E diel, 14 shtator
Kuptoni cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia e së vërtetës.—Efes. 3:18.
Kur vendos nëse do të blesh një shtëpi, dëshiron ta studiosh vetë me imtësi banesën tënde të ardhshme. Edhe kur lexon e studion Shkrimet, mund të bësh diçka të ngjashme. Po ta lexosh shpejt e shpejt, mund të mësosh vetëm faktet bazë—«gjërat elementare të thënieve të shenjta të Perëndisë». (Hebr. 5:12) Në vend të kësaj, ashtu siç do të bëje me shtëpinë, hyr «brenda» dhe shqyrto gjithë hollësitë e saj mahnitëse. Një mënyrë e shkëlqyer për ta studiuar Biblën është të shohësh si ndërthuren pjesët e ndryshme të saj. Përpiqu të kuptosh jo vetëm çfarë të vërtetash beson, por edhe pse i beson. Që ta kuptojmë plotësisht Fjalën e Perëndisë, duhet të ndalemi te të vërteta të thella të saj. Apostulli Pavël i nxiti vëllezërit e motrat ta studionin me kujdes Fjalën e Perëndisë, që ‘të kuptonin krejtësisht cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia’ e së vërtetës. Kështu do të bëheshin akoma më «të rrënjosur» e më «të qëndrueshëm» në besim. (Efes. 3:14-19) Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne. w23.10 18 ¶1-3
E hënë, 15 shtator
Vëllezër, merrni si shembull vuajtjet dhe durimin e profetëve që folën në emër të Jehovait.—Jak. 5:10.
Në Bibël gjejmë plot shembuj durimi. Pse të mos bësh një projekt studimi për të shqyrtuar historitë e tyre? Për shembull, Davidi u miros në moshë të re që të ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit, por iu desh të priste vite të tëra që të hipte në fron. Simeoni dhe Ana e adhuruan me besnikëri Jehovain ndërsa prisnin Mesinë e premtuar. (Luka 2:25, 36-38) Teksa shqyrton shembuj të tillë, përpiqu t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve: «Çfarë mund ta ketë ndihmuar këtë personazh të tregonte durim? Si nxori dobi ngaqë u tregua i duruar? Si mund ta imitoj?» Mund të përfitosh edhe nga shembulli i atyre që nuk treguan durim. (1 Sam. 13:8-14) Ndërsa shqyrton këta shembuj negativë, pyet veten: «Cila mund të ketë qenë arsyeja pse u treguan të paduruar? Çfarë pasojash patën?» w23.08 25 ¶15
E martë, 16 shtator
Ne besojmë dhe e dimë se ti je i Shenjti i Perëndisë.—Gjoni 6:69.
Apostulli Pjetër ishte besnik; ai nuk lejoi asgjë që ta bënte të dorëzohej përfundimisht. Në një rast, e tregoi besnikërinë kur Jezui tha diçka që dishepujt nuk e kuptuan. (Gjoni 6:68) Shumë veta nuk pritën që Jezui të jepte një shpjegim, por vendosën të mos e ndiqnin më. Ama Pjetri nuk ishte mes tyre. Ai pranoi se vetëm Jezui kishte «fjalë që të çojnë në jetën e përhershme». Jezui e dinte se Pjetri dhe apostujt e tjerë do ta braktisnin. Sidoqoftë shprehu sigurinë se Pjetri do ta merrte veten nga kjo e do të qëndronte besnik. (Luka 22:31, 32) Jezui e kuptonte se «zemra është gati, por trupi është i dobët». (Mar. 14:38) Prandaj, edhe pasi Pjetri mohoi se e njihte, Jezui nuk hoqi dorë nga apostulli i tij. Pasi u ringjall, ai iu shfaq Pjetrit—me sa duket kur Pjetri ishte vetëm. (Mar. 16:7; Luka 24:34; 1 Kor. 15:5) Sa shumë duhet t’i ketë dhënë zemër kjo apostullit të shkurajuar! w23.09 22 ¶9-10