EKSODI
1 Tani, këta janë emrat e djemve të Izraelit që shkuan në Egjipt me Jakobin, secili me familjen e vet:+ 2 Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda;+ 3 Isahari, Zabuloni dhe Beniamini; 4 Dani dhe Neftali; Gadi dhe Asheri;+ 5 kurse Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt. Prandaj Jakobi pati gjithsej 70 pasardhës.*+ 6 Me kohë Jozefi vdiq,+ si edhe gjithë vëllezërit e tij dhe tërë ai brez. 7 Ndërkohë izraelitët* u bënë me shumë fëmijë; me një shpejtësi marramendëse, ata u shtuan dhe u bënë gjithnjë e më të fuqishëm, aq sa mbushën vendin.+
8 Me kalimin e kohës, në Egjipt doli një mbret i ri, i cili nuk e njihte Jozefin 9 dhe i thoshte popullit të vet: «Ja, populli i Izraelit është më i madh dhe më i fuqishëm se ne.+ 10 Ndaj të tregohemi mendjemprehtë, përndryshe ata do të vazhdojnë të shumohen dhe, nëse shpërthen ndonjë luftë, do të bashkohen me armiqtë tanë, do të luftojnë kundër nesh dhe pastaj do të largohen nga vendi.»
11 Prandaj caktuan mbi ta krerë për punë të detyruar,* që t’i shtypnin e t’i vinin në punë të rënda.+ Kështu izraelitët ndërtuan për faraonin qytete-depo, Pitomin dhe Ramsesin.+ 12 Por, sa më shumë i shtypnin, aq më shumë shtoheshin e përhapeshin, prandaj egjiptianëve u kishte hyrë frika në palcë nga izraelitët.+ 13 Si pasojë, egjiptianët i skllavëruan pa mëshirë izraelitët+ 14 dhe ua nxinë jetën me punë të rënda: i detyruan të punonin në llaç, në tulla e në çdo lloj pune nëpër ara. Po, i keqtrajtuan dhe i munduan me çdo formë skllavërie.+
15 Më vonë mbreti i Egjiptit foli me dy mami hebreje që quheshin Shifra dhe Puaha 16 dhe u tha: «Kur t’i ndihmoni gratë hebreje të lindin+ e të shihni se fëmija është djalë, vriteni, por në qoftë vajzë, lëreni të jetojë.» 17 Mirëpo mamitë kishin nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë,* prandaj nuk bënin siç u kishte thënë mbreti i Egjiptit, por i linin gjallë djemtë.+ 18 Pas ca kohësh mbreti i Egjiptit i thirri mamitë dhe i pyeti: «Pse i keni lënë gjallë djemtë?» 19 Mamitë iu përgjigjën faraonit: «Gratë hebreje nuk janë si gratë egjiptiane. Ato janë gra të forta dhe lindin para se të shkojnë mamitë.»
20 Prandaj Perëndia i bekoi mamitë; dhe populli shtohej e bëhej gjithnjë e më i fuqishëm. 21 E ngaqë mamitë patën nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë,* më vonë ai e bekoi secilën me fëmijë. 22 Në fund faraoni e urdhëroi gjithë popullin: «Çdo djalë të sapolindur të hebrenjve hidheni në lumin Nil, kurse vajzat lërini gjallë.»+
2 Në këtë kohë, një burrë nga shtëpia e Levit u martua me një grua nga fisi i Levit,+ 2 që mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. Kur pa sa i bukur ishte, ajo e mbajti të fshehur djalin për tre muaj,+ 3 por kur nuk e mbante dot më të fshehur,+ mori një shportë* papirusi, e leu me bitum e katran,* futi fëmijën brenda dhe e vuri mes kallamave buzë lumit Nil. 4 Kurse motra e tij+ qëndroi në njëfarë largësie për të parë ç’do t’i ndodhte.
5 S’kaloi shumë dhe vajza e faraonit shkoi për t’u larë në lumin Nil. Shërbëtoret e saj po ecnin buzë Nilit kur ajo vuri re shportën mes kallamave, dhe menjëherë dërgoi skllaven e saj që ta merrte.+ 6 Kur e hapi, pa djalin që po qante. Ndonëse iu dhimbs, ajo tha: «Ky është fëmijë hebre.» 7 Atëherë motra e tij e pyeti vajzën e faraonit: «A të shkoj e të thërras një mëndeshë* nga gratë hebreje që t’i japë gji fëmijës?» 8 Vajza e faraonit i tha: «Shko!» Kështu vajza shkoi menjëherë dhe thirri nënën e fëmijës.+ 9 Vajza e faraonit i tha: «Merre me vete këtë fëmijë e jepi gji, dhe unë do të të paguaj.» Prandaj gruaja e mori fëmijën dhe e mëndi, 10 e pasi fëmija u rrit, e çoi te vajza e faraonit. Ai u bë djali i saj+ dhe ajo ia vuri emrin Moisi,* sepse tha: «E kam nxjerrë nga uji.»+
11 Tani Moisiu ishte rritur e ishte bërë burrë. Kështu një ditë shkoi te vëllezërit e tij për të parë punët e rënda që bënin+ dhe i zuri syri një egjiptian që po rrihte një hebre, një nga vëllezërit e tij. 12 Atëherë i hodhi sytë rreth e qark dhe, kur pa që s’kishte njeri, e vrau egjiptianin dhe e fshehu në rërë.+
13 Doli edhe të nesërmen dhe pa dy hebrenj që po ziheshin, prandaj i tha atij që ishte fajtor: «Pse e godet shokun?»+ 14 Ai ia ktheu: «Kush të vuri ty princ dhe gjykatës? Mos ke ndër mend të më vrasësh edhe mua siç vrave atë egjiptianin?»+ Kur dëgjoi këtë, Moisiun e zuri frika dhe tha me vete: «Me siguri kjo punë ka marrë dhenë!»
15 Këtë gjë e mori vesh edhe faraoni, i cili u përpoq ta vriste, por Moisiu ia mbathi dhe vajti të banonte në vendin e Midianit;+ kur mbërriti atje, u ul pranë një pusi. 16 Tani, prifti i Midianit+ kishte shtatë vajza, që erdhën për të nxjerrë ujë e për të mbushur lugjet që të pinin kopetë e të atit. 17 Por si përherë, erdhën barinjtë dhe i përzunë. Atëherë Moisiu u ngrit, i ndihmoi* gratë dhe u dha ujë kopeve të tyre. 18 Kur ato vajtën në shtëpi te babai i tyre, Reueli,*+ ai i pyeti i habitur: «Si ka mundësi që sot erdhët kaq shpejt në shtëpi?» 19 Ato ia kthyen: «Një egjiptian+ na shpëtoi nga barinjtë, e madje nxori ujë për ne dhe i dha për të pirë kopesë.» 20 Atëherë ai u tha të bijave: «Po ku është? Pse nuk e morët me vete? Shkoni e thirreni që të vijë e të hamë bashkë.» 21 Kështu Moisiu pranoi të banonte në shtëpinë e Reuelit, dhe ky i dha për grua të bijën, Ziporën.+ 22 Më vonë ajo i lindi një djalë, dhe Moisiu ia vuri emrin Gershom,*+ sepse tha: «Jam i ardhur në dhé të huaj.»+
23 Pas shumë kohësh, mbreti i Egjiptit vdiq,+ mirëpo izraelitët ende rënkonin nga skllavëria e thirrnin të pikëlluar, dhe thirrjet e tyre për ndihmë shkonin te Perëndia i vërtetë.+ 24 Me kohë Perëndia e dëgjoi rënkimin e tyre+ dhe e kujtoi* besëlidhjen që kishte bërë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin.+ 25 Kështu Perëndia e drejtoi vëmendjen nga izraelitët dhe pa sa shumë po vuanin.
3 Moisiu u bë barí i kopeve të të vjehrrit, Jetroit,+ priftit të Midianit. Një ditë, ndërsa po e çonte kopenë në anën perëndimore të shkretëtirës, mbërriti në malin e Perëndisë së vërtetë, në Horeb,+ 2 dhe aty engjëlli i Jehovait iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një shkurreje me gjemba.+ Teksa shihte, Moisiu vuri re që shkurrja kishte marrë flakë, e megjithatë nuk digjej, 3 prandaj tha: «Do të shkoj që ta shoh më nga afër këtë gjë të pazakontë e të kuptoj pse nuk digjet shkurrja.» 4 Kur vuri re që po shkonte atje për të parë, Jehovai e thirri nga shkurrja: «Moisi, Moisi!» Ai iu përgjigj: «Urdhëro, zotëria im!» 5 Atëherë Perëndia i tha: «Mos u afro më shumë! Hiqi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po rri është tokë e shenjtë.»
6 Pastaj vazhdoi: «Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit,+ Perëndia i Isakut+ dhe Perëndia i Jakobit.»+ Me të dëgjuar këtë, Moisiu mbuloi fytyrën sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë e vërtetë. 7 Jehovai shtoi: «Sigurisht që e kam parë mundimin e popullit tim në Egjipt dhe kam dëgjuar si klithin për shkak të atyre që i detyrojnë të punojnë. E di mirë ç’dhembje heqin,+ 8 prandaj do të zbres që t’i çliroj nga dora e egjiptianëve,+ t’i nxjerr nga ai vend e t’i çoj në një vend të mirë e të gjerë, në një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë,+ në territorin e kananitëve, hititëve, amoritëve, perezitëve, hivitëve dhe jebusitëve.+ 9 Ja, klithma e popullit të Izraelit ka ardhur deri tek unë dhe kam parë se si egjiptianët po e shtypin pa mëshirë.+ 10 Eja tani, se do të të dërgoj te faraoni dhe ti do ta nxjerrësh nga Egjipti popullin tim, Izraelin.»+
11 Por Moisiu i tha Perëndisë së vërtetë: «E kush jam unë që të shkoj te faraoni dhe t’i nxjerr izraelitët nga Egjipti?!» 12 Ai i tha: «Unë do të jem me ty,+ dhe kjo do të jetë shenja për të të treguar se të kam dërguar unë: pasi ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t’i shërbeni Perëndisë së vërtetë* në këtë mal.»+
13 Por Moisiu i tha Perëndisë së vërtetë: «Ta zëmë se vajta tek izraelitët dhe u thashë: ‘Perëndia i paraardhësve tuaj më ka dërguar te ju.’ Çfarë t’u them nëse më pyesin: ‘Si e ka emrin?’»+ 14 Atëherë Perëndia iu përgjigj: «Unë Do Të Bëhem Çdo Gjë Që Zgjedh* Të Bëhem.»*+ Pastaj shtoi: «Ja çfarë do t’u thuash izraelitëve: “‘Unë Do Të Bëhem’ më ka dërguar te ju.”»+ 15 Perëndia i tha prapë Moisiut:
«Ja çfarë do t’u thuash izraelitëve: ‘Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj, Perëndia i Abrahamit,+ Perëndia i Isakut+ dhe Perëndia i Jakobit,+ më ka dërguar te ju.’ Ky është emri im në jetë të jetëve+ dhe me këtë emër do të kujtohem brez pas brezi. 16 Tani shko e mblidh pleqtë e Izraelit dhe thuaju: “Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit, m’u shfaq dhe më tha: ‘E kam parë sa shumë po vuani+ dhe çfarë po ju bëjnë në Egjipt. 17 Prandaj po ju premtoj se do t’ju çliroj nga mundimi+ që po hiqni prej duarve të egjiptianëve dhe do t’ju çoj në vendin e kananitëve, hititëve, amoritëve,+ perezitëve, hivitëve dhe jebusitëve,+ në një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.’”+
18 Me siguri ata do të ta vënë veshin,+ prandaj bashkë me pleqtë e Izraelit shkoni te mbreti i Egjiptit dhe thuajini: ‘Jehovai, Perëndia i hebrenjve,+ ka folur me ne. Prandaj, të lutemi, na lër të udhëtojmë tri ditë në shkretëtirë që t’i bëjmë flijime Jehovait, Perëndisë tonë.’+ 19 Por unë e di mirë se mbreti i Egjiptit nuk do t’ju lejojë të shkoni, veç po ta detyrojë një dorë e fortë.+ 20 Kështu do të më duhet ta ngre dorën kundër Egjiptit dhe ta godas me gjithë veprat mbresëlënëse që do të bëj atje, e pas kësaj mbreti do t’ju lërë të ikni.+ 21 Falë meje, populli im do të ketë pëlqimin e egjiptianëve, prandaj kur të ikni, s’keni për t’u larguar duarbosh.+ 22 Çdo grua t’u kërkojë egjiptianeve që banojnë afër saj ose në shtëpinë e saj, sende argjendi, ari dhe rroba, me të cilat do të vishni djemtë dhe vajzat tuaja; ju do t’i plaçkitni egjiptianët.»+
4 Por Moisiu iu përgjigj: «Ta zëmë se nuk më besojnë dhe nuk ma vënë veshin,+ e më thonë: ‘Jehovai nuk të është shfaqur.’» 2 Atëherë Jehovai e pyeti: «Çfarë ke në dorë?» Ai iu përgjigj: «Një bastun.» 3 Perëndia i tha: «Hidhe në tokë.» Atëherë Moisiu e hodhi përtokë, dhe bastuni u shndërrua në gjarpër,+ prandaj Moisiu ia dha vrapit. 4 Tani Jehovai i tha Moisiut: «Zgjate dorën dhe kape gjarprin nga bishti.» Kështu ai zgjati dorën, e kapi, dhe gjarpri iu shndërrua në bastun. 5 Atëherë Perëndia i tha: «Këtë e bëra që ata të besojnë se të është shfaqur Jehovai,+ Perëndia i paraardhësve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.»+
6 Jehovai i tha përsëri: «Të lutem, fute dorën në gji, në një nga palat e veshjes.» Kështu ai e futi dorën në gji. Por kur e nxori dorën jashtë, ç’të shihte! Dorës i kishte rënë lebra dhe ishte bërë e bardhë si bora!+ 7 Pastaj i tha: «Fute përsëri dorën në gji.» Atëherë Moisiu e futi dorën në gji. Por kur e nxori dorën jashtë, ja, ajo ishte bërë prapë e shëndetshme si pjesa tjetër e trupit! 8 Perëndia vazhdoi: «Nëse nuk të besojnë dhe nuk i kushtojnë vëmendje shenjës* së parë, me siguri do t’i kushtojnë vëmendje shenjës së dytë.+ 9 Por edhe sikur të mos u besojnë as këtyre dy shenjave dhe të mos duan të ta vënë veshin, merr pak ujë nga lumi Nil e derdhe në tokë të thatë, dhe uji do të shndërrohet në gjak.»+
10 Moisiu i tha Jehovait: «Më fal, o Jehova, por s’kam qenë ndonjëherë njeri i gojës; s’kam qenë i tillë në të kaluarën dhe nuk u bëra edhe pasi fole me shërbëtorin tënd. Faktikisht unë jam i ngathët në fjalë e në të folur.»+ 11 Jehovai iu përgjigj: «Kush i dha gojë njeriut? Kush ka fuqi ta bëjë të pagojë, të shurdhër, symprehtë a të verbër? A nuk jam unë, Jehovai? 12 Prandaj shko tani, dhe unë do të jem me ty kur të flasësh* e do të të mësoj ç’duhet të thuash.»+ 13 Por ai i tha: «Më fal, o Jehova, por dërgo dikë tjetër, të lutem. Dërgo kë të duash, por jo mua.» 14 Atëherë Jehovait iu ndez zemërimi kundër Moisiut dhe i tha: «Vëllai yt, Aroni,+ leviti, është njeri i gojës. Ja, tani ai është rrugës për të të takuar dhe, kur të të shohë, do t’i gëzohet zemra.+ 15 Prandaj fol me të dhe tregoji fjalët e mia.+ Unë do të jem me ty dhe me të kur të flisni+ e do t’ju mësoj çfarë të bëni. 16 Ai do t’i flasë popullit në vendin tënd dhe do të jetë zëdhënësi yt, kurse ti do të jesh për të si Perëndi.*+ 17 Merre edhe këtë bastun në dorë, se me të do të bësh shenjat që të tregova.»+
18 Pastaj Moisiu u kthye te Jetroi, vjehrri i tij,+ dhe i tha: «Të lutem, më lër të shkoj e të kthehem te vëllezërit e mi në Egjipt që të shoh nëse janë ende gjallë.» Atëherë Jetroi i tha: «Shko në paqe.» 19 Pas kësaj Jehovai i tha Moisiut në Midian: «Shko, kthehu në Egjipt, sepse gjithë njerëzit që donin të të vrisnin, kanë vdekur.»+
20 Atëherë Moisiu mori gruan dhe djemtë, i hipi në gomar dhe u nis që të kthehej në vendin e Egjiptit; mori në dorë edhe bastunin e Perëndisë së vërtetë. 21 Jehovai i tha përsëri Moisiut: «Unë të kam dhënë fuqi që të kryesh mrekulli. Prandaj kur të jesh kthyer në Egjipt, sigurohu që t’i kryesh të gjitha mrekullitë para faraonit.+ Megjithatë unë do të lejoj që zemra t’i ngurtësohet e të bëhet kryeneç,+ dhe ai s’ka për ta lënë popullin të shkojë.+ 22 Thuaji faraonit: “Kështu thotë Jehovai: ‘Izraeli është im bir, i parëlinduri im.+ 23 Prandaj po të them: lëre tim bir të shkojë që të më shërbejë. Por nëse nuk pranon ta lësh që të shkojë, unë do të vras djalin tënd, të parëlindurin.’”»+
24 Tani, kur ishin akoma rrugës për në Egjipt, Jehovai*+ i doli përpara në hanin ku po kalonin natën dhe kërkoi një mënyrë për ta* vrarë.+ 25 Në fund, Zipora+ mori një gur stralli,* e rrethpreu të birin, e hodhi lafshën në këmbët e tij* dhe tha: «Ti je për mua dhëndër gjaku.» 26 Prandaj Ai e la të ikte dhe ajo tha «dhëndër gjaku» për shkak të rrethprerjes.
27 Pastaj Jehovai i tha Aronit: «Shko të takosh Moisiun+ në shkretëtirë.» Kështu ai shkoi, e takoi në malin e Perëndisë së vërtetë+ dhe e përshëndeti me një puthje. 28 Moisiu i tregoi Aronit gjithë fjalët e Jehovait, i cili e kishte dërguar,+ dhe gjithë shenjat që Ai e kishte urdhëruar të bënte.+ 29 Pastaj Moisiu dhe Aroni shkuan dhe mblodhën gjithë pleqtë e izraelitëve.+ 30 Aroni u tha gjithë fjalët që Jehovai i kishte thënë Moisiut, dhe ai i kreu shenjat+ në sy të popullit. 31 Pas gjithë kësaj populli besoi.+ Kur dëgjuan se Jehovai nuk i kishte harruar izraelitët+ dhe se e kishte parë mundimin e tyre,+ ata u përkulën me fytyrë përtokë.
5 Më pas Moisiu dhe Aroni shkuan te faraoni dhe i thanë: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të kremtojë një festë për mua në shkretëtirë.’» 2 Por faraoni tha: «E kush është Jehovai+ që u dashka t’i bindem zërit të tij dhe ta lë Izraelin të shkojë?!+ Unë s’e njoh fare Jehovain dhe s’kam për ta lënë Izraelin të shkojë!»+ 3 Por ata i thanë: «Perëndia i hebrenjve ka folur me ne. Të lutemi, duam të udhëtojmë tri ditë në shkretëtirë dhe t’i bëjmë flijime Jehovait, Perëndisë tonë.+ Përndryshe do të na godasë me ndonjë sëmundje ose do të na vrasë me shpatë.» 4 Mbreti i Egjiptit ua ktheu: «Moisi dhe ti, Aron, pse doni ta largoni popullin nga puna? Ikni tani dhe shtrojuni punës!»*+ 5 Faraoni vazhdoi: «Shihni sa i madh është populli juaj, dhe ju doni që të largohen nga puna e të vijnë me ju?!»
6 Po atë ditë, faraoni u dha urdhër mbikëqyrësve të skllevërve dhe kryepunëtorëve: 7 «Mos i jepni më kashtë popullit që të bëjë tulla.+ Të shkojnë ta mbledhin vetë kashtën. 8 Megjithatë detyrojini të bëjnë po atë sasi tullash si më parë dhe mos ua ulni fare normën, sepse ata e marrin shtruar!* Prandaj kërkojnë me ngulm: ‘Duam të shkojmë, duam t’i bëjmë flijime Perëndisë tonë!’ 9 Detyrojini të punojnë më shumë dhe mbajini të zënë që të mos ua vënë veshin gënjeshtrave.»
10 Kështu mbikëqyrësit+ e skllevërve dhe kryepunëtorët shkuan dhe i thanë popullit: «Ja çfarë thotë faraoni: ‘Nuk do t’ju jap më kashtë. 11 Shkoni, mblidheni vetë e gjejeni ku të doni! Puna nuk do t’ju pakësohet fare!’» 12 Prandaj populli u shpërnda nëpër gjithë vendin e Egjiptit që të mblidhte kërcej drithi të mbetur në arë në vend të kashtës. 13 Mbikëqyrësit e skllevërve i ngutnin dhe u thoshin: «Secili të mbarojë punën e vet, ditë për ditë, njësoj si atëherë kur ju jepnin kashtë.» 14 Madje rrahën kryepunëtorët izraelitë, që mbikëqyrësit e skllevërve të faraonit i kishin caktuar mbi izraelitët,+ dhe i pyetën: «Pse nuk e keni mbaruar as dje, as sot sasinë e tullave që bënit më parë?»
15 Prandaj kryepunëtorët izraelitë shkuan dhe iu ankuan faraonit: «Pse po i trajton kështu shërbëtorët e tu? 16 Kashtë nuk po na japin më, e prapë na thonë: ‘Bëni tulla!’ Dhe njerëzit e tu po na rrahin, por faktikisht fajin e kanë vetë.» 17 Ai ua ktheu: «Ju e merrni shtruar, e merrni me nge!*+ Prandaj thoni: ‘Duam të shkojmë, duam t’i bëjmë flijime Jehovait.’+ 18 Ikni tani dhe shtrojuni punës! Kashtë nuk do t’ju jepet më dhe do të bëni të njëjtën sasi tullash!»
19 Atëherë kryepunëtorët izraelitë e panë se e kishin punën pisk për shkak të urdhrit: «Mos e ulni fare normën ditore të tullave.» 20 Pastaj, kur po ktheheshin nga faraoni, takuan Moisiun me Aronin që po i prisnin jashtë 21 dhe u thanë menjëherë: «Jehovai shikoftë dhe ju gjykoftë, sepse për fajin tuaj faraoni dhe shërbëtorët e tij na urrejnë,* dhe ju u keni vënë shpatën në dorë që të na vrasin.»+ 22 Atëherë Moisiu iu drejtua Jehovait dhe tha: «O Jehova, pse e ke munduar këtë popull? Pse më ke dërguar? 23 Që kur shkova para faraonit për t’i folur në emrin tënd,+ ai e ka trajtuar edhe më keq popullin,+ dhe ti nuk e ke çliruar aspak popullin tënd.»+
6 Prandaj Jehovai i tha Moisiut: «Tani do të shohësh ç’do t’i bëj faraonit!+ I detyruar nga një dorë e fortë, ai do t’i lërë izraelitët të shkojnë, i detyruar nga një dorë e fortë, do t’i dëbojë nga vendi i tij.»+
2 Perëndia i tha akoma Moisiut: «Unë jam Jehovai! 3 Abrahamit, Isakut dhe Jakobit i shfaqesha si Perëndi i Plotfuqishëm,+ ndonëse me emrin tim Jehova,+ nuk u bëra plotësisht i njohur për ta.+ 4 Bëra edhe një besëlidhje me ta, që t’u jepja vendin e Kananit, vendin ku ata kishin jetuar si të huaj.+ 5 Unë vetë e kam dëgjuar rënkimin e popullit të Izraelit, që është nën skllavërinë egjiptiane, dhe nuk e harroj besëlidhjen time.+
6 Prandaj thuaju izraelitëve: ‘Unë jam Jehovai! Unë do t’ju çliroj nga barra e egjiptianëve dhe nga skllavëria e tyre!+ Do t’ju shpengoj me krah të fuqishëm* e do t’i ndëshkoj* rëndë egjiptianët!+ 7 Do t’ju mbledh nën krahët e mi si popullin tim e do të jem Perëndia juaj!+ E me siguri ju do ta merrni vesh se unë jam Jehovai, Perëndia juaj, që po ju çliron nga barra e egjiptianëve. 8 Do t’ju çoj në vendin për të cilin u betova* se do t’ia jepja Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, dhe do t’jua jap juve si zotërim.+ Unë jam Jehovai!’»+
9 Pastaj Moisiu ua tha këto fjalë izraelitëve, por ata nuk e dëgjuan sepse ishin të shkurajuar dhe nën skllavëri të rëndë.+
10 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: 11 «Shko t’i thuash faraonit, mbretit të Egjiptit, se duhet t’i lërë izraelitët të ikin nga vendi i tij.» 12 Mirëpo Moisiu i tha Jehovait: «Përderisa nuk më dëgjuan izraelitët,+ si do të më dëgjojë vallë faraoni kur unë mezi flas?!»*+ 13 Por Jehovai ua përsëriti Moisiut dhe Aronit urdhrat që duhej t’u jepnin izraelitëve dhe faraonit, mbretit të Egjiptit, që t’i nxirrnin izraelitët nga vendi i Egjiptit.
14 Këta janë krerët e shtëpive të tyre atërore: bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit,+ ishin Hanoku, Palui, Hezroni dhe Karmi;+ këto janë familjet e fisit të Rubenit.
15 Bijtë e Simeonit ishin: Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Zohari dhe Shauli, biri i një kananiteje;+ këto janë familjet e fisit të Simeonit.
16 Këta janë emrat e bijve të Levit,+ sipas familjeve të tyre: Gershoni, Kehathi dhe Merari;+ Levi jetoi 137 vjet.
17 Bijtë e Gershonit ishin Libni dhe Shimei, sipas familjeve të tyre.+
18 Bijtë e Kehathit ishin: Amrami, Izari, Hebroni dhe Uzieli;+ Kehathi jetoi 133 vjet.
19 Bijtë e Merarit ishin Mahli dhe Mushi.
Këto ishin familjet e levitëve, sipas prejardhjes së tyre.+
20 Amrami mori për grua Jokebedën, motrën e babait.+ Ajo i lindi Aronin dhe Moisiun;+ Amrami jetoi 137 vjet.
21 Bijtë e Izarit ishin Korahu,+ Nefegu dhe Zikri.
22 Bijtë e Uzielit ishin Mishaeli, Elzafani+ dhe Sitri.
23 Aroni mori për grua Elishebën, bijën e Aminadabit, motrën e Nahasonit.+ Ajo i lindi Nadabin, Abihun, Eleazarin dhe Ithamarin.+
24 Bijtë e Korahut ishin Asiri, Elkanahu dhe Abiasafi:+ këto ishin familjet e korahitëve.+
25 Eleazari,+ biri i Aronit, mori për grua një nga bijat e Putielit; ajo i lindi Finehasin.+
Këta janë krerët e shtëpive atërore të levitëve, sipas familjeve të tyre.+
26 Kjo është gjenealogjia e Aronit dhe e Moisiut, të cilëve Jehovai u tha: «Nxirreni popullin e Izraelit nga vendi i Egjiptit, njësi pas njësie.»*+ 27 Ishin pikërisht këta, Moisiu dhe Aroni, që i thanë faraonit, mbretit të Egjiptit, ta nxirrte popullin e Izraelit nga Egjipti.+
28 Ditën që Jehovai i foli Moisiut në vendin e Egjiptit, 29 Jehovai i tha: «Unë jam Jehovai! Thuaji faraonit, mbretit të Egjiptit, çdo gjë që po të them.» 30 Atëherë Moisiu i tha Jehovait: «Unë mezi flas,* si do të më dëgjojë vallë faraoni?!»+
7 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Unë të kam bërë si Perëndi* për faraonin, dhe Aroni, yt vëlla, do të bëhet profeti yt.+ 2 Thuaji çdo gjë që do të të urdhëroj, ndërsa Aroni, yt vëlla, do t’i flasë faraonit dhe ky do t’i lërë izraelitët të ikin nga vendi i tij. 3 Megjithatë unë do të lejoj që faraonit t’i ngurtësohet zemra e të bëhet kryeneç,+ dhe do t’i shtoj shenjat e mrekullitë e mia në vendin e Egjiptit.+ 4 Por faraoni nuk do t’ju dëgjojë, prandaj do të më duhet ta ngre dorën kundër Egjiptit dhe ta nxjerr që andej gjithë popullin tim,* Izraelin, e t’i ndëshkoj* rëndë egjiptianët.+ 5 Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai+ kur ta ngre dorën kundër Egjiptit dhe t’i nxjerr izraelitët që andej.» 6 Moisiu dhe Aroni bënë siç i urdhëroi Jehovai; ata bënë pikërisht ashtu. 7 Kur i folën faraonit, Moisiu ishte 80 vjeç dhe Aroni 83 vjeç.+
8 Tani Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit: 9 «Në rast se faraoni ju thotë: ‘Bëni një mrekulli’, thuaji Aronit: ‘Merre bastunin tënd dhe hidhe përtokë para faraonit.’ Bastuni do të shndërrohet në një gjarpër të madh.»+ 10 Atëherë, Moisiu dhe Aroni u paraqitën te faraoni dhe bënë pikërisht siç i kishte urdhëruar Jehovai. Aroni e hodhi përtokë bastunin para faraonit e shërbëtorëve të tij, dhe bastuni u shndërrua në një gjarpër të madh. 11 Mirëpo, edhe faraoni thirri të mençurit dhe shtriganët, dhe këta priftërinj të Egjiptit që merreshin me magji,+ bënë të njëjtën gjë me magjitë e tyre.*+ 12 Secili hodhi përtokë bastunin e vet, dhe ata u shndërruan në gjarpërinj të mëdhenj. Por bastuni i Aronit i përpiu bastunët e tyre. 13 E megjithatë zemra e faraonit u ngurtësua dhe ai u bë kryeneç+ e nuk ua vuri veshin, tamam siç kishte thënë Jehovai.
