«Rregulli i ri botëror» nis i pasigurt
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË GJERMANI
ME FILLIMIN e vitit 1991, njerëzit ishin optimistë. Lufta e Ftohtë kishte përfunduar. Vërtet, ekzistonte akoma problemi me Kuvajtin, që gushtin e kaluar ishte pushtuar nga Iraku. Por Kombet e Bashkuara mblodhën forcat dhe e urdhëruan Irakun që të tërhiqej brenda 15 janarit. Kërkesa mbështetej nga një koalicion ushtarak i përbërë nga 28 kombe, anëtare të OKB-së, i cili ishte organizuar shpejt dhe dhe ishte gati ta detyronte Irakun që të nënshtrohej. Kishte shpresa të mëdha se qëndrimi i palëkundur që kishte marrë komuniteti botëror, do të shënonte fillimin e një epoke të re.
Xhorxh Bush, president i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, foli për «mundësinë që na paraqitet ne dhe brezave të ardhshëm për të krijuar një rregull të ri botëror, një botë në të cilën qëndrimi ndërkombëtar të mos kontrollohet nga ligji i xhunglës, por nga sundimi i ligjit».
Më vonë, Iraku shpërfilli afatin e fundit të 15 janarit dhe si pasojë kundër objektivave ushtarake irakiane u bënë sulme masive ajrore dhe me raketa. Dukej qartë se komuniteti botëror e kishte me gjithë mend. Më pak se tre muaj më vonë, më 11 prill, OKB-ja shpalli përfundimin e Luftës së Gjirit. Premtimi për një rregull të ri botëror paqësor dhe ekonomikisht e politikisht të qëndrueshëm, dukej se po shkonte drejt realizimit.
Luftëra mjerisht të qëndrueshme
Nga mesi i vitit 1991, dy republika, Sllovenia dhe Kroacia, shpallën pavarësinë nga Jugosllavia e asaj kohe, duke filluar një luftë civile, që çoi përfundimisht në formimin e disa kombeve të ndara. Më pak se një vit më pas, analisti politik francez, Pjer Hasner, tha: «Ashtu si Evropa para vitit 1914, rregulli i ri botëror i Xhorxh Bushit vdiq në Sarajevë.» Megjithatë, perspektiva për paqe u bë më premtuese, kur nisën bisedimet në Deiton (Ohajo, SHBA), në nëntor 1995 dhe më 14 dhjetor, u nënshkrua në Paris një marrëveshje për paqen. Ndërsa afrohej fundi i vitit 1995, shpresa se sistemi i ri botëror, megjithatë, nuk kishte vdekur, u gjallërua sërish.
Republikat e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, po ndaheshin gradualisht. Në vitin 1991, Lituania, Estonia dhe Letonia ishin të parat që shpallën pavarësinë e tyre dhe pa vonuar këtë rrugë e ndoqën edhe të tjerat. Në dhjetor, lindi një grupim i lirë, i njohur si Komonuelthi i Shteteve të Pavarura, pavarësisht nga fakti se disa ish-anëtarë të Bashkimit Sovjetik nuk pranuan të bashkoheshin me të. Më pas, më 25 dhjetor, Gorbaçovi dha dorëheqjen si presidenti sovjetik.
Megjithatë, edhe republikat individuale filluan të shpërbëheshin. Për shembull, Çeçenia, një enklavë e vogël myslimane në veri të rajonit Kaukaz, në Rusi, luftonte për pavarësi. Përpjekja e saj për t’u shkëputur nga fundi i vitit 1994, ndezi xixat për një kundërsulm nga ana e trupave ruse. Edhe pse rreth 30.000 njerëz kanë humbur jetën që nga fillimi i krizës në fillim të viteve ’90, lufta vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Në tetor 1995, në të gjithë botën po bënin kërdinë nga 27 deri në 46 konflikte, sipas klasifikimit që u bëhet.
Në prag të falimentimit
Nga fillimi i vitit 1990, rregulli i ri botëror po shfaqte jo vetëm pasigurinë politike, por edhe atë ekonomike.
Në 1991-shin, Nikaragua zhvleftësoi monedhën, por edhe kështu, 25 milionë kordoba vlenin vetëm një dollar amerikan. Në të njëjtën kohë, Zaireja po përjetonte një shkallë inflacioni 850 për qind, duke i detyruar qytetarët e saj të përballonin një nga standartet më të ulëta të jetesës në të gjithë botën. Edhe ekonomia ruse e kishte punën keq, me një shkallë inflacioni që në 1992-shin arriti 2.200 për qind, duke e kthyer monedhën gati të pavlerë. Megjithëse më pas gjërat u përmirësuan, në 1995-n, problemet ekonomike ishin shumë larg zgjidhjes.
