ARTIKULLI I STUDIMIT 30
KËNGA 97 Fjala jote për ne është jetë
A mund të mësosh akoma nga të vërtetat bazë të Biblës?
«Kam ndër mend t’jua kujtoj këto gjëra gjithnjë, ndonëse tashmë i dini dhe jeni të rrënjosur në të vërtetën.»—2 PJET. 1:12.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si të nxjerrim mësime me vlerë nga disa të vërteta bazë të Biblës, ndonëse i njohim prej vitesh.
1. Si të ndryshoi jeta pasi mësove disa të vërteta bazë të Biblës?
TË VËRTETAT bazë të Biblës na kanë ndryshuar jetën. Për shembull, kur mësuam se Perëndia e ka emrin Jehova, hodhëm hapin e parë në miqësinë me të. (Isa. 42:8) Kur mësuam çfarë ndodh realisht me ata që vdesin, nuk na brente më dyshimi se mos njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur po vuajnë. (Ekl. 9:10) Gjithashtu kur mësuam premtimin e Perëndisë se toka do të bëhet Parajsë, nuk ishim më të shqetësuar për të ardhmen tonë. Kuptuam se mund të jetonim jo thjesht për një periudhë të shkurtër 70 a 80-vjeçare, por pafundësisht.—Psal. 37:29; 90:10.
2. Si e tregon 2 Pjetrit 1:12, 13 se edhe të krishterët e pjekur mund të nxjerrin dobi nga mësimet bazë të Shkrimeve?
2 Kurrë të mos lejojmë të na zbehet çmueshmëria për mësimet bazë të Biblës. Të mendojmë për të krishterët që apostulli Pjetër u shkroi letrën e tij të dytë. Ata ishin «të rrënjosur në të vërtetën». (Lexo 2 Pjetrit 1:12, 13.) Mirëpo në atë kohë po përballeshin me rreziqe në kongregacion, siç ishin mësuesit e rremë dhe njerëzit që e shpërfillnin Perëndinë. (2 Pjet. 2:1-3) Pjetri donte t’i forconte vëllezërit e motrat, që të mbroheshin nga këto rreziqe. Ja pse u kujtoi disa mësime që tashmë i dinin. Ato do t’i ndihmonin të qëndronin besnikë deri në fund.
3. Pse të gjithë duhet të vazhdojnë të mendojnë thellë për mësimet bazë të Biblës? Ilustrojeni.
3 Teksa bëhemi të krishterë më të pjekur, mund të nxjerrim mësime të reja nga të vërtetat themelore të Biblës. Ta ilustrojmë: një kuzhinier me përvojë dhe një fillestar mund të përdorin të njëjtët përbërës bazë kur gatuajnë. Por me kalimin e kohës, kuzhinieri me përvojë ka mësuar t’i përdorë këta përbërës në mënyra të ndryshme, për të përgatitur gatime të reja e të shijshme. Po njësoj, dikush që i shërben Jehovait prej kohësh dhe një student i ri i Biblës, mund t’i shohin të vërtetat bazë nga këndvështrime të ndryshme. Ka shumë mundësi që rrethanat tona dhe privilegjet e shërbimit të kenë ndryshuar që nga koha e pagëzimit. Kur mendojmë për të vërtetat që mësuam kohë më parë, dallojmë mënyra të reja si t’i zbatojmë në rrethanat tona sot. Të shohim ç’mund të mësojnë të krishterët e pjekur nga tri të vërteta bazë.
JEHOVAI ËSHTË KRIJUESI
4. Si ka ndikuar te ne fakti që Jehovai është Krijuesi?
4 «Ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.» (Hebr. 3:4) E dimë se planeti ynë dhe jeta në të janë vepër e një Krijuesi të plotfuqishëm me mençuri të paskajshme. Ai na njeh gjer në imtësitë më të vogla, se na ka bërë vetë. Ç’është më e rëndësishmja, Krijuesi na ka shumë për zemër dhe e di ç’është më e mira për ne. Kjo e vërtetë e thjeshtë, pra se Jehovai është Krijuesi, ka ndikuar thellë te ne dhe i ka dhënë kuptim jetës sonë.
