Përse vazhdojmë të kthehemi?
1 A ia ke bërë ndonjëherë vetes këtë pyetje, ndoshta tek përgatiteshe një ditë për të dalë në shërbim? Në disa zona ku territori punohet në mënyrë të përsëritur, pronarët e shtëpive mund të na njohin se kush jemi dhe pa e bërë të gjatë na kthejnë mbrapsht. Disa na thonë hapur që të mos kthehemi më. Vetëm një numër shumë i vogël mund të përgjigjet në mënyrë të favorshme. Gjithsesi, ka shumë arsye të fuqishme se përse ne vazhdojmë të kthehemi.
2 Para së gjithash, ne jemi urdhëruar për të vazhduar predikimin e mesazhit të Mbretërisë derisa të vijë fundi. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Profeti Isaia pyeti se sa gjatë duhej ta vazhdonte veprën e tij të predikimit. Përgjigjja që mori gjendet e regjistruar në Isainë 6:11. S’ka asnjë fije dyshimi, atij iu tha që të vazhdonte të kthehej tek njerëzit me mesazhin e Perëndisë. Po ashtu edhe sot, edhe pse ata mund të na kthejnë mbrapsht, Jehovai pret nga ne që të vazhdojmë të vizitojmë njerëzit që jetojnë në territorin tonë. (Ezek. 3:10, 11) Kjo është një përgjegjësi e shenjtë që na është besuar.—1. Kor. 9:17.
3 Një tjetër arsye që të vazhdojmë të kthehemi, është se kjo na jep mundësi për të treguar thellësinë e devotshmërisë sonë ndaj Jehovait. (1. Gjon. 5:3) Veç kësaj, kur sodisim se çfarë ofron e ardhmja e afërt për njerëzimin, si mund të frenohemi nga përpjekjet e dashura, për të paralajmëruar të afërmit tanë? (2. Tim. 4:2; Jak. 2:8) Duke qenë të besueshëm në caktimin tonë, sigurohen mundësi të vazhdueshme që ata t’i përgjigjen mesazhit të Perëndisë për shpëtim, e kështu që nuk do të mund të thonë se nuk ishin paralajmëruar.—Ezek. 5:13.
4 Për më tepër, ne kurrë nuk e dimë se kur do ta ndryshojnë zemrën disa njerëz. Ata mund të nxiten nga një ndryshim në rrethanat e tyre personale, një tragjedi në familje apo nga kushtet e botës që i bëjnë të mendojnë seriozisht për të ardhmen e tyre. Nga ana tjetër, diçka që themi në derën e tyre, mund të shkaktojë një reagim të favorshëm. (Ekl. 9:11; 1. Kor. 7:31) Gjithashtu, njerëzit transferohen. Mund të gjejmë banorë të rinj në territorin tonë që i përgjigjen lajmit të mirë, ndoshta të rritur të rinj, të cilët tani jetojnë për hesap të tyre dhe mendojnë seriozisht për qëllimin e tyre në jetë.
5 A do të vazhdojmë të kthehemi? Po! Shkrimet na japin motive të bollshme për t’u kthyer vazhdimisht tek njerëzit. Në fund, kur vepra e predikimit të ketë mbaruar, Jehovai do të na bekojë për përpjekjet tona të vazhdueshme në shërbim dhe do të bekojë ata që i janë përgjigjur me mirënjohje lajmit të mirë të Mbretërisë.—1. Tim. 4:16.