14 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Zemra e faraonit është e pandjeshme,+ prandaj ai nuk ka pranuar ta lërë popullin të shkojë. 15 Shko te faraoni në mëngjes dhe, kur ai të shkojë te lumi Nil, dili përpara për ta takuar buzë lumit. Merr me vete në dorë bastunin që u shndërrua në gjarpër+ 16 dhe thuaji: “Jehovai, Perëndia i hebrenjve, më ka dërguar te ti+ që të të them: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë në shkretëtirë.’ Por deri tani ti nuk je bindur. 17 Kështu thotë Jehovai: ‘Nga kjo ke për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.+ Unë do të godas ujin e lumit Nil me bastun, dhe ai do të kthehet në gjak. 18 Peshqit e lumit Nil do të ngordhin, lumi do të vijë erë të qelbur dhe egjiptianët nuk do ta pinë dot ujin e Nilit.’”»
19 Pastaj Jehovai i tha Moisiut: «Thuaji Aronit: ‘Merre bastunin dhe shtrije dorën mbi ujërat e Egjiptit,+ mbi lumenjtë, mbi kanalet e tij,* mbi moçalet+ dhe mbi gjithë rezervuarët e tij, që të kthehen në gjak.’ Do të ketë gjak në tërë vendin e Egjiptit, madje edhe në enët prej druri dhe guri.» 20 Menjëherë Moisiu dhe Aroni bënë pikërisht siç i kishte urdhëruar Jehovai. Aroni e ngriti bastunin, goditi ujin e lumit Nil në sy të faraonit e të shërbëtorëve të tij, dhe gjithë uji i lumit u kthye në gjak.+ 21 Peshqit në lumin Nil ngordhën,+ dhe Nili nisi të binte erë të qelbur. Egjiptianët nuk mund ta pinin ujin e Nilit,+ dhe në mbarë vendin e Egjiptit kishte gjak.
22 Sidoqoftë, priftërinjtë e Egjiptit që merreshin me magji, bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta.+ Prandaj zemra e faraonit nuk u zbut dhe ai mbeti kryeneç e nuk ua vuri veshin, tamam siç kishte thënë Jehovai.+ 23 Kështu faraoni u kthye në shtëpi dhe e shpërfilli edhe këtë shenjë. 24 Prandaj gjithë egjiptianët gërmonin rreth e qark lumit Nil që të gjenin ujë të pijshëm, sepse uji i tij nuk mund të pihej. 25 Kaluan plot shtatë ditë që nga çasti kur Jehovai goditi lumin Nil.
8 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Shko te faraoni dhe thuaji: “Kështu thotë Jehovai: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë,+ 2 e nëse vazhdon të refuzosh, do ta mundoj gjithë territorin tënd me plagën e bretkosave.+ 3 Në lumin Nil do të gëlojnë bretkosat, dhe ato do të vërshojnë e do të hyjnë në shtëpinë tënde, në dhomën tënde të gjumit, në shtratin tënd, në shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe do të vërshojnë mbi popullin tënd, në furrat dhe në magjet* e tua.+ 4 Bretkosat do të vërshojnë mbi ty, mbi popullin tënd dhe mbi gjithë shërbëtorët e tu.’”»
5 Më vonë Jehovai i tha Moisiut: «Thuaji Aronit: ‘Merre bastunin dhe shtrije dorën mbi lumenjtë, mbi kanalet e Nilit e mbi moçalet, dhe bëj që bretkosat të vërshojnë mbi vendin e Egjiptit.’» 6 Kështu, Aroni e shtriu dorën mbi ujërat e Egjiptit, dhe bretkosat nisën të vërshonin e të mbulonin vendin e Egjiptit. 7 Mirëpo edhe priftërinjtë që merreshin me magji, bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta; ata bënë që bretkosat të vërshonin mbi vendin e Egjiptit.+ 8 Atëherë faraoni thirri Moisiun dhe Aronin dhe u tha: «Përgjërojuni Jehovait që t’i heqë bretkosat nga unë dhe nga populli im,+ sepse tani jam gati ta lë popullin të shkojë që t’i bëjë flijime Jehovait.» 9 Kështu Moisiu i tha faraonit: «Të takon ty të më thuash kur t’i përgjërohem Perëndisë që t’i largojë bretkosat nga ti, nga shërbëtorët e tu, nga populli yt dhe nga shtëpitë e tua. Ato do të mbeten vetëm në lumin Nil.» 10 Ai ia ktheu: «Nesër.» Prandaj Moisiu i tha: «Do të bëhet sipas fjalës sate, që të dish se s’ka asnjë tjetër si Jehovai, Perëndia ynë.+ 11 Bretkosat do të largohen nga ti, nga shtëpitë e tua, nga shërbëtorët e tu dhe nga populli yt; ato do të mbeten vetëm në lumin Nil.»+
12 Kështu Moisiu dhe Aroni u larguan nga faraoni, dhe Moisiu iu përgjërua Jehovait t’i hiqte bretkosat që Ai kishte sjellë kundër faraonit.+ 13 Atëherë Jehovai bëri atë që i kërkoi Moisiu, dhe bretkosat filluan të ngordhnin nëpër shtëpi, oborre dhe fusha, 14 prandaj egjiptianët i grumbulluan pirgje-pirgje, dhe vendi filloi të binte erë të qelbur. 15 Kur pa që situata u lehtësua, faraoni e ngurtësoi zemrën+ dhe nuk ua vuri veshin, tamam siç kishte thënë Jehovai.
16 Tani Jehovai i tha Moisiut: «Thuaji Aronit: ‘Shtrije bastunin dhe godit pluhurin e tokës, dhe ai do të kthehet në harrje në gjithë vendin e Egjiptit.’» 17 Dhe kështu bënë. Aroni e shtriu bastunin, goditi pluhurin e tokës, dhe harrjet iu ngjitën njerëzve e kafshëve: gjithë pluhuri i tokës u kthye në harrje në mbarë vendin e Egjiptit.+ 18 Priftërinjtë që merreshin me magji u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta+ e të sillnin harrje, por nuk mundën. E harrjet iu ngjitën njerëzve e kafshëve. 19 Prandaj priftërinjtë që merreshin me magji i thanë faraonit: «Ky është gishti i Perëndisë!»+ Por zemra e faraonit nuk u zbut dhe ai mbeti kryeneç e nuk ua vuri veshin, tamam siç kishte thënë Jehovai.
20 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Herët në mëngjes, kur faraoni të shkojë te lumi, dili përpara dhe thuaji: “Kështu thotë Jehovai: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë. 21 Por nëse nuk e lë, do të dërgoj zektha* mbi ty, mbi shërbëtorët e tu, mbi popullin tënd dhe në shtëpitë e tua. Shtëpitë e Egjiptit do të mbushen me zektha, madje zekthat do të mbulojnë tokën ku ata* do të vënë këmbë. 22 Atë ditë do ta ndaj veç vendin e Goshenit, ku banon populli im, dhe atje nuk do të ketë asnjë zekth.+ Kështu do ta marrësh vesh se unë, Jehovai, jam në këtë vend.+ 23 Unë do të bëj dallimin mes popullit tim dhe popullit tënd; kjo shenjë* do të ndodhë nesër.’”»
24 Dhe Jehovai bëri kështu. Re të mëdha zekthash filluan të pushtonin shtëpinë e faraonit, shtëpitë e shërbëtorëve të tij dhe gjithë vendin e Egjiptit;+ vendi u rrënua nga zekthat.+ 25 Në fund faraoni thirri Moisiun me Aronin dhe u tha: «Shkoni, bëni flijime për Perëndinë tuaj këtu, në vend.» 26 Por Moisiu ia ktheu: «Kjo nuk është e përshtatshme, sepse flijimi që do t’i paraqitnim Jehovait, Perëndisë tonë, do të ishte i neveritshëm për egjiptianët.+ E po të ofronim para syve të tyre një flijim të neveritshëm, a nuk do të na vritnin me gurë? 27 Do të udhëtojmë tri ditë në shkretëtirë, dhe atje do t’i bëjmë flijime Jehovait, Perëndisë tonë, pikërisht siç na tha ai.»+
28 Faraoni u tha: «Do t’ju lë të ikni që t’i bëni flijime në shkretëtirë Jehovait, Perëndisë tuaj, vetëm mos shkoni kaq larg, dhe përgjërohuni për mua.»+ 29 Atëherë Moisiu i tha: «Tani po largohem dhe do t’i përgjërohem Jehovait për ty. Nesër zekthat do të largohen nga faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij. Por faraoni të mos luajë* më me ne, duke mos e lënë popullin të shkojë që t’i bëjë flijime Jehovait.»+ 30 Kështu Moisiu u largua nga faraoni dhe i bëri përgjërime Jehovait.+ 31 Prandaj Jehovai veproi sipas fjalës së Moisiut, dhe zekthat u larguan nga faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij; nuk mbeti asnjë. 32 Mirëpo, edhe kësaj here, faraoni e ngurtësoi zemrën dhe nuk e la popullin të shkonte.
9 Prandaj Jehovai i tha Moisiut: «Shko te faraoni dhe thuaji: “Kështu thotë Jehovai, Perëndia i hebrenjve: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë.+ 2 Por nëse refuzon ta lësh që të shkojë dhe vazhdon ta pengosh, 3 ta dish se dora e Jehovait+ do të rëndojë fort mbi bagëtinë që është në kullotë. Mbi kuajt, gomarët, devetë, tufat e kopetë do të vijë një plagë vdekjeprurëse.+ 4 Megjithatë Jehovai do të bëjë dallimin mes bagëtisë së Izraelit dhe bagëtisë së Egjiptit, dhe asgjë që u përket izraelitëve nuk do të ngordhë.’”»+ 5 Gjithashtu, Jehovai caktoi një kohë për këtë dhe tha: «Unë, Jehovai, do ta bëj nesër këtë gjë në vend.»
6 Kështu Jehovai e bëri këtë gjë të nesërmen, dhe çdo lloj bagëtie e Egjiptit filloi të ngordhte,+ por asnjë nga bagëtia e izraelitëve nuk ngordhi. 7 Faraoni dërgoi njerëz për të parë dhe ja, nga bagëtia e Izraelit nuk kishte ngordhur asnjë. Prapëseprapë, zemra e faraonit mbeti e pandjeshme dhe ai nuk e la popullin të ikte.+
8 Pas kësaj Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit: «Mbushini duart me blozë nga një furrë tullash, dhe Moisiu ta hedhë në ajër në sy të faraonit. 9 Ajo do të kthehet në pluhur të imët mbi gjithë vendin e Egjiptit, dhe pluhuri do të kthehet në çibanë të qelbëzuar te njerëzit e te kafshët në gjithë Egjiptin.»
10 Kështu morën blozë nga një furrë tullash dhe qëndruan para faraonit. Moisiu e hodhi në ajër, dhe bloza u kthye në çibanë të qelbëzuar te njerëzit e te kafshët. 11 Priftërinjtë që merreshin me magji nuk u paraqitën dot para Moisiut, sepse plaga e çibanëve i kishte prekur ata dhe gjithë egjiptianët.+ 12 Por Jehovai lejoi që faraonit t’i ngurtësohej zemra e të bëhej kryeneç, dhe ai nuk ua vuri veshin, tamam siç i kishte thënë Jehovai Moisiut.+
13 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Ngrihu herët në mëngjes, dili përpara faraonit dhe thuaji: “Kështu thotë Jehovai, Perëndia i hebrenjve: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë, 14 sepse tani po dërgoj gjithë plagët e mia kundër teje,* kundër shërbëtorëve të tu dhe kundër popullit tënd, që ta marrësh vesh se në mbarë tokën s’ka asnjë tjetër si unë.+ 15 Se po ta kisha ngritur dorën kundër teje dhe popullit tënd me plagë vdekjeprurëse, ti do të ishe fshirë* nga faqja e dheut. 16 Por, pikërisht për këtë arsye të kam lënë gjallë: që të të tregoj fuqinë time dhe që emri im të shpallet në mbarë tokën.+ 17 Ende sillesh me arrogancë kundër popullit tim e nuk e lë të shkojë? 18 Ja, nesër si në këtë kohë, do të sjell një breshër shumë të madh, të atillë që s’ka rënë kurrë në Egjipt, që nga koha kur u themelua e deri më sot. 19 Prandaj njoftoji të gjithë, që të strehojnë tërë bagëtinë tënde dhe gjithçka që ke në arë. Njerëzit e kafshët që s’janë futur brenda do t’i zërë breshri dhe do të vdesin.’”»
20 Shërbëtorët e faraonit që e respektonin* fjalën e Jehovait, i çuan menjëherë në shtëpi shërbëtorët dhe bagëtitë e veta. 21 Por ata që nuk ia vunë veshin fjalës së Jehovait, i lanë jashtë në arë shërbëtorët dhe bagëtitë.
22 Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt qiellit që të bjerë breshër në gjithë vendin e Egjiptit,+ mbi njerëzit, mbi kafshët e mbi gjithë bimësinë e arave.»+ 23 Atëherë Moisiu e shtriu bastunin drejt qiellit, dhe Jehovai dërgoi mbi tokë bubullima, breshër e zjarr;* Jehovai solli breshër pa pushim mbi vendin e Egjiptit. 24 Binte breshër dhe zjarri shndriste mes tij; binte një breshër aq kokërrmadh, sa nuk kishte ndodhur kurrë në gjithë vendin e Egjiptit që nga koha kur u bë komb.+ 25 Breshri goditi gjithçka që ndodhej në arat e vendit të Egjiptit, qoftë njerëzit, qoftë kafshët; shkatërroi tërë bimësinë dhe i bëri copë-copë gjithë pemët.+ 26 Vetëm në vendin e Goshenit, ku ishin izraelitët, nuk ra breshër.+
27 Prandaj faraoni thirri Moisiun dhe Aronin e u tha: «Këtë herë kam mëkatuar. Jehovai është i drejtë, kurse unë dhe populli im jemi fajtorë. 28 Përgjërojuni Jehovait që të pushojnë bubullimat dhe breshri që vijnë nga ai. Vetëm atëherë do të jem gati t’ju lë të ikni dhe nuk do të jeni më të detyruar të rrini këtu.» 29 Atëherë Moisiu ia ktheu: «Sapo të dal nga qyteti, do t’i ngre duart në lutje drejt Jehovait dhe bubullimat e breshri do të pushojnë, që ta marrësh vesh se toka i përket Jehovait.+ 30 Por unë e di se ti dhe shërbëtorët e tu as atëherë nuk do të keni respekt të thellë për Perëndinë* Jehova.»
31 Ndërkaq, liri dhe elbi ishin shkatërruar, sepse elbi ishte në kalli dhe liri kishte çelur lule. 32 Por gruri dhe spelta* nuk ishin shkatërruar, sepse ishin të korra të vonshme.* 33 Moisiu u largua nga faraoni dhe doli nga qyteti. Pastaj ngriti duart në lutje drejt Jehovait, dhe bubullimat e breshri pushuan, e mbi tokë nuk ra më shi.+ 34 Kur pa se shiu, breshri e bubullimat kishin pushuar, faraoni mëkatoi sërish dhe e ngurtësoi zemrën,+ ai dhe shërbëtorët e tij. 35 Zemra e faraonit nuk u zbut dhe ai mbeti kryeneç, e nuk i la izraelitët të iknin, tamam siç kishte thënë Jehovai me anë të Moisiut.+
10 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Shko te faraoni, sepse unë kam lejuar që zemra e tij dhe zemrat e shërbëtorëve të tij të bëhen të pandjeshme,+ që faraoni t’i shohë me sytë e tij mrekullitë* e mia,+ 2 dhe që t’u tregoni djemve dhe nipërve tuaj sa rreptë u solla me Egjiptin dhe çfarë mrekullish bëra mes tyre.+ Kështu ju keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»
3 Atëherë Moisiu dhe Aroni shkuan te faraoni e i thanë: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i hebrenjve: ‘Deri kur nuk do të pranosh të më nënshtrohesh?+ Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë. 4 Por nëse vazhdon të refuzosh, nesër do të sjell karkaleca në territorin tënd, 5 që do të mbulojnë sipërfaqen e tokës, aq sa dheu nuk do të duket më. Ata do të përpijnë ç’të ketë shpëtuar nga breshri e ç’të ketë mbetur për ju, dhe do të hanë gjithë pemët që po rriten nëpër ara.+ 6 Shtëpitë e tua, shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe shtëpitë e gjithë Egjiptit, do të mbushen me aq shumë karkaleca, sa etërit dhe gjyshërit tuaj s’kanë parë kurrë, që kur kanë qenë në këtë vend e deri më sot.’»+ Pastaj ai u kthye dhe u largua nga faraoni.
7 Pas kësaj shërbëtorët e faraonit i thanë atij: «Deri kur do të na kërcënojë* ky njeri? Lëri burrat të shkojnë që t’i shërbejnë Jehovait, Perëndisë së tyre. Ende nuk e ke kuptuar se Egjipti ka marrë fund?» 8 Prandaj i kthyen prapë Moisiun dhe Aronin te faraoni që u tha: «Shkoni t’i shërbeni Jehovait, Perëndisë tuaj. Kush e kush do të shkojë?» 9 Atëherë Moisiu iu përgjigj: «Do të shkojnë të rinj e të moshuar, djemtë e vajzat tona, me dhen e me gjedhë,+ sepse do të kremtojmë një festë për Jehovain.»+ 10 Ai ua ktheu: «Me gjithë mend e keni?! Unë t’ju lë të shkoni ju dhe fëmijët tuaj?! Po ndodhi kjo, atëherë Jehovai është vërtet me ju!+ Duket sheshit që keni ndër mend të bëni ndonjë gjë të ligë. 11 Jo! As që bëhet fjalë! Të shkojnë dhe t’i shërbejnë Jehovait vetëm burrat, meqë këtë kërkuat.» Pastaj i dëbuan nga prania e faraonit.
12 Tani Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën mbi vendin e Egjiptit që në mbarë vendin të vijnë karkalecat dhe të përpijnë gjithë bimësinë, gjithçka që la breshri.» 13 Menjëherë Moisiu e shtriu bastunin mbi vendin e Egjiptit, dhe Jehovai bëri që një erë lindore të frynte gjithë ditën e gjithë natën në vend. Kur erdhi mëngjesi, era e lindjes solli me vete karkalecat 14 që vërshuan në tërë vendin e Egjiptit dhe u përhapën në të gjithë territorin.+ Plaga ishte tejet e rëndë;+ s’kishin ardhur kurrë më parë kaq shumë karkaleca dhe as do të vijnë kurrë më. 15 Ata mbuluan gjithë sipërfaqen e vendit, aq sa tërë vendi u errësua, dhe përpinë gjithë bimësinë me gjithë frutat e pemëve që kishte lënë breshri. Në mbarë vendin e Egjiptit s’mbeti asgjë e gjelbër në pemë a në arë.
16 Kështu faraoni thirri menjëherë Moisiun dhe Aronin e u tha: «Kam mëkatuar kundër Jehovait, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush. 17 Tani, ju lutem, faleni mëkatin tim këtë herë dhe përgjërojuni Jehovait, Perëndisë tuaj, që të paktën të heqë këtë plagë vdekjeprurëse nga unë.» 18 Prandaj ai* u largua nga faraoni dhe iu përgjërua Jehovait.+ 19 Atëherë Jehovai ia ndryshoi drejtimin erës, dhe ajo filloi të frynte shumë fort nga perëndimi. Era i mori me vete karkalecat e i hodhi në Detin e Kuq. Në gjithë territorin e Egjiptit nuk mbeti asnjë karkalec. 20 Megjithatë Jehovai lejoi që faraonit t’i ngurtësohej zemra e të bëhej kryeneç,+ dhe ai nuk i la izraelitët të iknin.
21 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt qiellit që në vendin e Egjiptit të bjerë errësirë, një errësirë aq e dendur sa mund të preket me dorë.» 22 Menjëherë Moisiu shtriu dorën drejt qiellit, dhe një errësirë e dendur e pllakosi gjithë vendin e Egjiptit për tri ditë.+ 23 Njerëzit s’e shihnin njëri-tjetrin dhe askush nuk u ngrit nga vendi për tri ditë. Kurse gjithë izraelitët kishin dritë në vendbanimet e tyre.+ 24 Pas kësaj faraoni thirri Moisiun dhe i tha: «Shkoni t’i shërbeni Jehovait.+ Lini vetëm dhentë dhe gjedhët. Mund t’i merrni me vete edhe fëmijët.» 25 Por Moisiu iu përgjigj: «Ti vetë do të na i sigurosh* edhe kafshët për flijimet dhe blatimet e djegura, e ne do t’ia paraqitim Jehovait, Perëndisë tonë.+ 26 Gjithashtu do t’i marrim me vete bagëtitë tona e nuk do të lëmë as edhe një,* sepse disa prej tyre do t’i përdorim për të adhuruar Jehovain, Perëndinë tonë. Derisa të mbërrijmë atje, nuk e dimë se ç’flijime do t’i ofrojmë Jehovait.» 27 Mirëpo Jehovai lejoi që faraonit t’i ngurtësohej zemra e të bëhej kryeneç, dhe ai nuk pranoi t’i linte të shkonin.+ 28 Faraoni i tha: «Hiqmu sysh! Dhe hap sytë se mos më del më përpara, sepse po atë ditë ke për të vdekur!» 29 Moisiu iu përgjigj: «Si urdhëron! Nuk do të të dal më përpara.»
11 (Jehovai i kishte thënë Moisiut: «Edhe një plagë do të sjell mbi faraonin dhe Egjiptin. Pas asaj, ai do t’ju lërë të ikni+ dhe, kur t’ju lërë të ikni, do t’ju dëbojë njëherë e mirë.+ 2 Tani, thuaji popullit që gjithë burrat e gratë t’u kërkojnë fqinjëve sende argjendi dhe ari.»+ 3 Falë Jehovait, populli fitoi pëlqimin e egjiptianëve, e veç kësaj, Moisiu ishte bërë njeri shumë i nderuar në vendin e Egjiptit, në sy të shërbëtorëve të faraonit dhe në sy të popullit.)
4 Pastaj Moisiu i tha akoma faraonit: «Kështu thotë Jehovai: ‘Aty nga mesnata do të kaloj nëpër Egjipt,+ 5 dhe çdo i parëlindur në vendin e Egjiptit do të vdesë,+ nga i parëlinduri i faraonit që rri në fron deri tek i parëlinduri i skllaves që punon në mokër,* si dhe çdo pjellë e parë e kafshëve.+ 6 Në mbarë vendin e Egjiptit do të dëgjohet një klithmë aq e madhe, sa s’është dëgjuar kurrë më parë dhe as do të dëgjohet kurrë më.+ 7 Por izraelitëve, njerëzve e kafshëve të tyre, nuk do t’u lehin as qentë,* që ta dini se Jehovai do të bëjë dallimin mes egjiptianëve dhe izraelitëve.’+ 8 Gjithë shërbëtorët e tu me siguri do të vijnë tek unë, do të bien përmbys para meje dhe do të më thonë: ‘Ik, ti dhe tërë populli që të vjen nga pas.’+ Atëherë unë do të iki.» Me të thënë këtë, Moisiu u largua në kulmin e zemërimit nga faraoni.
9 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Faraoni nuk do t’ju dëgjojë,+ që vendi i Egjiptit të shohë edhe më shumë mrekulli të miat.»+ 10 Moisiu dhe Aroni i kryen gjithë këto mrekulli para faraonit,+ por Jehovai lejonte që faraonit t’i ngurtësohej zemra e të bëhej kryeneç, prandaj ky nuk i lejonte izraelitët të largoheshin nga vendi i tij.+
12 Tani, Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit në vendin e Egjiptit: 2 «Ky do të jetë për ju muaji i parë, muaji i parë i vitit.+ 3 I thoni mbarë asamblesë së Izraelit: ‘Ditën e dhjetë të këtij muaji, secili të marrë një qengj+ për familjen* e vet, një qengj për çdo shtëpi. 4 Por, nëse familja është tepër e vogël për të ngrënë një qengj të tërë, të marrë në shtëpi fqinjin më të afërt dhe ta ndajë qengjin me të, në bazë të numrit të njerëzve. Racionet të llogariten në përpjesëtim me atë që do të hajë secili. 5 Flijimi duhet të jetë i shëndetshëm+ dhe mashkull njëvjeçar;* mund të zgjidhni ose nga qengjat, ose nga kecat. 6 Kujdesuni për të deri ditën e 14-të të këtij muaji,+ dhe çdo familje e kongregacionit* të Izraelit ta therë në të ngrysur.*+ 7 Të marrë ca gjak e të spërkatë me të kornizën e derës, majtas e djathtas, si edhe pjesën e sipërme të saj në shtëpinë ku do të hanë.+
8 Ata duhet ta hanë mishin po atë natë.+ Ta hanë të pjekur në zjarr, me bukë pa maja+ dhe me barishte të hidhura.+ 9 Mos e hani të gjallë, as të zier në ujë, por të pjekur në zjarr, nga koka deri te kërcinjtë dhe me të përbrendshmet. 10 Mos ruani asgjë deri në mëngjes, por nëse tepron diçka deri në mëngjes, digjeni në zjarr.+ 11 Ja si do ta hani: me brezin të ngjeshur,* me sandalet në këmbë, me bastunin në dorë; hajeni me nxitim. Është Festa e Kalimit të Jehovait.* 12 Në këtë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të vras çdo të parëlindur të njerëzve e të kafshëve;+ do t’i gjykoj gjithë perënditë e Egjiptit dhe do t’i ndëshkoj.+ Unë jam Jehovai! 13 Gjaku do të shërbejë si shenjë për shtëpitë ku po qëndroni. Kështu, kur të godas vendin e Egjiptit, unë do ta shoh gjakun e do të kaloj tutje, dhe plaga vdekjeprurëse nuk do t’ju prekë.+
14 Këtë ditë do ta kujtoni dhe do ta kremtoni si një festë për Jehovain, nga brezi në brez. Ky është një ligj i pandryshueshëm. 15 Shtatë ditë do të hani bukë pa maja.+ Po, ditën e parë do të hiqni brumin e thartuar nga shtëpitë tuaja, sepse kush ha diçka me majá, nga dita e parë deri ditën e shtatë, duhet shfarosur* nga gjiri i Izraelit. 16 Ditën e parë do të mbani një asamble të shenjtë, e po kështu edhe ditën e shtatë. Në këto ditë nuk duhet bërë asnjë punë,+ por mund të përgatitni vetëm atë që i duhet për të ngrënë çdo njeriu.
17 Do të kremtoni Festën e Bukëve Pa Maja,+ sepse pikërisht këtë ditë unë do ta nxjerr gjithë popullin* tuaj nga vendi i Egjiptit. Duhet ta kremtoni këtë ditë nga brezi në brez dhe do të jetë për ju si një ligj i pandryshueshëm. 18 Muajin e parë do të hani bukë pa maja, nga mbrëmja e ditës së 14-të të muajit deri në mbrëmjen e ditës së 21-të të muajit.+ 19 Për shtatë ditë nuk do të gjendet fare brumë i thartuar në shtëpitë tuaja, sepse kush ha diçka me majá, qoftë i huaj a vendës,+ duhet shfarosur nga asambleja e Izraelit.*+ 20 Nuk duhet të hani asgjë me majá; në gjithë shtëpitë tuaja, do të hani bukë pa maja.’»
21 Moisiu i thirri menjëherë gjithë pleqtë e Izraelit+ dhe u tha: «Shkoni e zgjidhni kafshë* njëvjeçare për familjet tuaja dhe therni flinë e Festës së Kalimit. 22 Pastaj ngjyeni një tufë me bimë hisopi në gjakun që është në legen dhe me të spërkatni kornizën e derës, majtas e djathtas, si edhe pjesën e sipërme të saj. Askush të mos dalë nga dera e shtëpisë deri në mëngjes. 23 Kështu, kur Jehovai të kalojë për të goditur me këtë plagë egjiptianët dhe të shohë gjakun në kornizën e derës, majtas e djathtas dhe në pjesën e sipërme të saj, Jehovai me siguri do të kalojë tutje e do ta shmangë hyrjen tuaj dhe nuk do të lejojë që plaga e vdekjes* të hyjë në shtëpitë tuaja.+
24 Ju dhe bijtë tuaj do ta kremtoni këtë ngjarje dhe do të jetë për ju si një rregull i pandryshueshëm.+ 25 Edhe kur të shkoni në vendin që Jehovai do t’ju japë, ashtu siç ka premtuar, duhet ta kremtoni këtë ngjarje.+ 26 Kur bijtë tuaj t’ju pyesin: ‘Ç’do të thotë për ju ky kremtim?’,+ 27 do t’u përgjigjeni: ‘Është flijimi i Festës së Kalimit të Jehovait, i cili kaloi mbi shtëpitë e izraelitëve në Egjipt, kur i goditi me plagë egjiptianët dhe kurseu familjet tona.’»
Atëherë populli u përkul me fytyrë përtokë. 28 Kështu izraelitët shkuan dhe bënë siç i kishte urdhëruar Jehovai Moisiun dhe Aronin;+ ata bënë pikërisht ashtu.
29 Pastaj, në mesnatë, Jehovai vrau çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit,+ nga i parëlinduri i faraonit që rrinte në fron deri te të parëlindurit e robërve që ndodheshin në burg,* si edhe çdo pjellë të parë të kafshëve.+ 30 Faraoni u ngrit atë natë bashkë me gjithë shërbëtorët e tij e me egjiptianët e tjerë, dhe mes egjiptianëve dëgjohej një klithmë e madhe, pasi nuk kishte shtëpi pa një të vdekur.+ 31 Menjëherë ai thirri natën Moisiun dhe Aronin+ e u tha: «Ngrihuni, largohuni nga populli im, ju dhe gjithë izraelitët e tjerë. Shkoni dhe shërbejini Jehovait, ashtu siç keni thënë.+ 32 Merrni edhe kopetë e tufat tuaja dhe ikni, ashtu siç keni thënë.+ Veç kësaj, duhet të më bekoni mua.»
33 Egjiptianët filluan ta nxitnin popullin që të largohej menjëherë+ nga vendi, sepse thoshin: «Përndryshe do të vdesim të gjithë!»+ 34 Prandaj populli e mori brumin pa maja, i mbështolli magjet* në rrobat e veta dhe i hodhi në krah. 35 Izraelitët bënë siç u kishte thënë Moisiu dhe u kërkuan egjiptianëve sende argjendi, ari dhe rroba.+ 36 Falë Jehovait, populli fitoi pëlqimin e egjiptianëve, prandaj ata u dhanë gjithçka që u kërkuan; kështu izraelitët i plaçkitën egjiptianët.+
37 Pastaj izraelitët u nisën nga Ramsesi+ për në Sukot;+ afro 600.000 burra në këmbë, pa numëruar fëmijët.+ 38 Bashkë me ta u nis edhe një numër i madh joizraelitësh,*+ si dhe shumë bagëti, kope e tufa. 39 Kur ishin rrugës, izraelitët filluan të piqnin brumin që kishin marrë nga Egjipti dhe bënë bukë të rrumbullakëta pa maja; brumi ishte pa maja, ngaqë i kishin dëbuar nga Egjipti kaq papritur, saqë nuk kishin bërë dot gati asnjë ushqim.+
40 Izraelitët kishin banuar në Egjipt+ 430 vjet.+ 41 Në fund të 430 vjetëve, pikërisht atë ditë, gjithë populli* i Jehovait doli nga vendi i Egjiptit. 42 Kjo është një natë që do ta kremtojnë për nder të Jehovait, i cili i nxori nga vendi i Egjiptit. Tërë populli i Izraelit duhet ta kremtojë këtë natë për nder të Jehovait, brez pas brezi.+
43 Jehovai i tha akoma Moisiut dhe Aronit: «Ky është ligji për Festën e Kalimit: asnjë i huaj nuk do të hajë nga flijimi i festës.+ 44 Por nëse dikush ka një skllav që e ka blerë me pará, ta rrethpresë,+ dhe vetëm atëherë mund të hajë. 45 Një i shpërngulur dhe një i punësuar nuk mund të hanë. 46 Flijimin e festës do ta hani së bashku, brenda shtëpisë, prandaj mos nxirrni nga shtëpia asnjë copë mish dhe mos i thyeni flisë asnjë kockë.+ 47 Gjithë asambleja e Izraelit duhet ta kremtojë këtë festë. 48 Në rast se një i huaj që banon me ju, dëshiron ta kremtojë Festën e Kalimit të Jehovait, çdo mashkull i shtëpisë së tij të rrethpritet. Vetëm atëherë mund të vijë ta kremtojë dhe do të konsiderohet si një vendës. Por asnjë i parrethprerë nuk mund të hajë.+ 49 Si për vendësin, edhe për të huajin që banon mes jush, do të zbatohet një ligj i vetëm.»+
50 Kështu, gjithë izraelitët bënë siç i kishte urdhëruar Jehovai Moisiun dhe Aronin; ata bënë pikërisht ashtu. 51 Tamam atë ditë, Jehovai i nxori gjithë izraelitët* nga vendi i Egjiptit.
13 Jehovai i foli prapë Moisiut: 2 «Shenjtëroni* për mua çdo të parëlindur mashkull* mes izraelitëve; mashkulli i parë që vjen në jetë, i njerëzve ose i kafshëve, më përket mua.»+
3 Atëherë Moisiu i tha popullit: «Kujtojeni këtë ditë kur dolët nga Egjipti,+ nga shtëpia e skllavërisë, sepse Jehovai ju nxori që këtej me dorë të fortë,+ prandaj nuk mund të hahet asgjë me majá. 4 Ju dolët nga Egjipti në këtë ditë, në muajin abib,*+ 5 dhe kur Jehovai t’ju ketë çuar në vendin e kananitëve, hititëve, amoritëve, hivitëve e të jebusitëve,+ për të cilin iu betua paraardhësve tuaj se do t’jua jepte juve,+ një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë,+ duhet të kremtoni në këtë muaj këtë festë: 6 shtatë ditë do të hani bukë pa maja+ dhe dita e shtatë do të jetë festë për Jehovain. 7 Për shtatë ditë do të hani bukë pa maja;+ brenda gjithë territorit* tuaj nuk do të gjendet te ju asgjë me majá+ dhe as brumë i thartuar. 8 Atë ditë do t’u thoni fëmijëve tuaj: ‘Këtë festë e kremtoj që të kujtoj si më çliroi Jehovai kur dola nga Egjipti.’+ 9 Kjo festë do të jetë si shenjë në dorë dhe si përkujtues* në ballë,*+ që ligji i Jehovait të jetë në gojën tuaj, sepse Jehovai ju nxori nga Egjipti me dorë të fortë. 10 Këtë ligj duhet ta zbatoni në kohën e caktuar, vit pas viti.+
11 Kur Jehovai t’ju çojë në vendin e kananitëve, siç ju betua juve dhe paraardhësve tuaj se do t’jua jepte këtë vend,+ 12 duhet t’i kushtoni Jehovait çdo mashkull të parëlindur,* si edhe çdo pjellë të parë mashkull të bagëtisë që do të keni; çdo mashkull i përket Jehovait.+ 13 Çdo pjellë të parë të gomarit do ta shpengoni* me një dele, por nëse nuk e shpengoni, thyejini qafën. Gjithashtu do të shpengoni çdo të parëlindur të djemve tuaj.+
14 Në rast se më vonë fëmijët tuaj ju pyesin: ‘Çfarë do të thotë për ju kjo festë?’, thuajuni: ‘Jehovai na nxori me dorë të fortë nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë.+ 15 Kur faraoni me kokëfortësi nuk na la të iknim,+ Jehovai vrau çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, që nga i parëlinduri i njeriut deri te pjella e parë e kafshës.+ Ja pse po i flijojmë Jehovait çdo mashkull të parëlindur* dhe po shpengojmë çdo të parëlindur të djemve tanë.’ 16 Kjo festë do të shërbejë si shenjë në dorë dhe si shirit në ballë,*+ sepse Jehovai na nxori nga Egjipti me dorë të fortë.»
17 Tani, kur faraoni e la popullin të ikte, Perëndia nuk u priu nëpër udhën që kalonte nga vendi i filistinëve, ndonëse ishte më e shkurtër, sepse Perëndia tha: «Ndoshta populli ndërron mendje kur të shohë se i duhet të luftojë, e kështu kthehet në Egjipt.» 18 Prandaj Perëndia u priu nëpër një udhë më të gjatë, përqark shkretëtirës së Detit të Kuq.+ Sidoqoftë, izraelitët dolën nga vendi i Egjiptit në formacion luftimi. 19 Moisiu mori me vete edhe eshtrat e Jozefit, sepse ai i kishte vënë në be solemnisht bijtë e Izraelit: «Me siguri Perëndia nuk ka për t’ju harruar, prandaj nxirrini eshtrat e mia që këtej.»+ 20 Ata u nisën nga Sukoti dhe e ngritën kampin në Etam, buzë shkretëtirës.
21 Ndërkohë Jehovai shkonte përpara tyre: gjatë ditës u printe udhën me një shtyllë reje,+ kurse gjatë natës u siguronte dritë me një shtyllë zjarri. Kështu mund të udhëtonin edhe ditën, edhe natën.+ 22 Shtylla e resë nuk largohej nga populli gjatë ditës dhe as shtylla e zjarrit gjatë natës.+
14 Tani Jehovai i tha Moisiut: 2 «Thuaju izraelitëve që të kthehen mbrapa e ta ngrenë kampin pranë Pihahirotit, mes Migdolit dhe detit, përballë Baal-Zefonit;+ ngrijeni kampin përballë tij, pranë detit. 3 Atëherë faraoni do të thotë për izraelitët: ‘Ata po enden të hutuar dhe shkretëtira i ka zënë brenda.’ 4 Unë do të lejoj që faraonit t’i ngurtësohet zemra e të bëhet kryeneç,+ dhe ai do t’i ndjekë ata këmba-këmbës. Mirëpo unë do të marr lavdi kur ta mposht faraonin me gjithë ushtrinë e tij,+ dhe egjiptianët kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»+ Dhe izraelitët bënë kështu.
5 Më vonë, mbretin e Egjiptit e njoftuan se izraelitët kishin ikur vërtet. Në çast faraoni dhe shërbëtorët e tij u bënë pishman+ dhe thanë: «Ç’bëmë kështu? Pse i liruam skllevërit tanë izraelitë e i lamë të na iknin nga duart?» 6 Prandaj bëri gati karrocat e luftës dhe mori me vete luftëtarët e tij.+ 7 Mori 600 karrocat më të mira dhe gjithë karrocat e tjera të Egjiptit, me luftëtarë në secilën prej tyre. 8 Kështu Jehovai lejoi që faraonit, mbretit të Egjiptit, t’i ngurtësohej zemra e të bëhej kryeneç, dhe ai i ndoqi izraelitët këmba-këmbës, ndërkohë që këta largoheshin pa iu dridhur qerpiku.*+ 9 Egjiptianët i ndoqën këmba-këmbës+ dhe gjithë karrocat e faraonit, kalorësia dhe ushtria e tij po u afroheshin, ndërsa ata e kishin kampin pranë detit, pranë Pihahirotit, përballë Baal-Zefonit.
10 Kur faraoni u afrua, izraelitët ngritën sytë dhe panë që egjiptianët po i ndiqnin. Ata u tmerruan e gjithë ankth nisën t’i thërritnin Jehovait+ 11 dhe i thanë Moisiut: «S’kishte varre në Egjipt, që na solle të vdesim këtu në shkretëtirë?!+ Pse na e bëre këtë dhe na nxore nga Egjipti?! 12 A nuk të thamë në Egjipt pikërisht këtë gjë: ‘Na lër rehat që t’u shërbejmë egjiptianëve.’ Më mirë t’u shërbejmë egjiptianëve, se të vdesim në shkretëtirë.»+ 13 Atëherë Moisiu i tha popullit: «Mos kini frikë!+ Qëndroni të patundur dhe shihni si do t’ju shpëtojë sot Jehovai,+ sepse egjiptianët që po shihni sot, nuk do t’i shihni më kurrë!+ 14 Vetë Jehovai do të luftojë për ju,+ kurse ju do të prisni në heshtje.»
15 Tani Jehovai i tha Moisiut: «Pse më thërret akoma i shqetësuar? Thuaju izraelitëve ta mbledhin kampin dhe të nisen. 16 Kurse ti ngrije bastunin, shtrije dorën drejt detit dhe ndaje, që izraelitët të kalojnë përmes detit në tokë të thatë. 17 Ndërsa unë do të lejoj që egjiptianëve t’u ngurtësohet zemra e të bëhen kryeneçë, që t’ju ndjekin këmba-këmbës. E kur ta mposht faraonin me gjithë ushtrinë, karrocat e luftës dhe kalorësinë e tij, unë do të marr lavdi.+ 18 Egjiptianët kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai kur të marr lavdi nëpërmjet faraonit, karrocave të luftës dhe kalorësisë së tij.»+
19 Atëherë engjëlli i Perëndisë së vërtetë,+ që shkonte përpara kampit të izraelitëve, u zhvendos në fund të kampit; edhe shtylla e resë që ishte përpara tyre, shkoi prapa dhe qëndroi aty.+ 20 Kështu shtylla e resë hyri mes kampit të egjiptianëve dhe kampit të Izraelit.+ Në njërën anë, shtylla e resë ishte pus e zezë, kurse në anën tjetër ndriçonte natën.+ Prandaj egjiptianët nuk iu afruan izraelitëve gjatë gjithë natës.
21 Tani Moisiu e shtriu dorën drejt detit,+ dhe Jehovai e shtyu detin me anë të një ere të fortë lindore që fryu gjatë gjithë natës, dhe ujërat u ndanë;+ kështu e ktheu shtratin e detit në tokë të thatë.+ 22 Prandaj izraelitët kaluan përmes detit në tokë të thatë,+ ndërsa ujërat krijonin një mur, në të djathtë e në të majtë.+ 23 Egjiptianët u vunë pas tyre: gjithë kuajt e faraonit, karrocat e luftës dhe kalorësia e tij u turrën në mes të detit pas tyre.+ 24 Gjatë ndërresës së mëngjesit,* Jehovai e pa kampin e egjiptianëve nga shtylla e zjarrit dhe e resë+ dhe e bëri rrëmujë. 25 Ua hoqi rrotat karrocave dhe egjiptianët me zor i ngitnin, prandaj thoshin: «T’ia mbathim nga izraelitët, sepse Jehovai po lufton për ta kundër nesh.»+
26 Pastaj Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt detit, që ujërat të bien mbi egjiptianët, mbi karrocat e luftës dhe mbi kalorësinë.» 27 Moisiu e shtriu menjëherë dorën drejt detit, dhe ndërsa po agonte, deti u kthye në vendin e vet. Ndërkohë që egjiptianët po ia mbathnin, Jehovai i plandosi në mes të detit.+ 28 Ujërat u kthyen derisa mbuluan karrocat e luftës, kalorësinë dhe gjithë ushtrinë e faraonit, të cilët kishin shkuar në det pas tyre.+ Nuk mbeti gjallë asnjë egjiptian.+
29 Kurse izraelitët ecën në tokë të thatë në mes të shtratit të detit+ me ujërat si mur në të djathtë e në të majtë.+ 30 Atë ditë Jehovai e shpëtoi Izraelin nga dora e egjiptianëve+ dhe Izraeli i pa egjiptianët të vdekur në breg të detit. 31 Izraeli pa edhe dorën e fuqishme me të cilën Jehovai veproi kundër egjiptianëve. Kështu populli nisi të kishte respekt të thellë për Jehovain* e të tregonte besim te Jehovai dhe te Moisiu, shërbëtori i tij.+
15 Atëherë Moisiu dhe izraelitët ia morën kësaj kënge për Jehovain:+
«Më lini t’i këndoj Jehovait, sepse shumë është lartësuar;+
kalin dhe kalorësin në det i ka flakëruar.+
2 Jah* është forca dhe fuqia ime, sepse ai u bë shpëtimi im.+
Ky është Perëndia im, dhe unë do ta lëvdoj,+ Perëndia i atit tim,+ dhe unë do ta lartësoj.+
3 Jehovai është luftëtar i fuqishëm.+ E ka emrin Jehova.+
4 Karrocat e faraonit dhe ushtrinë e tij në det i ka plandosur;+
ajka e luftëtarëve të tij në Detin e Kuq është fundosur.+
5 Dallgët e tërbuara i mbuluan; si një gur thellësirave poshtë shkuan.+
7 Me fuqinë tënde të pafundme i rrëzon ata që kundër teje ngrihen;+
dërgon zemërimin tënd të zjarrtë, që si kashta të përpihen.
8 Nga fryma e flegrave të tua ujërat u grumbulluan;
ato u ndalën, e përmbytjet nuk vërshuan;
ujërat e trazuara në zemër të detit u ngurtësuan.
9 ‘Do t’i ndjek! Do t’i zë!—armiku tha.—
Do të ndaj plaçkë derisa shpirti të më ngopet me ta!
Do ta zhvesh shpatën dhe dora ime do t’i bëjë zap!’+
11 Kush mes perëndive, o Jehova, është si ti?!+
Kush është si ti, suprem në shenjtëri?!+
Ti që me këngë lëvdimi meriton të nderohesh thellë, Ti që bën mrekulli.+
12 E ngrite të djathtën tënde, dhe toka i përpiu.+
13 Me dashuri besnike popullit që shpengove,*+ i prive;
me forcën tënde në banesën tënde të shenjtë do t’i shpiesh.
15 Atëherë sheikët* e Edomit kanë për t’u tmerruar;
sundimtarët e fuqishëm të Moabit* dridhmat kanë për t’i pushtuar;+
gjithë banorët e Kananit zemra ka për t’i lëshuar.+
16 Lemeria e tmerri do të bien mbi ta.+
Nga madhështia e krahut tënd, të palëvizur si një gur do të qëndrojnë ata,
derisa populli yt të kalojë, o Jehova,
17 Ti do t’i sjellësh e në malin e trashëgimisë sate do t’i mbjellësh,+
në vendin e caktuar, o Jehova, që për vete ke përgatitur,
në shenjtëroren, o Jehova, që duart e tua kanë ngritur.
18 Jehovai do të mbretërojë në jetë të jetëve.+
19 Kur kuajt, karrocat e luftës dhe kalorësit e faraonit në det hynë,+
mbi ta ujërat e detit Jehovai lëshoi,+
por në tokë të thatë, në mes të detit, Izraeli kaloi.»+
20 Atëherë Miriami, profetesha, motra e Aronit, mori një dajre në dorë, e pas saj shkuan edhe të gjitha gratë e tjera me dajre e me valle. 21 Miriami ua kthente me këngë burrave:
22 Më vonë, nga Deti i Kuq, Moisiu i priu Izraelit për në shkretëtirën e Surit, dhe ata marshuan tri ditë në shkretëtirë, por nuk gjetën ujë. 23 Pastaj mbërritën në Mara,*+ por nuk mund të pinin nga uji i Marës, sepse ishte i hidhur, ja pse Moisiu e quajti Mara. 24 Atëherë populli nisi të murmuriste kundër Moisiut:+ «Çfarë do të pimë?» 25 Prandaj ai i thirri Jehovait për ndihmë,+ dhe Jehovai i tregoi një pemë të vogël, të cilën Moisiu e hodhi në ujë dhe uji u bë i ëmbël.
Në atë vend, Ai vendosi për ta një rregull e një precedent ligjor, i vuri në provë+ 26 dhe u tha: «Po ta dëgjosh pikë për pikë zërin e Jehovait, Perëndisë tënd, dhe të bësh atë që është e drejtë në sytë e tij e t’u vësh veshin urdhërimeve të tij, dhe po t’u bindesh gjithë rregullave të tij,+ nuk do të sjell mbi ty asnjë nga sëmundjet që u solla egjiptianëve,+ sepse falë meje, Jehovait, do të gëzosh shëndet të plotë.»+
27 Pas kësaj mbërritën në Elim, ku kishte 12 burime uji dhe 70 palma, prandaj e ngritën kampin atje, pranë ujit.
16 Pasi u nis nga Elimi, tërë asambleja e izraelitëve me kohë mbërriti në shkretëtirën e Sinit,+ që ndodhet mes Elimit dhe Sinait; mbërriti atje ditën e 15-të të muajit të dytë, një muaj pasi ishte larguar nga vendi i Egjiptit.
2 Në shkretëtirë, tërë asambleja e izraelitëve nisi të murmuriste kundër Moisiut dhe Aronit.+ 3 Izraelitët u thoshin pa pushim: «Ah, sikur të kishim vdekur nga dora e Jehovait në vendin e Egjiptit, kur rrinim ulur pranë tenxhereve të mëdha me mish,+ kur hanim bukë sa ngopeshim! Tani ju na keni nxjerrë në këtë shkretëtirë, që gjithë kongregacioni të vdesë nga zia e bukës.»+
4 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Unë do t’ju sjell bukë nga qielli.+ Secili të dalë e të mbledhë racionin e vet të përditshëm;+ kështu do t’i vë në provë për të parë nëse do t’i binden ose jo ligjit tim.+ 5 Kurse ditën e gjashtë,+ të mbledhin dyfishin e asaj që mbledhin në ditët e tjera dhe ta përgatitin më përpara.»+
6 Prandaj Moisiu dhe Aroni u thanë gjithë izraelitëve: «Në mbrëmje keni për ta marrë vesh se nga vendi i Egjiptit ju nxori Jehovai+ 7 dhe në mëngjes keni për të parë lavdinë e Jehovait, sepse Jehovai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër tij. E cilët jemi ne që murmuritni kundër nesh?!» 8 Moisiu vazhdoi: «Kur Jehovai t’ju japë në mbrëmje mish për të ngrënë dhe në mëngjes bukë sa të ngopeni, do ta shihni se Jehovai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër tij. E cilët jemi ne, që murmuritni kundër nesh?! Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Jehovait.»+
9 Pastaj Moisiu i tha Aronit: «Thuaji tërë asamblesë së izraelitëve: ‘Afrohuni dhe paraqituni para Jehovait, sepse ai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja.’»+ 10 Sapo Aroni mbaroi së foluri me tërë asamblenë e izraelitëve, ata u kthyen me fytyrë nga shkretëtira dhe ja, lavdia e Jehovait u shfaq në re.+
11 Jehovai i tha prapë Moisiut: 12 «I kam dëgjuar murmuritjet e izraelitëve.+ Thuaju: ‘Në të ngrysur* do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë,+ dhe keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, Perëndia juaj.’»+
13 Kështu atë mbrëmje, shkurtat erdhën dhe e mbuluan kampin,+ kurse në mëngjes rreth e qark kampit kishte një shtresë vese. 14 Kur shtresa e vesës avulloi, në sipërfaqe të shkretëtirës kishte ca si petëza të holla+ e të imëta si bryma mbi tokë. 15 Kur izraelitët e panë, nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: «Ç’është kjo?», sepse nuk e dinin ç’ishte. Moisiu u tha: «Është buka që Jehovai ju ka dhënë si ushqim.+ 16 Ja çfarë urdhëron Jehovai: ‘Secili të mbledhë aq sa mund të hajë; mblidhni një omer*+ për kokë, për aq veta sa ka secili në tendën e vet.’» 17 Prandaj izraelitët filluan të mblidhnin, kush më shumë e kush më pak, 18 dhe pastaj e peshonin me omerë. Ai që kishte mbledhur shumë, nuk pati më tepër; edhe atij që kishte mbledhur pak, nuk i mungoi gjë.+ Secili mblodhi aq sa mund të hante.
19 Atëherë Moisiu u tha: «Askush të mos lërë asgjë deri në mëngjes.»+ 20 Por ata nuk ia vunë veshin Moisiut dhe, kur disa lanë diçka deri në mëngjes, ajo zuri krimba dhe ra erë të qelbur. Prandaj Moisiu u indinjua me ta. 21 Ata mblidhnin mëngjes për mëngjes, secili aq sa mund të hante dhe, kur dielli ngrohte, ajo shkrihej.
22 Ditën e gjashtë mblodhën dyfishin e bukës,+ dy omerë për njeri, dhe gjithë prijësit e asamblesë erdhën e i raportuan Moisiut për këtë. 23 Pasi i dëgjoi, ai u tha: «Kështu thotë Jehovai: nesër do të jetë pushim i plotë,* një sabat i shenjtë për Jehovain.+ Piqni ç’keni për të pjekur dhe zieni ç’keni për të zier.+ Çfarë t’ju teprojë, ruajeni deri në mëngjes.» 24 Prandaj ata e ruajtën bukën deri në mëngjes, ashtu siç i kishte urdhëruar Moisiu, dhe ajo nuk ra erë të qelbur e nuk zuri vemje. 25 Atëherë Moisiu u tha: «Hajeni sot, sepse sot është sabat për Jehovain. Sot nuk do ta gjeni në sipërfaqe të tokës. 26 Do ta mblidhni për gjashtë ditë, por ditën e shtatë, në Sabat,+ nuk do të ketë.» 27 Megjithatë, disa nga populli dolën për të mbledhur ditën e shtatë, por nuk gjetën gjë.
