Të organizuar «siç ka hije dhe me rregull»
1 Që një kongres krahinor të jetë i suksesshëm, kërkohet një ndërthurje e shumë përpjekjeve. Administrata e kongresit merret me sigurimin e një vendi të përshtatshëm për t’u mbledhur, si edhe me kontratat për strehimin. Individë dhe grupe familjare bëjnë plane për udhëtimin dhe strehimin. Veç kësaj, kongregacionet bashkërendojnë përpjekjet e tyre vullnetare për të plotësuar me punëtorë repartet e shumta që nevojiten për zhvillimin e kongresit. Synimi është që ‘çdo gjë të ndodhë siç ka hije dhe me rregull’.—1 Kor. 14:40.
2 Ndërsa bashkërendojmë përpjekjet tona me ato që bëhen për organizimin e kongresit, të kujtojmë se nevojiten muaj, disa herë edhe vite përgatitjeje. Qindra vëllezër harxhojnë shumë kohë për të vënë punët në vijë. Kjo përfshin sigurimin e lokaleve me qira, grumbullimin e pajisjeve dhe mbledhjen e punëtorëve. Kjo përgatitje paraprake, u sjell si përfundim bekime të gjithëve në aspektin frymor. Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar?
3 Të bashkëpunojmë me rregullimet për strehimin: Është tepër e rëndësishme që të gjithë të bashkëpunojmë me rregullimet e kongresit. Kjo është veçanërisht e nevojshme kur planifikojmë lidhur me strehimin tonë. Në të vërtetë, për çdo kongres nevojiten qindra vende strehimi. Shumica e vëllezërve tanë kanë të ardhura të kufizuara dhe shpresojnë për strehime me qira të arsyeshme. Janë bërë përpjekje të mëdha për të siguruar hotele dhe vende të tjera strehimi me qiranë më të mirë që është e mundur. Ne duhet t’i kujtojmë me dashuri nevojat e të tjerëve dhe ‘të shohim me interes personal jo vetëm çështjet tona, por me interes personal edhe ato të të tjerëve’.—Filip. 2:4.
4 Duke iu përmbajtur ngushtësisht udhëzimeve të kongresit për të siguruar strehimin, bëjmë që të kenë dobi të gjithë ata që interesohen për këtë gjë. Shpërfillja e këtyre udhëzimeve krijon probleme të panevojshme. Si kështu? Kur veprojmë në përputhje me udhëzimet e kongresit, hotelet dhe vendet e tjera të strehimit e dinë që më përpara se sa dhoma kanë të regjistruara dhe kështu se sa mysafirë do të kenë. Kjo i ndihmon për planifikimin që bëjnë dhe mund të bëjë që të ulen më tej qiratë gjatë viteve të ardhshme. Nëse shumë nga ne i anulojmë rezervimet ose bëjmë plane të tjera, i prishim punë administratës së hotelit, vendeve të tjera që janë marrë për strehim, si edhe vëllezërve e motrave që mund të kenë dashur të strehohen në të njëjtën ndërtesë. Administrata mund të rezervojë më pak dhoma për kongreset tona në të ardhmen, duke menduar se ne nuk do t’i mbajmë premtimet. Sa më mirë është kur e mbajmë fjalën, duke lejuar që ‘Po, të jetë Po’!—Mat. 5:37
5 Të shqyrtojmë këto rezultate të mira: Pas një kongresi, pronari i një kampi u shpreh: «Kam vërejtur se Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të ndershëm në gjithçka që bëjnë. Javën që kaloi pata 40 nga ata në kampin tim e nuk krijuan ndonjë problem. Përkundrazi, janë të vetmit që vijnë e të thonë nëse kanë ndonjë person më shumë që qëndron në dhomën-rimorkio ose në çadrën e tyre. Për aq sa kam pasur të bëj me ta, janë klientët më të mirë që mund të kesh.» Sa e mrekullueshme do të ishte sikur të gjithë ata që na japin dhoma me qira të kishin një përvojë të tillë të shkëlqyer! Çfarë dëshmie do të jepte kjo gjë!
6 Administruesi rajonal i një numri hotelesh, një herë tha: «Nuk kujtoj të kem pasur ndonjëherë një grup kaq të madh që të demonstrojë bindjet e tij në një mënyrë kaq të mrekullueshme sa Dëshmitarët e Jehovait. Shpresojmë që të ktheheni përsëri.» Ky koment tregon se sjellja e mirë është freskuese jo vetëm për ne, por edhe për shumë në botë që na vëzhgojnë.
7 Mënyrat bazë që mund të bashkëpunojmë: Janë të thjeshta gjërat që mund të bëjmë për të bashkëpunuar me rregullimin e kongresit për të rezervuar vendet e strehimit. (1) Të mos rezervojmë më shumë dhoma hoteli ose vende të tjera strehimi nga ç’kemi në plan të përdorim. (2) Nëse kërkohet, të dërgojmë paradhënien e përshtatshme për të rezervuar dhomën. (3) Të mos e teprojmë me ushqimet që mund të jepen falas në mëngjes për mysafirët. (4) Të mos harrojmë që pronarët e hotelit presin me të drejtë t’u bindemi rregullave të tyre.
8 Si shërbëtorë të Perëndisë Jehova, kemi mundësi të pasqyrojmë personalitetin e tij në gjithçka që bëjmë. Kjo do të thotë edhe që të bëjmë rregullime dhe të ndjekim kongreset ku përfshihet emri i tij. Të mos harrojmë se ai «nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes». (1 Kor. 14:33) Kështu, le të jemi të vendosur t’u përmbahemi udhëzimeve të dhëna që të gjithë vëzhguesit ta dallojnë këtë cilësi të Jehovait nga ajo që vërejnë te ne, nga sjellja dhe qëndrimi ynë, ndërsa bëjmë plane për të ardhur e për të ndjekur Kongresin Krahinor «Mësues të Fjalës së Perëndisë». Le ta kuptojnë vëzhguesit me zemër të sinqertë se turmat e mbledhura të Jehovait janë organizuar «siç ka hije dhe me rregull»!—Psal. 68:26.