Nxirr mësime nga vendimet e këqija të Jehoasit. Pas vdekjes së kryepriftit Jehojada, Jehoasi zgjodhi miq të këqij. (2 Kron. 24:17, 18) Ai vendosi t’u vinte veshin princave të Judës që nuk e donin Jehovain. Me siguri je dakord që Jehoasi nuk duhej të ishte përzier me ata ngatërrestarë. Mirëpo, ai i dëgjoi ata të ashtuquajtur miq. E kur kushëriri i vet, Zakaria, e qortoi, Jehoasi urdhëroi ta vrisnin. (2 Kron. 24:20, 21; Mat. 23:35) Çfarë marrëzie e tmerrshme! Jehoasi e nisi mirë, por mjerisht u bë apostat e vrasës. Si përfundim, e vranë shërbëtorët e vet. (2 Kron. 24:22-25) Sa ndryshe do kishte shkuar jeta e tij sikur të kishte vazhduar të dëgjonte Jehovain dhe ata që e donin Jehovain! w23.09 9 ¶6
E premte, 13 qershor
Mos ki më frikë.—Luka 5:10.
Jezui e dinte se apostulli Pjetër mund të qëndronte besnik. Prandaj, me dashuri, i tha: «Mos ki më frikë.» Besimi që tregoi Jezui tek ai, i ndryshoi gjithë jetën Pjetrit. Më vonë, bashkë me të vëllanë, Andrean, e la biznesin e peshkimit dhe shërbeu në kohë të plotë përkrah Jezuit—një vendim që solli bekime mbresëlënëse. (Mar. 1:16-18) Pjetri pati shumë përvoja të mrekullueshme si dishepull i Krishtit. Ai pa Jezuin të shëronte të sëmurë, të dëbonte demonë, e madje të ringjallte të vdekur. (Mat. 8:14-17; Mar. 5:37, 41, 42) Gjithashtu, Pjetri pa në një vegim lavdinë që do të kishte Jezui si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, një ngjarje që i la mbresa të pashlyeshme. (Mar. 9:1-8; 2 Pjet. 1:16-18) Pjetri pa gjëra që nuk do t’i kishte imagjinuar kurrë. Sa i lumtur do të ketë qenë që nuk i lejoi ndjenjat negative për veten ta pengonin t’i shijonte ato bekime! w23.09 21 ¶4-5
E shtunë, 14 qershor
Jezui iu përgjigj: «Unë po të them: jo deri në 7 herë, por deri në 77 herë.»—Mat. 18:22.
Në letrën e tij të parë, apostulli Pjetër tha se ‘dashuria e zjarrtë’ na ndihmon të falim jo vetëm disa mëkate, por «mëkate të shumta». (1 Pjet. 4:8) Ndoshta Pjetrit i kujtohej mësimi që i kishte dhënë vite më parë Jezui për faljen. Ishte një rast kur Pjetri sugjeroi ta falte vëllanë e vet «deri në 7 herë» dhe ndoshta mendoi se po tregohej goxha bujar. Por mësimi që i dha Jezui Pjetrit—e njëkohësisht edhe neve—ishte të falte «deri në 77 herë», pra pa vënë kufi. (Mat. 18:21) Nëse e ke pasur të vështirë ta zbatosh këtë këshillë, mos u shkurajo! Si të papërsosur, të gjithë shërbëtorët e Jehovait e kanë të vështirë ndonjëherë të falin. Ajo që ka rëndësi tani, është të bësh çdo gjë të nevojshme për ta falur vëllanë tënd dhe për të bërë paqe me të. w23.09 29 ¶12
E diel, 15 qershor
I thirra Jehovait, dhe ai m’u përgjigj.—Jon. 2:2.