28 Prandaj Jehovai i tha Moisiut: «Deri kur nuk do të pranoni t’u bindeni urdhërimeve dhe ligjeve të mia?+ 29 Mos harroni se unë, Jehovai, ju kam dhënë Sabatin.+ Ja pse ditën e gjashtë ju jap bukën e dy ditëve. Secili të rrijë në vendin e vet dhe askush të mos largohet nga atje ditën e shtatë.» 30 Kështu populli mbajti Sabatin* ditën e shtatë.+
31 Populli i Izraelit e quajti bukën «manë»;* ajo ishte e bardhë si fara e koriandrit dhe kishte shijen e kuleçve të hollë me mjaltë.+ 32 Pastaj Moisiu tha: «Kështu ka urdhëruar Jehovai: ‘Mblidhni një omer manë dhe ruajeni, që brezat e mëvonshëm+ të shohin bukën që ju dhashë të hanit në shkretëtirë kur ju nxora nga vendi i Egjiptit.’» 33 Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Merr një qyp të vogël, hidh brenda një omer manë dhe vëre përpara Jehovait që të ruhet brez pas brezi.»+ 34 Aroni bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun dhe e vuri atë përpara Dëshmisë*+ që të ruhej. 35 Izraelitët hëngrën manë për 40 vjet+ derisa vajtën në një vend të banuar;+ ata hëngrën manë derisa mbërritën në kufirin e vendit të Kananit.+ 36 Një omer është një e dhjeta e një efe.*
17 Tërë asambleja e izraelitëve u nis nga shkretëtira e Sinit+ duke udhëtuar me etapa, sipas urdhrit të Jehovait,+ dhe e ngriti kampin në Refidim,+ por atje populli nuk kishte ujë për të pirë.
2 Prandaj populli filloi të bënte fjalë me Moisiun+ dhe i tha: «Na jep ujë për të pirë.» Por Moisiu u tha: «Pse bëni fjalë me mua? Pse vazhdoni ta vini në provë Jehovain?»+ 3 Por populli kishte shumë etje dhe murmuriste kundër Moisiut:+ «Pse na nxore nga Egjipti, që të vdesim nga etja ne, bijtë tanë dhe bagëtitë tona?» 4 Në fund Moisiu i thirri Jehovait: «Ç’të bëj me këtë popull? Edhe pak e do të më vrasë me gurë!»
5 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Merr me vete disa nga pleqtë e Izraelit, merr në dorë edhe bastunin me të cilin godite lumin Nil, dhe nisu përpara popullit.+ 6 Kur të mbërrish në Horeb, unë do të qëndroj atje përpara teje, mbi shkëmb. Godite shkëmbin, dhe prej tij do të dalë ujë që të pijë populli.»+ Moisiu bëri kështu në sy të pleqve të Izraelit. 7 Ai e quajti atë vend Masah*+ dhe Meriba,*+ sepse izraelitët u grindën dhe e vunë në provë Jehovain+ duke thënë: «A është Jehovai mes nesh, apo jo?»
8 Pastaj amalekitët+ erdhën të luftonin kundër Izraelit në Refidim.+ 9 Kur mori vesh këtë, Moisiu i tha Josiut:+ «Zgjidh disa burra dhe dil e lufto kundër amalekitëve. Kurse unë do të qëndroj nesër në majë të kodrës me bastunin e Perëndisë së vërtetë në dorë.» 10 Atëherë Josiu bëri ashtu siç i kishte thënë Moisiu+ dhe luftoi kundër amalekitëve. Kurse Moisiu, Aroni dhe Huri+ u ngjitën në majë të kodrës.
11 Për sa kohë Moisiu i mbante duart lart, izraelitët kishin epërsi, por sapo i ulte duart, kishin epërsi amalekitët. 12 Kur Moisiut iu rënduan duart, ata morën një gur dhe ia vunë që të ulej. Pastaj Aroni dhe Huri i mbanin duart, njëri në njërën anë e tjetri në anën tjetër, prandaj duart e tij qëndruan të ngritura lart deri në perëndim të diellit. 13 Kështu Josiu e mundi Amalekun dhe popullin e tij, e i vrau me shpatë.+
14 Tani Jehovai i tha Moisiut: «Shkruaje këtë në libër si përkujtues* dhe përsëritja Josiut: ‘Unë do ta shuaj plotësisht kujtimin e Amalekut nën qiell.’»+ 15 Pastaj Moisiu ndërtoi një altar, e quajti Jehova-Nisi* 16 dhe tha: «Meqë dora e Amalekut është ngritur kundër fronit të Jah,+ Jehovai do të jetë në luftë me të brez pas brezi.»+
18 Tani, Jetroi, prifti i Midianit, vjehrri i Moisiut,+ dëgjoi gjithë sa kishte bërë Perëndia për Moisiun dhe për popullin e tij, Izraelin, se si Jehovai e kishte nxjerrë Izraelin nga Egjipti.+ 2 Ndërkohë Jetroi, vjehrri i Moisiut, e kishte marrë në shtëpi Ziporën, gruan e Moisiut, i cili e kishte dërguar atje 3 bashkë me të dy djemtë.+ Njëri quhej Gershom,*+ sepse Moisiu tha: «Jam i ardhur në dhé të huaj», 4 kurse tjetri quhej Eliezer,* sepse Moisiu tha: «Perëndia i tim eti është ndihma ime, i cili më shpëtoi nga shpata e faraonit.»+
5 Prandaj Jetroi, vjehrri i Moisiut, vajti bashkë me djemtë dhe gruan e Moisiut për ta takuar në shkretëtirë, aty ku kishte ngritur kampin, në malin e Perëndisë së vërtetë.+ 6 Pastaj i çoi fjalë: «Unë, vjehrri yt, Jetroi,+ kam ardhur te ti, me gruan tënde e me dy djemtë.» 7 Moisiu doli menjëherë të takonte vjehrrin, u përkul para tij dhe e puthi. Pastaj nisën të pyetnin njëri-tjetrin si kishin qenë dhe hynë në tendë.
8 Moisiu i tregoi të vjehrrit gjithçka që Jehovai i kishte bërë faraonit dhe Egjiptit për hir të Izraelit,+ tërë vështirësitë që kishin hequr udhës+ dhe si i kishte çliruar Jehovai. 9 Kur dëgjoi për gjithë të mirat që Jehovai i kishte bërë Izraelit duke e çliruar nga Egjipti,* Jetroi u gëzua shumë 10 dhe tha: «Lëvduar qoftë Jehovai, që ju çliroi nga Egjipti e nga faraoni, dhe që e çliroi popullin nga zgjedha egjiptiane! 11 Tani e di që Jehovai është më i madh se gjithë perënditë e tjera,+ sepse e mbrojti popullin e vet nga duart e egjiptianëve arrogantë e mizorë.» 12 Pastaj Jetroi, vjehrri i Moisiut, paraqiti një blatim të djegur dhe flijime për Perëndinë, dhe Aroni me gjithë pleqtë e Izraelit shkuan të hanin me vjehrrin e Moisiut përpara Perëndisë së vërtetë.
13 Të nesërmen, Moisiu u ul si zakonisht që të shërbente si gjykatës për popullin, dhe populli qëndroi përpara tij nga mëngjesi deri në mbrëmje. 14 Kur pa gjithë sa bënte Moisiu për popullin, i vjehrri e pyeti: «Çfarë po bën me popullin? Pse ulesh vetëm dhe gjithë ky popull rri para teje nga mëngjesi deri në mbrëmje?» 15 Moisiu iu përgjigj: «Populli vjen tek unë që të kërkojë drejtimin e Perëndisë, 16 prandaj kur lind ndonjë çështje, ma paraqitin mua dhe unë gjykoj mes palëve. Gjithashtu u bëj të njohura vendimet e Perëndisë së vërtetë dhe ligjet e tij.»+
17 Vjehrri i tha: «Kjo nuk është mënyra më e mirë për ta bërë këtë punë. 18 Ke për t’u rraskapitur ti bashkë me popullin, sepse kjo ngarkesë është tepër e rëndë për ty dhe s’mund ta mbash vetëm. 19 Tani, vërja veshin këshillës që do të të jap, dhe Perëndia do të jetë me ty.+ Shërbe si përfaqësues për popullin para Perëndisë së vërtetë,+ çoje çështjen para Perëndisë së vërtetë,+ 20 mësoja popullit rregullat dhe ligjet,+ bëja të njohur udhën ku duhet të ecë e çfarë duhet të bëjë. 21 Por zgjidh edhe disa burra të zotë+ nga populli, që kanë respekt të thellë për Perëndinë,* burra të besueshëm e që urrejnë fitimet e pandershme,+ dhe caktoji mbi popullin si krerë të mijësheve, të qindësheve, të pesëdhjetësheve dhe të dhjetësheve.+ 22 Le ta gjykojnë ata popullin kur të lindë ndonjë çështje;* çdo çështje të vështirë të ta paraqitin ty,+ kurse për çështjet e vogla të vendosin vetë. Do ta kesh më të lehtë nëse e ndan ngarkesën me ta.+ 23 Nëse vepron në këtë mënyrë, e nëse Perëndia të urdhëron kështu, do ta përballosh ngarkesën dhe të gjithë do të kthehen në shtëpi të kënaqur.»
24 Moisiu ia vuri veshin të vjehrrit dhe menjëherë bëri gjithçka që i tha. 25 Zgjodhi burra të zotë nga gjithë Izraeli dhe i caktoi si krerë të popullit, si krerë të mijësheve, të qindësheve, të pesëdhjetësheve dhe të dhjetësheve. 26 Ata e gjykonin popullin kur lindte ndonjë çështje; çështjet e vështira ia parashtronin Moisiut,+ kurse çështjet e vogla i gjykonin vetë. 27 Pastaj Moisiu e përcolli të vjehrrin+ që mori rrugën për në vendin e vet.
19 Muajin e tretë pasi dolën nga vendi i Egjiptit, izraelitët arritën në shkretëtirën e Sinait. 2 Pikërisht ditën që u larguan nga Refidimi,+ arritën në shkretëtirën e Sinait ku fushuan; atje Izraeli e ngriti kampin përballë malit.+
3 Atëherë Moisiu u ngjit në mal që të paraqitej para Perëndisë së vërtetë dhe Jehovai e thirri nga mali+ e i tha: «Thuaji shtëpisë së Jakobit, izraelitëve: 4 ‘Ju e patë vetë ç’u bëra egjiptianëve,+ që t’ju mbaja mbi krahë si shqiponjat dhe t’ju sillja pranë meje.+ 5 Tani, nëse i bindeni pikë për pikë zërit tim dhe respektoni besëlidhjen time, nga të gjithë popujt, ju keni për t’u bërë prona ime e veçantë,*+ sepse gjithë toka më përket mua.+ 6 Ju do të bëheni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.’+ Këto fjalë do t’ua thuash izraelitëve.»
7 Kështu Moisiu shkoi, thirri pleqtë e popullit dhe u tha tërë fjalët që i kishte urdhëruar Jehovai.+ 8 Atëherë gjithë populli u përgjigj njëzëri: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që ka thënë Jehovai.»+ Menjëherë Moisiu shkoi e i tregoi Jehovait përgjigjen e popullit 9 dhe, pasi Moisiu i kishte treguar Jehovait si ishte përgjigjur populli, Jehovai i tha: «Ja, po vij te ti në një re të errët, që populli të dëgjojë kur të të flas, e kështu të ketë gjithmonë besim edhe te ti.»
10 Prandaj Jehovai i tha Moisiut: «Shko te populli, shenjtëroji sot e nesër dhe thuaju të lajnë rrobat. 11 Të jenë gati për ditën e tretë, sepse ditën e tretë Jehovai do të zbresë në malin Sinai para syve të të gjithë popullit. 12 Vendos rreth e rrotull malit kufij për popullin dhe thuaju: ‘Ruhuni se ngjiteni në mal dhe mos prekni as rrëzën e tij. Kushdo që prek malin, pa diskutim do të vritet. 13 Do ta vritni ose me gurë, ose do ta shponi tejpërtej,* por asnjë nga ju të mos e prekë me dorë. Kafshë a njeri qoftë, nuk do të jetojë.’+ Vetëm kur të ketë rënë briri i dashit,+ mund t’i afrohen malit.»
14 Atëherë Moisiu zbriti nga mali, vajti te populli e filloi ta shenjtëronte, dhe ata lanë rrobat.+ 15 Pastaj i tha popullit: «Bëhuni gati për ditën e tretë; mos kryeni marrëdhënie.»*
16 Ditën e tretë në mëngjes, pati bubullima dhe vetëtima. Në mal ishte një re e dendur+ dhe u dëgjua një tingull briri shumë i fortë, aq sa gjithë populli në kamp nisi të dridhej nga frika.+ 17 Pastaj Moisiu e nxori popullin nga kampi që të dilte para Perëndisë së vërtetë, dhe ata zunë vend rrëzë malit. 18 Mali Sinai nxirrte tym gjithandej, sepse Jehovai zbriti mbi të në zjarr.+ Tymi ngjitej lart si tymi i një furre tullash dhe tërë mali dridhej shumë fort.+ 19 Ndërsa tingulli i bririt bëhej gjithnjë e më i fortë, Moisiu fliste, kurse Perëndia i vërtetë* i përgjigjej.
20 Kështu Jehovai zbriti në malin Sinai, në majë të malit, dhe Jehovai e thirri Moisiun të shkonte në majë të malit. Atëherë Moisiu u ngjit në mal,+ 21 ku Jehovai i tha: «Zbrit poshtë dhe paralajmëroje popullin të mos provojë t’i kapërcejë kufijtë që të shohë Jehovain, përndryshe shumë kanë për të marrë fund. 22 Gjithashtu, priftërinjtë që i afrohen rregullisht Jehovait, të shenjtërohen, që Jehovai të mos i ndëshkojë.»*+ 23 Atëherë Moisiu i tha Jehovait: «Populli nuk mund të ngjitet në malin Sinai, sepse ti na paralajmërove tashmë: ‘Vendosni kufij rreth e rrotull malit dhe shenjtërojeni.’»+ 24 Megjithatë Jehovai i tha: «Shko, zbrit dhe pastaj ngjitu prapë, bashkë me Aronin. Por as priftërinjtë, as populli të mos provojnë t’i kapërcejnë kufijtë për t’u ngjitur te Jehovai, që të mos i ndëshkojë.»+ 25 Atëherë Moisiu zbriti te populli dhe ua tha këto fjalë.
20 Pastaj Perëndia tha gjithë këto fjalë:+
2 «Unë jam Jehovai, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.+ 3 Mos ki perëndi të tjera përveç meje.*+
4 Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur ose ndonjë formë të ngjashme me asgjë që është lart në qiell, poshtë në tokë ose në ujërat e tokës.+ 5 Mos u përkul para tyre dhe mos u tundo t’u shërbesh,+ sepse unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua,+ që për fajin e etërve ndëshkoj bijtë, deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë. 6 Por u tregoj dashuri besnike për mijëra breza atyre që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.+
7 Mos e zër në gojë kot* emrin e Jehovait, Perëndisë tënd,+ sepse Jehovai nuk do ta lërë pa ndëshkuar atë që e zë në gojë kot emrin e Tij.+
8 Kujtoje ditën e Sabatit dhe shenjtëroje.+ 9 Do të punosh e do të bësh gjithçka që ke për të bërë për gjashtë ditë.+ 10 Ndërsa dita e shtatë është sabat për Jehovain, Perëndinë tënd. Mos bëj asnjë punë, as ti, as biri e as bija jote, as skllavi e as skllavja jote, as kafsha jote shtëpiake dhe as i ardhuri që gjendet brenda vendbanimeve* të tua,+ 11 sepse në gjashtë ditë Jehovai bëri qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në ta, dhe ditën e shtatë filloi të pushonte.+ Ja pse Jehovai e bekoi ditën e Sabatit dhe e bëri të shenjtë.
12 Ndero babanë dhe nënën tënde,+ që të jetosh gjatë në vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt.+
16 Mos jep dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.*+
17 Mos dëshiro shtëpinë e tjetrit. Mos dëshiro gruan e tjetrit,+ as skllavin e as skllaven e tij, as demin e as gomarin e tij, asgjë të tijën.»+
18 Tani gjithë populli i shihte e i dëgjonte bubullimat, vetëtimat, tingullin e bririt dhe malin që nxirrte tym. E përpara kësaj pamjeje, populli dridhej nga frika dhe qëndronte në njëfarë largësie.+ 19 Prandaj i thanë Moisiut: «Fol ti me ne, dhe ne do të dëgjojmë, por të mos na flasë Perëndia, se kemi frikë mos vdesim.»+ 20 Atëherë Moisiu i tha popullit: «Mos u trembni, sepse Perëndia i vërtetë ka ardhur t’ju vërë në provë,+ me qëllim që të keni gjithnjë nderim të thellë për të* e të mos mëkatoni.»+ 21 Kështu populli vazhdoi të qëndronte në njëfarë largësie, kurse Moisiu iu afrua resë së errët ku ishte Perëndia i vërtetë.+
22 Jehovai i tha akoma Moisiut: «Kështu do t’u thuash izraelitëve: ‘Ju e patë vetë se unë ju fola nga qielli.+ 23 Mos bëni perëndi prej argjendi, që t’i barazoni me mua, dhe as perëndi prej ari.+ 24 Do të më bëni një altar prej dheu e mbi të do të flijoni blatimet tuaja të djegura, flijimet tuaja në bashkësi,* kopetë dhe tufat tuaja. Tek ai vend që do të zgjedh për t’u kujtuar emri im,+ do të vij te ju dhe do t’ju bekoj. 25 Nëse më bëni një altar me gurë, nuk do ta ndërtoni me gurë të gdhendur*+ a të prerë, sepse po përdorët daltën, do ta përdhosni. 26 Në altarin tim nuk do të ngjiteni me shkallë, që të mos zbulohen mbi të pjesët tuaja intime.’*
21 Këto janë ligjet që do t’u japësh atyre:+
2 “Në rast se blen një skllav hebre,+ ai do të të shërbejë si skllav për gjashtë vjet, por vitin e shtatë do të jetë i lirë të largohet pa paguar asgjë.+ 3 Nëse ka ardhur vetëm, vetëm do të largohet, e nëse ka qenë burrë i një gruaje, edhe gruaja e tij do të largohet bashkë me të. 4 Nëse zotëria i jep një grua, dhe ajo i lind bij a bija, gruaja dhe fëmijët do të bëhen të zotërisë, kurse skllavi do të largohet vetëm.+ 5 Por nëse këmbëngul: ‘Unë e dua zotërinë tim, gruan dhe fëmijët e mi, prandaj nuk dua që zotëria të më lërë të lirë’,+ 6 atëherë ai do ta nxjerrë para Perëndisë së vërtetë, do ta mbështetë te dera ose te njëra nga shtalkat* dhe do t’i shpojë veshin me fëndyell,* e kështu do të mbetet skllavi i tij për gjithë jetën.
7 Në rast se një burrë shet të bijën si skllave, ajo nuk do të lihet e lirë njësoj si lihet i lirë një skllav. 8 Në rast se zotëria nuk e pëlqen dhe nuk e mban si konkubinë,* por vendos që vajzën ta blejë* dikush tjetër, ai nuk ka të drejtë t’ua shesë të huajve, sepse ka vepruar pabesisht me të. 9 Por nëse e merr nuse për të birin, duhet ta trajtojë si vajzën e vet. 10 Në rast se i biri* merr një grua tjetër, nuk do t’ia pakësojë gruas së parë as ushqimin, as veshjen dhe do të përmbushë me të detyrën martesore.+ 11 Por nëse nuk ia plotëson këto tri gjëra, ajo do të jetë e lirë të shkojë, pa paguar asgjë.
12 Kush godet një njeri dhe i shkakton vdekjen, duhet të vritet.+ 13 Por nëse e bën pa dashje dhe Perëndia i vërtetë e lë këtë gjë të ndodhë, unë do të caktoj një vend ku ai të ketë mundësi t’ia mbathë.+ 14 Në rast se një njeri zemërohet shumë me një tjetër dhe qëllimisht e vret,+ ai duhet të vdesë edhe sikur të kërkojë mbrojtje tek altari im.+ 15 Kush godet babanë ose nënën, duhet të vritet.+
16 Nëse dikush rrëmben një njeri+ dhe e shet, ose nëse e ka ende peng kur e kapin,+ ai duhet të vritet.+
17 Kush mallkon babanë ose nënën, duhet të vritet.+
18 Ja si duhet të veprohet në rast se disa burra zihen dhe njëri e godet tjetrin me gurë ose me grusht* dhe ky nuk vdes, por zë shtratin: 19 nëse është në gjendje të ngrihet e të ecë përjashta i mbështetur në një bastun, ai që e goditi, nuk do të ndëshkohet. Do të japë vetëm një dëmshpërblim për kohën që tjetri ka humbur nga puna derisa të shërohet plotësisht.
20 Në rast se dikush godet skllavin ose skllaven e tij me shkop, e ai ose ajo vdes nga dora e tij, duhet t’i merret haku.+ 21 Megjithatë, nëse mbijeton për një a dy ditë, nuk do t’i merret haku, sepse është blerë me paratë e zotërisë.
22 Në rast se disa burra zihen me njëri-tjetrin dhe godasin një grua shtatzënë, e ajo lind para kohe,*+ por nuk ndodh asnjë aksident vdekjeprurës,* fajtori duhet të paguajë dëmin që do t’i kërkojë burri i saj; ai duhet ta paguajë dëmin sipas vendimit të gjykatësve.+ 23 Por nëse ndodh ndonjë aksident vdekjeprurës, do ta paguajë jetë për jetë,*+ 24 sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë,+ 25 djegie për djegie, plagë për plagë, goditje për goditje.
26 Në rast se dikush godet skllavin a skllaven e tij në sy dhe ia dëmton, ai do ta lërë të lirë si dëmshpërblim për syrin.+ 27 Në qoftë se i thyen dhëmbin skllaves a skllavit të tij, do ta lërë të lirë si dëmshpërblim për dhëmbin.
28 Në rast se një dem godet me brirë një burrë a një grua dhe personi vdes, demi duhet të vritet me gurë+ dhe mishi i tij nuk duhet të hahet, kurse i zoti i demit nuk do të ndëshkohet. 29 Por nëse një dem e kishte zakon të godiste me brirë dhe i zoti ishte paralajmëruar për këtë gjë, por nuk e mbante nën kontroll, dhe demi vret një burrë a një grua, ai do të vritet me gurë; edhe i zoti duhet të ekzekutohet. 30 Nëse i kërkohet të paguajë një shpërblesë,* ai duhet të japë si çmim shpengimi* për jetën e vet aq sa t’i kërkohet. 31 Edhe nëse godet një djalë a një vajzë, i zoti i demit do të gjykohet po sipas këtij ligji. 32 Nëse demi godet një skllav a një skllave, i zoti i demit do t’i paguajë pronarit të atij njeriu një çmim prej 30 siklash,* kurse demi do të vritet me gurë.
33 Në rast se dikush zbulon ose hap një gropë e nuk e mbulon dhe një dem a një gomar bie brenda, 34 pronari i gropës duhet të paguajë dëmshpërblimin.+ Çmimin do t’ia paguajë të zotit, kurse kafsha e ngordhur do të bëhet e tija. 35 Në rast se demi i dikujt godet demin e një tjetri dhe ai ngordh, demin e gjallë do ta shesin dhe paratë e paguara për të do t’i ndajnë bashkë; edhe demin e ngordhur do ta ndajnë bashkë. 36 Por nëse dihej që demi e kishte zakon të godiste me brirë dhe i zoti nuk e mbante nën kontroll, ai duhet të dëmshpërblejë dem për dem, kurse demi i ngordhur do të bëhet i tiji.
22 Nëse dikush vjedh një dem a një dele dhe e ther ose e shet, do të japë si dëmshpërblim pesë dema për demin dhe katër dele për delen.+
2 (Nëse një hajdut+ kapet duke hyrë në një shtëpi natën dhe goditet për vdekje, askush nuk është fajtor për gjakun e tij. 3 Por nëse kjo ndodh pasi ka lindur dielli, ai që e vret, do të jetë fajtor gjaku.)
Hajduti duhet të dëmshpërblejë, e nëse nuk ka asgjë me se ta lajë dëmin, duhet të shitet në këmbim të gjërave që ka vjedhur. 4 Nëse i gjendet ende gjallë kafsha e vjedhur, qoftë dem, gomar a dele, ai duhet të dëmshpërblejë dyfish.
5 Nëse dikush i nxjerr kafshët të kullotin në një arë a vresht dhe i lë që të kullotin në arën e tjetrit, ai duhet të dëmshpërblejë me pjesën më të mirë të prodhimeve të arës a të vreshtit të vet.
6 Nëse bie zjarr dhe përhapet nëpër ferra e si pasojë digjen duajt, drithi i pakorrur a një arë, ai që vuri zjarrin duhet të dëmshpërblejë për atë që u dogj.
7 Kur dikush i jep një tjetri pará a sende që t’ia ruajë dhe këto vidhen në shtëpinë e këtij të fundit, nëse e gjejnë, hajduti duhet të dëmshpërblejë dyfish.+ 8 Nëse hajdutin nuk e gjejnë, atëherë të zotin e shtëpisë do ta nxjerrin para Perëndisë së vërtetë+ që të përcaktohet nëse ka vënë dorë mbi gjërat e tjetrit. 9 Kur dikush akuzohet për zotërim të paligjshëm, qoftë dem, gomar, dele, rrobë a çdo gjë të humbur, për të cilën një tjetër mund të thotë: ‘Kjo është imja!’, të dyja palët do ta paraqesin çështjen para Perëndisë së vërtetë,+ dhe ai që do të shpallet fajtor nga Perëndia, do ta dëmshpërblejë tjetrin dyfish.+
10 Nëse dikush i jep tjetrit një gomar, dem, dele a ndonjë kafshë tjetër shtëpiake që t’ia ruajë, por kjo ngordh, gjymtohet ose e rrëmbejnë pa e parë kush, 11 të dy do të betohen para Jehovait që njëri s’ka vënë dorë mbi të mirat e tjetrit; pronari duhet ta pranojë betimin dhe tjetri nuk është i detyruar të dëmshpërblejë.+ 12 Por nëse ia kanë vjedhur,* ai duhet ta dëmshpërblejë pronarin. 13 Nëse e ka shqyer ndonjë kafshë e egër, ai do ta sjellë si provë, sepse nuk është i detyruar të dëmshpërblejë për një kafshë të shqyer nga egërsirat.
14 Nëse dikush i merr hua kafshën shtëpiake tjetrit dhe ajo gjymtohet ose ngordh kur pronari nuk është i pranishëm, ai që e mori hua duhet ta dëmshpërblejë. 15 Por nëse pronari është i pranishëm, tjetri nuk është i detyruar të dëmshpërblejë. E nëse është marrë me qira, paratë e qirasë shërbejnë si dëmshpërblim.
16 Nëse një burrë josh një virgjëreshë të pafejuar dhe fle me të, ai duhet të paguajë çmimin e nuses që ajo të bëhet gruaja e tij.+ 17 Nëse babai i vajzës nuk pranon në asnjë mënyrë që t’ia japë për grua, ai burrë është ende i detyruar të paguajë aq pará sa kërkohen për çmimin e nuses.
18 Mos e lër gjallë një magjistare.+
19 Kushdo që kryen marrëdhënie seksuale me një kafshë, duhet të vritet pa diskutim.+
20 Kush u bën flijime perëndive të tjera përveç Jehovait, duhet shfarosur.*+
21 Mos e keqtrajtoni dhe mos e shtypni të ardhurin,+ sepse edhe ju banuat si të huaj në vendin e Egjiptit.+
22 Mos e mundoni asnjë vejushë a jetim.*+ 23 Nëse i mundoni sadopak dhe ata më thërrasin mua për ndihmë, pa pikë dyshimi unë do ta dëgjoj klithmën e tyre,+ 24 do të më ndizet zemërimi e do t’ju vras me shpatë, gratë tuaja do të bëhen vejusha dhe fëmijët tuaj do të mbeten pa baba.
25 Nëse i jep pará hua ndonjë të varfri* nga populli im, mos u sill me të si fajdexhi;* mos i kërko kamatë.+
26 Nëse i merr rrobën një tjetri si garanci për një hua,*+ duhet t’ia kthesh përpara se të perëndojë dielli, 27 sepse është e vetmja rrobë që ka për të mbuluar trupin. Me se do të flejë nëse mbetet pa të?+ E kur të më thërrasë për ndihmë, me siguri do ta dëgjoj, sepse unë jam i dhembshur.*+
28 Mos e mallko Perëndinë,*+ as mos mallko ndonjë nga prijësit* e popullit tënd.+
29 Mos ngurro të më japësh blatime nga prodhimi yt i bollshëm dhe nga ajo që vërshon prej shtypëseve të tua.*+ Të parëlindurin e djemve të tu duhet të ma japësh mua.+ 30 Kështu do të veprosh me të parëlindurin e demit dhe të deles:+ shtatë ditë do të rrijë me të ëmën dhe ditën e tetë do të ma japësh mua.+
31 Ju duhet të jeni populli im i shenjtë+ e nuk duhet ta hani mishin e një kafshe të shqyer nga egërsirat në fushë,+ por duhet t’ua hidhni qenve.
23 Mos përhap një lajm të rremë+ dhe mos bashkëpuno me të ligun duke dhënë dëshmi për t’i bërë keq tjetrit.+ 2 As mos shko pas shumicës për të bërë të ligën dhe mos jep një dëshmi që shtrembëron drejtësinë vetëm për t’i bërë qejfin shumicës.* 3 Duhet të jesh i paanshëm në çështjen ligjore të të varfrit.+
4 Nëse rastësisht gjen demin ose gomarin e armikut tënd që ka humbur rrugën, duhet t’ia kthesh.+ 5 Nëse e sheh të rrëzuar gomarin e dikujt që të urren dhe ngarkesa e ka zënë nën të, mos bëj sikur nuk sheh e mos u largo; ndihmoje që t’ia heqë barrën kafshës.+
6 Mos e shtrembëro drejtësinë kur të gjykosh çështjen ligjore të të varfrit.+
7 Mos u përfshi fare në akuza* të rreme dhe mos e vrit të pafajshmin e të drejtin, sepse unë nuk do ta shpall të ligun të drejtë.*+
8 Mos merr ryshfet, sepse ryshfeti i verbon ata që shohin qartë dhe mund t’i shtrembërojë fjalët e të drejtëve.+
9 Mos e shtyp të ardhurin, sepse ti e di ç’do të thotë të jesh i ardhur, meqë i tillë ishe në vendin e Egjiptit.+
10 Do ta mbjellësh tokën dhe do të mbledhësh prodhimin e saj për gjashtë vjet.+ 11 Por vitin e shtatë mos e mbill, lëre të pushojë, që të varfrit në popull të hanë atë që toka do të prodhojë vetë, e ç’të lënë ata, do ta hanë kafshët e egra të tokës. Kështu do të veprosh edhe me vreshtin, edhe me ullishten tënde.
12 Gjashtë ditë do të punosh, por ditën e shtatë do ta ndërpresësh punën, që demi e gomari yt të pushojë, e skllavi yt* dhe i ardhuri të çlodhet.+
13 Zbato me kujdes gjithçka që të kam thënë.+ Mos i zër me gojë emrat e perëndive të tjerë; të mos dëgjohen nga goja jote.+
14 Tri herë në vit kremto një festë për mua.+ 15 Do të kremtosh Festën e Bukëve Pa Maja;+ shtatë ditë do të hash bukë pa maja, siç të kam urdhëruar, në kohën e caktuar të muajit abib,*+ sepse në atë kohë dole nga Egjipti. Askush të mos vijë duarbosh para meje.+ 16 Do të kremtosh edhe Festën e Korrjes* së fryteve të para të punës sate, të asaj që ke mbjellë në arë,+ si edhe Festën e Mbledhjes* në fund të vitit, kur të mbledhësh nga ara frytin e punës sate.+ 17 Tri herë në vit, të gjithë burrat* të paraqiten para Zotërisë së vërtetë, Jehovait.+
18 Mos e paraqit gjakun e flijimit tim me asgjë që ka majá, dhe dhjami i flijimit që ofrohet në festat e mia të mos ruhet deri në mëngjes.
19 Duhet të çosh pjesën më të mirë të fryteve të para të tokës sate në shtëpinë e Jehovait, Perëndisë tënd.+
Mos e ziej kecin në qumështin e nënës së vet.+
20 Unë po dërgoj një engjëll përpara teje,+ që të të ruajë rrugës dhe të të çojë në vendin që kam përgatitur.+ 21 Vërja veshin dhe bindju zërit të tij. Mos u rebelo kundër tij, sepse ai nuk do t’i falë shkeljet* e tua,+ ngaqë mban emrin tim. 22 Megjithatë, nëse i bindesh pikë për pikë zërit të tij dhe bën gjithçka që të them, unë do të bëhem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu, 23 sepse engjëlli im do të të prijë dhe do të të çojë tek amoritët, hititët, perezitët, kananitët, hivitët e jebusitët, dhe unë do t’i shfaros ata.+ 24 Mos u përkul para perëndive të tyre, mos u tundo t’u shërbesh dhe mos imito zakonet e tyre.+ Përkundrazi, shembi idhujt e tyre e bëji copë-copë kolonat e tyre të shenjta.+ 25 Më shërbe mua, Jehovait, Perëndisë tënd,+ dhe unë do ta bekoj bukën e ujin tënd,+ do t’i largoj sëmundjet nga ti,+ 26 dhe gratë në vendin tënd nuk do të dështojnë e as do të mbeten pa fëmijë.+ Unë do të të jap jetë të gjatë.*
27 Para se të shkosh atje, popujt do të kenë frikë prej meje;+ unë do t’i bëj rrëmujë gjithë popujt që do të të dalin përpara dhe tërë armiqtë e tu do t’ia mbathin të mposhtur* prej meje.+ 28 Do të bëj që t’i lëshojë zemra,*+ prandaj hivitët, kananitët dhe hititët do t’ia mbathin para teje.+ 29 Nuk do t’i dëboj brenda vitit, që toka të mos shkretohet dhe kafshët e egra të tokës të mos shumohen e të përbëjnë rrezik për ty.+ 30 Do t’i dëboj pak nga pak, derisa të bëhesh i frytshëm dhe ta shtiesh vendin në dorë.+
31 Unë do t’i caktoj kufijtë e tu nga Deti i Kuq deri në detin e filistinëve,* dhe nga shkretëtira deri te Lumi.*+ Do të t’i jap në dorë banorët e vendit, dhe ti do t’i dëbosh.+ 32 Mos bëj besëlidhje me ta ose me perënditë e tyre.+ 33 Ata nuk duhet të banojnë në vendin tënd, që të mos të bëjnë të mëkatosh kundër meje. Po t’u shërbesh perëndive të tyre, me siguri kjo do të bëhet lak për ty.”»+
24 Pastaj Jehovai i tha Moisiut: «Ngjituni në mal, ti dhe Aroni, Nadabi dhe Abihu,+ si dhe 70 pleq të Izraelit, dhe përkuluni para meje në njëfarë largësie. 2 Vetëm Moisiu t’i afrohet Jehovait, kurse të tjerët nuk duhet të afrohen dhe as populli nuk duhet të ngjitet në mal me të.»+
3 Kështu Moisiu erdhi, i tregoi popullit gjithë fjalët e ligjet e Jehovait,+ dhe tërë populli u përgjigj njëzëri: «Jemi gati t’i zbatojmë të gjitha fjalët e Jehovait.»+ 4 Atëherë Moisiu i hodhi me shkrim të gjitha fjalët e Jehovait.+ Pastaj u çua herët në mëngjes, ndërtoi rrëzë malit një altar dhe 12 shtylla, sipas 12 fiseve të Izraelit. 5 Më pas zgjodhi disa të rinj izraelitë, të cilët paraqitën blatime të djegura dhe flijuan dema si flijime në bashkësi+ për Jehovain. 6 Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në tase, kurse me gjysmën tjetër spërkati altarin. 7 Pastaj mori librin e besëlidhjes, ia lexoi popullit,+ dhe ata thanë: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që ka thënë Jehovai dhe do të bindemi.»+ 8 Prandaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin+ dhe tha: «Ky është gjaku i besëlidhjes që Jehovai ka bërë me ju në përputhje me gjithë këto fjalë.»+
9 Moisiu dhe Aroni, Nadabi dhe Abihu, si dhe 70 pleq të Izraelit u ngjitën në mal, 10 ku panë Perëndinë e Izraelit;+ nën këmbët e tij ishte diçka që ngjante si dysheme safiri, e pastër si vetë qiejt.+ 11 Ai nuk i preku me dorë burrat e shquar të Izraelit,+ e ata panë Perëndinë e vërtetë në një vegim* dhe hëngrën e pinë.
12 Tani Jehovai i tha Moisiut: «Ngjitu tek unë në mal dhe qëndro atje, se do të të jap në pllaka guri ligjin dhe urdhërimet që do të shkruaj për ta mësuar popullin.»+ 13 Kështu Moisiu u nis me Josiun, shërbëtorin e vet,+ dhe Moisiu hipi në malin e Perëndisë së vërtetë.+ 14 Kurse pleqve u kishte thënë: «Ju na prisni këtu derisa të kthehemi.+ Aroni dhe Huri+ janë me ju. Kush të ketë ndonjë çështje ligjore, le t’u drejtohet atyre.»+ 15 Pastaj Moisiu u ngjit në mal teksa reja mbulonte malin.+
16 Lavdia e Jehovait+ qëndroi në malin Sinai,+ dhe reja e mbuloi atë për gjashtë ditë. Ditën e shtatë, ai e thirri Moisiun nga mesi i resë. 17 Izraelitëve që po shikonin, lavdia e Jehovait u dukej si zjarr flakërues në majë të malit. 18 Pastaj Moisiu hyri në re dhe u ngjit në mal;+ Moisiu qëndroi në mal 40 ditë e 40 net.+
25 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: 2 «Thuaji popullit të Izraelit që të mbledhë një kontribut për mua; të pranohet kontributi i çdo njeriu që nxitet të japë nga zemra.+ 3 Ja kontributi që duhet të pranoni: ar,+ argjend,+ bakër,+ 4 fill blu, lesh në ngjyrë të purpurt,* fill në të kuqe të ndezur,* li të hollë, lesh dhie, 5 lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe, lëkurë foke, dru akacieje,+ 6 vaj për llambat,+ balsam për vajin e mirosjes+ dhe për temjanin aromatik,+ 7 gurë oniksi dhe gurë të tjerë që të mbërthehen tek efodi*+ e te pektorali.*+ 8 Duhet të më bëni një shenjtërore, që të banoj mes jush,+ 9 dhe shenjtëroren, pra, tabernakullin me tërë pajisjet e tij, duhet ta bëni duke zbatuar fill e për pe gjithë modelin* që po të tregoj.+
10 Më bëni një arkë* me dru akacieje, dy kute* e gjysmë të gjatë, një kut e gjysmë të gjerë dhe një kut e gjysmë të lartë.+ 11 Visheni me ar të kulluar,+ jashtë e brenda, dhe bëjini rreth e qark një kornizë dekorative prej ari.+ 12 Derdhni katër unaza ari dhe vërini në të katër qoshet, pak më lart këmbëve të arkës, dy në njërën anë e dy në tjetrën. 13 Bëni shufra me dru akacieje dhe vishini me ar.+ 14 Shufrat kalojini nëpër unazat në të dy anët e Arkës për ta mbartur. 15 Shufrat do të qëndrojnë tek unazat e Arkës dhe s’duhen hequr.+ 16 Brenda Arkës vendosni Dëshminë* që do të të jap.+
17 Bëni një kapak vetëm me ar të kulluar, dy kute e gjysmë të gjatë dhe një kut e gjysmë të gjerë.+ 18 Bëni edhe dy kerubinë ari të punuar me çekan për të dyja anët e kapakut.+ 19 Bëni një kerubin në njërën anë dhe një kerubin në anën tjetër të kapakut. 20 Kerubinët do t’i kenë krahët të hapur e të zgjatur lart, duke i bërë hije kapakut me krahët e tyre,+ dhe do të jenë përballë njëri-tjetrit, me fytyrë nga kapaku. 21 Kapakun vendoseni mbi Arkë,+ dhe brenda Arkës futni Dëshminë që do të të jap. 22 Atje do të shfaqem dhe, nga lart kapakut,+ mes dy kerubinëve që ndodhen mbi arkën e Dëshmisë, do të flas e do të bëj të njohur të gjitha urdhërimet për izraelitët.
23 Bëni edhe një tryezë+ me dru akacieje, dy kute të gjatë, një kut të gjerë dhe një kut e gjysmë të lartë.+ 24 Visheni me ar të kulluar dhe bëjini rreth e qark një kornizë dekorative prej ari. 25 Bëjini rreth e qark edhe një bordurë katër gisht* të gjerë dhe rreth e qark saj bëni një tjetër kornizë dekorative prej ari. 26 Bëjini katër unaza ari dhe vendosini në të katër qoshet, aty ku janë ngjitur katër këmbët. 27 Unazat duhet të jenë afër bordurës së tryezës dhe në to futni shufrat për ta mbartur. 28 Shufrat bëjini me dru akacieje dhe vishini me ar, e me to mbartni tryezën.
29 Bëni edhe pjatat, kupat, brokat dhe taset e saj, me të cilat do të derdhni blatimet në pije; duhet t’i bëni me ar të kulluar.+ 30 Vërini vazhdimisht përpara meje në tryezë bukët e paraqitjes.*+
31 Bëni edhe një shandan+ me ar të kulluar, të punuar me çekan; bazën, trungun, degët, kupat e lules, gonxhet dhe lulet e tij do t’i punoni nga një copë e vetme ari.+ 32 Nga trungu i shandanit do të dalin gjashtë degë: tri degë nga njëra anë dhe tri nga ana tjetër. 33 Secila degë e njërës anë do të ketë tri kupa në formën e lules së bajames, si edhe gonxhe e lule, të cilat alternohen me njëra-tjetrën. Edhe secila degë e anës tjetër do të ketë tri kupa në formën e lules së bajames, si edhe gonxhe e lule, të cilat alternohen me njëra-tjetrën; në këtë mënyrë do të dalin gjashtë degët nga trungu i shandanit. 34 Në trungun e shandanit do të ketë katër kupa në formën e lules së bajames, me gonxhet dhe lulet e tyre, të cilat alternohen me njëra-tjetrën. 35 Një gonxhe do të jetë nën dy degët e para që dalin nga trungu, një gonxhe nën dy degët e tjera dhe një gonxhe nën dy degët e fundit, për të gjashta degët që dalin nga trungu i shandanit. 36 Gonxhet, degët dhe të gjithë shandanin do t’i punoni me çekan nga një copë e vetme ari të kulluar.+ 37 Bëjini shandanit shtatë llamba, që kur të ndizen, të ndriçojnë zonën përballë tij.+ 38 Mashat* dhe mbajtëset e zjarrit do të jenë prej ari të kulluar.+ 39 Shandani dhe gjithë pajisjet e tij do të punohen nga një copë e vetme ari të kulluar prej një talente.* 40 Kini kujdes që t’i bëni sipas modelit* që të tregova në mal.+
26 Tabernakullin+ bëjeni me dhjetë pëlhura prej liri të dredhur hollë, filli blu, leshi në ngjyrë të purpurt* dhe filli në të kuqe të ndezur; në to do të qëndisni+ kerubinë.+ 2 Çdo pëlhurë e tendës do të jetë 28 kute* e gjatë dhe 4 kute e gjerë; të gjitha pëlhurat e tendës duhet të kenë përmasa të njëjta.+ 3 Pesë pëlhura të tendës të qepen me njëra-tjetrën që të formojnë një pjesë dhe pesë pëlhurat e tjera të qepen me njëra-tjetrën që të formojnë një pjesë tjetër. 4 Me fillin blu bëni iliqe* në buzë të njërës pjesë, aty ku do të bashkohet me tjetrën; bëni të njëjtën gjë edhe në buzë të pjesës tjetër, aty ku do të bashkohet me të parën. 5 Do të bëni 50 iliqe në buzë të njërës pjesë dhe 50 iliqe në buzë të pjesës tjetër, që të jenë përballë me njëri-tjetrin kur të bashkohen. 6 Bëni edhe 50 kapëse ari dhe me to bashkojini pjesët e tendës me njëra-tjetrën, që të bëhet një tendë e vetme për të gjithë tabernakullin.+
7 Bëni edhe pëlhura me lesh dhie+ për tendën sipër tabernakullit; do të bëni 11 pëlhura të tilla.+ 8 Çdo pëlhurë e tendës do të jetë 30 kute e gjatë dhe 4 kute e gjerë; të 11-të pëlhurat e tendës duhet të kenë përmasa të njëjta. 9 Pesë pëlhura të qepen bashkë dhe gjashtë të tjerat të qepen me njëra-tjetrën; pëlhurën e gjashtë që mbulon hyrjen e tendës, paloseni. 10 Bëni 50 iliqe në buzë të njërës pjesë dhe 50 iliqe në buzë të pjesës tjetër, aty ku do të bashkohen me njëra-tjetrën. 11 Bëni pastaj 50 kapëse bakri, futini tek iliqet dhe bashkojeni tendën që të bëhet një e vetme. 12 Pjesa që mbetet nga pëlhurat e tendës, domethënë gjysma e njërës pjesë, do të varet në anën e pasme të tabernakullit. 13 Pjesët e pëlhurës së tendës që dalin më të gjata, do të varen një kut në një anë dhe një kut në anën tjetër të tabernakullit për ta mbuluar.
14 Bëni për tendën edhe një mbulesë me lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe dhe, mbi këtë, një mbulesë me lëkurë foke.+
15 Skeletet+ për tabernakullin do t’i bëni me dru akacieje dhe vendosini pingul.+ 16 Çdo skelet duhet të jetë dhjetë kute i gjatë dhe një kut e gjysmë i gjerë. 17 Çdo skelet do të ketë dy pjesë të dala si dhëmbë* paralele me njëra-tjetrën, të cilat futen në fole; në këtë mënyrë do t’i bëni të gjitha skeletet e tabernakullit. 18 Bëni 20 skelete druri për anën jugore të tabernakullit.
19 Bëni 40 bazamente argjendi me fole+ që t’i vini poshtë 20 skeleteve: dy bazamente me fole poshtë çdo skeleti me dy pjesë të dala si dhëmbë.+ 20 Për anën tjetër të tabernakullit, për anën veriore, bëni 20 skelete druri 21 dhe 40 bazamente argjendi me fole: dy bazamente poshtë çdo skeleti. 22 Për pjesën e pasme të tabernakullit, në perëndim, bëni gjashtë skelete druri.+ 23 Bëni edhe dy skelete për të mbajtur dy qoshet në pjesën e pasme të tabernakullit. 24 Skeletet duhet të kenë dy pjesë druri, nga poshtë deri lart në majë, të cilat do të bashkohen me njëra-tjetrën tek unaza e parë; kështu do të bëhen të dyja skeletet, të cilat do të shërbejnë si mbajtëse për të dyja qoshet. 25 Pra, pjesa e pasme do të ketë 8 skelete druri dhe 16 bazamente argjendi me fole: dy bazamente poshtë çdo skeleti.
26 Bëni edhe shufra me dru akacieje; pesë shufra për skeletet e njërës anë të tabernakullit,+ 27 pesë për skeletet e anës tjetër të tabernakullit dhe pesë për skeletet e anës së pasme të tabernakullit, në perëndim. 28 Shufra e mesit, që do të kalojë përgjatë qendrës së skeleteve, duhet të shtrihet nga njëri skaj në tjetrin.
29 Skeletet e drurit vishini me ar,+ bëjini prej ari edhe unazat e tyre ku do të futen shufrat, dhe shufrat vishini me ar. 30 Tabernakullin montojeni sipas projektit që të tregova në mal.+
31 Bëni një perde+ me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur dhe me li të dredhur hollë; në të do të qëndisni kerubinë. 32 Vareni perden në katër shtylla akacieje të veshura me ar, në grremça që duhet të jenë prej ari; shtyllat do të qëndrojnë mbi katër bazamente argjendi me fole. 33 Perden vareni poshtë kapëseve* dhe brenda perdes futni arkën e Dëshmisë;+ perdja do të ndajë të Shenjtën+ nga Më e Shenjta.+ 34 Kapakun e arkës së Dëshmisë duhet ta vendosini në Më të Shenjtën.
35 Tryezën vendoseni jashtë perdes dhe shandanin+ përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit; tryezën vendoseni nga ana veriore. 36 Bëni edhe një perde të trashë për hyrjen e tendës, të endur me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur dhe me li të dredhur hollë.+ 37 Bëni pesë shtylla akacieje për perden dhe vishini me ar; grremçat e tyre duhet të jenë prej ari. Gjithashtu derdhni pesë bazamente bakri me fole për shtyllat.
27 Altarin do ta bëni me dru akacieje;+ duhet të jetë katror, pesë kute* i gjatë, pesë kute i gjerë dhe tri kute i lartë.+ 2 Bëjini brirë+ në të katër qoshet; brirët do të jenë një trup me altarin, të cilin do ta vishni me bakër.+ 3 Bëni kova për të hequr hirin,* si dhe lopata, legenë, pirunë dhe mbajtëse zjarri; të gjitha pajisjet e tij do t’i bëni prej bakri.+ 4 Bëni edhe një skarë për altarin, një rrjetë prej bakri, dhe katër unaza bakri që të vendosen në të katër qoshet, afër skarës. 5 Skarën vëreni brenda altarit, poshtë buzës së tij, aty nga mesi. 6 Bëni për altarin shufra me dru akacieje dhe vishini me bakër. 7 Shufrat të futen tek unazat, e kështu do të jenë në të dyja anët e altarit kur ta mbartni.+ 8 Do ta bëni altarin si një arkë dërrase të zgavërt; do ta bëni ashtu siç të tregova në mal.+
9 Bëni oborrin+ e tabernakullit. Në anën jugore të oborrit do të varni perde prej liri të dredhur hollë; ajo anë e oborrit do të jetë 100 kute e gjatë,+ 10 do të ketë 20 shtylla dhe 20 bazamente bakri me fole, si edhe grremça e lidhëse* prej argjendi për shtyllat. 11 Edhe në anën veriore do të varni perde; ajo anë do të jetë 100 kute e gjatë, do të ketë 20 shtylla dhe 20 bazamente bakri me fole, si edhe grremça e lidhëse* prej argjendi për shtyllat. 12 Edhe në anën perëndimore do të varni perde; ajo anë do të jetë 50 kute e gjerë, do të ketë 10 shtylla dhe 10 bazamente me fole. 13 Gjerësia e oborrit në anën lindore do të jetë 50 kute 14 dhe atje do të varni 15 kute perde në njërën anë; për atë anë do të ketë tri shtylla dhe tri bazamente me fole.+ 15 Edhe në anën tjetër të saj do të varni 15 kute perde; për atë anë do të ketë tri shtylla dhe tri bazamente me fole.
16 Hyrja e oborrit do të ketë një perde të trashë, 20 kute të gjatë, të endur me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt,* me fill në të kuqe të ndezur dhe me li të dredhur hollë,+ si dhe katër shtylla e katër bazamente me fole.+ 17 Të gjitha shtyllat rreth e qark oborrit do të kenë lidhëse dhe grremça prej argjendi, kurse bazamentet me fole do të jenë prej bakri.+ 18 Oborri duhet të jetë 100 kute i gjatë,+ 50 kute i gjerë dhe 5 kute i lartë, i bërë me li të dredhur hollë dhe me bazamente bakri me fole. 19 Të gjitha pajisjet dhe mjetet që do të përdoren në shërbimet e tabernakullit, si edhe kunjat e tendës dhe të gjitha kunjat e oborrit, duhet të jenë prej bakri.+
20 Do t’i urdhërosh izraelitët që të të sjellin për ndriçim vaj safi prej ullinjsh të shtypur, që llambat të rrinë vazhdimisht të ndezura.+ 21 Në tendën e takimit,* jashtë perdes që ndodhet pranë Dëshmisë,*+ Aroni dhe djemtë e tij do të sigurohen që llambat të jenë të ndezura para Jehovait,+ nga mbrëmja deri në mëngjes. Ky është një ligj i pandryshueshëm që izraelitët do ta zbatojnë brez pas brezi.+
28 Nga izraelitët, thirr Aronin,+ vëllanë tënd, bashkë me djemtë e tij,+ Nadabin dhe Abihun,+ Eleazarin dhe Ithamarin,+ që të më shërbejnë si priftërinj.+ 2 Bëj për Aronin, vëllanë tënd, rroba të shenjta, dinjitoze e të bukura.+ 3 Fol me gjithë mjeshtërit,* të cilëve u kam dhënë mençuri,+ dhe ata do të bëjnë rrobat e Aronit për shenjtërimin e tij, që t’i veshë kur të më shërbejë si prift.
4 Këto janë rrobat që do të bëjnë: një pektoral,*+ një efod,+ një veshje pa mëngë,+ një veshje të gjatë të endur me kuadrate, një çallmë të veçantë+ e një brez.+ Ata do t’i bëjnë këto rroba të shenjta për vëllanë tënd, Aronin, dhe për djemtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj. 5 Mjeshtërit do të përdorin ar, fill blu, lesh në ngjyrë të purpurt,* fill në të kuqe të ndezur dhe li të hollë.
6 Efodi duhet bërë me ar, me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur, me li të dredhur hollë dhe duhet qëndisur.+ 7 Te supet duhet të ketë të fiksuar dy rripa për të bashkuar dy pjesët e tij. 8 Edhe brezi i endur,*+ i lidhur tek efodi që ky të mos lëvizë, duhet të bëhet me të njëjtat materiale: ar, fill blu, lesh në ngjyrë të purpurt, fill në të kuqe të ndezur dhe li të dredhur hollë.
9 Pastaj merrni dy gurë oniksi+ e skalitni në ta emrat e djemve të Izraelit+ 10 sipas radhës së lindjes: gjashtë emra në njërin gur dhe gjashtë emrat e tjerë në gurin tjetër. 11 Një artizan do të skalitë emrat e djemve të Izraelit në të dy gurët, ashtu siç skalitet një vulë,+ e pastaj mbërthejini në fole ari. 12 Dy gurët vendosini mbi rripat e supeve të efodit në kujtim të djemve të Izraelit,+ dhe Aroni duhet t’i mbajë emrat e tyre mbi dy rripat e supeve për t’i kujtuar para Jehovait. 13 Bëni fole ari 14 dhe dy zinxhirë prej ari të kulluar, të përdredhur si kordonë,+ të cilët duhet t’i kapni te foletë.+
15 Një qëndistar të bëjë pektoralin e gjykimit,+ i cili duhet bërë si efodi, me ar, me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur e me li të dredhur hollë.+ 16 Kur të paloset më dysh, pektorali duhet të jetë katror, një pëllëmbë* i gjatë dhe një pëllëmbë i gjerë. 17 Vendosni në të katër radhë gurësh të çmuar të mbërthyer në fole; radha e parë do të ketë rubin, topaz dhe smerald; 18 radha e dytë, bruz, safir dhe diaspër; 19 radha e tretë, gur léshem,* agat dhe ametist; 20 radha e katërt, krizolit, oniks dhe nefrit; ata duhen mbërthyer në fole prej ari. 21 Gurët do të përkojnë me emrat e 12 djemve të Izraelit, dhe secili emër duhet skalitur si një vulë e do të përfaqësojë një nga 12 fiset.
22 Në pektoral bëni zinxhirë të përdredhur, si kordonë prej ari të kulluar.+ 23 Bëni dy unaza ari dhe vendosini në dy cepat e sipërm të pektoralit. 24 Kaloni dy zinxhirë prej ari nëpër dy unazat që janë në cepat e sipërm të pektoralit 25 dhe dy anët e tjera të zinxhirëve kalojini përmes dy foleve që janë te rripat e supeve të efodit, në pjesën e tij të përparme. 26 Bëni edhe dy unaza të tjera ari dhe vendosini në dy cepat e poshtëm të pektoralit, në pjesën e brendshme, përballë me efodin.+ 27 Gjithashtu bëni dy unaza ari aty ku brezi i endur* bashkohet me efodin, pra, në pjesën e përparme të efodit, poshtë dy rripave të supeve, sipër brezit të endur.+ 28 Pektorali duhet të lidhet me një kordon blu që të mos lëvizë, duke lidhur unazat e tij me unazat e efodit, e kështu pektorali do të qëndrojë pa lëvizur mbi efod, sipër brezit të endur.*
29 Kur të hyjë në të Shenjtën, Aroni duhet t’i mbajë emrat e djemve të Izraelit në pektoralin e gjykimit mbi zemër, për t’i kujtuar gjithnjë para Jehovait. 30 Brenda pektoralit të gjykimit futni Urimin dhe Thumimin,*+ të cilët duhet të jenë mbi zemrën e Aronit kur ai të paraqitet para Jehovait. Këto mjete me të cilat do të merren vendime gjyqësore për izraelitët, Aroni duhet t’i mbajë gjithnjë mbi zemër kur të paraqitet para Jehovait.
