ABDONI
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «shërbëtor»].
1. Gjykatës, biri i Hilelit, një piratoniti nga Efraimi. (Gjy 12:13-15) Sipas Jozefit, tetë vitet e sundimit të tij u karakterizuan nga paqja dhe tregimi biblik nuk përmend luftëra gjatë kësaj periudhe. (Antikitete judaike, V, 273 [vii, 15]) Abdoni kishte 40 djem dhe 30 nipër që «u hipnin shtatëdhjetë gomarëve» dhe, për atë kohë, kjo ishte shenjë e një pasurie të madhe dhe e një sëre të ngritur. Në fund të jetës së tij si gjykatës, Abdonin e varrosën në vendlindjen e tij, në Efraim.
Disa e lidhin Abdonin me «Bedanin» që përmendet te 1 Samuelit 12:11. Megjithatë, Bedani ka më shumë të ngjarë të jetë Baraku, emri i të cilit shfaqet në këtë varg si në Septuagintën greke, edhe në Peshitën siriake.
2. Beniaminit, djali i parëlindur i Jejelit dhe, me sa duket, vëllai i Nerit, gjyshit të Saulit.—1Kr 8:29, 30; 9:35, 36, 39.
3. Zyrtar i oborrit të mbretit Josia (2Kr 34:20); te 2 Mbretërve 22:12 ai quhet Akbor.—Shih AKBORI nr. 2.
4. Bir i Shashakut nga fisi i Beniaminit; ai ishte prijës dhe banonte në Jerusalem.—1Kr 8:23-28.
5. Një nga katër qytetet në territorin e Asherit që iu dhanë levitëve të familjes së Gershonit (Gershomit). (Js 21:27-31; 1Kr 6:71-75) Ndoshta bëhet fjalë për Kirbet ʽAbdehun (Tel-ʽAvdonin) rreth 6 km në lindje të Akzibit. Ky vend gjendet në shpatet veriore të Vadi-Karnit (Nahal-Kezivit) dhe rrëzë kodrave të Galilesë, pra afër skajit verior të rrafshinës së Asherit.