ADON-ZEDEKU
[zotëria (im) është drejtësi].
Mbret i Jerusalemit në kohën kur izraelitët pushtuan Tokën e Premtuar. Adon-Zedeku lidhi aleancë me disa mbretëri të tjera të parëndësishme në perëndim të Jordanit në një përpjekje të përbashkët për të ndalur forcat pushtuese të Josiut. (Js 9:1-3) Megjithatë, banorët hivitë të Gibeonit bënë paqe me Josiun. Për të bërë raprezalje dhe për të frenuar të tjera dezertime tek armiku, Adon-Zedeku i bashkoi trupat e tij me ato të katër mbretërve të tjerë amoritë dhe, pasi e rrethoi Gibeonin, nisi luftën. Josiu i shpëtoi gibeonitët në një mënyrë të paparë dhe u dha një goditje dërrmuese ushtrive aleate. Pesë mbretërit ia mbathën në Makedah, ku izraelitët i zunë në kurth brenda një shpelle. Adon-Zedekun dhe katër mbretërit e tjerë Josiu i vrau me duart e veta para ushtarëve të tyre dhe i vari në shtyllë. Kufomat i hodhën në shpellën ku i gjetën, e kështu ajo u bë varri i tyre.—Js 10:1-27.