5. Si na ndihmon e vërteta se Jehovai është Krijuesi? (Isaia 45:9-12)
5 E vërteta se Jehovai është Krijuesi mund të na ndihmojë edhe të zhvillojmë përulësinë. Për shembull, kur Jobi u përqendrua tepër te vetja dhe u përpoq të mbrohej para të tjerëve, Jehovai i kujtoi se është Krijuesi i plotfuqishëm. (Jobi 38:1-4) Kjo e ndihmoi Jobin të kuptonte se udhët e Perëndisë qëndrojnë ku e ku më lart se udhët e njeriut. Më vonë profeti Isaia shprehu një mendim të ngjashëm kur shkroi: «A i thotë argjila Poçarit: ‘Çfarë po bën?’»—Lexo Isainë 45:9-12.
6. Kur është veçanërisht e rëndësishme të mendojmë për madhështinë e pashoqe të Krijuesit? (Shih edhe figurat.)
6 Dora-dorës që fiton eksperiencë, ka rrezik që një shërbëtor i Perëndisë të fillojë të mbështetet më tepër tek opinionet e veta sesa te Jehovai dhe te Fjala e Tij. (Jobi 37:23, 24) Por ç’ndodh kur mendon thellë për mençurinë dhe madhështinë e pashoqe të Krijuesit? (Isa. 40:22; 55:8, 9) Kjo e vërtetë themelore e ndihmon të mbetet i përulur dhe të mos u japë rëndësi të tepruar mendimeve të veta.
Çfarë mund të na ndihmojë të mos u japim rëndësi të tepruar ideve tona? (Shih paragrafin 6)e
7. Çfarë e ndihmoi Rahelën të përshtatej me një drejtim të ri?
7 Rahela, që jeton në Slloveni, e pati më kollaj të përshtatej me një ndryshim brenda organizatës pasi mendoi për faktin se Jehovai është Krijuesi. Ajo pranon: «S’e kam pasur gjithmonë të lehtë të pranoj vendimet e vëllezërve që marrin drejtimin. Për shembull, ndonëse e kisha parë raportin nga Trupi Udhëheqës,a prapë u shokova kur pashë për herë të parë një vëlla me mjekër që mbajti një fjalim. Prandaj iu luta Jehovait që të më ndihmonte të mësohesha me këtë ndryshim.» Rahela arriti në përfundimin se, si Krijuesi i qiellit dhe i tokës, Jehovai është përsosmërisht i aftë për të udhëhequr organizatën e tij në drejtimin e duhur. Nëse e ke të vështirë të pranosh një qartësim në bindjet tona ose të përshtatesh me një drejtim të ri, pse të mos mendosh thellë për mençurinë dhe fuqinë marramendëse të Krijuesit?—Rom. 11:33-36.
PSE I LEJON PERËNDIA VUAJTJET
8. Si kemi nxjerrë dobi ngaqë dimë arsyet pse i lejon Perëndia vuajtjet?
8 Pse i lejon Perëndia vuajtjet? Disa që nuk e dinë përgjigjen e kësaj pyetjeje janë mbushur me mllef ndaj Perëndisë ose kanë nxjerrë përfundimin se ai nuk ekziston. (Prov. 19:3) Kurse ti ke mësuar se shkaku i vuajtjeve është papërsosmëria dhe mëkati i trashëguar, jo Jehovai. Ke mësuar edhe se falë durimit të Jehovait, miliona njerëz kanë arritur ta njohin dhe të kuptojnë si do t’u japë fund një herë e mirë vuajtjeve. (2 Pjet. 3:9, 15) Këto të vërteta ta kanë qetësuar zemrën dhe të kanë afruar me të.
9. Në cilat raste duhet t’i kujtojmë vetes arsyet pse i lejon Jehovai vuajtjet?
9 E kuptojmë se na duhet durim ndërsa presim që Jehovai t’u japë fund vuajtjeve. Megjithatë, kur ne ose njerëzit tanë të dashur përballemi me vuajtje, padrejtësi a me vdekjen e një njeriu të afërt, ndoshta na mundon pyetja pse nuk vepron më shpejt Jehovai. (Hab. 1:2, 3) Në raste të tilla është e mençur të ndalemi e të mendojmë pse Jehovai lejon që të drejtëve t’u bien halle.b (Psal. 34:19) Mund të bluajmë në mendje edhe qëllimin e tij për t’u dhënë fund përgjithmonë vuajtjeve.
10. Çfarë e ka ndihmuar Anën të përballojë humbjen e mamasë?
10 Ngaqë e dimë pse i lejon Perëndia vuajtjet, e kemi më të lehtë të tregojmë qëndrueshmëri. Ana që jeton në ishullin Majote, në Oqeanin Indian, tregon: «Ca vite më parë, kur më vdiq mamaja, u zhyta në trishtim. Megjithatë, i kujtoj vazhdimisht vetes se nuk është faji i Jehovait që vuajmë. Ai mezi pret të na çlirojë nga çdo lloj vuajtjeje dhe t’i kthejë në jetë njerëzit tanë të dashur. Kur mendoj për këto të vërteta, më pushton një paqe aq e thellë, sa edhe vetë çuditem.»