31 Veshjen pa mëngë poshtë efodit bëjeni krejt me fill blu.+ 32 Në pjesën e sipërme, ajo do të ketë një grykë të hapur,* e cila duhet të ketë rreth e përqark një shirit të punuar në tezgjah* dhe duhet të jetë si gryka e një thuraku,* që të mos griset. 33 Palës në fund bëjini rreth e qark shegë të punuara me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt e me fill në të kuqe të ndezur, dhe mes shegëve vendosni zile ari. 34 Alternoni një zile ari dhe një shegë, një zile ari dhe një shegë, rreth e qark palës në fund të veshjes pa mëngë. 35 Aroni do ta veshë kur të shërbejë, dhe tringëllima e zileve do të dëgjohet kur të futet e kur të dalë në shenjtërore para Jehovait, që të mos vdesë.+
36 Bëni prej ari të kulluar një pllakë të ndritshme ku do të skalitni ashtu si skalitet një vulë: ‘Shenjtëria i përket Jehovait.’+ 37 Shtrëngojeni te çallma+ e Aronit me një kordon blu, në pjesën e përparme të çallmës. 38 Pllaka do të jetë në ballin e Aronit dhe, kur dikush të mëkatojë kundër gjërave të shenjta,+ të cilat izraelitët i shenjtërojnë kur i paraqesin si dhurata të shenjta, Aroni do të mbajë përgjegjësi; ai duhet ta mbajë gjithnjë pllakën në ballë, që ata të fitojnë miratimin e Jehovait.
39 Veshjen e gjatë me kuadrate endeni me li të hollë, e po me li të hollë bëni një çallmë të veçantë dhe një brez të endur.+
40 Bëni edhe për djemtë e Aronit veshje të gjata, breza dhe çallma,+ dinjitoze e të bukura.+ 41 Ti do të veshësh vëllanë tënd, Aronin, dhe djemtë e tij, do t’i mirosësh,*+ do t’i emërosh*+ dhe do t’i shenjtërosh si priftërinj për mua. 42 Gjithashtu bëni për ta mbathje liri,* që të mbulojnë lakuriqësinë,+ të cilat do të jenë të gjata nga mesi deri te kofshët. 43 Këto duhet t’i veshin Aroni dhe djemtë e tij kur të hyjnë në tendën e takimit ose kur t’i afrohen altarit për të shërbyer në vendin e shenjtë, që të mos bëhen fajtorë e të mos vdesin. Ky është një ligj i përhershëm për të dhe pasardhësit* e tij.
29 Ja çfarë do të bësh që t’i shenjtërosh për të më shërbyer si priftërinj: merr një dem të ri dhe dy desh të patëmetë,+ 2 bukë pa maja, bukë pa maja në formë unaze të zëna me vaj, dhe galeta* pa maja të lyera me vaj.+ Bëji me miell gruri të bluar imët, 3 futi në një shportë dhe paraqiti+ bashkë me demin dhe dy deshtë.
4 Në hyrje të tendës së takimit do të paraqitësh Aronin dhe djemtë e tij,+ dhe do t’i lash me ujë.+ 5 Pastaj merr rrobat,+ vishi Aronit veshjen e gjatë, veshjen pa mëngë të efodit, efodin,* pektoralin* dhe shtrëngoji mirë në mes brezin e endur* të efodit.+ 6 Vëri në kokë çallmën e veçantë, dhe vendos në të shenjën e shenjtë të kushtimit.*+ 7 Merr edhe vajin e mirosjes,+ derdhja mbi kokë dhe mirose.*+
8 Pastaj do të paraqitësh djemtë e tij dhe do t’u veshësh veshjet e gjata,+ 9 do t’u mbështjellësh rreth e qark brezat, si Aronit edhe djemve të tij, dhe do t’u vësh në kokë çallmat; priftëria do të bëhet e tyrja, dhe ky është një ligj i përhershëm.+ Në këtë mënyrë do të emërosh Aronin dhe djemtë e tij që të shërbejnë si priftërinj.*+
10 Pastaj paraqite demin para tendës së takimit dhe Aroni e djemtë e tij do të vënë duart mbi* kokën e demit.+ 11 There demin para Jehovait, në hyrje të tendës së takimit.+ 12 Merr me gisht ca nga gjaku i demit dhe vëre mbi brirët e altarit,+ ndërsa gjithë pjesën tjetër të gjakut derdhe rrëzë altarit.+ 13 Pastaj merr gjithë dhjamin+ që vesh zorrët, cipën e dhjamtë të mëlçisë,* dy veshkat bashkë me dhjamin që ndodhet mbi to dhe digji që të nxjerrin tym mbi altar.+ 14 Kurse mishin e demit, lëkurën dhe bajgat digji në zjarr jashtë kampit. Është një blatim për mëkatin.
15 Pastaj merr njërin dash dhe Aroni me djemtë e vet të vënë duart mbi kokën e dashit.+ 16 There dashin, merri gjakun dhe spërkate altarin në të gjitha anët.+ 17 Ndaje dashin në copa, laji zorrët+ e kërcinjtë, dhe copat e mishit bashkë me kokën vëri mbi altar. 18 Digje të gjithë dashin që të nxjerrë tym mbi altar, se është një blatim i djegur për Jehovain, një aromë e këndshme,*+ një blatim i bërë me zjarr për Jehovain.
19 Pastaj merr dashin tjetër dhe Aroni e djemtë e vet të vënë duart mbi kokën e dashit.+ 20 There dashin, merr ca nga gjaku i tij e vëre në llapën e veshit të djathtë të Aronit dhe në llapën e veshit të djathtë të djemve të tij, në gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së tyre të djathtë, dhe me gjakun spërkat altarin në të gjitha anët. 21 Pastaj merr ca nga gjaku që është mbi altar e ca nga vaji i mirosjes+ dhe spërkat Aronin dhe rrobat e tij, si edhe djemtë e tij dhe rrobat e tyre, që ai dhe rrobat e tij, dhe djemtë e tij e rrobat e tyre, të jenë të shenjtë.+
22 Pastaj merr nga dashi dhjamin, bishtin e dhjamur, dhjamin që vesh zorrët, cipën e dhjamtë të mëlçisë, dy veshkat bashkë me dhjamin që ndodhet mbi to,+ si dhe këmbën e djathtë, sepse është një dash për emërimin priftëror.+ 23 Merr edhe një bukë të rrumbullakët, një bukë në formë unaze të zënë me vaj dhe një galetë nga shporta e bukëve pa maja që ndodhet para Jehovait. 24 Vëri të gjitha në duart e Aronit e në duart e djemve të tij, dhe tundi nga njëra anë në tjetrën, si një blatim të tundur para Jehovait. 25 Pastaj merri nga duart e tyre dhe digji mbi altar, sipër blatimit të djegur, si një aromë të këndshme* para Jehovait. Është një blatim i bërë me zjarr për Jehovain.
26 Pastaj merr gjoksin e dashit për emërimin priftëror,+ që është paraqitur për Aronin, dhe tunde nga njëra anë në tjetrën, si një blatim të tundur para Jehovait; ky do të jetë racioni yt. 27 Nga dashi për emërimin priftëror,+ i cili u paraqit për Aronin dhe djemtë e tij, do të shenjtërosh këto pjesë: gjoksin e blatimit të tundur dhe këmbën e racionit të shenjtë që u paraqit. 28 Meqenëse ky është racion i shenjtë, do të jetë i Aronit dhe i djemve* të tij, si një rregull i përhershëm që do të zbatohet nga izraelitët. Ky do të jetë racioni i shenjtë që do të japin izraelitët.+ Është racioni i tyre i shenjtë për Jehovain nga flijimet e tyre në bashkësi.+
29 Rrobat e shenjta+ të Aronit do t’i përdorin djemtë e tij+ kur të mirosen e të emërohen si priftërinj. 30 Njëri nga djemtë që do të zërë vendin e tij si prift e që do të hyjë në tendën e takimit për të shërbyer në vendin e shenjtë, do t’i veshë ato për shtatë ditë.+
31 Ti do ta marrësh dashin për emërimin priftëror e do t’ia ziesh mishin në një vend të shenjtë,+ 32 dhe Aroni me djemtë e tij do të hanë+ në hyrje të tendës së takimit mishin e dashit dhe bukën që ndodhet në shportë. 33 Vetëm ata duhet t’i hanë gjërat që u paraqitën si shlyerje për t’i emëruar si priftërinj* dhe për t’i shenjtëruar, por asnjë njeri i paautorizuar* nuk mund t’i hajë, sepse janë të shenjta.+ 34 Nëse nga mishi i flijimit të emërimit priftëror dhe nga buka tepron diçka deri në mëngjes, digje në zjarr;+ ajo nuk duhet ngrënë, sepse është diçka e shenjtë.
35 Në këtë mënyrë do të veprosh me Aronin e me djemtë e tij, në përputhje me të gjitha ato që të urdhërova, dhe do të përdorësh shtatë ditë për t’i emëruar si priftërinj.*+ 36 Çdo ditë do të bësh shlyerjen për mëkatet duke flijuar një dem si blatim për mëkatin, e kështu do të pastrosh altarin nga mëkati; gjithashtu do ta mirosësh altarin që ta shenjtërosh.+ 37 Do të përdorësh shtatë ditë që të bësh shlyerjen për altarin dhe do ta shenjtërosh, që të bëhet një altar shumë i shenjtë,+ e kushdo që e prek altarin, duhet të jetë i shenjtë.
38 Ja çfarë do të flijosh vazhdimisht mbi altar: dy desh njëvjeçarë,* ditë për ditë.+ 39 Një qengj do ta flijosh në mëngjes, kurse tjetrin në të ngrysur.*+ 40 Bashkë me qengjin e parë do të japësh edhe një të dhjetën e një efe* mielli të bluar imët, të përzier me një çerek hini* vaj ullinjsh të shtypur dhe një blatim në pije prej një të katërt hini verë. 41 Qengjin e dytë do ta flijosh në të ngrysur* bashkë me të njëjtin blatim në drithë e në pije si të mëngjesit; do ta japësh si një aromë të këndshme,* si një blatim të bërë me zjarr për Jehovain. 42 Brez pas brezi duhet ta paraqitni si një blatim të djegur të rregullt në hyrje të tendës së takimit para Jehovait, ku unë do të shfaqem për të folur me ju.+
43 Atje do t’u shfaqem izraelitëve, dhe ai vend do të shenjtërohet nga lavdia ime.+ 44 Unë do të shenjtëroj tendën e takimit me altarin, si edhe Aronin me djemtë e tij+ që të më shërbejnë si priftërinj. 45 Do të banoj mes popullit të Izraelit dhe do të jem Perëndia i tyre.+ 46 Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, Perëndia i tyre, që i nxori nga vendi i Egjiptit për të banuar mes tyre.+ Unë jam Jehovai, Perëndia i tyre!
30 Bëni me dru akacieje+ një altar për të djegur temjan.+ 2 Ai duhet të jetë katror, një kut* i gjatë, një kut i gjerë dhe dy kute i lartë; brirët do të jenë një trup me altarin.+ 3 Visheni me ar të kulluar: pjesën e sipërme, anët rreth e qark dhe brirët, kurse përreth bëjini një kornizë dekorative prej ari. 4 Nën kornizën dekorative, në të dyja anët, do t’i bëni edhe dy unaza ari që të shërbejnë si mbajtëse për shufrat me të cilat do të mbartet. 5 Shufrat bëjini me dru akacieje dhe vishini me ar. 6 Altarin vendoseni përpara perdes që është afër arkës së Dëshmisë,+ përpara kapakut të Dëshmisë,* ku unë do të shfaqem.+
7 Mëngjes për mëngjes, kur të kujdeset për llambat,+ Aroni+ do të djegë mbi altar+ temjan aromatik+ që të nxjerrë tym. 8 Aroni do të djegë temjan edhe kur të ndezë llambat në të ngrysur.* Ai është një blatim i rregullt në temjan që do t’i paraqitet Jehovait brez pas brezi. 9 Mos paraqitni mbi të temjan të paligjshëm,+ blatime të djegura, blatime në drithë, e mos derdhni mbi të blatime në pije. 10 Një herë në vit, Aroni do të bëjë shlyerjen te brirët e tij+ me ca nga gjaku i blatimit për mëkatin që ofrohet për shlyerjen;+ ai do të bëjë shlyerjen për altarin një herë në vit, brez pas brezi. Altari është shumë i shenjtë për Jehovain.»
11 Pastaj Jehovai i tha Moisiut: 12 «Kur të numëroni bijtë e Izraelit për t’i regjistruar,+ secili duhet t’i japë Jehovait një shpërblesë për jetën e vet në kohën e regjistrimit, që të mos bjerë mbi ta asnjë e keqe kur të regjistrohen. 13 Ja çfarë do të japin të gjithë ata që janë regjistruar: gjysmë sikle* argjend sipas siklës së vendit të shenjtë.*+ (Njëzet gera* janë një sikël.) Një gjysmë sikle argjend është kontributi për Jehovain.+ 14 Të gjithë ata që regjistrohen, nga 20 vjeç e lart, do të japin kontributin për Jehovain.+ 15 I pasuri nuk duhet të japë më shumë, as i varfri nuk duhet të japë më pak se gjysmë sikle* si kontribut për Jehovain, që të bëjë shlyerjen për jetën* e vet. 16 Merrini nga izraelitët monedhat e argjendta të shlyerjes dhe përdorini për shërbimin në tendën e takimit. Këto pará do të shërbejnë si kujtim para Jehovait për izraelitët dhe do të bëjnë shlyerjen për jetën e tyre.»
17 Jehovai i tha akoma Moisiut: 18 «Bëni një legen bakri dhe këmbalecin e tij për t’u larë.+ Pastaj vendoseni mes tendës së takimit dhe altarit, dhe mbusheni me ujë.+ 19 Aroni dhe djemtë e tij do të lajnë atje duart dhe këmbët.+ 20 Kur të hyjnë në tendën e takimit ose kur t’i afrohen altarit për të shërbyer dhe për t’i paraqitur Jehovait blatime me zjarr dhe tym, ata do të lahen me ujë që të mos vdesin. 21 Ata duhet t’i lajnë duart e këmbët që të mos vdesin, dhe ky do të jetë një rregull i përhershëm për ta, për të dhe pasardhësit e tij, brez pas brezi.»+
22 Jehovai vazhdoi të fliste me Moisiun: 23 «Më pas, merrni aromatikët më të zgjedhur: 500 njësi mirrë të ngurtësuar, gjysmën e kësaj sasie, pra 250 njësi kanellë të ëmbël, 250 njësi kallam erëmirë 24 dhe 500 njësi kasi, të matura sipas siklës së vendit të shenjtë,*+ bashkë me një hin* vaj ulliri. 25 Pastaj bëni një vaj të shenjtë për mirosje; ai duhet përzier me mjeshtëri.*+ Ky do të jetë vaj i shenjtë për mirosje.
26 Me të mirosni* tendën e takimit,+ arkën e Dëshmisë, 27 tryezën me gjithë pajisjet e saj, shandanin dhe pajisjet e tij, altarin e temjanit, 28 altarin e blatimit të djegur me gjithë pajisjet e tij, si dhe legenin me këmbalecin e vet. 29 Shenjtërojini që të bëhen shumë të shenjta,+ e kushdo që i prek, duhet të jetë i shenjtë.+ 30 Gjithashtu do të mirosësh Aronin+ me djemtë e tij+ dhe do t’i shenjtërosh që të më shërbejnë si priftërinj.+
31 Pastaj do t’u thuash izraelitëve: ‘Ky do të jetë për mua një vaj i shenjtë për mirosje, brez pas brezi.+ 32 Nuk do të lyeni me të trupin e njeriut dhe me përbërësit e tij nuk do të bëni asgjë të ngjashme me të. Është diçka e shenjtë dhe do të mbetet për ju diçka e shenjtë. 33 Kushdo që bën një pomadë ngjashëm këtij vaji dhe vë ca nga ai te një njeri i paautorizuar,* duhet shfarosur* nga gjiri i popullit.’»+
34 Pastaj Jehovai i tha Moisiut: «Merrni sasi të njëjta të këtyre aromatikëve:+ pika stakti, guaskë erëmirë, galban aromatik dhe temjan të bardhë safi. 35 Me ta do të bëni temjanin;+ përzierja e aromatikëve duhet bërë me mjeshtëri,* duhet kripur,+ duhet të jetë e pastër dhe e shenjtë. 36 Bluani pak nga ai, bëjeni pluhur të imët dhe vini ca përpara Dëshmisë në tendën e takimit, ku unë do të shfaqem; ai duhet të jetë për ju diçka shumë e shenjtë. 37 Temjanin që përgatitni me këta përbërës, nuk duhet ta bëni për përdorim personal;+ duhet ta konsideroni të shenjtë për Jehovain. 38 Kushdo që bën diçka të ngjashme me të që t’i ndiejë aromën, duhet shfarosur nga gjiri i popullit.»
31 Jehovai vazhdoi të fliste me Moisiun: 2 «Ja, unë kam zgjedhur* Bezalelin,+ birin e Urit, nipin e Hurit, nga fisi i Judës.+ 3 Do ta mbush me frymën time,* me mençuri, me aftësi për të kuptuar* e me njohuri, që të jetë i aftë për çdo lloj zanati: 4 të bëjë punime artistike, të punojë arin, argjendin e bakrin, 5 të presë e të mbërthejë gurë të çmuar+ dhe të bëjë punime druri të çdo lloji.+ 6 Gjithashtu për ta ndihmuar, kam caktuar Oholiabin,+ birin e Ahisamakut, nga fisi i Danit, dhe do t’u jap mençuri* të gjithë mjeshtërve* që të bëjnë çdo gjë që të urdhërova:+ 7 tendën e takimit,+ arkën e Dëshmisë+ dhe kapakun e saj,+ gjithë pajisjet e tendës, 8 tryezën+ dhe pajisjet e saj, shandanin prej ari të kulluar dhe gjithë pajisjet e tij,+ altarin e temjanit,+ 9 altarin e blatimit të djegur+ dhe gjithë pajisjet e tij, legenin dhe këmbalecin e tij,+ 10 rrobat e endura hollë, rrobat e shenjta për priftin Aron, rrobat e djemve të tij që të shërbejnë si priftërinj,+ 11 vajin e mirosjes dhe temjanin aromatik për shenjtëroren.+ Ata do të bëjnë gjithçka që të kam urdhëruar.»
12 Jehovai i tha më tej Moisiut: 13 «Thuaju izraelitëve: ‘Mbi të gjitha mbani sabatet e mia,+ sepse janë një shenjë mes meje dhe jush, brez pas brezi, që të dini se unë, Jehovai, po ju shenjtëroj. 14 Mbajeni Sabatin, sepse është i shenjtë për ju.+ Kush e përdhos, duhet të ekzekutohet; nëse dikush bën ndonjë punë gjatë sabatit, duhet shfarosur* nga gjiri i popullit.+ 15 Mund të punoni gjashtë ditë, por dita e shtatë është sabat, pushim i plotë,+ diçka e shenjtë për Jehovain. Kushdo që punon gjatë ditës së Sabatit, duhet të ekzekutohet. 16 Izraelitët duhet ta mbajnë Sabatin, po, duhet ta respektojnë Sabatin brez pas brezi, dhe kjo është një besëlidhje e pandryshueshme. 17 Sabati është një shenjë e qëndrueshme mes meje dhe popullit të Izraelit,+ sepse në gjashtë ditë Jehovai bëri qiejt dhe tokën, dhe ditën e shtatë filloi të pushonte e të kënaqej me punën e tij.’»+
18 Sapo mbaroi së foluri me të në malin Sinai, ai i dha Moisiut dy pllakat e Dëshmisë,+ pllaka guri të shkruara me gishtin e Perëndisë.+
32 Ndërkohë, populli pa që Moisiu po vonohej shumë që të zbriste nga mali.+ Prandaj u mblodhën rreth Aronit dhe i thanë: «Ngrihu e na bëj një perëndi që të na prijë,+ sepse nuk e dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit.» 2 Aroni u përgjigj: «Hiqni vathët e artë+ nga veshët e grave, të djemve dhe të vajzave tuaja dhe m’i sillni.» 3 Kështu të gjithë hoqën nga veshët vathët e artë dhe ia çuan Aronit. 4 Pastaj ai e mori arin që i çuan, i dha formë me një vegël për skalitje dhe bëri një statujë* viçi.+ Atëherë populli filloi të thoshte: «Ky është Perëndia yt, o Izrael, që të nxori nga vendi i Egjiptit.»+
5 Kur e pa këtë, Aroni ndërtoi një altar përpara statujës dhe u tha: «Nesër do të ketë një festë për Jehovain.» 6 Prandaj të nesërmen u ngritën herët, filluan të flijonin blatime të djegura dhe të paraqitnin flijime në bashkësi. Pastaj populli u ul të hante e të pinte, e pas kësaj u ngrit të festonte.+
7 Tani Jehovai i tha Moisiut: «Shko, zbrit, sepse populli yt, që ti e nxore nga vendi i Egjiptit, ka vepruar me ligësi.+ 8 Sa shpejt dolën nga udha në të cilën i urdhërova të ecnin!+ Kanë bërë një statujë* viçi, përkulen para saj, i bëjnë flijime dhe thonë: ‘Ky është Perëndia yt, o Izrael, që të nxori nga vendi i Egjiptit.’» 9 Jehovai i tha akoma Moisiut: «Kam parë që ky është popull kryeneç.*+ 10 Po vloj nga zemërimi, ndaj më lër t’i shfaros dhe të bëj prej teje një komb të madh.»+
11 Atëherë Moisiu iu përgjërua* Jehovait, Perëndisë së tij,+ dhe i tha: «O Jehova, pse të të vlojë zemërimi kundër popullit tënd pasi e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë?+ 12 Pse të thonë egjiptianët: ‘Kishte qëllime të këqija kur i nxori nga Egjipti. Donte t’i vriste mes maleve e t’i shfaroste nga faqja e dheut.’+ Të lutem, hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe mendoje edhe një herë vendimin për t’i sjellë* këtë të keqe popullit tënd. 13 Kujto shërbëtorët e tu, Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, të cilëve iu betove për veten tënde dhe u the: ‘Do ta shumoj pasardhësin* tënd si yjet e qiellit+ dhe do t’ia jap pasardhësit* tënd gjithë vendin që kam caktuar, që ta marrë si zotërim të përhershëm.’»+
14 Prandaj Jehovai filloi ta mendonte edhe një herë vendimin e tij* për të keqen që kishte thënë se do t’i sillte popullit.+
15 Pastaj Moisiu u kthye dhe zbriti nga mali me dy pllakat e Dëshmisë+ në dorë.+ Pllakat ishin të skalitura në të dyja anët; ato ishin të shkruara para dhe mbrapa. 16 Pllakat ishin punuar nga Perëndia, dhe shkrimi i skalitur në to ishte shkrimi i Perëndisë.+ 17 Kur dëgjoi zhurmën e popullit që po bërtiste, Josiu i tha Moisiut: «Nga kampi vjen një zhurmë beteje.» 18 Por Moisiu iu përgjigj:
«Ky nuk është tingulli i një kënge fitoreje,
as tingulli i përvajshëm i një disfate.
Po dëgjoj tingullin e një kënge tjetër.»
19 Sapo iu afrua kampit dhe pa viçin+ e vallet, Moisiut iu ndez zemërimi, i flaku pllakat që kishte në duar dhe i copëtoi në rrëzë të malit.+ 20 Mori viçin që kishin bërë ata, e dogji në zjarr dhe e thërrmoi derisa u bë pluhur;+ pastaj e përhapi pluhurin në ujë dhe i urdhëroi izraelitët ta pinin.+ 21 Dhe Moisiu i tha Aronit: «Ç’të bëri ky popull që arrite të sillje mbi ta një mëkat kaq të madh?!» 22 Aroni iu përgjigj: «Mos u zemëro, zotëria im. Ti e di mirë që ky popull priret nga e liga.+ 23 Ata më thanë: ‘Na bëj një perëndi që të na prijë, sepse nuk e dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit.’+ 24 Ndaj u thashë: ‘Kush të ketë ar, ta heqë e të ma japë mua.’ Pastaj e hodha në zjarr, dhe doli ky viç.»
25 Moisiu pa që populli ishte shfrenuar, sepse Aroni i kishte lënë pa fre, e kështu u turpëruan në sytë e kundërshtarëve të tyre. 26 Pastaj Moisiu zuri vend në hyrje të kampit dhe tha: «Kush është me Jehovain? Le të vijë tek unë!»+ Gjithë levitët u mblodhën rreth tij, 27 dhe ai u tha: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Secili të ngjeshë shpatën, të kalojë përmes kampit, hyrje më hyrje,* e të vrasë vëllanë, fqinjin dhe shokun e vet të ngushtë.’»+ 28 Levitët bënë si u tha Moisiu, prandaj atë ditë u vranë rreth 3.000 burra. 29 Atëherë Moisiu u tha: «Ndahuni veç* për Jehovain sot, sepse secili nga ju doli kundër djalit dhe vëllait të vet,+ e për këtë arsye Perëndia do t’ju bekojë sot.»+
30 Të nesërmen Moisiu i tha popullit: «Ju kryet një mëkat shumë të rëndë, prandaj tani do të ngjitem në mal te Jehovai, se mbase mund të bëj ndonjë gjë që ai t’jua falë mëkatin.»+ 31 Kështu Moisiu u kthye te Jehovai dhe i tha: «Ç’mëkat të madh ka kryer ky popull! Me duart e tyre bënë një perëndi prej ari!+ 32 Megjithatë, nëse është vullneti yt, falua mëkatin,+ e nëse nuk i fal, të lutem, më fshi nga libri që ke shkruar.»+ 33 Por Jehovai i tha Moisiut: «Do të fshij nga libri im këdo që ka mëkatuar kundër meje. 34 Tani shko dhe priji popullit drejt vendit që të kam thënë. Engjëlli im do të shkojë para teje+ dhe, ditën kur t’u kërkoj llogari, do t’i ndëshkoj për mëkatin e tyre.» 35 Atëherë Jehovai filloi ta godiste popullin me plagë për statujën e viçit që Aroni kishte bërë me kërkesën e tyre.
33 Jehovai i tha akoma Moisiut: «Ngrihu që këtu bashkë me popullin që nxore nga vendi i Egjiptit dhe nisu drejt vendit që iu betova Abrahamit, Isakut dhe Jakobit: ‘Do t’ia jap pasardhësit* tënd.’+ 2 Unë do të dërgoj para teje një engjëll+ dhe do të dëboj kananitët, amoritët, hititët, perezitët, hivitët dhe jebusitët.+ 3 Ti do të shkosh në një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë,+ por unë nuk do të vij me ju, sepse jeni një popull kryeneç,*+ e ka rrezik që t’ju shfaros udhës.»+
4 Kur dëgjoi këto fjalë të ashpra, populli filloi të vajtonte dhe asnjë prej tyre nuk i vuri stolitë e veta. 5 Jehovai i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: ‘Ju jeni popull kryeneç.*+ Në çast mund të kaloj mes jush e t’ju shfaros krejt,+ prandaj mos i vini stolitë tuaja derisa të shoh ç’do të bëj me ju.’» 6 Kështu, që nga koha kur ishin në malin Horeb e në vijim, izraelitët nuk i vunë* stolitë e tyre.