Kur ndodhej në barkun e peshkut, Jonai ishte i sigurt se Jehovai do ta dëgjonte lutjen e tij nga një zemër e përulur dhe e penduar, dhe se Jehovai do ta ndihmonte. Më vonë, Jonai doli në tokë të thatë dhe ishte gati ta pranonte e ta kryente caktimin që i dha Jehovai. (Jon. 2:10–3:4) Gjatë një sprove, a ndihesh ndonjëherë aq në ankth sa nuk arrin t’i lutesh Jehovait? Ose a ndihesh aq i rraskapitur sa nuk studion dot? Mos harro se Jehovai e kupton plotësisht situatën tënde. Prandaj edhe kur i bën një lutje të thjeshtë, mund të jesh i sigurt se do të të japë fiks atë që të nevojitet. (Efes. 3:20) Nëse dhimbja fizike a emocionale ta bën të vështirë të lexosh dhe të studiosh, mund të provosh të dëgjosh regjistrimet audio të Biblës ose të botimeve të bazuara tek ajo. Ose mund të dëgjosh një nga këngët tona a të shohësh ndonjë video në jw.org. Ftoje Jehovain të të bëjë të fortë duke iu lutur dhe duke i kërkuar përgjigjet e lutjeve tek ushqimi që siguron ai. w23.10 13 ¶6; 14 ¶9
E hënë, 16 qershor
Fryma e shenjtë e tregon qartë se, kur ekzistonte tenda e parë, udha për në vendin e shenjtë nuk ishte hapur ende.—Hebr. 9:8.
Tabernakulli dhe tempujt që u ndërtuan më vonë në Jerusalem kishin thuajse të njëjtën planimetri. Brenda kishin dy ndarje—«e Shenjta» dhe «Më e Shenjta»—të cilat i ndante nga njëra-tjetra një perde e qëndisur. (Hebr. 9:2-5; Eks. 26:31-33) Brenda të Shenjtës ishte një shandan i artë, një altar për të djegur temjan dhe tryeza e bukëve të paraqitjes. Vetëm «priftërinjve të mirosur» u lejohej të hynin tek e Shenjta për të kryer detyrat e tyre të shenjta. (Num. 3:3, 7, 10) Në Më të Shenjtën ishte arka e artë e besëlidhjes që paraqiste praninë e Jehovait. (Eks. 25:21, 22) Vetëm kryepriftit i lejohej të kalonte matanë perdes për të hyrë në Më të Shenjtën çdo vit në Ditën e Shlyerjes. (Lev. 16:2, 17) Ai hynte në të me gjakun e kafshëve për të shlyer mëkatet e veta dhe ato të të gjithë popullit. Me kohë, Jehovai hodhi dritë mbi domethënien e këtyre veçorive të tabernakullit.—Hebr. 9:6, 7. w23.10 27 ¶12
E martë, 17 qershor
Ta doni njëri-tjetrin.—Gjoni 15:17.
Në Fjalën e Perëndisë përsëritet shpesh urdhri: «Ta doni njëri-tjetrin.» (Gjoni 15:12; Rom. 13:8; 1 Sel. 4:9; 1 Pjet. 1:22; 1 Gjon. 4:11) Mirëpo dashuria është një cilësi që lidhet me zemrën, me atë që ndiejmë thellë përbrenda, dhe zemrën nuk na e sheh dot asnjë njeri. Prandaj, si mund ta bëjmë të dukshme dashurinë që ndiejmë për njëri-tjetrin? Me fjalët dhe veprimet tona. Ka një larmi mënyrash si mund ta tregojmë dashurinë për vëllezërit e motrat. Ja disa: «I thoni të vërtetën njëri-tjetrit.» (Zak. 8:16) «Ruani paqen me njëri-tjetrin.» (Mar. 9:50) Merrni iniciativën «për të nderuar njëri-tjetrin.» (Rom. 12:10) «Pranojeni krahëhapur njëri-tjetrin.» (Rom. 15:7) «Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin.» (Kolos. 3:13) «Vazhdoni të mbani barrët e njëri-tjetrit.» (Gal. 6:2) «Vazhdoni ta ngushëlloni njëri-tjetrin.» (1 Sel. 4:18) «Vazhdoni . . . të forconi njëri-tjetrin.» (1 Sel. 5:11) «Lutuni për njëri-tjetrin.»—Jak. 5:16. w23.11 9 ¶7-8
E mërkurë, 18 qershor
Gëzoni në shpresë.—Rom. 12:12.
Çdo ditë marrim vendime që kërkojnë besim të fortë. Për shembull, marrim vendime në lidhje me shoqërinë, zbavitjen, arsimimin, martesën, fëmijët dhe punën. Bëjmë mirë të pyesim veten: «A tregojnë zgjedhjet e mia se jam i sigurt që ky sistem është i përkohshëm dhe do të zëvendësohet së shpejti nga bota e re e Perëndisë? Apo mos ndoshta zgjedhjet që bëj ndikohen nga njerëzit që jetojnë sikur vdekja të jetë fundi i gjithçkaje?» (Mat. 6:19, 20; Luka 12:16-21) Duke e forcuar besimin se bota e re është te pragu, do të marrim vendimet më të mençura. Veç kësaj, hasim sprova që kërkojnë besim të fortë. Mbase përballemi me përndjekje, sëmundje kronike ose gjëra të tjera që mund të na shkurajojnë. Në fillim ndoshta e përballojmë një sprovë plot vendosmëri. Por nëse sprova vazhdon gjatë, siç ndodh shpesh, do të na duhet besim i fortë që të tregojmë qëndrueshmëri dhe të vazhdojmë t’i shërbejmë me gëzim Jehovait.—1 Pjet. 1:6, 7. w23.04 27 ¶4-5
E enjte, 19 qershor
Lutuni pa pushim.—1 Sel. 5:17.
Jehovai pret të veprojmë në harmoni me lutjet tona. Për shembull, një vëlla mund t’i kërkojë Jehovait ta ndihmojë të marrë leje nga puna për një kongres rajonal. Si mund t’i përgjigjet Jehovai? Mund t’i japë guximin që i duhet për të folur me punëdhënësin. Por ndërkohë, vëllai duhet të veprojë në harmoni me lutjen e vet duke i kërkuar leje punëdhënësit. Madje mund të duhet ta bëjë këtë disa herë. Ndoshta mund të ofrohet që të ndërrojë turnin me dikë a të punojë një ditë tjetër, ose që të marrë ditë leje pa pagesë. Jehovai pret të mos i reshtim lutjet për diçka që e kemi merak. Edhe nga fjalët e Jezuit del në pah se disa nga kërkesat tona nuk do të plotësohen menjëherë. (Luka 11:9) Ndaj mos u dorëzo! Lutu me zjarr e pa pushim. (Luka 18:1-7) Kur bëjmë kështu, i tregojmë Jehovait se kërkesa jonë nuk është thjesht një tekë e çastit. Gjithashtu tregojmë se kemi besim që ai mund të na ndihmojë. w23.11 22 ¶10-11
E premte, 20 qershor
Shpresa nuk të zhgënjen.—Rom. 5:5.
Jehovai i premtoi mikut të vet Abrahamit se gjithë kombet e tokës do të bekoheshin me anë të pasardhësit të tij. (Zan. 15:5; 22:18) Besimi i Abrahamit te Perëndia kishte rrënjë të thella, prandaj ishte i bindur se Ai do ta mbante premtimin. Mirëpo kur Abrahami u bë 100 vjeç dhe gruaja e tij 90 vjeçe, ai çift besnik akoma nuk kishte një djalë. (Zan. 21:1-7) Gjithsesi, Bibla thotë: «Falë shpresës, [Abrahami] pati besim se do të bëhej ati i shumë kombeve, në përputhje me atë që i ishte thënë.» (Rom. 4:18) Ti sot e di që shpresa e Abrahamit u bë realitet. Atij i lindi Isaku, djali që kishin pritur aq gjatë. Po pse Abrahami kishte bindje të patundur se shpresa e tij do të realizohej? Ngaqë kishte miqësi të ngushtë me Jehovain, Abrahami ishte «plotësisht i bindur se Ai ishte në gjendje ta bënte realitet atë që i kishte premtuar». (Rom. 4:21) Falë besimit të tij, Jehovai e miratonte dhe e konsideronte të drejtë.—Jak. 2:23. w23.12 8 ¶1-2
E shtunë, 21 qershor
Kush është i besueshëm në gjëra të vogla, është i besueshëm edhe në të mëdha dhe kush është i padrejtë në gjëra të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdha.—Luka 16:10.