11. Si na motivon e vërteta për vuajtjet të predikojmë pa u dorëzuar?
11 E vërteta për vuajtjet mund të na motivojë edhe të predikojmë pa u dorëzuar. Pasi shpjegoi se falë durimit të Jehovait njerëzit mund të pendohen e të shpëtojnë, Pjetri shkroi: «Mendoni ç’lloj personash duhet të jeni: të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj dhe të përkushtuar ndaj Perëndisë në çdo gjë që bëni.» (2 Pjet. 3:11) Një mënyrë si e tregojmë se jemi «të përkushtuar ndaj Perëndisë», është duke marrë pjesë në shërbim. Njësoj si Ati ynë, ne i duam njerëzit dhe dëshirojmë të jetojnë në botën e re ku do të mbretërojë drejtësia. Jehovai po tregohet i duruar duke u dhënë njerëzve në territorin tënd mundësinë ta adhurojnë. Ç’privilegj të mrekullueshëm ke të punosh përkrah Perëndisë dhe të ndihmosh sa më shumë veta ta njohin para se të vijë fundi!—1 Kor. 3:9.
PO JETOJMË NË «DITËT E FUNDIT»
12. Çfarë sigurie na jep e vërteta se po jetojmë në «ditët e fundit»?
12 Bibla e përshkruan me saktësi si do të ishin njerëzit në «ditët e fundit». (2 Tim. 3:1-5) Mjafton të hedhim sytë përreth dhe shohim qartë si po plotësohet kjo profeci. E teksa shohim se qëndrimet dhe sjellja e njerëzve sa vijnë e keqësohen, jemi më të sigurt se kurrë që Fjala e Perëndisë është e besueshme.—2 Tim. 3:13-15.
13. Në harmoni me ilustrimin e Jezuit te Luka 12:15-21, cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes?
13 E vërteta se po jetojmë në ditët e fundit na nxit të kemi ndjenjën e urgjencës. Të shohim ç’na mëson për këtë ilustrimi i Jezuit te Luka 12:15-21. (Lexoje.) Pse e quajti ‘të paarsyeshëm’ Perëndia njeriun e pasur? Jo ngaqë kishte pasuri, por ngaqë nuk u kishte dhënë përparësi gjërave të duhura. Ai kishte vënë mënjanë ‘thesare për vete, por nuk ishte i pasur në sytë e Perëndisë’. Pse ishte aq kritike situata e tij? Perëndia i tha: «Sonte do të kërkojnë jetën tënde.» Ndërsa po troket fundi i këtij sistemi, mund të pyesim veten: «A tregojnë synimet e mia se kam ndjenjën e urgjencës? Drejt cilave synime po i nxit fëmijët e mi? Për çfarë i përdor kryesisht energjitë, kohën dhe të ardhurat: për të mbledhur ‘thesare për vete’ apo ‘thesare në qiell’?»
14. Siç e tregon shembulli i Mikit, pse është e mençur të mendojmë për dëshmitë se po jetojmë në ditët e fundit?
14 Ia vlen të mendojmë për dëshmitë që tregojnë se po jetojmë në ditët e fundit, pasi kjo mund të na nxitë t’u japim përparësi gjërave të duhura. Kështu ndodhi me një motër që quhet Miki. Ajo tregon: «Kur mbarova shkollën e mesme, doja shumë të ndiqja një degë në fakultet që lidhej me studimin e kafshëve. Por kisha edhe synimin të shërbeja si pioniere e rregullt dhe atje ku kishte më shumë nevojë. Disa miq të pjekur më këshilluan ta peshoja mirë nëse ishte realiste të zgjidhja atë karrierë ndërkohë që përpiqesha të arrija synimet në shërbim. Më kujtuan se ky sistem do të marrë fund së shpejti. Kurse në botën e re do të kem para tërë përjetësinë për të studiuar gjithë kafshët që dëshiroj. Prandaj zgjodha një kurs ku do të mësoja aftësi më praktike dhe që s’do të më merrte shumë kohë. Si rezultat, gjeta një punë që më dha mundësi të mbaja veten ndërsa shërbeja si pioniere e rregullt, e më vonë të transferohesha në Ekuador ku kishte më shumë nevojë.» Tani Miki dhe i shoqi shërbejnë në veprën qarkore në atë vend.