7 Tani Moisiu e mori tendën e tij, e ngriti jashtë kampit në një farë largësie dhe e quajti tendë takimi. Kushdo që kërkonte drejtimin e Jehovait+ shkonte në tendën e takimit që ndodhej jashtë kampit. 8 Kur Moisiu shkonte për te tenda, gjithë populli ngrihej dhe secili qëndronte në hyrje të tendës së vet e s’ia ndante sytë Moisiut derisa të hynte në tendë. 9 Sapo Moisiu hynte në tendë, shtylla e resë+ zbriste dhe qëndronte në hyrje të tendës, ndërkohë që Perëndia fliste me Moisiun.+ 10 Kur populli shihte shtyllën e resë që qëndronte në hyrje të tendës, secili përkulej në hyrje të tendës së vet. 11 Jehovai i fliste Moisiut sy për sy,+ siç flet një njeri me një tjetër dhe, kur ai kthehej në kamp, Josiu,+ djali i Nunit, shërbëtori dhe ndihmësi i vet,+ nuk largohej nga tenda.
12 Tani Moisiu i tha Jehovait: «Ja, ti po më thua: ‘Nxirre këtë popull’, por nuk më ke thënë se kë do të dërgosh me mua. Për më tepër, ti më ke thënë: ‘Unë të njoh me emër* dhe ti gëzon pëlqimin tim.’ 13 Prandaj, të lutem, nëse kam pëlqimin tënd, më ndihmo të njoh udhët e tua,+ që të të njoh më mirë e të gëzoj gjithnjë pëlqimin tënd, dhe mos harro që ky komb është populli yt.»+ 14 Atëherë Ai tha: «Unë vetë* do të vij me ty+ dhe do të të jap paqe.»+ 15 Pastaj Moisiu i tha: «Nëse ti vetë* nuk vjen me ne, atëherë na lër këtu. 16 Si do të merret vesh se unë dhe populli yt gëzojmë pëlqimin tënd nëse ti nuk vjen me ne?+ E si do të dallohemi unë dhe populli yt nga të gjithë popujt e tjerë mbi faqen e dheut?»+
17 Më tej Jehovai i tha Moisiut: «Do ta bëj edhe këtë që më kërkove, sepse ti gëzon pëlqimin tim dhe të njoh me emër.» 18 Pastaj ai i tha: «Të lutem, më trego lavdinë tënde.» 19 Por Perëndia iu përgjigj: «Unë do të kaloj para teje e ti do të shohësh gjithë mirësinë time, dhe unë, Jehovai, do të shpall para teje emrin tim;+ do t’i jap pëlqimin tim atij që dua t’i jap pëlqimin tim dhe do t’i tregoj mëshirë atij që dua t’i tregoj mëshirë.»+ 20 Pastaj shtoi: «Por ti s’mund ta shohësh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shohë e të jetojë.»
21 Jehovai i tha akoma: «Ja tek është një vend pranë meje. Zër vend mbi shkëmb 22 dhe, kur lavdia ime të kalojë, unë do të të vë në një të çarë të shkëmbit dhe do të të mbroj me dorën time derisa të kem kaluar. 23 Pastaj do ta heq dorën dhe ti do të shohësh shpinën time, por fytyrën time s’mund ta shohësh.»+
34 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Gdhend dy pllaka guri si ato të parat,+ dhe unë do të shkruaj në to fjalët+ që ishin në pllakat që copëtove.+ 2 Bëhu gati për nesër në mëngjes, sepse atëherë do të ngjitesh në malin Sinai e atje, në majë të malit, do të qëndrosh para meje.+ 3 Por askush s’mund të ngjitet me ty dhe askush të mos duket në gjithë malin, e madje asnjë kope e asnjë tufë të mos kullosë përpara malit.»+
4 Kështu Moisiu gdhendi dy pllaka guri si të parat, u çua herët në mëngjes dhe u ngjit në malin Sinai, siç e kishte urdhëruar Jehovai, me dy pllakat e gurit në dorë. 5 Pastaj Jehovai zbriti+ te reja në mal, qëndroi atje me Moisiun dhe shpalli emrin e tij, Jehova.*+ 6 Teksa kalonte përpara tij, Jehovai shpalli: «Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm+ dhe i dhembshur,*+ që nuk zemërohet shpejt,+ që është plot dashuri besnike*+ e të vërtetë,*+ 7 që tregon dashuri besnike për mijëra breza,+ që fal fajin, shkeljen* dhe mëkatin,+ por që në asnjë mënyrë nuk e lë pa ndëshkuar fajtorin,+ që për fajin e etërve ndëshkon bijtë e nipërit, deri në brezin e tretë dhe të katërt.»+
8 Në çast Moisiu u përkul me fytyrë përtokë 9 dhe tha: «O Jehova, nëse vërtet gëzoj pëlqimin tënd, të lutem Jehova hajde me ne,+ edhe pse jemi një popull kryeneç,*+ dhe na e fal fajin e mëkatin+ e na merr si prona jote.» 10 Jehovai iu përgjigj: «Ja ku po bëj një besëlidhje me ju: para gjithë popullit do të bëj gjëra të mrekullueshme, që s’janë bërë kurrë në gjithë tokën a mes tërë kombeve,+ dhe gjithë popujt mes të cilëve jetoni, do ta shohin veprën time, sepse unë do të bëj për ju një gjë që të lë gojëhapur.+
11 Kushtojini vëmendje asaj që po urdhëroj sot.+ Ja, unë po i dëboj amoritët, kananitët, hititët, perezitët, hivitët dhe jebusitët.+ 12 Prandaj kini kujdes që të mos bëni asnjë besëlidhje me banorët e vendit ku po shkoni,+ përndryshe do të bëhen lak për ju.+ 13 Madje shembuani altarët, bëjuani copë-copë kolonat e shenjta dhe rrënojuani shtyllat e shenjta.*+ 14 Mos u përkulni para një perëndie tjetër,+ sepse unë, Jehovai, njihem si Ai që kërkoj* të më përkushtohesh vetëm mua.* Po, unë jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua.+ 15 Kujdes se mos bëni ndonjë besëlidhje me banorët e vendit, sepse kur ata ta shesin veten si prostitutë te perënditë e tyre e t’u bëjnë flijime,+ mbase dikush ju fton e ju hani nga flijimet e tyre.+ 16 Atëherë me siguri do të merrni gra për djemtë tuaj nga vajzat e tyre,+ dhe ato do ta shesin veten si prostitutë te perënditë e tyre, dhe do t’i shtyjnë edhe djemtë tuaj ta shesin veten si prostitutë te perënditë e tyre.+
17 Mos bëni perëndi prej metali të derdhur.+
18 Do të kremtoni Festën e Bukëve Pa Maja;+ shtatë ditë do të hani bukë pa maja, siç ju kam urdhëruar, në kohën e caktuar të muajit abib,*+ sepse atë muaj dolët nga Egjipti.
19 Çdo i parëlindur mashkull* është imi;+ edhe pjella e parë e bagëtisë suaj të trashë a të imët më përket mua.+ 20 Pjellën e parë të gomarit do ta shpengoni* me një dele, por nëse nuk e shpengoni, thyejini qafën. Gjithashtu do të shpengoni çdo të parëlindur të djemve tuaj.+ Askush nuk mund të vijë duarbosh para meje.
21 Gjashtë ditë do të punoni, kurse ditën e shtatë do të pushoni;*+ edhe gjatë kohës së lërimit të tokës e të korrjes do të pushoni.
22 Në të dalë të vitit+ do të kremtoni Festën e Javëve me frytet e para të korrjes së grurit dhe Festën e Mbledhjes.*
23 Tri herë në vit, të gjithë burrat* të paraqiten para Zotërisë së vërtetë, Jehovait, Perëndisë së Izraelit,+ 24 sepse unë do t’i dëboj kombet+ e do ta zgjeroj territorin tuaj, dhe askush nuk do ta dëshirojë vendin tuaj kur të ngjiteni për t’u paraqitur para Jehovait, Perëndisë tuaj, tri herë në vit.
25 Mos e paraqitni gjakun e flijimit tim me asgjë që ka majá,+ dhe flijimi i Festës së Kalimit* të mos ruhet deri në mëngjes.+
26 Duhet të çoni pjesën më të mirë të fryteve të para të tokës suaj në shtëpinë e Jehovait, Perëndisë tuaj.+
Mos e zieni kecin në qumështin e nënës së vet.»+
27 Jehovai i tha akoma Moisiut: «Shkruaji këto fjalë,+ sepse në përputhje me to, po bëj një besëlidhje me ty dhe Izraelin.»+ 28 Kështu ai ndenji atje me Jehovain 40 ditë e 40 net, gjatë të cilave nuk hëngri bukë e nuk piu ujë.+ Dhe Ai* i shkroi në pllaka fjalët e besëlidhjes, Dhjetë Urdhërimet.*+
29 Pastaj Moisiu zbriti nga mali Sinai dhe kishte në dorë dy pllakat e Dëshmisë.+ Mirëpo nuk e dinte që fytyra i rrezatonte ngaqë kishte folur me Perëndinë. 30 Kur panë Moisiun, Aroni dhe gjithë izraelitët vunë re që fytyra i rrezatonte dhe kishin frikë t’i afroheshin.+
31 Por Moisiu i thirri, prandaj Aroni dhe gjithë prijësit e asamblesë shkuan tek ai dhe Moisiu foli me ta. 32 Pas kësaj tërë izraelitët iu afruan dhe ai u dha të gjitha urdhërimet që i kishte dhënë Jehovai në malin Sinai.+ 33 E nga ajo kohë e tutje, Moisiu vinte një vel në fytyrë+ kur mbaronte së foluri me ta. 34 Por kur paraqitej para Jehovait për të folur me të, Moisiu e hiqte velin derisa të dilte para popullit.+ Pastaj dilte para izraelitëve dhe u tregonte urdhërimet që kishte marrë.+ 35 Dhe izraelitët e shihnin që fytyra e Moisiut rrezatonte; pastaj Moisiu e vinte velin në fytyrë deri kur paraqitej për të folur me Perëndinë.*+
35 Më vonë Moisiu mblodhi tërë asamblenë e izraelitëve dhe u tha: «Këto janë gjërat që Jehovai ka urdhëruar të bëhen:+ 2 gjashtë ditë do të punoni, kurse dita e shtatë do të jetë për ju e shenjtë, një sabat, pushim i plotë për Jehovain.+ Kushdo që punon atë ditë, do të ekzekutohet.+ 3 Ditën e Sabatit mos ndizni zjarr në asnjë nga vendbanimet tuaja.»
4 Pastaj Moisiu i tha tërë asamblesë së izraelitëve: «Kështu urdhëron Jehovai: 5 ‘Mblidhni një kontribut për Jehovain,+ e kush të ketë një zemër të gatshme,+ le të sjellë këtë kontribut për Jehovain: ar, argjend, bakër, 6 fill blu, lesh në ngjyrë të purpurt,* fill në të kuqe të ndezur, li të hollë, lesh dhie,+ 7 lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe, lëkurë foke, dru akacieje, 8 vaj për llambat, balsam për vajin e mirosjes dhe për temjanin aromatik,+ 9 gurë oniksi dhe gurë të tjerë që të mbërthehen tek efodi+ e te pektorali.*+
10 Të gjithë mjeshtërit*+ le të vijnë e të bëjnë gjithçka që ka urdhëruar Jehovai: 11 tabernakullin bashkë me tendën dhe mbulesën e tij, kapëset dhe skeletet prej druri, shufrat, shtyllat dhe bazamentet me fole; 12 Arkën+ bashkë me shufrat,+ kapakun+ dhe perden+ ndarëse; 13 tryezën+ bashkë me shufrat dhe gjithë pajisjet e saj dhe bukët e paraqitjes;+ 14 shandanin+ për ndriçim bashkë me pajisjet e tij, llambat dhe vajin për ndriçim;+ 15 altarin e temjanit+ bashkë me shufrat; vajin e mirosjes dhe temjanin aromatik;+ perden e trashë për hyrjen e tabernakullit; 16 altarin e blatimit të djegur+ dhe skarën e bakrit, shufrat dhe gjithë pajisjet e tij; legenin bashkë me këmbalecin;+ 17 perdet që do të varen në oborr,+ shtyllat dhe bazamentet e tyre me fole; perden e trashë për hyrjen e oborrit; 18 kunjat e tendës së tabernakullit, kunjat e tendës së oborrit dhe litarët;+ 19 rrobat e endura hollë+ për shërbimin në shenjtërore, rrobat e shenjta për priftin Aron+ dhe rrobat e djemve të tij që të shërbejnë si priftërinj.’»
20 Kështu tërë asambleja e izraelitëve u largua nga Moisiu. 21 Pastaj, ata që ishin të shtyrë nga zemra+ dhe ata që kishin një frymë* të gatshme, erdhën dhe sollën kontributin për Jehovain, që të përdorej për tendën e takimit, për tërë shërbimet që do të bëheshin atje dhe për rrobat e shenjta. 22 Vinin pareshtur, burra e gra, të gjithë me zemër të gatshme, dhe sillnin karfica, vathë, unaza e stoli të tjera, si edhe çfarëdolloj sendesh ari; të gjithë ata ia paraqitën Jehovait blatimet* prej ari.+ 23 Ata që kishin fill blu, lesh në ngjyrë të purpurt, fill në të kuqe të ndezur, li të hollë, lesh dhie, lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe dhe lëkurë foke, i sollën. 24 Të gjithë ata që kontribuan argjend dhe bakër, i sollën si kontribut për Jehovain; edhe ata që kishin dru akacieje, të nevojshëm për projektin, e sollën.
25 Të gjitha gratë e zonja+ torën me duart e tyre dhe sollën atë që kishin tjerrë: fill blu, lesh në ngjyrë të purpurt, fill në të kuqe të ndezur dhe li të hollë. 26 Të gjitha gratë e zonja që ishin të shtyra nga zemra, torën leshin e dhisë.
27 Prijësit sollën gurë oniksi dhe gurë të tjerë që të mbërtheheshin tek efodi dhe te pektorali,+ 28 balsam dhe vaj për ndriçim, për vajin e mirosjes+ dhe për temjanin aromatik.+ 29 Të gjithë burrat e gratë që ishin të shtyrë nga zemra sollën diçka për punën që Jehovai kishte urdhëruar me anë të Moisiut; izraelitët i sollën si një blatim vullnetar për Jehovain.+
30 Atëherë Moisiu u tha izraelitëve: «Ja, Jehovai ka zgjedhur Bezalelin, birin e Urit, nipin e Hurit, nga fisi i Judës.+ 31 Ai e ka mbushur me frymën e tij,* me mençuri, me aftësi për të kuptuar e me njohuri, që të jetë i aftë për çdo lloj zanati: 32 të bëjë punime artistike, të punojë arin, argjendin e bakrin, 33 të presë e të mbërthejë gurë të çmuar dhe të bëjë punime artistike druri të çdo lloji. 34 Atij dhe Oholiabit,+ birit të Ahisamakut, nga fisi i Danit, u ka dhënë edhe aftësi për t’i mësuar të tjerët. 35 Ai i ka aftësuar plotësisht,*+ që të bëjnë tërë punën e një mjeshtri, qëndistari, endësi të fillit blu, të leshit në ngjyrë të purpurt, të fillit në të kuqe të ndezur dhe të lirit të hollë, e të një tezgjahisti. Këta burra do të bëjnë çdo lloj pune dhe do të përgatisin lloj-lloj projektesh.
36 Bezaleli do të punojë bashkë me Oholiabin dhe me gjithë mjeshtërit,* të cilëve Jehovai u ka dhënë mençuri dhe aftësi për të kuptuar, që të dinë si të bëjnë tërë shërbimin e shenjtë për tabernakullin, siç ka urdhëruar Jehovai.»+
2 Më pas Moisiu thirri Bezalelin, Oholiabin dhe gjithë mjeshtërit, të cilëve Jehovai u kishte dhënë mençuri,*+ këdo që zemra e shtynte t’i futej punës vullnetarisht.+ 3 Pastaj ata morën nga Moisiu gjithë kontributin+ që kishin sjellë izraelitët për shërbimin e shenjtë. Mirëpo izraelitët po vazhdonin t’i sillnin Moisiut blatime vullnetare mëngjes për mëngjes.
4 Pasi filluan punën e shenjtë, gjithë mjeshtërit shkonin njëri pas tjetrit 5 dhe i thoshin Moisiut: «Populli po sjell shumë më tepër nga sa nevojitet për punën që Jehovai ka urdhëruar të bëhet.» 6 Prandaj Moisiu urdhëroi që të njoftohej mbarë kampi: «Burra e gra, mos sillni më gjëra për kontributin e shenjtë.» Kështu nuk e lanë më popullin të sillte kontribute. 7 Gjërat që kishin sjellë, ishin të mjaftueshme për punën, madje më se të mjaftueshme.
8 Kështu, të gjithë mjeshtërit+ e bënë tabernakullin+ me dhjetë pëlhura prej liri të dredhur hollë, filli blu, leshi në ngjyrë të purpurt* dhe filli në të kuqe të ndezur; ai* qëndisi në to kerubinë.+ 9 Çdo pëlhurë e tendës ishte 28 kute* e gjatë dhe 4 kute e gjerë; të gjitha pëlhurat e tendës kishin përmasa të njëjta. 10 Atëherë ai qepi me njëra-tjetrën pesë pëlhura të tendës dhe po njësoj qepi edhe pesë pëlhurat e tjera. 11 Pastaj, me fillin blu bëri iliqe* në buzë të njërës pjesë, aty ku do të bashkohej me tjetrën; bëri të njëjtën gjë edhe në buzën e pjesës tjetër, aty ku do të bashkohej me të parën. 12 Bëri 50 iliqe në buzë të njërës pjesë dhe 50 iliqe në buzë të pjesës tjetër, që të ishin përballë me njëri-tjetrin kur të bashkoheshin. 13 Në fund, bëri 50 kapëse ari, dhe me to i bashkoi pjesët e tendës me njëra-tjetrën, që të bëhej një tendë e vetme për të gjithë tabernakullin.
14 Pastaj bëri edhe pëlhura me lesh dhie për tendën sipër tabernakullit; ai bëri 11 pëlhura të tilla.+ 15 Çdo pëlhurë e tendës ishte 30 kute e gjatë dhe 4 kute e gjerë; të 11-të pëlhurat e tendës kishin përmasa të njëjta. 16 Pastaj pesë pëlhura i qepi bashkë dhe gjashtë pëlhurat e tjera i qepi me njëra-tjetrën. 17 Më pas bëri 50 iliqe në buzë të njërës pjesë dhe 50 iliqe në buzë të pjesës tjetër, aty ku do të bashkoheshin me njëra-tjetrën. 18 Bëri edhe 50 kapëse bakri që të bashkonte tendën e të bëhej një e vetme.
19 I bëri tendës një mbulesë me lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe, dhe mbi këtë, një mbulesë me lëkurë foke.+
20 Pastaj bëri me dru akacieje+ edhe skeletet për tabernakullin dhe i vendosi pingul.+ 21 Çdo skelet ishte dhjetë kute i gjatë dhe një kut e gjysmë i gjerë. 22 Çdo skelet kishte dy pjesë të dala si dhëmbë* paralele me njëra-tjetrën, të cilat do të futeshin në fole; në këtë mënyrë i bëri të gjitha skeletet e tabernakullit. 23 Kështu ai bëri 20 skelete druri për anën jugore të tabernakullit. 24 Bëri edhe 40 bazamente argjendi me fole që t’i vinte poshtë 20 skeleteve: dy bazamente poshtë çdo skeleti me dy pjesë të dala si dhëmbë.+ 25 Edhe për anën tjetër të tabernakullit, për anën veriore, bëri 20 skelete druri 26 dhe 40 bazamente argjendi me fole: dy bazamente poshtë çdo skeleti.
27 Për pjesën e pasme të tabernakullit, në perëndim, bëri gjashtë skelete druri.+ 28 Bëri edhe dy skelete për të mbajtur dy qoshet në pjesën e pasme të tabernakullit. 29 Skeletet kishin dy pjesë druri, nga poshtë deri lart në majë, të cilat bashkoheshin me njëra-tjetrën tek unaza e parë; kështu i bëri të dyja skeletet për të mbajtur dy qoshet. 30 Pra, pjesa e pasme kishte gjithsej 8 skelete druri dhe 16 bazamente argjendi me fole: dy bazamente poshtë çdo skeleti.
31 Pastaj bëri edhe shufra me dru akacieje; pesë shufra për skeletet e njërës anë të tabernakullit,+ 32 pesë për skeletet e anës tjetër të tabernakullit dhe pesë për skeletet e anës së pasme të tabernakullit, në perëndim. 33 Bëri shufrën e mesit, që do të kalonte përgjatë qendrës së skeleteve, nga njëri skaj në tjetrin. 34 Skeletet e drurit i veshi me ar, bëri prej ari edhe unazat e tyre ku do të futeshin shufrat, dhe shufrat i veshi me ar.+
35 Pastaj bëri edhe një perde+ me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur dhe me li të dredhur hollë; në të+ qëndisi kerubinë.+ 36 Perdes i bëri katër shtylla akacieje të veshura me ar, si edhe grremça prej ari; për shtyllat derdhi edhe katër bazamente argjendi me fole. 37 Bëri edhe një perde të trashë për hyrjen e tendës, të endur me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur dhe me li të dredhur hollë.+ 38 I bëri perdes pesë shtylla me grremçat e tyre. Majat dhe lidhëset* e tyre i veshi me ar, kurse pesë bazamentet me fole ishin prej bakri.
37 Pastaj Bezaleli+ e bëri Arkën+ me dru akacieje; ajo ishte dy kute* e gjysmë e gjatë, një kut e gjysmë e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë.+ 2 E veshi me ar të kulluar, jashtë e brenda, dhe i bëri rreth e qark një kornizë dekorative prej ari.+ 3 Pastaj derdhi katër unaza ari, që t’i vinte në të katër qoshet, pak më lart këmbëve të arkës, dy në njërën anë e dy në tjetrën. 4 Bëri edhe shufra me dru akacieje, i veshi me ar+ 5 dhe i kaloi shufrat nëpër unazat në të dy anët e Arkës për ta mbartur.+
6 Pastaj bëri kapakun vetëm me ar të kulluar,+ dy kute e gjysmë të gjatë dhe një kut e gjysmë të gjerë.+ 7 Bëri edhe dy kerubinë+ ari të punuar me çekan për të dyja anët e kapakut.+ 8 Një kerubin ishte në njërën anë dhe tjetri në anën tjetër; kerubinët i bëri mbi kapak, në të dyja anët. 9 Kerubinët i kishin krahët të hapur e të zgjatur lart, duke i bërë hije kapakut me krahët e tyre,+ dhe ishin përballë njëri-tjetrit, me fytyrë nga kapaku.+
10 Pastaj bëri tryezën me dru akacieje;+ ajo ishte dy kute e gjatë, një kut e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë.+ 11 E veshi me ar të kulluar dhe i bëri rreth e qark një kornizë dekorative prej ari. 12 I bëri rreth e qark edhe një bordurë katër gisht* të gjerë dhe rreth e qark saj bëri një tjetër kornizë dekorative prej ari. 13 I derdhi pastaj katër unaza ari dhe i vendosi në të katër qoshet, aty ku ishin ngjitur katër këmbët. 14 Unazat ishin afër bordurës së tryezës dhe në to futeshin shufrat për ta mbartur. 15 Shufrat i bëri me dru akacieje dhe i veshi me ar, e me to mbartnin tryezën. 16 Bëri pastaj me ar të kulluar edhe pajisjet që janë në tryezë: pjatat, kupat, taset dhe brokat, me të cilat do të derdheshin blatimet në pije.+
17 Pastaj bëri shandanin+ me ar të kulluar, të punuar me çekan; baza, trungu, kupat e lules, gonxhet dhe lulet e tij i punoi nga një copë e vetme ari.+ 18 Nga trungu i shandanit dilnin gjashtë degë: tri degë nga njëra anë dhe tri nga ana tjetër. 19 Secila degë e njërës anë kishte tri kupa në formën e lules së bajames, si edhe gonxhe e lule, të cilat alternoheshin me njëra-tjetrën. Edhe secila degë e anës tjetër kishte tri kupa në formën e lules së bajames, si edhe gonxhe e lule, të cilat alternoheshin me njëra-tjetrën; në këtë mënyrë i bëri të gjashta degët që dilnin nga trungu i shandanit. 20 Në trungun e shandanit kishte katër kupa në formën e lules së bajames, me gonxhet dhe lulet e tyre, të cilat alternoheshin me njëra-tjetrën. 21 Një gonxhe ishte nën dy degët e para që dilnin nga trungu, një gonxhe nën dy degët e tjera dhe një gonxhe nën dy degët e fundit, për të gjashta degët që dilnin nga trungu i shandanit. 22 Gonxhet, degët dhe i gjithë shandani u punuan me çekan nga një copë e vetme ari të kulluar. 23 Pastaj i bëri me ar të kulluar shtatë llambat,+ mashat* dhe mbajtëset e zjarrit. 24 Shandanin dhe gjithë pajisjet e tij i punoi nga një copë e vetme ari të kulluar prej një talente.*
25 Bëri edhe altarin e temjanit+ me dru akacieje; ai ishte katror, një kut i gjatë, një kut i gjerë dhe dy kute i lartë, dhe brirët ishin një trup me altarin.+ 26 E veshi me ar të kulluar: pjesën e sipërme, anët rreth e qark dhe brirët, kurse përreth i bëri një kornizë dekorative prej ari. 27 I bëri edhe dy unaza ari nën kornizën dekorative, në të dyja anët, që shërbenin si mbajtëse për shufrat me të cilat do të mbartej. 28 Pastaj i bëri shufrat me dru akacieje dhe i veshi me ar. 29 Bëri edhe vajin e shenjtë për mirosje+ dhe temjanin e pastër aromatik,+ të përzier me mjeshtëri.*
38 Ai bëri edhe altarin e blatimit të djegur me dru akacieje; ishte katror, pesë kute* i gjatë, pesë kute i gjerë dhe tri kute i lartë.+ 2 Pastaj i bëri brirë në të katër qoshet, brirët ishin një trup me altarin, të cilin e veshi me bakër.+ 3 Bëri edhe të gjitha pajisjet e altarit, kovat, lopatat, legenët, pirunët dhe mbajtëset e zjarrit; të gjitha pajisjet e tij i bëri prej bakri. 4 Bëri për altarin edhe një skarë, një rrjetë prej bakri, që vihej brenda altarit, poshtë buzës së tij, aty nga mesi. 5 Derdhi katër unaza që t’i vendoste në të katër qoshet, afër skarës së bakrit, në të cilat do të futeshin shufrat. 6 Pastaj i bëri shufrat me dru akacieje dhe i veshi me bakër. 7 I futi shufrat tek unazat në anët e altarit për ta mbartur; altarin e bëri si një arkë dërrase të zgavërt.
8 Bëri legenin prej bakri+ dhe këmbalecin e tij prej bakri; për këtë përdori pasqyrat* e grave, të cilat shërbenin me rregull në hyrje të tendës së takimit.