Një i ri që është i besueshëm, përmbush me merak çdo përgjegjësi. Të shohim shembullin e përsosur të Jezuit. Ai nuk ishte kurrë i shkujdesur ose i papërgjegjshëm. Përkundrazi kryente çdo caktim që i jepte Jehovai, edhe kur e kishte të vështirë. Ai i donte njerëzit—sidomos dishepujt e tij—dhe sakrifikoi jetën për ta me gatishmëri. (Gjoni 13:1) Mund ta imitosh Jezuin duke u përpjekur pa u lodhur që të përmbushësh çfarëdo caktimi. Nëse nuk je i sigurt si ta kryesh një caktim, ji i përulur dhe kërko ndihmë nga vëllezërit e pjekur. Kurrë mos u mjafto thjesht duke bërë minimumin. (Rom. 12:11) Përkundrazi, kryeje plotësisht caktimin tënd, duke e bërë këtë ‘për Jehovain e jo për njerëzit’. (Kolos. 3:23) Natyrisht, nuk je i përsosur, prandaj ji modest dhe pranoji gabimet që bën.—Prov. 11:2. w23.12 26 ¶8
E diel, 22 qershor
I bekuar është ai që ka besim te Jehovai.—Jer. 17:7.
Sa të lumtur janë ata që pagëzohen dhe bëhen pjesë e familjes së Jehovait! Kushdo që ka nderin të gëzojë këtë miqësi të ngushtë me Jehovain, ndihet si psalmisti David që tha: «Lum ai që ti [Jehova] e zgjedh dhe e afron pranë, që në oborret e tua të banojë.» (Psal. 65:4) Jehovai nuk pranon këdo në oborret e tij. Ai zgjedh ata që tregojnë se duan të kenë miqësi të ngushtë me të. (Jak. 4:8) Kur ia kushton jetën Jehovait dhe pagëzohesh, mund të jesh i sigurt se pas kësaj, ai ‘do të të derdhë një bekim të tillë, sa të mos kesh më nevojë’. (Mal. 3:10; Jer. 17:8) Pagëzimi është vetëm një pikënisje. Ti do të duash të bësh maksimumin për të jetuar në lartësinë e betimit të kushtimit edhe kur të hasësh tundime ose sprova besimi. (Ekl. 5:4, 5) Si dishepull i Jezuit, do të bësh më të mirën që të imitosh shembullin e tij e t’u bindesh urdhërimeve të tij.—Mat. 28:19, 20; 1 Pjet. 2:21. w24.03 8 ¶1-3
E hënë, 23 qershor
Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet.—Zan. 2:24.
Po në rast se nuk ju pëlqen të kaloni kohë bashkë si çift? Ç’mund të bëni? Mendoni për një zjarr. Ai nuk bëhet menjëherë zjarr bubulak. Duhet t’i hedhësh avash-avash copa druri gjithnjë e më të mëdha. Po njësoj, pse të mos ia filloni duke kaluar vetëm pak kohë bashkë çdo ditë? Mundohuni të bëni diçka që ju pëlqen të dyve. (Jak. 3:18) Duke nisur me gjëra të vogla, mund ta rindizni dashurinë mes jush. Respekti është jetësor në martesë. Është si oksigjeni që e kthen një zjarr të vogël në një zjarr flakërues. Pa oksigjen, zjarri shuhet shpejt. Po njësoj, pa respekt, dashuria mes një çifti mund të ftohet shpejt. Kurse bashkëshortët që përpiqen t’i tregojnë respekt njëri-tjetrit, punojnë për ta mbajtur ndezur dashurinë e tyre. Gjithsesi, mbaj parasysh se nuk është puna nëse ti mendon që po tregon respekt, por nëse bashkëshorti ndihet i respektuar. w23.05 22 ¶9; 24 ¶14-15
E martë, 24 qershor
Kur kisha përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua ma ledhatonin shpirtin.—Psal. 94:19.
Në Bibël, shërbëtorët besnikë të Perëndisë përmendin raste kur ishin në pikë të hallit dhe dridheshin nga frika e armiqve ose e presioneve të tjera. (Psal. 18:4; 55:1, 5) Po njësoj, ne mund të hasim kundërshtime në shkollë, në punë, nga familja ose nga qeveria. Mund të përballemi edhe me vdekjen për shkak të një problemi shëndetësor. Në situata të tilla, mund të ndihemi të pambrojtur si një fëmijë i vogël. Si na ndihmon Jehovai në këto raste? Ai na ngushëllon e na qetëson. Ndaj, kalo kohë rregullisht me Jehovain—lutju dhe lexo Fjalën e tij. (Psal. 77:1, 12-14) Kështu ka shumë gjasa që gjëja e parë që do të bësh kur të jesh nën stres, do të jetë të vraposh tek Ati yt. Hapju Jehovait për çdo frikë dhe shqetësim që ke. Lejoje të të flasë e të të ngushëllojë nëpërmjet Shkrimeve.—Psal. 119:28. w24.01 24-25 ¶14-16
E mërkurë, 25 qershor
Vetë Perëndia ju fuqizon duke ju dhënë si dëshirën, edhe fuqinë që të veproni.—Filip. 2:13.
Motivi për t’i arritur synimet në adhurimin e Jehovait është tepër i rëndësishëm. Kur je i motivuar, ke dëshirë të fortë që të punosh për ta arritur synimin. Dhe sa më të motivuar të ndihemi, aq më tepër gjasa ka t’i arrijmë synimet tona. Atëherë, ç’mund të bësh që të ndihesh më i motivuar? Lutu që të ndihesh më i motivuar. Nëpërmjet frymës së tij, Jehovai mund të të motivojë ta arrish synimin. Ndonjëherë vëmë një synim ngaqë e dimë se ashtu duhet, e kjo është gjë e mirë. Por mund të mos kemi edhe aq dëshirë ta arrijmë. Medito për gjithë sa ka bërë Jehovai për ty. (Psal. 143:5) Apostulli Pavël meditonte si i kishte treguar mirësi të pamerituar Jehovai, dhe kjo e motivonte t’i shërbente pa u kursyer. (1 Kor. 15:9, 10; 1 Tim. 1:12-14) Po njësoj, sa më shumë të meditosh për gjithë sa ka bërë Jehovai për ty, aq më i motivuar do të ndihesh për ta arritur synimin.—Psal. 116:12. w23.05 26-27 ¶3-5
E enjte, 26 qershor
Lëvdoni emrin e Jehovait!—Psal. 113:1.
E kënaqim Atin tonë qiellor kur lëvdojmë emrin e tij. (Psal. 119:108) Megjithatë, a do të thotë kjo se Perëndia i plotfuqishëm u ngjan njerëzve të papërsosur që janë të etur për lavdërime ngaqë duan vëmendje ose siguri? Jo. Kur lëvdojmë Atin tonë qiellor, hedhim poshtë një gënjeshtër që na përfshin edhe ne. Satanai pretendon se asnjeri nuk do ta mbrojë me besnikëri emrin e Perëndisë. Sipas tij, po të vihemi në provë, askush prej nesh nuk do të ruajë integritetin. Ai thotë se të gjithë do t’ia kthejmë shpinën Perëndisë nëse është në leverdinë tonë. (Jobi 1:9-11; 2:4) Por Jobi besnik e nxori Satanain gënjeshtar. A do të bësh dhe ti po njësoj? Secili nga ne ka privilegjin të mbrojë emrin e Atit tonë dhe ta kënaqë duke i shërbyer me besnikëri. (Prov. 27:11) Çfarë nderi i madh! w24.02 8-9 ¶3-5
E premte, 27 qershor
Kini besim te profetët e tij, që të keni sukses!—2 Kron. 20:20.
Pas kohës së Moisiut dhe të Josiut, Jehovai emëroi gjykatës që të udhëhiqnin popullin e tij. Më pas, në kohën e mbretërve, caktoi profetë që t’i drejtonin izraelitët. Mbretërit besnikë ua vunë veshin këshillave të profetëve. Për shembull, mbreti David e pranoi me përulësi ndreqjen nga profeti Natan. (2 Sam. 12:7, 13; 1 Kron. 17:3, 4) Mbreti Jehozafat u mbështet për drejtim te profeti Jahaziel dhe e nxiti popullin e Judës ‘të kishte besim te profetët e Perëndisë’. (2 Kron. 20:14, 15) Kur ishte në ankth, mbreti Hezekia i kërkoi ndihmë profetit Isaia. (Isa. 37:1-6) Sa herë që ndiqnin drejtimin e Jehovait, mbretërit gëzonin bekime dhe populli ishte i mbrojtur. (2 Kron. 20:29, 30; 32:22) Ishte e qartë se Jehovai po përdorte profetët e tij për ta udhëhequr popullin. w24.02 21 ¶8
E shtunë, 28 qershor
Mos kini . . . asgjë të përbashkët me ta.—Efes. 5:7.