15. Pse nuk duhet të heqim dorë nga ata që s’kanë treguar akoma interes për lajmin e mirë? Jepni një shembull. (Shih edhe figurat.)
15 S’ka pse të shkurajohemi nëse në fillim disave s’u intereson fare lajmi i mirë. Njerëzit mund të ndryshojnë. Të kujtojmë shembullin e Jakovit, gjysmëvëllait të Jezuit. Ai e pa Jezuin teksa rritej, e pa të bëhej Mesia dhe t’i mësonte njerëzit si askush tjetër. Ama për vite të tëra nuk u bë dishepull i tij. Vetëm pasi Jezui u ringjall, Jakovi u bë dishepull, e madje një dishepull i zellshëm.c (Gjoni 7:5; Gal. 2:9) Pra, është shumë e rëndësishme të mos heqim dorë nga të afërmit që s’kanë treguar ende interes dhe nga njerëzit në territor që s’e kanë pranuar mesazhin për Mbretërinë. Të mbajmë ndër mend se po jetojmë në ditët e fundit, prandaj është urgjente t’u japim njerëzve lajmin e mirë. Ajo që u themi sot mund t’i shtyjë të veprojnë më vonë, ndoshta edhe pasi të nisë shtrëngimi i madh.d
Çfarë mund të na ndihmojë të mos heqim dorë nga të afërmit që s’janë Dëshmitarë? (Shih paragrafin 15)f
JI PËRHERË MIRËNJOHËS PËR PËRKUJTUESIT E JEHOVAIT
16. Si ke nxjerrë dobi nga përkujtuesit e Jehovait? (Shih edhe kutinë «Përdori për të ndihmuar të tjerët».)
16 Një pjesë e ushqimit të bazuar në Shkrime që siguron organizata jonë bëhet enkas për njerëzit që dinë fare pak për Biblën. Për shembull, fjalimet për publikun, disa artikuj e video në jw.org dhe revistat tona për publikun përgatiten kryesisht për ata që s’janë Dëshmitarë. Gjithsesi, edhe ne nxjerrim dobi prej tyre. Këta përkujtues na thellojnë dashurinë për Jehovain, na forcojnë besimin te Fjala e tij dhe na bëjnë më të aftë që t’u mësojmë të tjerëve të vërtetat bazë të Biblës.—Psal. 19:7.
17. Në cilat situata mund t’ia kujtosh vetes mësimet bazë të Biblës?
17 Ne entuziazmohemi kur qartësohet mënyra si e kuptojmë një të vërtetë nga Shkrimet. Por njëkohësisht e kemi zemrën plot mirënjohje për mësimet themelore të Biblës që na tërhoqën drejt Jehovait. Nëse ndonjëherë na vjen të bëjmë sipas mendjes sonë dhe jo sipas drejtimit të organizatës së Jehovait, me përulësi të kujtojmë kush po e drejton këtë organizatë—Krijuesi i plotfuqishëm me mençuri të paskajshme. Kur ne ose një njeriu ynë i dashur po vuan nga një sprovë, mund të tregojmë durim dhe të mendojmë për arsyet pse i ka lejuar Jehovai vuajtjet. Dhe kur vendosim për çfarë t’i përdorim kryesisht kohën dhe të ardhurat tona, të mos harrojmë se këtij sistemi i mbetet fare pak kohë. Ndaj le t’i lejojmë përkujtuesit e Jehovait të na japin forcë, të na frymëzojnë dhe të na bëjnë të mençur.
KËNGA 95 E vërteta ndrin gjithnjë e më shumë
a Shih Raporti nga Trupi Udhëheqës nr 8, 2023.
b Shih artikullin «Pse të gjitha vuajtjet do të marrin fund së shpejti?» në Kullën e Rojës të 15 majit 2007, f 21-25.
d Shih artikullin «Çfarë dimë për mënyrën si do t’i gjykojë Jehovai njerëzit së shpejti?» në Kullën e Rojës të majit 2024, f. 8-13.
e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak jep një sugjerim, por trupi i pleqve nuk është dakord me të. Më vonë, ndërsa sodit qiellin plot yje, vëllai kupton më qartë se mendimet e Jehovait janë më të rëndësishme se të tijat.
f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Gjatë studimit personal, një Dëshmitare shqyrton provat se po jetojmë në ditët e fundit. Kjo e nxit t’i telefonojë së motrës dhe t’i japë dëshmi.