E shtunë, 13 shtator
Ti je shumë i vyer.—Dan. 9:23.
Profeti Daniel ishte i ri në moshë kur babilonasit e morën si rob lufte dhe e syrgjynosën larg vendlindjes. Por me sa duket, Danieli u tërhoqi vëmendjen autoriteteve babilonase. Ata panë ‘atë që shihte syri’—pra që ai ishte ‘pa asnjë të metë, i pashëm’ dhe vinte nga derë fisnike. (1 Sam. 16:7) Prandaj babilonasit e stërvitën që të bëhej pjesë e elitës së shoqërisë së tyre. (Dan. 1:3, 4, 6) Jehovai e donte Danielin e ri për llojin e njeriut që zgjodhi të bëhej. Në fakt, Danieli mund të ketë qenë nga fundi i adoleshencës ose fillimi i të 20-ve kur Jehovai e përmendi si një shembull krahas Noesë dhe Jobit, të cilët kishin gëzuar miratimin e Tij për dekada të tëra. (Zan. 5:32; 6:9, 10; Jobi 42:16, 17; Ezek. 14:14) E Jehovai vazhdoi t’i tregonte dashuri Danielit gjatë gjithë jetës së tij të gjatë e mbresëlënëse.—Dan. 10:11, 19. w23.08 2 ¶1-2
E diel, 14 shtator
Kuptoni cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia e së vërtetës.—Efes. 3:18.
Kur vendos nëse do të blesh një shtëpi, dëshiron ta studiosh vetë me imtësi banesën tënde të ardhshme. Edhe kur lexon e studion Shkrimet, mund të bësh diçka të ngjashme. Po ta lexosh shpejt e shpejt, mund të mësosh vetëm faktet bazë—«gjërat elementare të thënieve të shenjta të Perëndisë». (Hebr. 5:12) Në vend të kësaj, ashtu siç do të bëje me shtëpinë, hyr «brenda» dhe shqyrto gjithë hollësitë e saj mahnitëse. Një mënyrë e shkëlqyer për ta studiuar Biblën është të shohësh si ndërthuren pjesët e ndryshme të saj. Përpiqu të kuptosh jo vetëm çfarë të vërtetash beson, por edhe pse i beson. Që ta kuptojmë plotësisht Fjalën e Perëndisë, duhet të ndalemi te të vërteta të thella të saj. Apostulli Pavël i nxiti vëllezërit e motrat ta studionin me kujdes Fjalën e Perëndisë, që ‘të kuptonin krejtësisht cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia’ e së vërtetës. Kështu do të bëheshin akoma më «të rrënjosur» e më «të qëndrueshëm» në besim. (Efes. 3:14-19) Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne. w23.10 18 ¶1-3
E hënë, 15 shtator
Vëllezër, merrni si shembull vuajtjet dhe durimin e profetëve që folën në emër të Jehovait.—Jak. 5:10.
Në Bibël gjejmë plot shembuj durimi. Pse të mos bësh një projekt studimi për të shqyrtuar historitë e tyre? Për shembull, Davidi u miros në moshë të re që të ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit, por iu desh të priste vite të tëra që të hipte në fron. Simeoni dhe Ana e adhuruan me besnikëri Jehovain ndërsa prisnin Mesinë e premtuar. (Luka 2:25, 36-38) Teksa shqyrton shembuj të tillë, përpiqu t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve: «Çfarë mund ta ketë ndihmuar këtë personazh të tregonte durim? Si nxori dobi ngaqë u tregua i duruar? Si mund ta imitoj?» Mund të përfitosh edhe nga shembulli i atyre që nuk treguan durim. (1 Sam. 13:8-14) Ndërsa shqyrton këta shembuj negativë, pyet veten: «Cila mund të ketë qenë arsyeja pse u treguan të paduruar? Çfarë pasojash patën?» w23.08 25 ¶15