A ia vlen të jesh besnik?
«JU PAGUANI jashtëzakonisht shumë për sigurimet shëndetësore,—tha Viktori, përfaqësues i një shoqërie sigurimesh.a—Po të siguroheni te shoqëria ime, do të kurseni 15 euro në muaj, dhe s’janë pak.»
«Mund të jetë e vërtetë,—ia ktheu Maksi,—por sigurimet shëndetësore i kam paguar tek e njëjta shoqëri për vite me radhë. Ata më kanë ndihmuar shumë në të kaluarën, dhe unë dua t’u mbetem besnik.»
«Besnikëria është një cilësi e shkëlqyer,—u përgjigj Viktori.—E megjithatë, kjo besnikëri, juve po ju kushton gjithë këto para!»
Viktori kishte të drejtë. Shpesh, të jesh besnik ose i besueshëm ndaj dikujt tjetër, mund të të kushtojë para.b Gjithashtu besnikëria kërkon kohë, energji dhe angazhim nga ana emocionale. A ia vlen pra të jesh besnik?
Shumë e çmojnë, por pak e shfaqin
Në një anketë që u bë në Gjermani nga Instituti i Sondazhit të Opinionit Publik Allensbach, 96 për qind e të anketuarve, e shihnin besueshmërinë si një cilësi të vyer. Një sondazh i dytë nga instituti Allensbach, i bërë mes moshave 18-24-vjeçare tregoi se 2 në 3 të anketuar e konsideronin besueshmërinë si «moderne», pra e shihnin me sy të mirë.
Ndonëse njerëzit në përgjithësi e çmojnë shumë besnikërinë ose besueshmërinë, kur vjen puna për të shfaqur konkretisht besnikëri ose për të treguar besueshmëri, gjërat ndryshojnë krejt. Për shembull, në disa vende evropiane, çiftet e martuara ose anëtarët e familjes shpesh nuk tregohen besnikë ndaj njëri-tjetrit. Ndodh që edhe miqtë nuk tregohen besnikë ndaj njëri-tjetrit. Gjithashtu, besnikëria që dikur lidhte punëdhënësin me punonjësin ose lidhte një biznes me klientët e vet, në përgjithësi është zhdukur. Pse ka ndodhur kjo?
Disa herë, ritmi i ethshëm i jetës nuk të lë mjaft kohë ose forcë emocionale për të krijuar lidhje që përfshijnë besnikëri. Ndoshta ngaqë janë zhgënjyer ose të tjerët i kanë lënë në baltë, disa ngurrojnë të tregohen besnikë ndaj dikujt. Kurse të tjerë kanë qejf të bëjnë një jetë sot për sot, që nuk kërkon të tregosh besnikëri ndaj diçkaje.
Cilado qoftë arsyeja, besnikëria është një virtyt që shumë e çmojnë, por pak e shfaqin. Pra, le të trajtojmë këto pyetje: A ia vlen të jesh besnik? Në qoftë se po, ndaj kujt duhet të jemi besnikë dhe si? Çfarë dobie kemi kur tregohemi besnikë?
[Shënimet]
a Në këtë artikull dhe në artikullin vijues, disa emra janë ndryshuar.
b Ndonëse fjalët «besnikëri» dhe «besueshmëri» nuk përdoren gjithmonë në të njëjtin kontekst, nganjëherë në këtë artikull përdoren të dyja si sinonime.
[Diçitura në faqen 3]
Besnikëria është një virtyt që shumë e çmojnë, por pak e shfaqin