BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 10/99 f. 16-17
  • Akrobatet e palodhura të ajrit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Akrobatet e palodhura të ajrit
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të projektuara për të fluturuar
  • Fole prej ngjitësi
  • Instinkti: Mençuri e programuar para lindjes
    Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
  • Rritin të vegjlit e tyre në natyrë
    Zgjohuni!—2001
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—2002
Zgjohuni!—1999
g 10/99 f. 16-17

Akrobatet e palodhura të ajrit

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË KENIA

DUKE BËRË GARË NËPËR HAPËSIRË, me krahët në formë drapëri fluturon një nga krijesat e gjalla më të shpejta në botë. Ajo është një zog i vogël që s’peshon veçse disa dhjetëra gramë, e megjithatë lëviz nëpër qiell me një shpejtësi të madhe. The Encyclopedia Americana thotë se «dejkave u janë atribuar shpejtësitë e fluturimit prej mbi 100 miljesh (160 km) në orë». S’është për t’u çuditur që ky zog në anglisht quhet swift, domethënë i shpejti.

Ndërsa ngjiten në lartësi duke u kthyer e u anuar me një shpejtësi marramendëse në kërkim të insekteve, duket sikur fluturimi i dejkave është fare i pamundimshëm. Dejkat janë zogjtë që e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në ajër; ato gjuajnë ushqim, hanë, pinë, mbledhin material për ndërtimin e foleve e madje edhe çiftëzohen në fluturim e sipër. Ato janë në fluturim për kaq shumë kohë, saqë vrojtuesit në kohën e lashtë mendonin se dejkat flinin në qiell, diku mes reve, në një vend që nuk shihej. Disa dejka mund të mos e ndalin fluturimin deri për nëntë muaj të vitit. Me sa duket, ndërsa shkasin në fluturimin e tyre, këta zogj të vegjël të habitshëm edhe flenë!

Të projektuara për të fluturuar

Dejkat janë një mrekulli e projektimit aerodinamik. Ato kanë krahë të efektshëm në formë gjysmëhëne që përkulen nga përpara dhe eliminojnë një pjesë të madhe të rezistencës së ajrit, e cila ngadalëson fluturimin e shumicës së zogjve. Kur ndodhen në lartësi ato e shtojnë shpejtësinë, duke i rrahur krahët shpejt e lehtë dhe duke bërë herë pas here ulje të shkurtra.

Mundësia e pazakontë që kanë për të monovruar, i detyrohet pjesërisht aftësisë së tyre që gjatë fluturimit ta rrahin njërin krah më shpejt se tjetrin. Rrahja e krahëve në një mënyrë paksa jo të sinkronizuar, u jep mundësi dejkave të marrin kthesa të forta pa e ulur shpejtësinë. Kjo u lejon të arrijnë një shpejtësi të madhe, ndërsa vërtiten për të kapur insektet fluturuese dhe për t’i përlarë me gojën e tyre tashmë të hapur. Dejkat duhet të konsumojnë sasi të mëdha insektesh, që të plotësojnë kërkesat e mëdha për energji që ka jeta e tyre me ritëm të shpejtë. Në kërkim të insekteve që do të bëhen preja e tyre, këta fluturakë të zhdërvjellët mund të përshkojnë qindra kilometra në ditë.

Pamja e dejkave, që nuk është kushedi se çfarë, bën kontrast me aftësitë e tyre të shkëlqyera fluturuese. Si meshkujt, ashtu edhe femrat, nuk të lënë mbresë; shumica e tyre kanë ngjyrë gri ose kafe të mbyllur. Llojet e shumta të dejkave gjenden në mbarë botën dhe mund të vërehen kryesisht në vendet tropikale dhe subtropikale. Në dimër, ato që banojnë në hemisferën veriore, migrojnë me mijëra kilometra për në vendet me klimë të butë.

Fole prej ngjitësi

Dejkat i bëjnë foletë duke përdorur një material ndërtimi shumë të çuditshëm: pështymën e tyre! Meqenëse kanë gjendra speciale pështyme, ato mund të prodhojnë sasi të mëdha pështyme, e cila vepron si mjet lidhës për materialet e foleve.