Satanai dëshiron të zgjedhim shoqëri që na e bëjnë më të vështirë të jetojmë sipas standardeve të Jehovait. Të mos harrojmë se shoqëria jonë nuk janë vetëm ata me të cilët kalojmë kohë personalisht. Përfshin edhe njerëzit me të cilët komunikojmë a shohim në mediat sociale. Duhet ta luftojmë mentalitetin e botës se sjellja imorale është e pranueshme. E dimë mirë që nuk është aspak kështu. (Efes. 4:19, 20) Gjithsesi duhet të pyesim veten: «A jam i vendosur të shmang shoqërimin e panevojshëm me shokët e punës, shokët e klasës a me të tjerë që nuk i respektojnë standardet e drejta të Jehovait? A u përmbahem me guxim standardeve të Jehovait, edhe pse disa mund të më quajnë jotolerant?» Siç e tregon 2 Timoteut 2:20-22, mund të na duhet të bëjmë kujdes edhe kur zgjedhim miqtë e ngushtë në kongregacion. Të mos harrojmë se disa mund të mos na ndihmojnë të qëndrojmë besnikë në shërbim të Jehovait. w24.03 22-23 ¶11-12
E diel, 29 qershor
Jehovai është shumë i dhembshur.—Jak. 5:11.
A ke provuar ndonjëherë të imagjinosh si është Jehovai? Ndonëse Jehovai është i padukshëm, në Bibël gjejmë një larmi përshkrimesh për të. Jehovai quhet «dielli e mburoja jonë» dhe «një zjarr që përpin». (Psal. 84:11; Hebr. 12:29) Në një vegim thuhet edhe se ngjan me një gur safiri, me një metal rrëzëllues dhe me një ylber që shkëlqen. (Ezek. 1:26-28) Meqë nuk e shohim dot Jehovain, mund ta kemi të vështirë të besojmë se ai na do. Disave u duket e pamundur që Jehovai t’i dojë për shkak të gjërave që kanë përjetuar në të kaluarën. Jehovai i kupton ndjenja të tilla dhe e di si ndikojnë ato te ne. Për të na ndihmuar ta njohim, ka shpalosur në Fjalën e tij cilësitë e personalitetit të tij të bukur. Nëse ka një fjalë që e përshkruan në mënyrë të përkryer Jehovain, është fjala dashuri. (1 Gjon. 4:8) Dashuria është thelbi i qenies së tij. Ajo ndikon te çdo gjë që bën. Dashuria e Perëndisë është kaq e ngrohtë dhe kaq e fuqishme, sa e tregon edhe ndaj atyre që nuk e duan.—Mat. 5:44, 45. w24.01 26 ¶1-3
E hënë, 30 qershor
Nga shtylla e resë u fliste.—Psal. 99:7.
Jehovai caktoi Moisiun që të udhëhiqte popullin e Izraelit dhe ta nxirrte nga Egjipti dhe si prova të dukshme u jepte gjatë ditës një shtyllë reje dhe gjatë natës një shtyllë zjarri. (Eks. 13:21) Moisiu ndoqi drejtimin e shtyllës, dhe ajo i çoi atë e popullin drejt Detit të Kuq. Izraelitët i zuri paniku sepse u ndien të zënë në grackë mes detit dhe ushtrisë egjiptiane që u ishte vënë pas. Por nuk ishte aspak ashtu. Nëpërmjet Moisiut, Jehovai e kishte drejtuar qëllimisht popullin e vet atje. (Eks. 14:2) Pastaj, me anë të një mrekullie mbresëlënëse, ai i shpëtoi nga dora e egjiptianëve. (Eks. 14:26-28) Për 40 vjet rresht, ndërsa i printe popullit të Perëndisë në shkretëtirë, Moisiu vazhdoi të mbështetej për drejtim te shtylla e resë. (Eks. 33:7, 9, 10) Jehovai i fliste Moisiut nga shtylla dhe më pas Moisiu i përcillte popullit udhëzimet e Tij. Izraelitët kishin plot prova se Jehovai po u printe nëpërmjet Moisiut. w24.02 21 ¶4-5