9 Pastaj bëri oborrin.+ Në anën jugore të oborrit bëri perdet prej liri të dredhur hollë, që do t’i varnin në një gjatësi prej 100 kutesh.+ 10 Ajo anë kishte 20 shtylla dhe 20 bazamente bakri me fole, si edhe grremça e lidhëse* prej argjendi për shtyllat. 11 Edhe për anën veriore bëri perde që do t’i varnin në një gjatësi prej 100 kutesh. Ajo anë kishte 20 shtylla dhe 20 bazamente bakri me fole, si edhe grremça e lidhëse* prej argjendi për shtyllat. 12 Kurse për anën perëndimore bëri perde që do t’i varnin në një gjatësi prej 50 kutesh. Ajo anë kishte 10 shtylla dhe 10 bazamente me fole, si edhe grremça e lidhëse* prej argjendi për shtyllat. 13 Gjerësia në anën lindore ishte 50 kute 14 dhe atje do të varnin 15 kute perde në njërën anë, e cila kishte tri shtylla dhe tri bazamente me fole. 15 Edhe në anën tjetër të hyrjes së oborrit do të varnin 15 kute perde, si edhe tri shtylla dhe tri bazamente me fole. 16 Gjithë perdet që do të varnin rreth e qark oborrit ishin prej liri të dredhur hollë. 17 Bazamentet me fole për shtyllat ishin prej bakri; grremçat dhe lidhëset* për shtyllat ishin prej argjendi; majat e shtyllave ishin veshur me argjend dhe të gjitha shtyllat e oborrit kishin lidhëse prej argjendi.+
18 Perdja e trashë e hyrjes së oborrit ishte e endur me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt,* me fill në të kuqe të ndezur dhe me li të dredhur hollë; ajo ishte 20 kute e gjatë dhe 5 kute e lartë, aq e lartë sa perdet e oborrit.+ 19 Katër shtyllat dhe katër bazamentet e tyre me fole ishin prej bakri; grremçat dhe lidhëset* për shtyllat ishin prej argjendi; majat e shtyllave ishin të veshura me argjend. 20 Të gjitha kunjat e tendës së tabernakullit dhe kunjat rreth e qark oborrit ishin prej bakri.+
21 Më poshtë tregohet inventari i materialeve të përdorura për tabernakullin, tabernakullin e Dëshmisë,+ i cili u bë me urdhër të Moisiut. Përgjegjës për inventarin ishin levitët,+ nën drejtimin e Ithamarit,+ djalit të priftit Aron. 22 Bezaleli,+ biri i Urit, nipi i Hurit, nga fisi i Judës, bëri gjithçka që Jehovai i kishte urdhëruar Moisiut. 23 Me të ishte Oholiabi,+ biri i Ahisamakut, nga fisi i Danit, një artizan, qëndistar dhe endës i fillit blu, i leshit në ngjyrë të purpurt, i fillit në të kuqe të ndezur dhe i lirit të hollë.
24 Tërë ari që u përdor për të bërë vendin e shenjtë përkonte me sasinë e arit të blatimit të tundur:+ 29 talenta* dhe 730 sikla,* sipas siklës së vendit të shenjtë.* 25 Argjendi që u mblodh nga regjistrimi i asamblesë ishte 100 talenta dhe 1.775 sikla, sipas siklës së vendit të shenjtë.* 26 Gjysma e siklës për kokë ishte sa gjysma e siklës së vendit të shenjtë* për çdo burrë që përfshihej te të regjistruarit nga 20 vjeç e lart,+ gjithsej 603.550 veta.+
27 Për derdhjen e bazamenteve me fole të vendit të shenjtë dhe të bazamenteve me fole të perdes u përdorën gjithsej 100 talenta; 100 bazamente me fole ishin baras me 100 talenta, një talentë për një bazament me fole.+ 28 Me 1.775 siklat bëri grremçat për shtyllat, u veshi majat dhe i bashkoi.
29 Bakri i blatimit* ishte 70 talenta dhe 2.400 sikla. 30 Me të bëri bazamentet me fole për hyrjen e tendës së takimit, altarin prej bakri, skarën e tij prej bakri, të gjitha pajisjet e altarit, 31 bazamentet me fole rreth e qark oborrit, bazamentet me fole për hyrjen e oborrit, gjithë kunjat e tendës për tabernakullin dhe gjithë kunjat e tendës+ rreth e qark oborrit.
39 Me fillin blu, me leshin në ngjyrë të purpurt* dhe me fillin në të kuqe të ndezur+ bënë rroba të endura hollë për shërbimin në vendin e shenjtë; ata bënë rrobat e shenjta për Aronin,+ siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
2 Bezaleli e bëri efodin*+ me ar, me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur e me li të dredhur hollë. 3 Ari u punua me çekan në petëza të holla, të cilat Bezaleli i preu fije-fije për t’i thurur me fillin blu, me leshin në ngjyrë të purpurt, me fillin në të kuqe të ndezur e me lirin e hollë; me to qëndisi efodin. 4 Te supet i bënë dy rripa të fiksuar për të bashkuar dy pjesët e efodit. 5 Edhe brezi i endur,* i lidhur tek efodi që ky të mos lëvizë,+ u bë me të njëjtat materiale: ar, fill blu, lesh në ngjyrë të purpurt, fill në të kuqe të ndezur dhe li të dredhur hollë, siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
6 Pastaj i mbërthyen gurët e oniksit në fole ari e në ta skalitën emrat e djemve të Izraelit, ashtu si skalitet një vulë,+ 7 dhe Bezaleli i vendosi mbi rripat e supeve të efodit në kujtim të djemve të Izraelit,+ siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun. 8 Pastaj bëri pektoralin,+ të punuar nga një qëndistar, me të njëjtin punim si të efodit: me ar, me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur e me li të dredhur hollë.+ 9 Pektorali ishte katror kur palosej më dysh, një pëllëmbë i gjatë dhe një pëllëmbë i gjerë.* 10 I vunë katër radhë gurësh të çmuar; radha e parë kishte rubin, topaz dhe smerald; 11 radha e dytë, bruz, safir dhe diaspër; 12 radha e tretë, gur léshem,* agat dhe ametist; 13 radha e katërt, krizolit, oniks dhe nefrit; ata i mbërthyen në fole prej ari. 14 Gurët përkonin me emrat e 12 djemve të Izraelit, dhe secili emër ishte skalitur si një vulë e përfaqësonte një nga 12 fiset.
15 Në pektoral bënë zinxhirë të përdredhur, si kordonë prej ari të kulluar.+ 16 Bënë dhe dy fole ari e dy unaza ari që i vendosën në dy cepat e sipërm të pektoralit. 17 Pastaj, dy zinxhirë prej ari i kaluan nëpër dy unazat në cepat e sipërm të pektoralit 18 dhe dy anët e tjera të zinxhirëve i kaluan përmes dy foleve që janë te rripat e supeve të efodit, në pjesën e tij të përparme. 19 Bënë më pas edhe dy unaza të tjera ari për pektoralin dhe ia vendosën në dy cepat e poshtëm, në pjesën e brendshme, përballë me efodin.+ 20 Gjithashtu bënë dy unaza ari aty ku brezi i endur* bashkohet me efodin, pra, në pjesën e përparme të efodit, poshtë dy rripave të supeve, sipër brezit të endur. 21 Në fund e lidhën pektoralin me një kordon blu, duke lidhur unazat e tij me unazat e efodit, e kështu pektorali qëndronte pa lëvizur mbi efod, sipër brezit të endur,* siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
22 Pastaj Bezaleli bëri veshjen pa mëngë poshtë efodit, të punuar nga një tezgjahist, krejt me fill blu.+ 23 Në pjesën e sipërme, veshja pa mëngë kishte një grykë të hapur, si gryka e një thuraku;* gryka kishte rreth e përqark një shirit që të mos grisej. 24 Pastaj, palës në fund i bënë rreth e qark shegë të punuara me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt e me fill në të kuqe të ndezur, të përdredhur bashkë. 25 Bënë edhe zile prej ari të kulluar dhe i vendosën mes shegëve rreth e qark palës në fund të veshjes pa mëngë; 26 alternuan një zile dhe një shegë, një zile dhe një shegë, rreth e qark palës në fund të veshjes pa mëngë që vishej gjatë shërbimit, siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
27 Bënë për Aronin dhe për djemtë e tij+ veshjet e gjata prej liri të hollë, të punuara nga një tezgjahist, 28 çallmën e veçantë+ prej liri të hollë, çallmat prej liri të hollë me zbukurime,+ mbathjet*+ prej liri të dredhur hollë 29 dhe brezin prej liri të dredhur hollë, filli blu, leshi në ngjyrë të purpurt dhe filli në të kuqe të ndezur të endur bashkë, siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
30 Në fund bënë prej ari të kulluar pllakën e ndritshme, shenjën e shenjtë të kushtimit,* ku skalitën ashtu si skalitet një vulë: «Shenjtëria i përket Jehovait»,+ 31 dhe e lidhën te çallma me një kordon prej filli blu, siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
32 Kështu gjithë puna për tabernakullin, për tendën e takimit, përfundoi, dhe izraelitët bënë gjithçka që Jehovai i kishte urdhëruar Moisiut;+ ata bënë pikërisht ashtu.
33 Pastaj ia çuan Moisiut tabernakullin,+ tendën+ me gjithë pajisjet e saj: kapëset,+ skeletet prej druri,+ shufrat,+ shtyllat, bazamentet me fole;+ 34 mbulesën me lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe,+ mbulesën me lëkurë foke dhe perden ndarëse;+ 35 arkën e Dëshmisë bashkë me shufrat+ dhe kapakun;+ 36 tryezën me gjithë pajisjet e saj+ dhe bukët e paraqitjes; 37 shandanin prej ari të kulluar, llambat e tij+ të vëna radhë, gjithë pajisjet e tij+ dhe vajin për ndriçim;+ 38 altarin+ prej ari, vajin e mirosjes,+ temjanin aromatik+ dhe perden e trashë+ për hyrjen e tendës; 39 altarin prej bakri+ dhe skarën e tij prej bakri, shufrat,+ gjithë pajisjet e tij+ dhe legenin me këmbalecin;+ 40 perdet që do të varnin në oborr, shtyllat dhe bazamentet e tyre me fole,+ perden e trashë+ për hyrjen e oborrit, litarët dhe kunjat e tendës+ dhe gjithë pajisjet për shërbimin në tabernakull, për tendën e takimit; 41 rrobat e endura hollë për shërbimin në shenjtërore, rrobat e shenjta të priftit Aron,+ si dhe rrobat e djemve të tij që të shërbenin si priftërinj.
42 Izraelitët e bënë punën në përputhje me gjithçka që Jehovai i kishte urdhëruar Moisiut.+ 43 Kur kontrolloi gjithë punën e tyre, Moisiu pa që ata e kishin bërë siç kishte urdhëruar Jehovai, prandaj Moisiu i bekoi.
40 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: 2 «Ditën e parë të muajit të parë do të montoni tabernakullin, tendën e takimit.+ 3 Futni brenda arkën e Dëshmisë+ dhe mbylleni me perde hyrjen për tek Arka.+ 4 Futni brenda tryezën+ dhe sistemoni mbi të gjërat e saj; futni edhe shandanin+ dhe ndizni llambat e tij.+ 5 Pastaj vini përpara arkës së Dëshmisë altarin e artë për temjanin+ dhe varni perden e trashë në hyrje të tabernakullit.+
6 Vendosni altarin e blatimit të djegur+ përpara hyrjes së tabernakullit, tendës së takimit; 7 vëreni legenin mes tendës së takimit dhe altarit, dhe mbusheni me ujë.+ 8 Pastaj montoni oborrin+ rreth e qark tabernakullit dhe vendosni perden e trashë+ për hyrjen e oborrit. 9 Më pas merr vajin e mirosjes+ dhe miros* tabernakullin e gjithçka që është në të;+ shenjtëroje atë dhe gjithë pajisjet e tij, që të bëhet i shenjtë. 10 Miros altarin e blatimit të djegur me gjithë pajisjet e tij dhe shenjtëroje altarin, që të bëhet një altar shumë i shenjtë.+ 11 Gjithashtu miros legenin me këmbalecin e tij dhe shenjtëroje.
12 Pastaj afroji Aronin dhe djemtë e tij pranë hyrjes së tendës së takimit dhe laji me ujë.+ 13 Vishi Aronit rrobat e shenjta,+ mirose+ dhe shenjtëroje; kështu ai do të më shërbejë si prift. 14 Pas kësaj paraqit djemtë e tij dhe vishu rrobat e gjata.+ 15 Mirosi siç mirose edhe babanë e tyre,+ që të më shërbejnë si priftërinj. Falë kësaj mirosjeje, priftëria do të jetë vazhdimisht e tyrja, brez pas brezi.»+
16 Moisiu veproi në përputhje me gjithçka që i kishte urdhëruar Jehovai;+ ai bëri pikërisht ashtu.
17 Tabernakulli u montua ditën e parë të muajit të parë, në vitin e dytë.+ 18 Kur montoi tabernakullin, Moisiu vendosi poshtë bazamentet me fole,+ ngriti skeletet prej druri,+ futi shufrat+ dhe ngriti shtyllat. 19 Pastaj shtroi tendën+ mbi tabernakull dhe sipër saj hodhi mbulesën,+ siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
20 Pastaj mori Dëshminë,*+ e futi në Arkë,+ i futi shufrat+ Arkës+ dhe i vuri kapakun.+ 21 Pastaj e futi Arkën në tabernakull, vuri perden+ ndarëse dhe me të mbylli hyrjen për tek arka e Dëshmisë,+ siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
22 Më pas vendosi tryezën+ brenda tendës së takimit, nga ana veriore e tabernakullit, jashtë perdes, 23 dhe sipër saj i vuri stivë bukët+ para Jehovait, siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
24 Shandanin+ e vuri brenda tendës së takimit, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit, 25 dhe ndezi llambat+ para Jehovait, siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
26 Vuri edhe altarin e artë+ brenda tendës së takimit, përpara perdes, 27 që të digjte+ në të temjanin aromatik,+ siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
28 Pastaj vari perden e trashë+ në hyrje të tabernakullit.
29 Altarin e blatimit të djegur+ e vendosi në hyrje të tabernakullit, të tendës së takimit, që të flijonte në të blatimin e djegur+ dhe blatimin në drithë, siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
30 Vuri pastaj legenin mes tendës së takimit dhe altarit, dhe e mbushi me ujë për t’u larë priftërinjtë.+ 31 Atje Moisiu, Aroni dhe djemtë e tij lanë duart e këmbët. 32 Sa herë që futeshin në tendën e takimit ose i afroheshin altarit, ata* lanin këmbët e duart,+ siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
33 Së fundi montoi oborrin+ rreth e qark tabernakullit dhe altarit, dhe vuri perden e trashë për hyrjen e oborrit.+
Kështu Moisiu e mbaroi punën. 34 Reja filloi të mbulonte tendën e takimit dhe lavdia e Jehovait mbushi tabernakullin.+ 35 Moisiu nuk mundi të hynte në tendën e takimit, sepse reja qëndronte mbi të, dhe lavdia e Jehovait e mbushi tabernakullin.+
36 Kur reja ngrihej sipër tabernakullit, izraelitët e mblidhnin kampin dhe niseshin, e kështu bënin gjatë gjithë etapave të udhëtimit të tyre.+ 37 Por nëse reja nuk ngrihej, ata nuk e zhvendosnin kampin deri ditën kur ajo të ngrihej.+ 38 Faktikisht reja e Jehovait rrinte ditën mbi tabernakull, kurse natën mbi të qëndronte një zjarr, në sy të gjithë popullit të Izraelit, gjatë gjithë etapave të udhëtimit të tyre.+
Fjalë për fjalë «nga kofsha e Jakobit dolën gjithsej 70 shpirt».
Fjalë për fjalë «bijtë e Izraelit».
Ose «mbikëqyrës të rreptë».
Fjalë për fjalë «frikë nga Perëndia i vërtetë». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «frikë nga Perëndia i vërtetë». Shih Fjalorthin.
Ose «arkë; sënduk».
Ose «zift; serë».
Ose «dado».
Do të thotë «i nxjerrë», pra, i shpëtuar nga uji.
Ose «i mbrojti».
Domethënë, Jetroi.
Do të thotë «i ardhur atje».
Ose «vendosi të përmbushte».
Ose «do ta adhuroni Perëndinë e vërtetë».
Ose «Dua».
Shih Shtojcën A4.
Ose «mrekullisë».
Fjalë për fjalë «me gojën tënde».
Ose «do të jesh për të përfaqësues i Perëndisë».
Domethënë, një engjëll që përfaqësonte Jehovain.
Mund t’i referohet një prej djemve të Moisiut.
Ose «një thikë stralli».
Mund t’u referohet këmbëve të engjëllit.
Ose «Shkoni e bartni barrët tuaja!»
Ose «janë përtacë!»
Ose «Jeni përtacë, jeni përtacë!»
Ose «na keni bërë të pështirë në sy të faraonit dhe të shërbëtorëve të tij».
Fjalë për fjalë «të shtrirë».
Fjalë për fjalë «do t’i gjykoj».
Fjalë për fjalë «ngrita dorën».
Fjalë për fjalë «jam i parrethprerë në buzë?!»
Fjalë për fjalë «sipas ushtrive të tyre».
Fjalë për fjalë «jam i parrethprerë në buzë».
Fjalë për fjalë «të kam bërë Perëndi».
Fjalë për fjalë «ushtritë e mia».
Fjalë për fjalë «t’i gjykoj».
Ose «me artet e tyre magjike».
Domethënë, kanalet që dilnin nga Nili.
Ose «brumëtoret».
Një lloj mize që pickon, ndoshta mizë kali.
Domethënë, egjiptianët.
Ose «mrekulli».
Ose «të mos tallet».
Fjalë për fjalë «zemrës sate».
Ose «do të ishe zhdukur».
Fjalë për fjalë «i frikësoheshin». Shih Fjalorthin.
Ndoshta u referohet vetëtimave të forta.
Fjalë për fjalë «frikë nga Perëndia». Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Ose «piqeshin më vonë».
Fjalë për fjalë «shenjat».
Fjalë për fjalë «do të na bëhet një lak».
Me sa duket Moisiu.
Ose «do të lejosh që t’i marrim».
Fjalë për fjalë «një thundër».
Shih Fjalorthin.
Ose «nuk do t’u skërmitet asnjë qen».
Fjalë për fjalë «shtëpinë e etërve».
Ose «motak».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «midis dy mbrëmjeve».
Fjalë për fjalë «me ijët të ngjeshura».
Ose «Pashka e Jehovait». Shih Fjalorthin.
Ose «ai shpirt duhet ekzekutuar».
Fjalë për fjalë «ushtritë».
Ose «duhet ekzekutuar në Izrael».
Domethënë, qengjat ose kecat.
Fjalë për fjalë «shkatërrimi».
Fjalë për fjalë «shtëpinë e sternës».
Ose «brumëtoret».
Ose «një turmë e madhe e përzier njerëzish». Domethënë, një turmë e përzier me joizraelitë, përfshirë edhe egjiptianë.
Fjalë për fjalë «ushtritë».
Fjalë për fjalë «bijtë e Izraelit bashkë me ushtritë e tyre».
Ose «Ndani veç». Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».
Fjalë për fjalë «çdo të parëlindur që çel çdo bark».
Shih Shtojcën B15.
Fjalë për fjalë «kufijve».
Ose «kujtim».
Fjalë për fjalë «mes syve».
Fjalë për fjalë «këdo që çel barkun».
Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
Fjalë për fjalë «këdo që çel barkun».
Fjalë për fjalë «mes syve».
Ose «me kokat lart». Fjalë për fjalë «me dorë të lartësuar».
Domethënë, rreth orës 2 deri në 6 të mëngjesit.
Fjalë për fjalë «nisi t’i frikësohej Jehovait». Shih Fjalorthin.
«Jah» është një formë e shkurtuar e emrit Jehova.
Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
Fjalë për fjalë «nga dhembjet e lindjes».
Sheikët ishin krerë fisesh.
Ose «despotët e Moabit».
Do të thotë «hidhësi».
Fjalë për fjalë «Midis dy mbrëmjeve».
Rreth 2,2 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «do të mbahet sabati».
Ose «populli pushoi».
Ka të ngjarë të vijë nga shprehja hebraike «Ç’është kjo?»
Shih Fjalorthin.
Një efë ishte 22 l. Shih Shtojcën B14.
Do të thotë «vënie në provë; sprovë».
Do të thotë «grindje».
Ose «kujtim».
Në hebraisht «Nisi» do të thotë «shtyllë sinjalizuese».
Do të thotë «i ardhur atje».
Do të thotë «Perëndia im është ndihmë».
Fjalë për fjalë «nga dora e Egjiptit».
Fjalë për fjalë «që i frikësohen Perëndisë». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «në çdo kohë».
Ose «zotërimi im i çmuar».
Ndoshta e goditnin me një shigjetë.
Fjalë për fjalë «mos iu afroni një gruaje».
Fjalë për fjalë «zëri i Perëndisë së vërtetë».
Fjalë për fjalë «lëshohet mbi ta».
Ose «për të më sfiduar». Fjalë për fjalë «kundër fytyrës sime».
Ose «Mos e përdor në mënyrë të papërshtatshme».
Fjalë për fjalë «portave».
Ose «tradhti bashkëshortore».
Ose «tjetrit». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «t’i frikësoheni gjithnjë atij». Shih Fjalorthin.
Ose «blatimet tuaja të paqes».
Ose «të latuar».
Fjalë për fjalë «lakuriqësia juaj».
Domethënë, te korniza e derës, te njëra nga pjesët anësore të saj.
Ose «bizë». Një mjet që përdorej për të bërë vrima të vogla.
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «ta shpengojë».
Një mundësi tjetër «zotëria». Fjalë për fjalë «ai».
Një mundësi tjetër «me ndonjë mjet».
Fjalë për fjalë «dhe asaj i dalin fëmijët jashtë».
Ose «dëmtim serioz».
Ose «shpirt për shpirt».
Ose «dëmshpërblim».
Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
Siç duket, për shkak të neglizhencës ose rrethanave që mund të ishin parandaluar.
Ose «duhet të caktohet për shfarosje». Shih Fjalorthin.
Ose «fëmijë pa baba».
Ose «nevojtari».
Ose «kreditor».
Ose «si peng».
Ose «hirmadh».
Ose «Mos përdor fjalë sharëse kundër Perëndisë; Mos blasfemo kundër Perëndisë».
Ose «sundimtarët».
Domethënë, prej shtypëseve të vajit dhe të rrushit.
Ose «vetëm ngaqë ka popullaritet».
Fjalë për fjalë «fjalë».
Ose «nuk do ta shfajësoj të ligun».
Fjalë për fjalë «biri i skllaves sate».
Shih Shtojcën B15.
E njohur edhe si Festa e Javëve, ose Festa e Ditës së Pesëdhjetë.
E njohur edhe si Festa e Kasolleve (e Tabernakujve).
Ose «meshkujt».
Shih Fjalorthin.
Ose «do të të ngop me ditë».
Ose «do të sprapsen».
Një mundësi tjetër «Do të përhap panik; tmerr».
Ose «detin Mesdhe».
Domethënë, Eufrati.
Shih Fjalorthin.
Ose «vjollcë; lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt». Shih Fjalorthin.
Ose «fill ngjyrë kërmëzi».
Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Ose «projektin».
Ose «sënduk».
Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
Shih Fjalorthin.
Rreth 7,4 cm. Shih Shtojcën B14.
Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.
Ose «projektit».
Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.
Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
Ose «sytha».
Një mundësi tjetër «pjesë vertikale».
Duket se u referohet kapëseve që u përdorën për të bashkuar pjesët e pëlhurës së tendës.
Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
Ose «hirin e lyrosur», pra, hirin e lagur me yndyrën e flijimeve.
Ose «unaza; rrathë; fasha» për të lidhur.
Ose «unaza; rrathë; fasha» për të lidhur.
Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Ose «njerëzit e aftë».
Shih Fjalorthin.
Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.
Ose «qemeri».
Rreth 22,2 cm. Shih Shtojcën B14.
Gur i çmuar që ende nuk dihet me saktësi, mund t’i referohet qelibarit, hiacintit, opalit ose turmalinës.
Ose «qemeri».
Ose «qemerit».
Shih Fjalorthin.
Ose «për të futur kokën».
Shih Fjalorthin.
Ose «e një parzmoreje të thurur».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «t’ua mbushësh dorën».
Ose «rroba të brendshme liri».
Fjalë për fjalë «farën».
Ose «pite».
Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Ose «qemerin».
Ose «diademën e shenjtë».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «do të mbushësh dorën e Aronit dhe dorën e djemve të tij».
Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
Ose «rizën e mëlçisë».
Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
Ose «pasardhësve».
Fjalë për fjalë «për t’u mbushur dorën».
Fjalë për fjalë «asnjë i huaj», pra, askush që nuk ishte nga familja e Aronit.
Fjalë për fjalë «për t’u mbushur dorën».
Ose «motakë».
Fjalë për fjalë «midis dy mbrëmjeve».
Një efë ishte 22 l. Shih Shtojcën B14.
Një hin ishte 3,67 l. Shih Shtojcën B14.
Fjalë për fjalë «midis dy mbrëmjeve».
Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
Rreth 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «midis dy mbrëmjeve».
Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
Ose «sipas siklës së shenjtë».
Një gerë ishte 0,57 g. Shih Shtojcën B14.
Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
Ose «shpirtin».
Ose «sipas siklës së shenjtë».
Një hin ishte 3,67 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «me mjeshtërinë e një pomadëbërësi».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «një i huaj», pra, një njeri që nuk ishte nga familja e Aronit.
Ose «duhet ekzekutuar».
Ose «me mjeshtërinë e një pomadëbërësi».
Fjalë për fjalë «kam thirrur me emër».
Fjalë për fjalë «frymën e Perëndisë».
Ose «kuptueshmëri».
Fjalë për fjalë «mençuri në zemër».
Ose «njerëzve të aftë».
Ose «ai shpirt duhet ekzekutuar».
Ose «shtatore të derdhur».
Ose «shtatore të derdhur».
Fjalë për fjalë «me qafë të fortë».
Fjalë për fjalë «zbuti fytyrën».
Ose «dhe të të vijë keq e mos ia bëj».
Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «farës».
Ose «Jehovait i erdhi keq».
Fjalë për fjalë «portë më portë».
Fjalë për fjalë «Mbushni dorën».
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «me qafë të fortë».
Fjalë për fjalë «me qafë të fortë».
Fjalë për fjalë «i hoqën».
Ose «Unë të kam zgjedhur».
Fjalë për fjalë «Fytyra ime».
Fjalë për fjalë «Nëse fytyra jote».
Domethënë, i tregoi ç’lloj personi është Jehovai.
Ose «hirmadh».
Ose «dashamirësi».
Ose «besnikëri».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «me qafë të fortë».
Shih Fjalorthin.
Ose «Jehovai, emri im kërkon».
Ose «që nuk i toleroj rivalët».
Shih Shtojcën B15.
Fjalë për fjalë «Çdo gjë që çel barkun».
Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
Ose «do të mbani sabatin».
E njohur edhe si Festa e Kasolleve (e Tabernakujve).
Ose «meshkujt».
Ose «i Pashkës». Shih Fjalorthin.
Ka të ngjarë t’i referohet Jehovait. Shih vargun 1.
Fjalë për fjalë «Dhjetë Fjalët». Të njohura edhe si Dekalogu.
Fjalë për fjalë «atë».
Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Ose «njerëzit e aftë». Fjalë për fjalë «me zemër të mençur».
Shih Fjalorthin.
Ose «blatimet e tundura».
Fjalë për fjalë «frymën e Perëndisë».
Ose «ua ka mbushur zemrat me mençuri».
Ose «njerëzit e aftë».
Fjalë për fjalë «mençuri në zemër».
Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.
Ka të ngjarë t’i referohet Bezalelit.
Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
Ose «sytha».
Një mundësi tjetër «pjesë vertikale».
Ose «unazat; rrathët; fashat» për të lidhur.
Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
Rreth 7,4 cm. Shih Shtojcën B14.
Shih Fjalorthin.
Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.
Ose «me mjeshtërinë e një pomadëbërësi».
Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
Domethënë, pasqyra prej metali tejet të lëmuar.
Ose «unaza; rrathë; fasha» për të lidhur.
Ose «unaza; rrathë; fasha» për të lidhur.
Ose «unaza; rrathë; fasha» për të lidhur.
Ose «unazat; rrathët; fashat» për të lidhur.
Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.
Ose «unazat; rrathët; fashat» për të lidhur.
Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.
Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
Ose «sipas siklës së shenjtë».
Ose «sipas siklës së shenjtë».
Ose «e siklës së shenjtë».
Ose «i blatimit të tundur».
Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Ose «qemeri».
Rreth 22,2 cm. Shih Shtojcën B14.
Gur i çmuar që ende nuk dihet me saktësi, mund t’i referohet qelibarit, hiacintit, opalit ose turmalinës.
Ose «qemeri».
Ose «qemerit».
Ose «e një parzmoreje të thurur».
Ose «rrobat e brendshme».
Ose «diademën e shenjtë».
Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Domethënë, Aroni dhe djemtë e tij.