Danieli
2 Vitin e dytë të mbretërimit, Nabukodonosori pa ëndrra.+ Ai nisi të trazohej+ dhe gjumi i iku. 2 Kështu, mbreti thirri gjithë priftërinjtë që merreshin me magji,+ ndjellësit e frymërave, shtriganët dhe kaldeasit, që t’i tregonin ëndrrat.+ Ata erdhën dhe qëndruan para mbretit. 3 Pastaj ai u tha: «Kam parë një ëndërr dhe ndihem i trazuar, ngaqë dua të di kuptimin e saj.» 4 Atëherë kaldeasit i thanë mbretit në gjuhën aramaike:+ «O mbret, rrofsh në jetë të jetëve!+ Tregojua ëndrrën shërbëtorëve të tu, dhe do të të tregojmë interpretimin.»+
5 Por mbreti ua ktheu: «Kjo është fjala ime: nëse nuk ma bëni të njohur ëndrrën dhe interpretimin e saj, do të gjymtoheni+ dhe shtëpitë tuaja do të kthehen në nevojtore publike.+ 6 Por, nëse do të tregoni ëndrrën dhe interpretimin e saj, do të merrni nga unë dhurata, peshqeshe dhe shumë nderime.+ Ndaj tregomëni ëndrrën dhe interpretimin e saj.»
7 Ata i thanë për herë të dytë: «Le t’ua thotë mbreti ëndrrën shërbëtorëve të tij, dhe ne do të tregojmë interpretimin e saj.»
8 Mbreti iu përgjigj: «Unë e di për bukuri se ju po përpiqeni të fitoni kohë, ngaqë e keni kuptuar se unë e thashë fjalën time. 9 Nëse nuk më bëni të njohur ëndrrën, për ju ka vetëm një vendim.+ Por ju keni rënë në ujdi të më thoni gënjeshtra dhe fjalë të kota,+ që të fitoni kohë. Prandaj, ma tregoni këtë ëndërr, dhe unë do të kuptoj se ju mund të më bëni interpretimin e saj.»
10 Kaldeasit iu përgjigjën mbretit: «S’ka njeri në tokë që të jetë në gjendje t’ia tregojë mbretit këtë gjë. Asnjë mbret i madh a guvernator nuk ka kërkuar një gjë të tillë nga ndonjë prift që merret me magji, nga ndonjë ndjellës frymërash a kaldeas. 11 Kjo gjë që po kërkon mbreti është e vështirë dhe s’ka tjetër njeri që t’ia tregojë, përveç perëndive,+ të cilët nuk banojnë ndër njerëzit.»+
12 Për këtë arsye, mbreti u zemërua, u tërbua+ dhe dha urdhër të vriteshin gjithë të mençurit e Babilonisë.+ 13 Urdhri u shpall, dhe po përgatiteshin të vritnin burrat e mençur. Kërkuan edhe Danielin me shokët e tij, që t’i vritnin.
14 Atëherë, me maturi e gjykim të shëndoshë, Danieli iu drejtua+ Ariokut, kreut të truprojës së mbretit, i cili kishte dalë të vriste burrat e mençur të Babilonisë. 15 Ai i tha Ariokut, oficerit të mbretit: «Për ç’arsye ka dalë një urdhër i tillë i ashpër nga ana e mbretit?» Kështu, Arioku i tregoi Danielit si ishte puna.+ 16 Prandaj, Danieli shkoi dhe i kërkoi mbretit t’i jepte kohë, që t’i tregonte interpretimin.+
17 Pastaj shkoi në shtëpi dhe u tregoi si qëndronte puna shokëve të tij, Hananiahut, Mishaelit dhe Azariahut, 18 që edhe ata t’i kërkonin mëshirë+ Perëndisë së qiellit+ për këtë të fshehtë,+ që Danieli dhe shokët e tij, bashkë me burrat e tjerë të mençur të Babilonisë të mos vriteshin.+
19 Kështu, e fshehta iu zbulua Danielit në një vegim nate.+ Prandaj ai bekoi+ Perëndinë e qiellit. 20 Danieli tha: «Bekuar qoftë emri i Perëndisë+ në jetë të jetëve e në amshim, sepse atij i përkasin mençuria dhe fuqia!+ 21 Ai ndryshon kohët dhe stinët,+ heq e vë mbretër,+ u jep mençuri të mençurve dhe njohuri atyre që kanë aftësi dalluese.+ 22 Ai i zbulon gjërat e thella dhe gjërat e fshehura,+ dhe e di çfarë ka në errësirë.+ Me të banon drita.+ 23 Ty, o Perëndi i etërve të mi, të falënderoj dhe të lëvdoj,+ sepse më dhe mençuri+ dhe fuqi! Ti më bëre të njohur atë që të kërkuam, domethënë çështjen e mbretit.»+
24 Pastaj, Danieli shkoi tek Arioku,+ të cilin mbreti e kishte caktuar të vriste burrat e mençur të Babilonisë.+ Shkoi dhe i tha: «Mos vrit asnjë nga burrat e mençur të Babilonisë. Më ço te mbreti,+ që t’i tregoj interpretimin e ëndrrës.»