Dejkat ulen rrallë në tokë dhe, ndryshe nga zogjtë e tjerë, nuk mund të qëndrojnë në degët e pemëve. Këmbët e tyre e kanë pjesën e poshtme shumë të vogël e në formën e çengelit dhe janë aq të shkurtra, saqë nuk mund ta ngrenë zogun aq lart sa të bëjë një rrahje të plotë të krahëve. Megjithatë, këmbët e tyre janë më se të përshtatshme për t’u kapur pas sipërfaqeve vertikale të tilla, si: shkëmbinj, shpella dhe mure ndërtesash. Kur vjen koha për të ndërtuar një fole, dejka nuk mund të mbledhë gjethe, shkopinj ose baltë nga toka, gjë që për zogjtë e tjerë është e zakonshme. Asaj i duhet të gjejë një mënyrë tjetër.

Dejka e oxhakut mbledh degëza të vogla duke fluturuar me shpejtësi përmes degëve të një peme, kap fort një degëz dhe e këput me forcën e vrullit të saj. Pastaj, ajo i ngjit degëzat me njëra-tjetrën, duke i ‘çimentuar’ në një sipërfaqe vertikale me pështymën e saj ngjitëse. Dejka amerikane e palmës lëviz me zhdërvjelltësi nëpër ajër, duke kapur fije, pendë, copëza pambuku dhe materiale të tjera të lehta që qëndrojnë pezull, të cilat i përdor bashkë me pështymën e vet për të ndërtuar fole.

Një dejkë tjetër e llojit Collocalia fuciphaga, është quajtur me të drejtë dejka me fole të ngrënshme. Foleja e saj është pothuajse e tëra me pështymën e vet të ngurtësuar. Për shekuj të tërë, pështyma me të cilën bëheshin këto fole ka qenë përbërësi kryesor i supës së shijshme që gatuhej me folenë e zogut, e cila pëlqehet në Lindje. Thuhet se për këtë kënaqësi të kuzhinës, çdo vit përdoren miliona fole.

Një prej foleve më interesante bëhet me pështymën si ngjitës të dejkës afrikane të palmës. Ky zog i vockël ngjit një jastëk të vogël e të sheshtë pendësh në anën e poshtme të një gjetheje palme. Meqenëse varet poshtë, shpesh folenë e rreh fort era. Si qëndron në fole veza shumë e vogël? David Atenborou, në librin e tij Sfida të jetës (Trials of life), shpjegon: «Duket thuajse e pamundur që veza e vetmuar të qëndrojë në atë fole shumë të vogël. Në fakt, ajo do të ishte rrëzuar më siguri, nëse zogu nuk do të kishte ngjitur jo vetëm folenë te gjethja, por edhe vezën te foleja.» Me një fole dhe vezë të fiksuara fort te gjethja e palmës, prindërit kapen mirë në buzët e folesë me kthetrat e tyre dhe ngrohin me radhë vezën. Pasi del nga veza, zogu kapet pas folesë-shtëpi të tij që e rreh era, derisa i zhvillohen pendët e fluturimit dhe nis udhëtimin.

Është një shfaqje shumë e bukur të shohësh mijëra dejka tek fluturojnë duke formuar vorbulla të një shpejtësie të madhe, duke cicëruar me zë të lartë, si të jenë të ngazëllyera. Duke i parë nga poshtë, cilido provon një ndjesi mahnitjeje nga liria e tyre e fluturimit, si dhe çmueshmëri për bukurinë e projektimit të tyre inteligjent. Vërtet, tek sheh këto akrobate të lëvizin me një shkathtësi dhe shpejtësi të habitshme në ajër, e kupton përse thonë: «I shpejtë si dejka.»

[Figurat në faqen 17]

Dejka alpine

Dejka e zakonshme evropiane

[Burimi]

Kafshët/Jim Harter/Dover Publications, Inc.

[Figura në faqen 17]

Dejka e oxhakut

[Burimi]

© Robert C. Simpson/ Visuals Unlimited

[Burimi i figurës në faqen 16]

© D. & M. Zimmerman/VIREO

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo