Realiteti i ka tejkaluar ato që prisja
TREGUAR NGA UILLEM VAN SEIJL
Ishte viti 1942 dhe vendi ynë qe përfshirë në Luftën II Botërore. Unë isha një prej pesë të rinjve që qëndronin të fshehur nga nazistët, në Groningen të Holandës. Ulur në një dhomë të vogël, ne nisëm të bisedonim rreth mundësive që kishim për të mbijetuar.
ISHTE e qartë se mundësitë për të mbijetuar nuk ishin të shumta. Siç doli më vonë, tre prej grupit tonë patën një vdekje të dhunshme. Në fakt, unë jam i vetmi që kam arritur moshën e thyer. Ky s’është veçse një rast i realitetit që ka tejkaluar atë që prisja.
Në kohën e ngjarjes së përmendur më lart, unë isha vetëm 19 vjeç dhe dija pak për Biblën ose fenë. Në fakt, babai ishte kundër çdo feje, ndërsa mamanë, kërkimi i fesë e kishte çuar të pranonte spiritizmin. Sa për vete, s’kisha asnjë shpresë. Mendoja se nëse do të vritesha nga një bombardim ose në ndonjë mënyrë tjetër, Perëndia nuk do të kishte asnjë arsye të më kujtonte. Unë as nuk kisha provuar të mësoja për të.
Kërkimi shpërblehet
Pak kohë pas asaj bisede me katër të rinjtë, nazistët më kapën dhe më çuan në një kamp pune në Gjermani, pranë Emerikut. Puna jonë përfshinte spastrimin e rrënojave dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara nga bombardimet e forcave aleate. Në fund të vitit 1943 u arratisa dhe, megjithëse lufta ziente ende, u ktheva në Holandë.
Nuk e di se si më ra në dorë një broshurë e vogël plot me pyetje dhe shkrime biblike. Ajo përdorej për studimin e librit Shpëtim, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Duke lexuar pyetjet dhe duke kërkuar shkrimet, m’u ndez një interes i thellë për përmbushjen e profecive të Biblës.
Fola me të fejuarën time, Gré, për atë që po lexoja, por në fillim ajo nuk pati interes. Nga ana tjetër, mamaja e përpiu broshurën. «Kjo është e vërteta që kam kërkuar tërë jetën!»—thirri ajo. Fola edhe me ca miq dhe disa prej tyre deshën të dinin më shumë. Njëri, në fakt, u bë Dëshmitar dhe me anë të letrave e vizitave mbajtëm lidhje të rregullta me njëri-tjetrin deri në vitin 1996, kur ai vdiq.
Ndërkohë, Gré filloi ta studionte Biblën dhe në shkurt të vitit 1945 u pagëzuam që të dy. Lufta mori fund disa muaj më vonë. Pasi u martuam, deshëm të bëheshim pionierë, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë. Por hasëm vështirësi: sëmundje dhe probleme financiare. Na u krijuan edhe mundësitë për të fituar shumë më tepër para. A do të punonim në fillim për të arritur njëfarë sigurie financiare dhe pastaj të fillonim shërbimin si pionierë, apo do ta fillonim menjëherë këtë shërbim?
Shërbimi ynë në Holandë
Vendimi që morëm ishte t’i futeshim menjëherë veprës së pionierit, gjë që e bëmë më 1 shtator 1945. Po atë ditë, kur po kthehesha në shtëpi në mbrëmje vonë, hyra në një restorant për të pirë diçka. I dhashë kamerierit atë që mendoja se ishte një kartmonedhë prej një guldeni dhe i thashë: «Kusurin mbaje.» Kur u ktheva në shtëpi, zbulova se i kisha dhënë një kartmonedhë prej 100 guldenash! Kjo gjë na la me një gulden të vetëm për të filluar si pionerë!
Në vitin 1946, kur fillova të mbaja fjalime publike të bazuara në Bibël, kisha vetëm një xhaketë lëkure. Një mik, që kishte pak a shumë trupin tim, ishte drejtues i mbledhjeve. Ai prezantonte fjalimin tim dhe menjëherë vinte prapa skenës e më jepte xhaketën e vet. Pastaj, unë mbaja fjalimin. Kur mbaronte fjalimi bënim po të njëjtën gjë, por anasjelltas.
Në mars të vitit 1949, mua dhe gruas na u bë një ftesë për të marrë pjesë në veprën qarkore, duke vizituar kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, për t’i forcuar frymësisht. Për këtë vepër më stërviti Fritc Hartstang, i cili kishte qenë shërbëtor besnik, para dhe gjatë luftës. Ai më dha një këshillë të mirë: «Uim, ndiq udhëzimet që merr nëpërmjet organizatës së Jehovait, edhe sikur në fillim të mendosh se nuk janë ato më të mirat. Kurrë s’ka për të të ardhur keq për këtë.» Kishte të drejtë.
Në vitin 1951, Nathan H. Knorr, atëherë president i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, bëri një vizitë në Holandë. Në atë kohë, unë dhe Gré bëmë kërkesën për t’u stërvitur si misionarë në Shtetet e Bashkuara. Pak kohë më pas, na u bë ftesa për të marrë pjesë në klasën e 21-të të Shkollës Biblike të Galaadit. Kur filluam shërbimin si pionierë në vitin 1945, në Holandë kishte rreth 2.000 Dëshmitarë, ndërsa aty nga viti 1953, kishte më shumë se 7.000, një realitet që e tejkaloi shumë atë që prisnim.
Shërbimi në shtëpinë tonë të re
U caktuam në Guinenë e Re holandeze, tani një provincë e Indonezisë, por, kur nuk na lejuan të hynim, na u ndryshua caktimi për në Surinam, një vend tropikal në Amerikën Jugore. Mbërritëm në dhjetor 1955. Në atë kohë, Surinami kishte vetëm nja njëqind Dëshmitarë, por ata ishin jashtëzakonisht të gatshëm për të ndihmuar. Brenda një kohe të shkurtër u ndjemë si në shtëpinë tonë.
Vërtet, na u desh t’u përshtateshim shumë rrethanave të ndryshme dhe disa herë qe e vështirë ta bënim këtë. Për shembull, Gré frikësohej nga çdo lloj insekti. Kur ishim në Holandë, njëherë ajo gjeti një merimangë të vogël në dhomën e gjumit dhe nuk shkoi që nuk shkoi të flinte derisa e hoqa qafe atë insekt. Por në Surinam ka merimanga dhjetë herë më të mëdha se ajo dhe disa janë helmuese. Në shtëpinë tonë misionare kishte edhe furrtare të zeza, minj, milingona, mushkonja dhe karkaleca. Madje na vinin për vizitë edhe gjarpërinj. Gré u mësua kaq shumë me këto krijesa, saqë tani lufta për t’i hequr qafe është vetëm një pjesë rutinë e jetës së saj.
Pas më shumë se 43 vjetësh, ne e njohim vendin më mirë se shumë nga ata që kanë lindur atje. Kemi arritur të kënaqemi me lumenjtë e tij, pyllin e shiut dhe kënetat pranë bregut. Jemi familjarizuar edhe me botën e shumëllojshme të kafshëve: ferrëgjatët, përtacët, jaguarët, po, madje edhe me llojet e shumta të gjarpërinjve, që shpesh kanë ngjyra të bukura. Por sidomos, kemi arritur të kënaqemi me shumëllojshmërinë e madhe të njerëzve në këtë vend. Të parët e disave prej tyre ishin nga Afrika, si edhe nga India, Indonezia, Kina dhe nga vende të tjera. Disa të tjerë janë indianë të Amerikës, pasardhës të banorëve të parë.
Në shërbimin tonë të krishterë, ne i takojmë njerëzit me gjithë këto prejardhje të ndryshme, ndërsa shkojmë nëpër shtëpitë e tyre. Edhe në Sallat tona të Mbretërisë ne gëzojmë të njëjtën shumëllojshmëri të mrekullueshme vëllezërish të krishterë dhe motrash të krishtere. Ka pasur një rritje nga një Sallë Mbretërie e vetme dhe e katandisur si mos më keq në vitin 1953, në më shumë se 30 Salla Mbretërie të lezetshme, një Sallë Asambleje të bukur dhe një ndërtesë të degës shumë të bukur, e cila u dedikua në shkurt të vitit 1995.
Mësime që kam nxjerrë
Thellë, në brendësi të Surinamit, ka disa kongregacione të atyre që i quajnë negër të kaçubeve, pasardhës të skllevërve afrikanë që u arratisën nga plantacionet dhe ikën larg, sa më afër lumenjve që mundën. Herë pas here kam mbetur i habitur me zhdërvjelltësinë e tyre, për shembull, se si e përdorin lumin për transport dhe e bëjnë pyllin e shiut shtëpinë e tyre. Ata presin pemë, ndërtojnë varka dhe manovrojnë me to, kur kalojnë nëpër ujëvara dhe pragje lumi. Ata e gjejnë ushqimin me anë të gjuetisë dhe të peshkimit, gatuajnë pa pasur asnjë pajisje moderne dhe bëjnë shumë gjëra të tjera që ne do të na dukeshin shumë të vështira.
Me kalimin e viteve, ne kemi arritur të njohim edhe popujt e tjerë që jetojnë këtu në Surinam, zakonet e tyre, mentalitetet e tyre dhe mënyrat e tyre të jetesës. Më kujtohet vizita që bëra në një fshat amerikano-indian në vitet 50. Në mes të natës, mbërrita në një fushë të shkretë në pyllin e shiut, nga ku bashkë me udhërrëfyesin indian duhej të nisnim një udhëtim me varkë. Ai bëri zjarr, gatoi ushqimin dhe lidhi shtretërit e varur. Për të ishte normale të bënte gjithçka për mua, sepse e dinte që unë s’kisha idenë se si mund t’i bëja.
Kur në mes të natës rashë nga shtrati i varur, ai nuk qeshi. Përkundrazi, më pastroi rrobat dhe e lidhi përsëri krevatin. Kur po udhëtonim nëpër një lumë të ngushtë, ishte aq errësirë, saqë nuk mund të shikoja as duart që i kisha përpara vetes, por udhërrëfyesi im ia doli ta drejtonte mirë varkën nëpër kthesat dhe pengesat e shumta. Kur e pyeta se si ia bënte, tha: «Ti nuk po shikon siç duhet. Ngriji sytë dhe vëre kontrastin mes majës së pemëve dhe qiellit. Kjo të tregon kthesat në lumë. Uli sytë dhe shiko për dallgëzimet. Ato do të të ndihmojnë të kuptosh nëse ka përpara shkëmbinj ose pengesa të tjera. Dhe vër veshin. Edhe tingujt e tregojnë se ç’ke përpara.»
Udhëtimi me kaike të gdhendur në trung peme, duke përshkuar pragje e duke anashkaluar ujëvara, mund të jetë i rrezikshëm dhe rraskapitës. Por në fund të udhëtimit, kur takojmë vëllezërit dhe motrat e krishterë që janë duke pritur të na japin mirëseardhjen me një mikëpritje të ngrohtë, ndihemi të ripërtërirë. Për miqtë ka gjithmonë diçka për të ngrënë, ndoshta një tas me supë. Jeta si misionar ka qenë shpesh një jetë me sprova dhe vështirësi, por kurrë nuk ka qenë një zhgënjim.
Çfarë na ka ndihmuar të vazhdojmë?
Nuk jemi bekuar me një shëndet të jashtëzakonshëm. Edhe nga pjesëtarët e familjes nuk kemi pasur ndonjë inkurajim të madh, sepse mamaja ime është e afërmja e vetme Dëshmitare. Megjithatë, ndihma dhe inkurajimi nga miqtë e dashur nuk na ka munguar kurrë, duke na ndihmuar kështu të vazhdojmë në caktimin tonë. Në mënyrë të veçantë, inkurajuese ishte mamaja.
Pas afërsisht gjashtë vjetësh që ishim në caktimin tonë, mamaja u sëmur rëndë. Miqtë donin që ne të ktheheshim në shtëpi që ta shihnim për herë të fundit, por mamaja shkroi: «Ju lutem, qëndroni në caktimin tuaj. Më kujtoni ashtu siç isha para se të sëmuresha. Shpresoj t’ju shoh kur të ndodhë ringjallja.» Ajo ishte një grua me besim të fortë.
Mundësinë për t’u kthyer në Holandë me pushime, nuk e patëm më parë se viti 1966. U gëzuam shumë që u takuam me miq të vjetër, por ndjemë se tanimë shtëpia jonë ishte Surinami. Kështu kuptuam mençurinë e këshillës së organizatës që misionarët të mos kthehen në vendin e vet për pushime, para se të kenë shërbyer të paktën për tre vjet në caktimin e tyre.
Diçka tjetër që na ka ndihmuar të gëzojmë në caktimin tonë është mbajtja e një ndjenje humori, pra të jesh në gjendje të qeshësh për gjëra të ndryshme, përfshirë edhe veten tënde. Madje Jehovai e futi humorin edhe në disa prej krijesave që gjejmë në natyrë. Kur shikoni, për shembull, numrat që bëjnë shimpanzetë dhe vidrat, e sidomos këlyshët e shumë kafshëve, ju vini buzën në gaz. Është e rëndësishme, gjithashtu, të shohim anën pozitive të gjërave dhe të mos e konsiderojmë veten tepër të rëndësishëm, gjë që e kemi mësuar me kalimin e viteve.
Ajo që na ka ndihmuar të vazhdojmë në caktimin tonë, ka qenë sidomos vepra jonë shpërblyese në shërbim. Gré filloi një studim biblik në Paramaribo me nëntë burra që ndodheshin në një azil pleqsh. Të gjithë ishin mbi të 80-at. Secili prej tyre kishte qenë ose balatableeder (mbledhës i drurit të kauçukut) ose arkërkues. Secili arriti ta dojë atë që mësoi, të pagëzohej dhe të merrte pjesë besnikërisht deri në vdekje në veprën e predikimit.
Një predikues i vjetër me emrin Rivërs nga Kisha e Re e Suedenborgut, e dëgjonte studimin dhe bënte vërejtje sarkastike. Por, çdo javë që kalonte ai vinte më pranë nesh dhe talljet e tij filluan të pakësohen. Më në fund, u ul me të tjerët dhe mori pjesë në studim. Ai ishte 92 vjeç dhe mezi shihte e dëgjonte, por i citonte shkrimet sikur të ishte duke i lexuar. Së fundi, filloi të merrte pjesë me ne në shërbim dhe i predikonte kujtdo që e dëgjonte. Pak para se të vdiste, na dërgoi fjalë që të shkonim tek ai. Kur mbërritëm ne kishte vdekur, por nën jastëkun e tij gjetëm raportin për kohën që kishte përdorur në shërbim atë muaj.
Në vitin 1970, pas më shumë se 25 vjetësh në veprën e predikimit në kohë të plotë, u caktova të mbikëqyr Zyrën e Degës në Surinam. Më dukej e vështirë të rrija prapa një tavoline zyre dhe e kisha zili Gré, që akoma shkonte në shërbimin në fushë çdo ditë. Tani edhe ajo punon në degë dhe ndërsa na shtohen vitet, këtu kemi për të bërë punë domethënëse.
Vërtet, kur krahasoj më pak se 160.000 lajmëtarët aktivë të Mbretërisë në mbarë botën në vitin 1945, me rreth 6.000.000 sot, e shoh se realiteti e ka tejkaluar shumë atë që prisja. Edhe në Surinam, numri i atyre që marrin pjesë në shërbim është rritur më shumë se 19 herë që nga mbërritja jonë në vitin 1955: nga afërsisht 100 në atë kohë, në më shumë se 1.900 sot!
Jam i sigurt se do të shohim zhvillime shumë më të mëdha në realizimin e qëllimeve të Jehovait në të ardhmen, vetëm nëse i mbetemi besnikë Perëndisë tonë. Dhe kjo është ajo që kemi ndër mend të bëjmë.
[Figura në faqen 13]
Në vitin 1955, kur erdhëm në Surinam
[Figura në faqen 15]
Duke përdorur kaike në shërbim
[Figura në faqen 15]
Me gruan