Të vazhdojmë të predikojmë!
1 Vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) Për këtë arsye, ai na ka caktuar që të predikojmë lajmin e mirë. (Mat. 24:14) Nëse e kuptojmë përse duhet të vazhdojmë të predikojmë, çdo shkurajim ose shpërqendrim i mundshëm që mund të kemi gjatë udhës sonë, nuk do të na pengojë.
2 Përse të ngulmojmë? Ka shumë gjëra shpërqendruese në botë që i bëjnë njerëzit të harrojnë ose ta marrin me të lehtë atë që u themi. Prandaj, duhet të vazhdojmë t’ua kujtojmë atyre mesazhin e shpëtimit që vjen nga Perëndia. (Mat. 24:38, 39) Veç kësaj, rrethanat në jetën e njerëzve ndryshojnë vazhdimisht. Madje dhe kushtet botërore mund të ndryshojnë rrufeshëm, brenda një nate. (1 Kor. 7:31) Të nesërmen, pas një jave ose pas një muaji, njerëzit të cilëve u predikojmë mund të hasin probleme të reja ose shqetësime që i bëjnë ta marrin seriozisht në konsideratë lajmin e mirë që u çojmë. A nuk jemi mirënjohës që Dëshmitarët të cilët na sollën të vërtetën ishin ngulmues?
3 Të imitojmë mëshirën e Perëndisë: Me durim, Jehovai ka lejuar që të kalojë kohë para se të ekzekutojë gjykimin mbi të ligjtë. Nëpërmjet nesh, ai ka vazhduar t’u bëjë thirrje personave me zemër të drejtë, që të kthehen tek ai e të shpëtojnë. (2 Pjet. 3:9) Do të konsideroheshim fajtorë gjaku po të mos ua shpallnim njerëzve mesazhin e mëshirshëm të Perëndisë e po të mos i paralajmëronim për ardhjen e ekzekutimit të gjykimit të Perëndisë mbi të gjithë ata që nuk heqin dorë nga udhët e tyre të këqija. (Ezek. 33:1-11) Edhe pse predikimi ynë nuk pritet gjithmonë mirë, s’duhet të pushojmë kurrë së bëri çdo përpjekje për të ndihmuar personat e sinqertë që të çmojnë mëshirën e madhe të Perëndisë.—Vep. 20:26, 27; Rom. 12:11.
4 Të tregojmë dashurinë tonë: Është Perëndia Jehova, nëpërmjet Jezu Krishtit, që urdhëroi të predikohet lajmi i mirë në të gjithë tokën. (Mat. 28:19, 20) Edhe kur njerëzit refuzojnë të dëgjojnë, ne kemi një mundësi për të treguar dashurinë dhe devocionin tonë ndaj Perëndisë, duke ngulmuar në bërjen e asaj që është e drejtë.—1 Gjon. 5:3.
5 Le të jemi të vendosur të vazhdojmë në veprën e predikimit! Le ta bëjmë këtë me zell, ndërsa është ende «dita e shpëtimit» e Jehovait!—2 Kor. 6:2.