Skandali financiar i shekullit ndodhi në 1991-shin, kur Banka e Kreditit dhe e Tregtisë Ndërkombëtare u rrënua në saje të aktiviteteve mashtruese dhe kriminale. Depozitorët në 62 vende pësuan humbje që arrinin një shumë prej mijëra miliardë dollarë amerikanë.
Nuk po lëkundeshin vetëm vendet e varfra ekonomikisht; Gjermania e fuqishme ishte shumë e rënduar për shkak të pasojave të bashkimit. Papunësia rritej, ndërsa punëtorët kërkonin pushime më të gjata dhe kujdes më të mirë shëndetësor. Largimet dhe abuzimet e përhapura në lidhje me sigurimet shoqërore, ushtronin presion të mëtejshëm mbi ekonominë.
Në Shtetet e Bashkuara, një varg katastrofash të rënda rrënuan shoqëritë e sigurimit, të cilat e panë veten në vështirësi për të paguar sigurimet. Ndërsa në 1993-shin, libri Bankruptcy 1995: The Coming Collapse of America and How to Stop It paralajmëronte kundër rrezikut të borxhit kombëtar, që kishte arritur në qiell dhe kundër deficitit buxhetor. Edhe stabiliteti i shoqërisë angleze të sigurimit «Lloyd’s of London», që krahasohej me Shkëmbin e Gjibraltarit, u vu në dyshim. E goditur nga humbjet, edhe kjo shoqëri sigurimesh u detyrua të mendonte për atë që s’e kishte çuar asnjëherë nëpër mend: falimentimin e mundshëm.
Feja, një forcë stabilizuese?
Në 1991-shin, e përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung vërente: «Ky vizion për një rregull të ri botëror i ka rrënjët në traditën e gjatë të projekteve botërore amerikane, që kanë pasur të gjitha një esencë fetare dhe që janë shprehur në terma të krishterë.»
Ky sfond fetar, do të mendonte ndokush, duhet t’i ketë shtuar stabilitet rregullit të ri botëror. Por, në të vërtetë, konfliktet dhe intoleranca fetare çuan në një mungesë të përhapur stabiliteti. Algjeria dhe Egjipti ishin vetëm dy nga disa qeveri, që ishin në kundërshtim me fondamentalistët islamikë. Që të dyja vendet u goditën nga një valë terrorizmi me burim fetar. Gjatë vitit 1993, trazirat fetare në Indi përfshinë një periudhë nëntëditore të dhunës sektare në Bombei, e cila u mori jetën më shumë se 550 personave.
Mospajtimi fetar ngadalësoi progresin ekumenik në 1994-n, në momentin kur Kisha Anglikane emëroi 32 gra si priftëresha. Papa Gjon Pavli II e përcaktoi këtë si «një hendek shumë të thellë për çdo shpresë në lidhje me ribashkimin e Kishës Katolike me bashkësinë Anglikane».
Më 19 prill 1993, tensioni ndërmjet qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të një sekti fetar, Davidianët, të cilët kishin provokuar tashmë një situatë të vështirë në fermën e sektit në Uako, Teksas, dhe vrasjen e katër agjentëve federalë, u kushtoi jetën të paktën 75 anëtarëve të këtij sekti. Dy vjet më vonë, po hetohej mundësia se bombardimi terrorist që vrau 168 persona në ndërtesën federale, në qytetin Oklahama, mund të kishte qenë një shpagim për sulmin e Uakos.
Në fillim të vitit 1995, bota mbeti pa mend, tek dëgjoi për sulmin terrorist me gas helmues në sistemin e metrove të Tokios. Dhjetë persona vdiqën dhe mijëra të tjerë u sëmurën. Bota mbeti akoma më shumë e goditur, kur përgjegjësia iu atribua sektit apokaliptik, të quajtur Aum Shinrikyo ose Aum E vërteta Supreme.
Përvjetorë të rëndësishëm që s’kanë shumë për të festuar
Në 1492-shin, Kolombi arriti rastësisht në hemisferën perëndimore. Në 1992-shin, përvjetori i 500-të i kësaj ngjarjeje ngjalli shumë kundërshtime. Rreth 40 milionë pasardhës të indianëve amerikanë u zemëruan ndaj insinuatës se një evropian kishte «zbuluar» vendet, ku etërit e tyre kishin jetuar e përparuar shumë kohë para se ai të lindte. Disa e quajtën zbuluesin «një pararendës të pushtimit dhe të shfrytëzimit». Dhe në fakt, arritja e Kolombit në hemisferën perëndimore ishte më shumë një katastrofë, sesa një bekim për banorët e saj indigjenë. Pushtuesit e ashtuquajtur të krishterë u grabitën atyre tokën, sovranitetin, dinjitetin dhe jetën.