25 Atëherë Arioku e çoi me nxitim Danielin te mbreti dhe i tha: «Kam gjetur një burrë nga të mërguarit+ e Judës, i cili mund t’ia bëjë të njohur interpretimin mbretit.» 26 Mbreti i tha Danielit, emri i të cilit ishte Belteshazar:+ «A je mjaft i zoti sa të më bësh të njohur ëndrrën që pashë dhe interpretimin e saj?»+ 27 Danieli iu përgjigj mbretit: «Të fshehtën që po kërkon mbreti, nuk mund t’ia tregojnë burrat e mençur, ndjellësit e frymërave, priftërinjtë që merren me magji dhe astrologët.+ 28 Megjithatë, ka një Perëndi në qiej që është Zbulues i të fshehtave+ dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nabukodonosor se çfarë do të ndodhë në ditët e fundit.+ Ja pra, kjo është ëndrra që pe dhe vegimet që të kaluan nëpër kokë, kur ishe në shtratin tënd:
29 Ty, o mbret, të erdhën në shtrat+ mendime për atë që do të ndodhë më pas, dhe Ai që është Zbuluesi i të fshehtave të ka bërë të njohur se çfarë do të ndodhë.+ 30 Ky sekret nuk më është zbuluar mua+ ngaqë jam më i mençur se gjithë të gjallët e tjerë, por që interpretimi t’i bëhet i njohur mbretit dhe që të dish mendimet e zemrës sate.+
31 Ti, o mbret, pe një shëmbëlltyrë tejet të madhe. Ajo shëmbëlltyrë e madhe dhe jashtëzakonisht e shndritshme qëndronte përballë teje dhe pamja e saj ishte e tmerrshme. 32 Koka e shëmbëlltyrës ishte prej ari të kulluar,+ gjoksi dhe krahët ishin prej argjendi,+ barku dhe kofshët ishin prej bakri,+ 33 kërcinjtë ishin prej hekuri,+ kurse këmbët nga kyçet e poshtë ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile të pjekur.+ 34 Ti pe, derisa një gur u shkëput, pa e prekur kush me dorë,+ dhe e goditi shëmbëlltyrën në pjesën e këmbëve nga kyçet e poshtë, që ishin prej hekuri e argjile të pjekur, dhe i thërrmoi.+ 35 Atëherë, hekuri, argjila e pjekur, bakri, argjendi dhe ari, të gjitha bashkë, u thërrmuan dhe u bënë si byku i lëmit në verë.+ Era i çoi tutje, dhe prej tyre nuk u gjend më asnjë gjurmë.+ Kurse guri që goditi shëmbëlltyrën, u bë një mal i madh dhe mbushi tërë tokën.+
36 Kjo është ëndrra, dhe interpretimin e saj do t’ia themi mbretit.+ 37 Ti, o mbret, mbret i mbretërve, që Perëndia i qiellit të dha mbretërinë,+ fuqinë, forcën e lavdinë, 38 që të dha në dorë+ kafshët e fushës dhe zogjtë e qiellit, kudo ku banojnë bijtë e njerëzve, dhe që të bëri sundimtar mbi të gjitha ato, ti vetë je koka prej ari!+
39 Pas teje do të ngrihet një mbretëri+ që qëndron më poshtë se jotja,+ dhe një tjetër mbretëri akoma, një e tretë, prej bakri, e cila do të sundojë mbi tërë tokën.+
40 Mbretëria e katërt+ do të jetë e fortë si hekuri.+ Ashtu si hekuri që thërrmon e bluan çdo gjë, po, si hekuri që copëton, ajo do t’i thërrmojë e do t’i copëtojë të gjitha këto.+
41 Meqenëse këmbët nga kyçet e poshtë dhe gishtat e këmbëve ishin pjesërisht prej argjile të pjekur* dhe pjesërisht prej hekuri,+ mbretëria do të jetë e përçarë.+ Por, meqë pe hekurin të përzier me argjilë, ajo do të ketë njëfarë fortësie si hekuri.+ 42 Meqë gishtat e këmbëve ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile të pjekur, mbretëria do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë. 43 Meqenëse pe që hekuri ishte përzier me argjilën, disa pjesë të saj do të përzihen me pasardhës të njerëzve, por nuk do të ngjiten së bashku, ashtu si hekuri nuk bashkohet me argjilën e pjekur.
44 Në ditët e atyre mbretërve,+ Perëndia i qiellit+ do të vendosë një mbretëri+ që nuk do të shkatërrohet kurrë.+ Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër.+ Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive,+ dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë,+ 45 meqë pe se nga mali u shkëput një gur, pa e prekur kush me dorë,+ dhe thërrmoi hekurin, bakrin, argjilën e pjekur, argjendin dhe arin.+ Perëndia i Madh+ i ka bërë të njohur mbretit se çfarë do të ndodhë më pas.+ Ëndrra është e vërtetë dhe interpretimi është i denjë për besim.»+
46 Atëherë mbreti Nabukodonosor u përkul me fytyrë përdhe, i bëri nderime Danielit, dhe urdhëroi që atij t’i jepej një dhuratë e të digjnin temjan për të.+ 47 Mbreti i tha Danielit: «Vërtet, Perëndia juaj është Perëndi i perëndive,+ Zot i mbretërve+ dhe Zbulues i të fshehtave, sepse ti ishe në gjendje ta zbuloje këtë të fshehtë.»+ 48 Prandaj, mbreti e bëri Danielin të madh,+ i dha shumë dhurata të mëdha, dhe e bëri sundimtar mbi gjithë provincën e Babilonisë+ e kryeprefekt të të gjithë burrave të mençur të Babilonisë. 49 Me kërkesë të Danielit, mbreti emëroi në krye të administratës së provincës së Babilonisë Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon,+ kurse Danieli ishte në oborrin+ e mbretit.