Në shtator të 1995-s, Izraeli filloi një periudhë 16 mujore festimesh për të kremtuar përvjetorin e 3.000-të të pushtimit të Jerusalemit nga mbreti David. Por përvjetori pati një fillim tragjik, pasi Kryeministri Jitzhak Rabin, më 4 nëntor, u rrëzua përtokë nga plumbat e një vrasësi, pak minuta pasi kishte drejtuar në një mbledhje thirrjen për paqe. Kjo gjë hodhi një hije mbi procesin e paqes në Lindjen e Mesme, duke treguar se dallimet e mëdha fetare nuk ekzistojnë vetëm mes popullit jude dhe atij palestinez, por edhe midis vetë judenjve.
Nga 1991-shi deri në 1995-n u festuan disa 50-vjetorë, në lidhje me Luftën e Dytë Botërore, me sulmin Perl Harbor, i cili provokoi hyrjen e Shteteve të Bashkuara në luftë; në lidhje me zbarkimin e trupave aleate në Evropë; me lirimin nga kampet naziste të përqendrimit; me fitoren e Aleatëve në Evropë dhe me hedhjen e bombës së parë atomike në Japoni. Duke mbajtur parasysh gjakun dhe lotët që shoqëronin këto ngjarje, disa njerëz pyesnin nëse e meritonin vërtet të festoheshin.
Kjo gjë i hapi rrugën përvjetorit të një ngjarjeje tjetër të rëndësishme: themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në tetor 1945. Atëherë shpresat ishin të mëdha se më në fund ishte gjetur mënyra për të arritur paqen në botë.
Kombet e Bashkuara, siç ka thënë kohët e fundit në mbrojtje të tyre Sekretari i Përgjithshëm, Butros Butros-Gali, kanë arritur shumë triumfe. Por nuk ia kanë dalë mbanë të arrijnë qëllimin e statutit të tyre, d.m.th. «të mbajnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare». Trupat e saj janë përpjekur shpesh për të mbajtur paqen në vende, ku nuk kishte asnjë paqe për të mbajtur. Deri në 1995-n, ato nuk arritën të sillnin në jetë një rregull të ri botëror të sigurt.
Ndërsa rregulli i ri botëror përkundet teokracia e vërtetë përparon
Për shkak të mungesës së stabilitetit politik, ekonomik dhe fetar që veniste para vetë syve të tyre vizionin për një rregull të ri botëror, disa njerëz kanë filluar të flasin për një çrregullim të ri botëror. Në këtë zhvillim, Dëshmitarët e Jehovait kanë parë prova të mëtejshme se vetëm bota e re që do të sjellë Perëndia, do të gëzojë stabilitet në shoqërinë njerëzore.
Në disa vende, fundi i Luftës së Ftohtë nënkuptonte një liri më të madhe për Dëshmitarët e Jehovait, duke u dhënë atyre mundësi të mbanin kongrese të rëndësishme ndërkombëtare në Budapest, Kiev, Moskë, Pragë, Shën Pjetërburg, Varshavë e gjetkë. Këto forcuan rregullimet kongregacionale të Dëshmitarëve të Jehovait anambanë botës dhe ndihmuan në përshpejtimin e veprës së tyre të predikimit. Prandaj, nuk është për t’u habitur që numri i Dëshmitarëve aktivë në një vend të Evropës Lindore u rrit nga 49.171 në 1991-shin në 153.361 në 1995-n. Gjatë po këtyre katër vjetëve, numri i Dëshmitarëve në të gjithë botën u rrit nga 4.278.820 në 5.199.895 të tillë. Teokracia e vërtetë po përparon si kurrë më parë.
Po, miliona njerëz tani e bazojnë shpresën e tyre për të ardhmen në premtimin e Perëndisë Jehova për «qiej të rinj dhe tokë të re», në të cilët «banon drejtësia». (2. Pjetrit 3:10, 13) Sa më e mençur është kjo gjë, sesa të shpresojmë në rregullin e ri botëror të njerëzve, i cili jo vetëm që nisi i pasigurt, por së shpejti do të kthehet në mosekzistencë.—Danieli 2:44.